Hyrje > Mesele kombëtare > Tre plagët e Blushit dhe shtatë hënat e Shqipërisë

Tre plagët e Blushit dhe shtatë hënat e Shqipërisë

Vehap KOLA

 

TRE PLAGËT E BLUSHIT DHE SHTATË HËNAT E SHQIPËRISË

Vehap Kola

Vehap Kola

Në vitin 1924, intelektuali dhe kleriku i madh shqiptar Hafiz Ali Korça shkroi esenë e tij të mirënjohur “7 Ëndërrat e Shqipërisë” që në vitin 1944 do ta zgjeronte në një libër me të njëjtin titull. Edhe Hafizi e shihte me frikë të ardhmen e vendit, ndaj vendosi t’ua bënte dhuratë deputetëve të asaj kohe, që kishin marrë udhën e ujqërve që nuk të çonte në Qabe, por të qorrollepste nëpër shkretëtirë. Ankthi më i madh i Hafizit ishte bolshevizmi. Këtë ankth-mynxyrë ai e dëshmoi edhe njëherë kur shkroi veprën tjetër të madhe të tij “Bolshevizma a Çkatërrimi i Njerëzimit”, duke i bërë zbulesë katrahurës ku mund ta theqafte shoqërinë shqiptare skenari i ardhjes së mundshme të komunistëve në pushtet. Komunistët erdhën në pushtet dhe fatkeqësisht ëndrra më marrafrymëse e Hafizit u bë e vërtetë. Kuçedra që digjte ç’kishte rrotull dhe që rrekej përdhunisht të ngadhënjente mbi të tjerët i shkaktoi Shqipërisë jo pak, por 3 plagë të thella, që zor se mund t’i mbyllin shekujt: turrja verilindore drejt Moskovit, rindarja e Kosovës dhe sheshimi i strukturave sociale.

Janë pikërisht këto tre gjëndrra-zhgjëndrra lebetitëse, të cilat aktivizohen saherë në trupin e sëmurë të kombit shqiptar futet thika e helmuar e bolshevizmit. Në një situatë të tillë gjendet Shqipëria sot. Ish-Partia e Punës është ngjitur në pushtet me një votë të gjerë popullore dhe ka rrokur skeptrin e rindërtimit të shtetit dhe shoqërisë nën logon e Rilindjes. E përdhunshme dhe urrejtëse, natyra bolshevike e Rilindjes është shumë flagrante. U desh vetëm një hop majtist që politikani i majtë Ben Blushi të botonte traktatin e tij “Hëna e Shqipërisë”. Me synimin të parathotë Shqipërinë e pas 100 apo 200 viteve, rilindasi Blushi shpall një garë me rilindësin Sami Frashëri. I zënë në panik për mundësinë e dështimit të atyre tre projekteve bazë të marksizmit shqiptar, autori është vënë në punë për të sugjeruar një trajektore vetëpërmbushëse të profecive të tij.

Turrja verilindore drejt Moskovit ka 22 vite që është ndërprerë nga një zvarritje e sforcuar e shqiptarëve drejt Europës. Natyrisht, për autorin, kjo zvarritje është aq sizifiane sa ç’është orientale Shqipëria. Po për ç’arsye është Shqipëria orientale? Për fetarizmin politik dhe pabarazinë. Ja ky, bash ky, është pistili revolucionar i Blushit, ku pjalmohen idetë e tij të majta me dashurinë për Moskovin. Sekularizmi teorik i implementuar përmes asgjësimit të fesë edhe në sferën individuale nuk ka mjaftuar për çrrënjosjen e gjallnisë shpirtërore tek shqiptarët. Lufta me Zotin duhet të vazhdojë – mëton libërshkruesi – sigurisht, e sofistikuar me nocione, në dukje demokratike dhe plurale. Frymëzimi erdoganian, kërcënimi gylenist dhe politicizimi i Islamit janë thjesht disa cytje tinzare për myslimanët naivë, që mund të jenë inkurajuar nga konsiderata për perspektivën politike të këtij komuniteti. Politika religjioze është një kërcënim për bashkëjetesën fetare dhe një skenar i pamundur në Shqipëri. Është në misionin përçarës të së majtës dhe majtistëve shqiptarë që të ngjizin çdo ide të konfliktit me baza fetare, krahinore, ideologjike dhe sociale. Myslimanët shqiptarë e kanë të qartë tashmë vizionin e tyre për Shqipërinë dhe ai është: Shqipëria një vend i mirëqenë dhe i radhitur në krah të atyre që kanë ndihmuar ekzistencën e shtetit tonë, pra SHBA-ve dhe BE-së. Ndryshimi i kësaj kahjeje përnga Rusia, ëndrra në sirtar e majtistëve si Blushi, është tërësisht antikombëtar, një dhéshitje e njohur e internacionalistëve komunistë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë e Amerikë.

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është sot një mundësi reale dhe më e afërt se kurrë. Nacionaliste apo jo kjo deklaratë, komunistët e treguan me sa dashuri e shihnin këtë mundësi, kur e krisën ashtin e kombit në konferencën e Bujanit. Paniku që zë të majtën shqiptare nga opsioni i bashkimit me Kosovën nuk është thjesht elektoral. Ai është gjenetik. Është në palcën ideologjike të saj. Lufta e brigadave partizane ne Kosovë kundër shqiptarëve atje dhe masakra e Tivarit formësuan skeletin politik të komunistëve dhe vazhdojnë të ushqejnë qëndrimin e ashpër kundër çdo mundësie bashkimi.

Një ndër dëmet më të mëdha që i ka bërë diktatura komuniste Shqipërisë është shkatërrimi i konfigurimit social dhe sheshimi i çdo qelize të autoritetit në vend. Zhdukja e pronës private, shtetëzimi i ekonomisë, asgjësimi i autoritetit fetar dhe shpërbërja e familjes krijoi një kamp të madh përqëndrimi dhe maksimizoi mundësitë e skllavërimit dhe kontrollit nga shteti. Në emër të Barazisë Jakobine, diktatura qëllimisht i la shqiptarët pa lidership, që të endeshin si çifuti në shkretëtirë për 45 vite. Vetëm në atë derexhe, Shqipëria nuk do të ishte e aftë ta kundërshtonte dhe t’i rezistonte regjimit komunist. Po ç’barazi e brengos Blushin: ajo e shqiptarëve apo ajo e grupit të tij parlamentar? Me të drejtë, pabarazia e atij rendi rrezikon ta lerë pa parti.

Libri i Blushit “Hëna e Shqipërisë” orvatet t’u imponojë shqiptarëve parimet komuniste si vlera universale dhe t’i frikësojë nga statusi i zhvillimeve të deritanishme. Larushia socio-ekonomike përkeqësohet qëllimisht duke e shëmbëllyer me pabarazinë (lexo: padrejtësinë dhe shtypjen) dhe duke diktuar inversen e saj, barazinë, si synim të dëshirueshëm dhe moral. Askund nuk paraqet ndonjë shqetësim Blushi për krizën morale të shoqërisë shqiptare, që është vërtet një errësirë ku vendin e krodhi ai deformim shpirtëror-etik i komunizmit dhe prej nga nuk po del dot edhe pas 23 vitesh. Pragmatizmi dhe relativizmi moral kanë shërbyer si vatra të qelbëzuara në trupin social shqiptar për t’u shfrytëzuar nga çdo sulm majtist që, prej së andejmi, të rrëmbejë frerët e fuqisë dhe pushtetit. Por kjo nuk është plaga e tij. Kjo është preja e tij. Ky është altari i tij. Plagët e tij janë të qarta dhe të kuqe. Edhe ëndrrat e tij janë të njohura, të parashikuara dhe të interpretuara me kohë. Shqipëria ka ëndrrat e saj. Sepse fle gjatë. Nuk i ka ikur gjumi Shqipërisë, që të mbesë në shpresë të ëndrrave-plagë të tij.

 

Burimi: http://www.e-zani.com/2014/04/08/tre-plaget-e-blushit-dhe-shtate-henat-e-shqiperise/

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: