Kreu > Fjalorë orientalë > Botohet i pari fjalor Persisht-Shqip

Botohet i pari fjalor Persisht-Shqip

BOTOHET I PARI FJALOR PERSISHT-SHQIP

Fjalor Persisht-Shqip

Botohet për të parën herë dhe mendohet se do të forcojë marrëdhëniet kulturore-shkencore mes Iranit dhe Shqipërisë. Bëhet fjalë për Fjalorin Persisht-Shqip, i cili është hedhur në qarkullim kohët e fundit. Hartuar nën drejtimin e Seyed Amir Hossein Asghariut, Seyedeh Lejla Asghariut, (kryeredaktorë) dhe redaktorëve shkencorë: Prof. Dr. Hajri Shehu, Dr. Seyed Ali Asghari, fjalori është fryt i punës së disa hartuesve.

“Që në ditët e para, në fund të vitit 2004, kur erdhëm në Shqipëri e ndjemë nevojën e një fjalori persisht-shqip. Bashkëndihmesat e përfaqësuesve së të dyja kulturave në fjalë kanë dhënë rezultate të frytshme për të dy popujt. Ashtu siç janë njohur iranianët me Takhajjulat e Naim Frashërit, edhe shqiptarët nëpërmjet përkthyesve të njohur si Vehxhi Buharaja, Fan Noli, Hafiz Ali Korça, Baba Qazim Bakalli etj.- janë njohur që herët me veprat e kolosëve të letërsisë perse, si Ferdusiu, Saadiu, Khajami dhe Rumiu”,- shprehen hartuesit e fjalorit. Botimi i veprave të letërsisë së vjetër dhe moderne perse në gjuhën shqipe vazhdon edhe në ditët e sotme. Sipas shumë studiuesve të historisë, të qytetërimit dhe të kulturës islame, gjuha perse zë, pas arabishtes, vendin e dytë në përhapjen e shkencave islame. Lidhur me këtë çështje, dr. Sejjid Husein Nasr thotë: “Pas arabishtes, gjuha më e rëndësishme e letërsisë së qytetërimit islam është persishtja, e cila, sikurse gjuha arabe u bë gjuhë universale. Ajo nuk flitej e nuk lexohej vetëm nga persianët, por edhe nga shumë njerëz të tjerë që i përkisnin botës turke, indiane e madje, edhe botës kineze, fare larg Persisë. Persishtja u zhvillua drejtpërsëdrejti nën ndikimin e Kur’anit. Persishtja filloi të zhvillohej me shpejtësi pas shekullit të katërt islam me vepra epike nga burra të tillë si Firdeusiu, Shahname-ja e të cilit u bë eposi kombëtar i Persisë dhe me poezinë fetare e mistike që lidhet me personalitete si Sana’iu, Attari dhe Rumiu. Këta burra shkruan poema që u bënë të dashura universalisht në çdo vend të botës. Nuk është e rastësishme që Rumiu, ndikimi i të cilit është i pamatë jashtë vetë Persisë, anembanë Azisë, veçanërisht ndër turqit e myslimanët indianë, është quajtur nga shumë njerëz poeti më i madh mistik që ka jetuar ndonjëherë. Persishtja vazhdoi të nxirrte poetë të mëdhenj edhe pas Rumiut, që jetoi gjatë kohës së pushtimit mongol. Ndër ta janë Sa’diu dhe Hafizi. I pari, kryesisht një moralist. I dyti, poeti më i madh i gjuhës perse, memorizues i Kur’anit dhe autoritet i madh i Sheri’atit e poeti suprem i dashurisë dhe i botës shpirtërore. Këta poetë i dhanë mundësi persishtes të arrinte kulmin e përsosjes së saj letrare dhe të vepronte e të ndikonte mbi letërsinë dhe poezinë e shumë gjuhëve të tjera. Letërsia turke qe ndër ato që përjetuan ndikim të thellë si rezultat i kontaktit me persishten.” Hapësira gjeografike e gjuhës dhe e kulturës perse i kapërcente kufijtë e Iranit të sotëm, duke u shtrirë kështu edhe në Shqipëri. Sami Frashëri, një ndër mendimtarët e shquar shqiptarë të shekullit XIX, në librin e tij “Përhapja e Islamit” ka shkruar: “Ndër popujt e mëdhenj islamë bëjnë pjesë edhe persianët. Atdheu i tyre autokton është Irani a Persia, Iraku i jashtëm, Mazanderani dhe Horasani. Gjuha e tyre është persishtja, e cila, pas arabishtes ishte gjuha më e nderuar islame. Banorët e Azisë Qendrore e morën për gjuhë të tyre letrare. Banorët e Afganistanit dhe të Bulugistanit, të cilët flasin me gjuhë të veçanta, shkruajnë dhe lexojnë persisht. Po kështu, vepruan edhe shumica e turqve të Transaksonisë. Myslimanët e Indisë deri vonë shkruanin dhe lexonin vetëm në persishte. Këtë gjuhë e dinë shumica e myslimanëve të Azisë Qendrore dhe ajo zë vendin e dytë ndër gjuhët islame.” Siç dihet, shqipja është gjuhë e familjes indoevropiane dhe formon një degë më vete në këtë familje. Një pjesë e mirë e leksikut dhe elementet themelore të strukturës gramatikore të shqipes janë trashëguar nga një periudhë e lashtë dhe kanë analogji dhe përkime me ato të gjuhëve të tjera indoevropiane. Por gjatë evolucionit të saj historik, shqipja ka përftuar dhe mjaft risi në strukturën e vet gramatikore dhe në leksik. Ajo përdoret, flitet e shkruhet në Shqipëri, në Kosovë, në pjesën perëndimore të Maqedonisë, në Mal të Zi dhe në diasporë. Gjuha shqipe flitet edhe në Veri te Greqisë dhe në Jug të Italisë, në veçanti në Siçili etj. Persishtja është, gjithashtu, ndër gjuhët e vjetra indoevropiane.”Kjo do të thotë se këto dy gjuhë janë degë të së njëjtës pemë. Pavarësisht nga ndryshimet që kanë pësuar këto gjuhë, ndikimi i Perandorisë Osmane në Shqipëri dhe ndikimi i letërsisë perse në këtë Perandori kanë bërë të mundur që në persishte dhe në shqipe, të gjejmë fjalë të huazuara, që përdoren në gjuhën e përditshme, në folklor etj. Shqiptarët janë njohur që herët me gjuhën perse. Në disa raste, njohja ishte aq e thellë, saqë sipas të dhënave historike, në vende si Elbasani gjuha perse hasej edhe në komunikim”. Robert Elsie shkruan: “Ashtu si shkrimtarët e parë shqiptarë të Shqipërisë së krishterë shkruan në gjuhën greke dhe latine, po ashtu edhe shkrimtarët e parë myslimanë shqiptarë përdorën gjuhët bazë të letërsisë së Perandorisë Osmane, turqishten dhe persishten. Një pjesë e mirë e këtyre shkrimtarëve morën famë të konsiderueshme nga përdorimi i këtyre gjuhëve.”

Këto fakte duket se përligjin nevojën për hartimin dhe botimin e këtij fjalori. “Synimi ynë ka qenë të përgatisnim një fjalor që të përdoret si libër burimor nga nxënësit, studentët dhe të gjithë ata që janë të interesuar të mësojnë gjuhën perse”. Fillimisht, për fjalorin është punuar për grumbullimin dhe përzgjedhjen e fjalëve që do të përfshiheshin në të. “Zgjedhja dhe përzgjedhja e rreth 18000 fjalëve, thënieve, njësive frazeologjike etj. në gjuhën perse nuk ka qenë punë e lehtë. Nuk ka qenë e lehtë as gjetja e barasvlerësve përkthimore, sidomos për njësitë frazeologjike, fjalët e urta dhe proverbat dhe kemi zgjedhur fjalët më të përdorshme të gjuhës standarde perse”.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: