Hyrje > Kosova, Shqiptarët dhe Islami > Islam i mirë, është Islami i vdekur!

Islam i mirë, është Islami i vdekur!

Olsi JAZEXHI

 

ISLAM I MIRË, ËSHTË ISLAMI I VDEKUR!

1621794

1.

Në këto javët e fundit Islami në Kosovë është përballur me një seri sulmesh që kanë ardhur kundër tij nga qarqe të ndryshme fetare dhe laike. Sulmet kanë nisur që me deklaratat e ministrit të jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj i cili deklaroi se Kosova nuk ka nevojë “as të eksportojë e as të importojë islamin”; nga Kisha Katolike e cila nëpërmjet Don Lush Gjergjit njoftoi se ka ndërtuar plane për konvertimin e muslimanëve në katolikë; nga një njoftimi i gazetës Express e cila tregon se ambasadat perëndimore po ndërhyjnë në punët e brendshme të Bashkësisë Islame të Kosovës; te projektligji mbi zhurmat i Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, i cili synon kufizimin e ezanit; e deri në lajmet që vijnë nga Siria ku siç kemi parë, “muxhahidinët shqiptarë” kanë nisur të dalin në videot e youtubes e facebookut e hiqen si kampjonë të Islamit në Lindjen e Mesme.

2.

Sulmet kundër Islamit në Kosovë nuk janë të papritshme dhe nuk duhet të çudisin askënd. Republika e Kosovës që kur u krijua në vitin 2008 dhe adaptoi Kushtetutën e mbikqyrur nga ish-presidenti finlandez Marti Ahtisari, ku Laicizmi u caktua si fe zyrtare e vendit, Islamin, fenë e shumicës së kosovarëve e dënoi me vdekje. Edhe pse në vitin 2008 shumica e qytetarëve të Kosovës ndoshta nuk e kuptuan se çfarë gatuan padronët perëndimorë me fatet e tyre, deklaratat që po vijnë në ditët tona kundër Islamit dhe muslimanëve nga pushtetarët kosovarë, janë shpjeguesit më të mirë të asaj që u dizanjua në vitin 2008.

Falë Kushtetutës dhe Laicizmit, sot në Kosovë besimtarët muslimanë abuzohen e përbuzen institucionalisht. Gratë me shami dëbohen nga shkollat dhe institucionet shtetërore. Ndërsa qytetarët që punojnë në këto institucione shpesh detyrohen të kremtojnë zyrtarisht festa e heronj që jo vetëm nuk kanë lidhje me traditën e tyre Islame, por shpesh i përkasin minoritetit katolik. Edhe pse janë dërrmueshëm muslimanë qytetarët e Kosovës ditë pushimi nuk kanë të premten siç e kanë muslimanët në shumicën e vendeve muslimane, por të shtunën e të djelën, ditët kur çifutët e të krishterët shkojnë në sinagogë dhe kishë. Pushtetarët kosovarë më shumë festojnë Krishtlindjen e Babadimrin sesa Barjamin, dhe ata besimtarë që guxojnë të refuzojnë festat laik-katolike sikur Vitin e Ri apo putat e misionares katolike Nënë Tereza, mediat që kontrollohen nga pushteti i etiketojnë si ekstremistë.

3.

Në javët e fundit, Islami në Kosovë është sulmuar shumë edhe në lidhje me konfliktin e Sirisë. Siç të gjithë e dimë, deri në shtator të vitit 2013, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sëbashku me aleatët e tyre muslimanë dhe jo-muslimanë ishin përveshur në ndërtimin e një aleance globale, qafirësh dhe muminësh, për të rrëzuar regjimin e presidentit Bashar al-Assad në Siri. Pjesë e kësaj aleance të madhe ishin edhe Turqia, Arabia Saudite dhe Katari. Këto vende me influencë në Islamin botëror, sëbashku me amerikanët, në mënyrë të hapur e të fshehtë nxitën luftën civile në Siri ku edhe dërguan shumë besimtarë muslimanë nga e gjithë bota që të shkonin për luftë, pasi siç propaganda perëndimore dhe arabosaudite thoshte në ato kohë, aty po vriteshin synitët nga shiitët e alevitët. Me bekimin e amerikanëve dhe agjenturave që operojnë në Ballkan, hoxhallarët nëpër xhamitë e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë gënjyen e nxitën qindra besimtarë që të shkojnë në Siri për “të çliruar synitët”.

Por prej shtatorit të vitit 2013 kur amerikanët u kërcënuan me luftë nga Rusia, e që më pas të dy palët ranë dakort që ti japin fund luftës në Siri, amerikanët e qeveritë satelite të tyre nëpër botë kanë nisur të “merren” e dënojnë muxhahidinët që këta vetë çuan, apo toleruan që të shkojnë për në Siri. Muxhahidinët të cilët deri në shtator 2013 tregoheshin si luftëtarë të lirisë dhe demokratë kundër diktaturës asadiste, pas kësaj kanë nisur të etiketohen si terroristë dhe njerëz të rrezikshëm.

Në linjë me këtë logjikë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në datën 12 dhjetor 20013 në fjalimin vjetor që mbajti në parlamentin e Kosovës sulmoi në mënyrë të hapur muslimanët kosovarë që kanë shkuar të luftojnë në Siri në emër të Islamit. Presidentja, qeveria e së cilës priti zyrtarisht në prill 2012 një nga krerët e xhihadistëve sirianë në Prishtinë, Ammar Abdulhamidin, të cilit edhe i premtuan stërvitje të xhihadistëve për të rrëzuar qeverinë e Bashar al-Assadit, në fjalimin e dhjetorit 2013 ka bërë një kthesë 180 gradë. Ajo jo vetëm që nuk përmendi implikimin e qeverisë kosovare me xhihadistët sirianë apo nxitjen e tolerimin që SHIK-u e mediat kosovare i bënë xhihadistëve kosovarë për të shkuar në Siri, por tanimë deklaroi se Kosova dhe banorët e saj, si qytetarë të një “vendi të vogël” janë “rreshtuar qartë dhe plotësisht në anën e forcave demokratike në botë, që po synojnë të vendosin paqen dhe të largojnë diktatorë”. E duke qenë se mbipushtetarët amerikanë të Atifetes kanë rënë dakort t’i japin fund luftës në Siri, ajo e shpalli xhihadin e Sirisë si të paqartë dhe kërcënoi ata kosovarë që shkojnë ende aty se shteti kosovar është i gatshëm për t’u “përballur me… mentalitetin e dhunës dhe të vrasjeve që kryhen në emër të një kauze – ende të paqartë për shumëkë.” Në anën tjetër ministrat e qeverisë Thaçi propozuan që ata kosovarë që këtej e tutje do të vazhdojnë të luftojnë në Siri, do t’u hiqet shtetësia, e sipas fjalimit të presidentes, xhihadi i vetëm shtetëror për të cilin shteti kosovar do të bëj luftë këtej e tutje do të jetë vetëm ai për demokraci dhe kundër diktatorëve. Xhihadi i synitëve filoamerikanë kundër shiitëve filorusë i cili propagandohej si luftë e shenjtë nga hoxhallarët dhe mediat e Prishtinës deri në shtator 2013, tanimë është renditur në listën e terrorizmit, dhe terrorizmi, ashtu sikur në epokën e Xhorxh Bushit II, po barazohet sërisht me Islamin.

4.

Por sulmet më të egra që vijnë në Kosovë kundër Islamit nuk kanë lidhje Sirinë por me vetë Kosovën dhe kulturën e saj. Në një intervistë që Miroljub Jetviç botoi në gazetën Express në Janar 2014, ai sqarontë që “liderët e shqiptarëve’ në Kosovë, “për shkak të kompleksitetit që kanë ndaj evropianëve e urrejnë popullin e vet dhe çdo gjë shpirtërore siç është Islami tek ta.” Kompleksi i inferioritetit ndaj Evropës dhe urrejtja proverbiale kundër Islamit është lexuar në intervistën që ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj i dha gazetares islamofobe Arbana Xharra në portalin Zeri.info në 3 janar 2014. Intervista titulli i së cilës ishte “Hoxhaj: S’na duhet islami i importuar”, tregon jo vetëm sesa pushtetarët e sotëm kosovarë e urrejnë Islamin, por edhe planet gjenocidale që ata kanë për zhdukjen e tij në vend. Në intervistën në fjalë, ministri Hoxhaj shpalosi tre vizione me rëndësi, që udhëheqja kosovare duket se planifikon të bëj me popullin e saj në të ardhmen. Vizioni i parë është që Kosova është evropjane në të gjitha aspektet (histori, gjeografi e kulturë) e si pasojë Islami nuk ka vend aty. Kjo lexohet në këtë fjali të intervistës:

“Kosova dhe qytetarët e saj në kuptimin e historisë, gjeografisë, në kuptimin e kulturës ne jemi evropianë dhe agjenda jonë evropiane është rikthim në Evropë.”

Vizioni i dytë është se në Kosovë prania ndërkombëtare apo më saktë organizatat Perëndimore po kryejnë një inxhinieri sociale apo më saktë kryqëzatë kulturore e cila synon të de-islamizojë Kosovën dhe tjetërsoj banorët e saj.

“ne kemi pasur një prani të madhe ndërkombëtare në Kosovë dhe kjo prani ndërkombëtare, qoftë përmes projekteve politike, qoftë përmes mediave të cilat i kemi shumë profesionale, qoftë përmes shoqërisë civile, qoftë përmes investimeve realisht ka krijuar një situatë ku në Republikën e Kosovës ka ndodhur një inxhiniering social.”

Ndërsa Vizioni i tretë është ai që shpalosej edhe në titullin e intervistët, sipas të cilit qeveria kosovare është vigjëlente kundër Islamit dhe ardhjes së tij në Kosovë, pasi siç edhe titulli i intervistës së ministrit Hoxhaj fliste, Kosova nuk ka nevojë për Islam.

“… unë nuk kam ndonjë informatë por në planin afatgjatë ftoj çdokënd që të ketë një vigjilencë, të mos përcillet me naivitet sa i përket përpjekjeve që të eksportohet islam në Republikën e Kosovës. Unë mendoj që Kosova nuk ka nevojë as të eksportojë e as të importojë islamin.”

5.

Intervista e ministrit Hoxhaj kishte edhe një fjali tjetër me rëndësi në të cilën pasi tregonte shqeto e troç sesi qeveria kosovare nuk e do Islamin, ministri siguronte që për të shtypur Islamin qeveria kosovare ka adaptuar një laicizëm militant dhe të shenjtë i cili ndërmerr veprime konkrete kundër tij. Enver Hoxhaj thoshte:

“ Unë mendoj që sekularizmi është një vlerë e shenjtë e shtetit të Kosovës, edhe në të kaluarën, dhe përmes akteve konkrete. Sikurse kam marrë vendim për shami kam dëshmuar që jam i përkushtuar në rrafshin individual për një shtet sekular … dhe ajo çfarë duhet të bëjmë përpjekje është që të mos kemi një ndërlidhje të një koncepti nacionalist me elemente religjioze.”

Logjika e laicizmit militant kosovar i cili lufton e dëbon Islamin nga çdo cep i jetës në Kosovë, u pa edhe në datë 30 janar 2014 kur Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor së qeverisë Thaçi, Dardan Gashi, dërgoi dhe aprovoi në parlament “Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma”. Ky projektligj, siç edhe debatet në parlamentin e Prishtinës e më pas biseda e tensionuar e ministrit Gashi me Myftiun Tërnava treguan, nuk kishte për qëllim kufizimin e zhurmave, por në fakt ndalimin e thirrje së ezanit me altoparlantë nga minaretë e xhamive. Pra ajo që ministri Enver Hoxhaj bëri kohë më parë me shkollat e Kosovës nga ku u dëbuan gratë me shami, tani po bëhet edhe në rrugë dhe xhami. Me ligjin kundër ezanit, ministri Gashi dhe qeveria Thaçi po synon që të finalizojë vizionet që ministri Hoxhaj shpalosi në intervistën dhënë në Zeri.info, të cilat synojnë zhdukjen e Islamit në Kosovë dhe kthimin e kosovarëve në evropjanë (katolikë, gej, protestantë, ateistë etj). Siç deklaroi zëvendësministri i jashtëm kosovar, Petrit Selimi në intervistën që dha në Zeri.info në datë 9 janar 2014 me titull “Radikalizmi fetar rreziku më i madh i interesave nacionale”, për qeverinë kosovare rreziku më i madh që ajo parasheh në aspektin afatgjatë për sigurinë e saj të brendshme, nuk është Serbia apo ndonjë shtet i huaj, por në fakt është vetë feja e kultura e qytetarëve të saj, Islami, i cili sipas ministrit Selimi herët apo vonë do të përballet me dhunë fizike në përleshjen me laicizmin shtetëror.

6.

Fakti që pushteti i sotëm kosovar synon të zhdukë Islamin, por jo Katoliçizmin shihet në të gjithë aktet publike që shteti kosovar ka ndërmarrë që pas krijimit të tij. Ndërsa Islami është dëbuar nga të gjitha sferat e jetës së shoqërisë kosovare, shteti kosovar është treguar i superzellshëm që të katoliçizojë hapësirat e tija publike me idhuj të Nënë Terezës, Skënderbeut, Pjetër Bogdanit dhe klerikëve të tjerë katolikë që janë importuar nga Shqipëria. Katoliçizimi i Kosovës ndodh kudo e ngado. Në shkolla, media, akademi, festa e hapësira publike. E kur ndodh që ndonjë nga këto mite cënohen, siç ishte rasti i rrëzimit të statujës së Nënë Terezës në Mitrovicë këtë janar 2014 apo kur ndonjë grup muslimanësh i përbuz ato, regjimi i Prishtinës e harron laicizmin e tij, ngrihet në këmbë për të mbrojtur shenjtorët katolikë dhe refuznikët i kërcënon si armiq, ekstremistë apo edhe islamo-fashistë.

Ndërsa në Kosovë, shoqëria civile që paguhet nga Perëndimi dhe mediat sulmojnë Islamin pa mbarim, Kisha Katolike e cila gëzon mbështetjen totale të regjimit dhe OJQ-ve rreth tij, është në një ekspansion i cili shkon paralel me inxhinierinë sociale që ministri Hoxhaj përmendte më sipër. Katolikët ashtu sikur edhe qeveritarët kosovarë kërkojnë rikthim në Evropë dhe largim nga Islami dhe Turqia. Në një intervistë që Don Lush Gjergji i dha ndaj gazetës Illyria këtë dhjetor 2013 tregonte që Kisha Katolike është në ofensivë në Kosovë dhe ka plane për të konvertuar kosovarët në katolikë. Ai thoshte që për këtë punë edhe është “caktuar enkas një prift dhe janë ndërtuar disa kisha dhe qendra” për të rekrutuar prozelitët kosovarë për në Katoliçizëm.

7.

Sulmet që janë bërë në këto javët e fundit në Kosovë kundër Islamit nuk janë as të parat dhe as të fundmet. Që prej rënies së Bashkimit Sovjetik, popujt e Lindjes e në veçanti muslimanët e ish-republikave socialiste janë goditur nga veprimtaritë e grupeve misionare të Perëndimit të cilat duan të shuajnë Islamin njëherë e mirë në Evropë. Shqipëria e cila u “perëndimorizua dhe demokratizua” kohë përpara Kosovës e ka paguar mirë haraçin e kësaj kryqëzate. Në censusin që u bë në vitin 2011, muslimanët e Shqipërisë nga 75% që ishin përpara komunizmit, tani ishin degraduar në rreth 60%. Pra rreth 10% e tyre e kishin lënë Islamin dhe ishin bërë të krishterë apo jobesimtarë. I njëjti fat e pret edhe Kosovën, herët apo vonë.

Sulmet që bëhen kundër Islamit sot në Kosovë, ku muslimanë të paditur manipulohen e çohen mish për top si terroristë në Siri, apo kur regjimi kufizon liritë e Islamit në të gjitha sferat publike ndërsa misionarët dhe Kishat Perëndimore blejnë shpirtra muslimanësh me hir dhe me pahir, janë pjesë e axhendës së madhe që qarqet fondamentaliste të Perëndimit ndjekin për të shuar Islamin në Evropë. Kjo axhendë e cila vijon që nga lufta e Vjenës, kur gjyshërit e shqiptarëve nuk arritën të marrin dot kryeqytetin austriak e ti bëjnë evropjanët muslimanë, sot është në fazat finale. Që prej shekullit të 17-të muslimanët kanë njohur vetëm dëbime e mundje nga Evropa. Në shekullin e 20 kur Perandoria Osmane u dëbua nga Ballkani dhe Kosova u pushtua nga të krishterët, muslimanët ballkanas humbën mbi 5 milion muslimanë të cilët ose u vranë ose u dëbuan për në Turqi e tokat arabe. Edhe pse koha e komunizmit provoi në njëfarë mënyrë një periudhë neutraliteti për muslimanët, pas rënies së komunizmit dhe pushtimit të Kosovës nga NATO në vitin 1999, planet për konvertimin e muslimanëve në të krishterë janë rivitalizuar sërisht. Nëse përpara 100 vitesh serbët e grekët shqiptarët muslimanë i vrisnin si anadollakë e turq e i konvertonin me dhunë në ortodoksë, sot ata sulmohen si terroristë dhe konvertohen në laik-katolikë apo edhe protestantë e lgbt-istë nga vetë pushtetarët e tyre që janë bërë më katolikë sesa vetë Papa. Siç edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi pak javë më parë, Evropa nuk i do shqiptarët pasi ata janë muslimanë. E qeveria katolaike e Hashim Thaçit në Prishtinë, me axhendën e saj evropjaniste që po vijon në këto kohë, ku edhe deklaron pa frikë se “nuk do Islam në Kosovë” – po vijon të njëjtat politika “evropjanizuese” që grekët e serbët bën me gjyshërit tanë 100 vite më parë. Deviza e fqinjëve tanë të krishterë në Ballkan në atë kohë ishte – turk i mirë është turku i vdekur! Ndërsa për qeverinë Thaçi duket se deviza e saj është – Islam i mirë, është Islami i vdekur.

  1. 29/04/2014 te 19:20

    Ne disa pika u pajtova me kete artikull,e vertet qe po bejn plane anti islame por shtrohet nje pyetje a thua a do te arrijn te bejn ndoj gje?
    E po ju them un qe me emrin e te madhit ALLAH kan me qen perpjekje te deshtuara e perpjekesit kan me qen te poshtruar e te mposhtur , mbane ne mend mir qka po ju them kushdo qe e lexon kete koment se ndoshta do e fshijn
    ,,muslimanet do jene fitimtare,,

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: