Kreu > Maqedonia > Vjedhja e Robinson Krusosë

Vjedhja e Robinson Krusosë

Zekerija IBRAHIMI

 

VJEDHJA E ROBINSON KRUSOSË

Zekerija Ibrahimi

Zekerija Ibrahimi

1. “The Love of Books: A Sarajevo Story” është titulli i një filmi dokumentar, që është krijuar përkitazi me sakrificën e madhe që bëjnë disa bibliotekarë të Sarajevës gjatë viteve të luftës atje. Megjithëse është afër dy orë, nëse njeriu vendos të durojë (sepse disa ish studentë të mi nuk kishin gjetur aq shumë durim), nuk mund të mos mallëngjehet dhe njëherazi të pikëllohet në fund të tij. Biblioteka e Gazi Husref beut, e themeluar në shek. XVI, është njëra ndër bibliotekat më të njohura dhe më të pasura në rajonin tonë. Aty, sipas punonjësve të saj, ruhen libra të vjetra deri në 1000 vjet. Siç thotë njëri nga të intervistuarit në këtë film, aty ruhet memorja (kujtesa) kolektive e Bosnjës. Por, drama zhvillohet gjatë kohës së rrethimit të Sarajevës, që ka zgjatur prej prillit të vitit 1992 e deri në shkurt të vitit 1996. Gjatë kësaj kohe nga kodrat përreth, ku ishin vendosur snajperistët serbë (bashkë me artilerinë, tanket, mjetet e blinduara dhe njësite kundërajrore etj.), janë vrarë qindra qytetarë të Sarajevës, që për çfarëdo arsye janë gjendur në rrugë. Gjatë këtij rrethimi drejtori i bibliotekës dhe punëtorët e saj e kishin vetëm një hall: si t’i shpëtonin dorëshkrimet e vjetra, të cilat ende nuk ishin katalogizuar e digjitalizuar. Të gjendur në këtë situatë, ata i rrezikojnë jetët e tyre duke i zhvendosur dorëshkrimet nga një hapësirë në tjetrën nëpër qytet, shpesh duke kaluar edhe nëpër plumba. Por, duke qenë të mbrujtur me dashurinë e madhe për librin, në fund ia dalin. Ato dorëshkrime sot janë përsëri pronë e kësaj biblioteke, madje edhe janë katalogizuar e digjitalizuar, me çka përfundimisht është shpëtuar “memorja kolektive e Bosnjës”. Ajo që bën përshtypje në këtë film dokumentar është rrëfimi me orientalisten Lamija Haxhiosmanoviq, e cila duke punuar në shtëpi në përkthimin e një dorëshkrimi osman – “Historia e Bosnjës” (1888) të autorit Muvekit – e zë lufta dhe ajo detyrohet të dalë nga shtëpia dhe ta lërë dorëshkrimin katërvëllimsh të Muvekitit aty. Kur pas disa viteve kthehet në banesë, nuk mund ta përshkruajë me asgjë gëzimin që, ndër të gjitha gjërat e kthyera mbrapsht dhe në banesën thuaja të shkatërruar, Muvekitin e gjen shumë pak të dëmtuar. Sikur e zënë në faj që para luftës dorëshkrimin e kishte marrë në shtëpi dhe ashtu e kishte vënë në rrezik, të nesërmen e kthen në bibliotekë.

2. Kanë qenë vitet e ’80-ta. E kisha një shok në klasë të fillores, i cili i donte librat me pasion, por nuk kishte mundësi t’i blejë. E donte “Robinson Krusonë” e Defosë, “Djaloshin me dekoratë” të Sinan Hasanit dhe “Pëllumbin sqepartë” të Abdylaziz Islamit. Por, kurrsesi t’i bënte të vetat. Prandaj, kur një herë në shkollën tonë u organizua një tip panairi i librit, meqë babai i tij i kishte dhënë të holla sa për ta blerë vetëm “Pëllumbin sqepartë”, ai e tejkaloi veten – e vodhi “Robinson Krusonë” dhe “Djaloshin me dekoratë”. Atëherë le që më pat bërë nervoz me këtë veprim, por disi edhe më pat larguar prej tij. E konsideroja vjedhës. Ndërkaq sot dëshiroj ta takoj, t’i kërkoj falje dhe ta përgëzoj që, nga dashuria për librin, ia kishte lejuar vetes edhe të vjedhë libër. Sa do të kisha dashur që sot ta dëgjoj një rrëfim të këtillë në shkollat tona!

3. Këto ditë në Shkup është hapur panairi i librit. Kjo është ngjarja më e rëndësishme e librit në Maqedoni. Marrin pjesë dhjetëra botues të vendit të huaj. Botuesit e Shqipërisë dhe të Kosovës thuaja nuk vijnë, sepse nuk kanë leverdi, ndërsa botuesit e vendit marrin pjesë vetëm për ta arsyetuar praninë e tyre këtu. Fjala bie SHB “Logos-A” (ku unë jam bashkëpunëtor i jashtëm) çdo vit merr pjesë në këtë panair me humbje jo më pak se 1000 EUR. Dhe, përsëri vazhdon të jetë aty. Vetëm që mos të krijohet përshtypja se në Shkup nuk ka botues shqiptarë dhe libra në gjuhën shqipe! Megjithëse, sipas traditës, nxënësit e shkollave fillore nuk do të vijnë ta vizitojnë panairin dhe nuk do të kemi nxënës që do të vijë fundja edhe për të vjedhur një libër, megjithëse nxënësit e shkollave të mesme nuk do të kalojnë aty pari për të kërkuar ndonjë libër që nuk e kanë gjetur në bibliotekë, megjithëse studentët e dy universiteteve shqiptare në Maqedoni nuk do të duken andej, madje dyshoj që edhe arsimtarët e profesorët e tyre do ta nderojnë librin në këtë panair (natyrisht, me përjashtime), përsëri Logosi dhe botuesit e tjerë shqiptarë, njësoj si bibliotekarët e Sarajevës në luftë, do të vazhdojnë të dëshmojnë se libri është trashëgimia jonë më e vlefshme dhe se cilësia e një kombi nuk matet me sasinë e politikanëve fjalëshumë, as me kollaret e shtrenjta të profesorëve, as me veturat luksoze të biznesmenëve tanë, por vetëm dhe vetëm me botimet që i ka prodhuar ai komb. Ne do të jemi komb meritor vetëm kur ta duam librin si Lamija Haxhiosmanoviqi. Ndryshe, do të jemi më keq seç jemi sot – kur pohojmë se Qeveria i ka botuar 1000 tituj shqip, por ato nuk janë as në panair as në biblioteka, pos në fjalorin e politikanëve që nuk e dinë titullin e asnjërit libër të tillë.

Burimi: http://www.koha.mk/index.php?news=27039

Advertisements
Kategori: Maqedonia Etiketa: , ,
  1. Muharremi
    12/05/2014 te 22:52

    Shqetesimi eshte shume me vend. Per kete duhet “revolucion”. Jam i interesuar te di se cili eshte kuptimi i fjales Gazi kur permendet Gazi Husref beu. Faleminderit

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: