Home > Europa, Shqiptarët dhe Europa > Hierarkia e evropianizimit

Hierarkia e evropianizimit

Enis SULSTAROVA

 

HIERARKIA E EVROPIANIZIMIT

Enis Sulstarova

Enis Sulstarova

Kontinenti i Evropës nuk ka kufij të qartë gjeografikë në pjesën lindore të tij, aty ku bashkohet me Azinë. Kjo do të thotë se të paktën caku lindor i Evropës duhet menduar si “i butë” – një cak imagjinar i përcaktuar nga ligjërimet historike dhe kulturore, përkundër kufijve “të fortë” institucionalë dhe ligjorë. Analiza e caqeve të përfytyruara të Evropës është një përpjekje për të kuptuar se si pushteti simbolik i tyre natyralizon dhe legjitimon kufijtë “e fortë” politikë të Evropës, që gjatë historisë kanë qenë të debatueshëm, sikurse debatohet sot mbi kufijtë përfundimtarë të Bashkimit Evropian (BE). Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në ligjërimet mbi bashkimin dhe paqen në Evropë, koncepti i “Evropës” barazohej me Perëndimin, edhe sepse Perdja e Hekurt ofronte një kufi politik për botën e lirë. Pas rënies së komunizmit, zgjerimi i BE-së drejt lindjes u bë nën terminologjinë e “evropianizimit”, e cila nënkuptonte se disa rajone të kontinentit nuk ishin aq “evropiane” sa duhet ose, të paktën, jo në të shkallë që ishin vendet e Evropës Perëndimore. Për më tepër, nga këndvështrimi perëndimor dhe ai i disidentëve nga Evropa Lindore, komunizmi përfaqësonte një rrugë “jonormale” të zhvillimit. Nuk është e rastësishme që Habermasi kryengritjet kundërkomuniste popullore të vitit 1989 i quante “revolucione korrigjuese”, për të na thënë se ato nuk paraqisnin ide të reja, por ishin një kthim drejt kapitalizmit dhe demokracisë liberale, të cilat komunizmi më parë i paraqiste si të kapërcyera.

Sigurisht “evropianizimi” ka një histori edhe më të gjatë, sepse përpara ekzistencës së BE-së konceptet e “Evropës” dhe të “Perëndimit” kanë qenë një referencë thelbësore për projektet e ndërtimit të shteteve kombëtare në kontinent. Ideja bazë e modernizimit është se shoqëria njerëzore mund të ndryshohet dhe të përmirësohet me anë të arsyes dhe në këtë aspekt qenia “evropian” dhe njohja si i tillë nga të tjerët kanë qenë për kombet e reja të kontinentit një simbol i fuqishëm identitar. Prandaj “evropianizimi”, i kuptuar si një kontekst normativ, i ka paraprirë BE-së dhe proceseve të integrimit në BE. Në këtë mënyrë, me mbarimin e Luftës së Ftohtë, në pjesën lindore të kontinentit miti i “rikthimit në Evropë” ka udhëhequr shndërrimet strukturore në sferat politike dhe ekonomike, por edhe ka rindezur përfytyrimet kolektive të kombit dhe vazhdimësinë e projekteve kombëtare që mendoheshin se kishin mbetur të ngrira gjatë komunizmit.

Fuqia e evropianizimit të sotëm qëndron te lidhja e tij me idetë e bashkimit, paqes dhe pranimit të larmisë kulturore si vlera, por historikisht ideja e Evropës është përdorur edhe në të mirë të përjashtimit kulturor dhe racor. Përkufizimi negativ i Evropës (d.m.th. ajo çka Evropa nuk është) është edhe sot për shumë evropianë më i lehtë se sa evidentimi i atyre gjërave që ata kanë të përbashkëta. Përkufizimi më i zakonshëm negativ i Evropës në histori ka qenë me anë të diferencimit të saj me Azinë dhe Lindjen. Rrënjët e këtij dallimi i gjejmë deri në lashtësi te ndarja midis grekëve dhe barbarëve. Në Mesjetë e deri në fillimet e kohës së re, identiteti i Evropës së krishterë përkufizohej përkundër “saraçenëve” dhe turqve myslimanë, ndërsa statusi i rusëve ishte ai i evropianëve liminalë: të krishterë, por skizmatikë, të bardhë, por të paqytetëruar, evropianë dhe mongolë njëkohësisht. Në kohën moderne, nisur nga këndvështrimi i fuqive evropiane përgjatë Atlantikut, popujt periferikë në jug, lindje dhe juglindje të Evropës nuk trajtoheshin si plotësisht evropianë, por si gjysmë-evropianë ose gjysmë-orientalë dhe këto cilësime u rishfaqën me rënien e komunizmit.

Pas vitit 1989 marrëdhëniet e pushtetit midis pjesëve perëndimore dhe lindore të kontinentit paraqiten si një pjerrinë qytetëruese, të cilën duhet ta ngjisin vendet e Evropës Lindore për ta arritur utopinë e re globale të liberal-demokracisë që tashmë e gëzon Evropa Perëndimore. Ndërsa BE-ja qëllimisht merr mbi vete përfaqësimin e idesë së Evropës dhe flet në emër të Evropës, ajo përhap iluzionin se nuk ka Evropë tjetër, veç BE-së. Në misionin e saj qytetërues “të evropianizimit” të pjesës tjetër të kontinentit, BE-ja përpiqet të ndikojë politikat e brendshme dhe të jashtme të shteteve fqinjë. Disa prej tyre i ka pranuar tashmë brenda vetes dhe po e kontrollon përparimin e të tjerëve që janë në listën e pritjes. Ndërsa është e vërtetë që BE-ja nuk të njësohet plotësisht me perandoritë e vjetra evropiane, në krahun tjetër, siç vëren politologu Jan Zielonka, ajo bën atë që kanë bërë edhe perandoritë e mëparshme: ushtrimin e kontrollit mbi aktorët periferikë me anë të aneksimit ose dominimit joformal. Ta quash evropianizimin e sotëm si të ngjashëm me misionet qytetëruese perandorake nuk është thjesht retorikë, sepse evropianizimi, sikurse edhe misionet qytetëruese në historinë e shekujve të kaluar, orvatet t’i bindë periferitë se ai është i mirë për to dhe jo vetëm për kombet perëndimorë. Ai gjithashtu krijon lidhje normative midis periferive dhe qendrës, të cilat bëjnë të mundur bashkëjetesën dhe bashkëpunimin paqësor. Vlerat dhe normat e projektit evropian janë “perëndimore” në zanafillë dhe se vendet ish-komuniste janë marrësit e tyre dhe fakti që evropianizimi është i mirëpritur në periferi, nuk e fsheh dot asimetrinë e madhe në terma materiale dhe ideore që ekziston midis bërthamës perëndimore të BE-së dhe vendeve paskomuniste që i bashkëngjiten asaj. Për disa “evropianiteti” është i dhënë, kurse të tjerët duhet ta fitojnë me shumë punë atë, në mënyrë që të kapërcejnë instinktet dhe tiparet e veta “orientale”.

Vendet ish-komuniste nuk mund t’i negociojnë kushtet e “evropianizimit”, por duhet t’i ndjekin recetat e BE-së, FMN-së dhe Bankës Botërore nëse vërtet duan ta arrijnë “demokracinë”, “kapitalizmin” dhe që së fundi të bëhen “evropianë”. Duke perifrazuar shkrimtarin Xhorxh Oruell mund të themi se të gjithë jemi evropianë, por një pjesë janë më evropianë se të tjerët. Ligjërime të tilla për identitetin jo plotësisht evropian të periferisë së Evropës kanë shoqëruar evropianizimin e kësaj të fundit. Siç e vumë në dukje më sipër, “evropianizimi” i vendeve ish-komuniste duhet konceptuar ndarazi nga procesi i integrimit në BE, sepse ai ka të bëjë me (ri)bërjen pjesë në qytetërimin evropian dhe jo vetëm në BE. P.sh. anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009 u quajt nga shqiptarët si një pohim më shumë se vendi është tani më i evropianizuar se më parë, edhe pse anëtarësimi në BE dukej i largët. Jo më kot një nga parullat që hodhi qeveria e atëhershme ishte “Sot në NATO, nesër në BE”. Në këtë mënyrë, pjesërisht për t’iu përgjigjur prapambetjes materiale dhe teknologjike krahasuar me Evropën Perëndimore dhe pjesërisht për t’u paraprirë dhe përgjigjur perceptimeve të perëndimorëve për ta, elitat kulturore dhe politike të Evropës Lindore i kanë rindërtuar identitetet kombëtare rreth “mungesës” së Evropës. Në sytë e këtyre elitave modernizuese, popujve të tyre u mungojnë tipare të dhëna që i kanë perëndimorët, prandaj evropianizimi synon që ta kapërcejë hendekun, edhe duke thirrur në ndihmë fuqitë perëndimore. Presidenti i atëhershëm i Bullgarisë, Zhelju Zheljev, në një vizitë në Francë në vitin 1994 ai tha këto fjalë qeverisë franceze, e cila në atë kohë mbante presidencën e BE-së: “Na bëni sa më shpejt evropianë nëse nuk doni që të bëheni ju vetë ballkanas”. Me fjalë të tjera, na qytetëroni, nëse nuk doni që ju vetë të bini në nivelin e barbarisë.

Duke e pranuar si legjitime hierarkinë Perëndim-Lindje, elitat e shteteve që synojnë integrimin me BE-në kanë zhvilluar mitet e veta të “rikthimit në Evropë”, në këtë mënyrë duke e konsideruar komunizmin si diçka joevropiane ose jashtë-evropiane, që iu imponua atyre dhe duke i bërë apel një bashkësie evropiane parakomuniste, që në realitet nuk ka ekzistuar asnjëherë. Ligjërime të tilla janë emërtuar si “orientalizëm i Evropës Lindore”, “imagjinatë vetë-kolonizuese”, “vetorientalizëm” apo “orientalizëm i brendshëm”, sepse elitat kombëtare e shohin popullin e tyre ose pjesë të këtij të fundit, si “jo plotësisht evropiane” ose edhe me veti “barbare” që duhen fshirë. Këto elita duke u identifikuar tashmë me Perëndimin, edhe pse mund të kenë qenë dikur pjesë e elitës (kundërperëndimore) komuniste, vajtojnë pse nuk kanë lindur në Paris ose Londër, por në mesin e kësaj turme inferiore injorantësh, katundarësh, malokësh apo orientalësh që nuk marrin vesh nga Evropa dhe na i turpëron para Evropës. Një strategji që kanë ndjekur elitat kombëtare për t’i shpëtuar inferioritetit që ndjejnë përballë Perëndimit, është orvatja ligjërimore për ta shkëputur vendin e tyre nga rajoni “jo dhe aq evropian” dhe për ta bashkangjitur me ndonjë rajon tjetër “më evropian”. Është i njohur rasti i intelektualëve disidentë çekë, hungarezë dhe polakë që përpiqeshin t’i thoshin Perëndimit se vendet e tyre përbënin rajonin e Evropës Qendrore, i cili mbahej peng nga Bashkimi Sovjetik. Kur Evropa Qendrore u pranua në Perëndim si një rajon më evropian se sa rajonet më në lindje apo juglindje, ishte radha e Sllovenisë dhe e Kroacisë që të kërkonin të bëheshin pjesë e Evropës Qendrore, për t’i ikur identifikimit me Ballkanin. Ndërsa elitat e vendeve të tjera ballkanike bënë përpjekje për ta riemërtuar rajonin e tyre si Evropë Juglindore, për të theksuar përkatësinë e tij evropiane. Në IRJM, që ndodhet në zemër të Ballkanit jugor, përfaqësuesit më të lartë të shtetit e përshkruanin vendin e tyre si ballkanik jotipik, sepse ai nuk ishte përfshirë në luftërat civile të ish-Jugosllavisë. Ky ligjërim vazhdoi edhe pas përplasjeve ndëretnike të vitit 2001, sepse kapërcimi i krizës u interpretua nga qeveritarët maqedonas si një “zgjidhje evropiane”, ndryshe nga sa kishte ndodhur me republikat e tjera. Ngjashëm, në Shqipëri disa intelektualë protestuan për vendimin e burokracisë së BE-së për ta përfshirë vendin e tyre në rajonin e porsandërtuar të Ballkanit Perëndimor. Publicisti Agron Alibali në vitin 2003 sugjeronte që Shqipëria të merrte nismën e krijimit të pakti rajonal të “Evropës së Adriatikut”, për t’u shkëputur nga konotacionet negative që mbarte fjala Ballkan në mendjet e evropianëve dhe për të përfituar nga konotacionet pozitive që u përcillte atyre Adriatiku: qytetërimet e lashta mesdhetare dhe destinacionet turistike të stinës së verës.

Siç shihet, elitat e kombeve periferike dhe “vetë-kolonizuese” përpiqen të dëshmohen si evropianë me anë të përjashtimit të fqinjëve nga evropianiteti i supozuar. Milica Bakiç-Hajden këtë dukuri e ka përshkruar me termin “orientalizëm i radhitur”, sepse sipas saj, elitat e kombeve që përbënin ish-Jugosllavinë e quanin “oriental” fqinjin: sllovenët këtë e bënin me kroatët, kroatët me serbët, serbët me maqedonasit, shqiptarët e boshnjakët. Kjo përfshirje e vetes me anë të përjashtimit të tjetrit ka ndodhur edhe në pjesë të tjera të Evropës Lindore, ku përmes orientalizmit dhe racizmit, dështimi për t’u ngjitur më lart në pjerrinën e Evropës u vishet popujve “orientalë”: qëndrime të tilla gjenden te çekët për sllovakët ose te polakët për ukrainasit dhe rusët. Një zgjatim i kësaj dukurie të radhëve të orientalizmit janë edhe mitet antemurale, d.m.th. mitet e bedenit mbrojtës të qytetërimit. Që nga Spanja e deri në Poloni e Ukrainë janë të përhapura mitet se si në një kohë të caktuar historike një popull i vogël kufitar u vetëflijua për të shpëtuar krishterimin, “Evropën” ose “qytetërimin evropian” nga barbarët arabë, turq, mongolë, rusë, myslimanë ose komunistë.

Në këmbim këta popuj presin që Evropa t’i njohë dhe t’i kompensojë në të tashmen për flijimin e tyre historik. Për politikanët dhe intelektualët serbë në vitet ’80-’90-të të shekullit të kaluar, Serbia e kishte mbrojtur Evropën prej turqve dhe ishte e gatshme ta bënte sërish kundër myslimanëve boshnjakë dhe shqiptarëve, në mënyrë që fundamentalizmi islamik të mos gjente rrugë kalimi nëpër Ballkan dhe drejt perëndimit. Ndërsa shqiptarët e kanë ndërtuar mitin e tyre antemurale rreth heroit Skënderbe që e “shpëtoi” Evropën prej pushtimit turk. Në nëntor të vitit të kaluar, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e përurimit të statujës së Skënderbeut në sheshin eponim të qytetit italian të Fermos, e lidhi ndihmesën e heroit shqiptar për “Evropën” e kohës së tij me aspiratën e tanishme shqiptare për të qenë pjesë e BE-së. Ai tha: “Skënderbeu është figura më e madhe e kombit tonë, është figura që ka lënë gjurmë më të fuqishme në përcaktimin e identitetit tonë kombëtar. por jo vetëm kaq, edhe të identitetit tonë europian… Është ajo figurë që na nderon në Europë… Sepse Skënderbeu nuk ishte vetëm një luftëtar për të mbrojtur popullin e tij dhe lirinë e tij, por Skënderbeu u kthye në një kalorës të qytetërimit europian, të krishterimit, u kthye në një mburojë të Perëndimit nga një perandori shtypëse dhe barbare e asaj kohe… Sepse ne meritojmë të jemi pjesë e Europës së bashkuar, e meritojmë që flamuri ynë të jetë njësoj si gjithë flamujt e vendeve të Bashkimit Europian ashtu sikurse fituam këtë të drejtë me meritë si një vend anëtar i NATO-s.”

Në Ballkan mitet antemurale qëndrojnë krahas dhe përkundër imazhit të gadishullit si urë midis qytetërimeve. Shpeshherë metaforat e bedenit mbrojtës dhe të urës alternohen sipas rastit për të dëshmuar evropianitetin. Elitat në shumicën e vendeve ballkanike pretendojnë se vendi i tyre ka qenë një beden për ta mbrojtur Evropën prej barbarëve turq ose se ka qenë një urë për takimin e Perëndimit me Lindjen. Në rastin e dytë theksi bie mbi shumëkulturorizmin historik të vendit ballkanik dhe që sot ky e paraqet si është një vlerë që e bashkëndan me BE-në. Megjithatë, sot një pjesë e mirë e intelektualëve në Shqipëri do ta refuzonin metaforën e urës për vendin e tyre, sepse për ta ura do të thotë një identitet i ndarë më dysh dhe, rrjedhimisht, një dilemë për t’u bashkuar ose jo me Evropën. Debati publik i vitit 2006 midis Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qoses në thelb ishte mbi fytyrën që kombi shqiptar në shek. XXI duhet t’i shfaqë Evropës ose Perëndimit: atë të mbrojtësit të Evropës apo atë të bashkëjetesës paqësore të ndikimeve të shumëfishta qytetëruese brenda një kulture kombëtare. Ky debat shqiptar disi ishte pasqyrim i debateve më të gjera evropiane mbi mundësinë e jetësimit të “unitetit në diversitet” përkundër mendësisë së “Kalasë  Evropë” që mbrohet nga barbaria rrotull saj.

 

Burimi: http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=43481&kat=92

  1. No comments yet.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.