Kreu > Arnautët, Shqiptarët në botën arabe > Udhëtim drejt vendit të të parëve (reportazh kulturor)

Udhëtim drejt vendit të të parëve (reportazh kulturor)

Ermal BEGA

 

UDHËTIM DREJT VENDIT TË TË PARËVE*

(Reportazh kulturor)

Nadja & Amer Arnaout

Familja Arnaut

Është rritur në një ambient arab, me gjuhën dhe traditën arabe. E dinte që ishte me origjinë shqiptare, sepse e tregonte vetë mbiemri i tij dhe kishte dëgjuar nga prindërit dhe të afërmit, por asnjëherë nuk e kishte menduar se do të shkelte ndonjëherë në tokën e të parëve të tij, nga e kishin dhe vetë origjinën. Ai nuk kishte arritur të mësonte me saktësi nga prindërit ose të afërmit e familjes së tij rreth vendit të saktë të origjinës, por kjo nuk e pengonte që të shihte çdo tokë shqiptare në të cilën kishte mundësi të shkonte. Këto ishin fjalët e Amer Arnautit, shqiptar nga Libani, i cili prej 10 vitesh jeton me familjen e tij në Gjermani.

Prej datës 12-15 korrik 2010, Shqipërinë e vizitoi kjo familje shumë e veçantë shqiptarësh. Ameri, së bashku me gruan e tij Nadja Arnauti dhe 3 fëmijët, Muhamedi, Jusufi dhe Sara, shkelën për herë të parë në Shqipëri. Nadja nuk është arnaute (shqiptare) me origjinë, ajo ka lindur nga një baba libanez dhe një nënë gjermane, por duke ditur historinë e famshme të arnautëve (shqiptarëve) në Liban dhe në vendet e tjera arabe gjatë sundimit të Perandorinë Osmane, ajo ka krijuar një respekt të madh për shqiptarët, dhe për këtë arsye ka marrë dhe mbiemrin e bashkëshortit të saj, Arnauti.

Pas pritjes që i bëmë kësaj familje në qytetin e Shkodrës, nga kishin ardhur me automjetin e tyre nga Gjermania, i shoqëruam deri në Tiranë, dhe gjatë rrugës i tregonim për vendet ku kalonim në mënyrë që mund të kishin një informacion të përgjithshëm me vendet që shihnin. Kur arritëm në Tiranë, i sistemuam në hotel, dhe atë mbrëmje dolëm së bashku të hanin darkë dhe për të pirë një kafe.

Të nesërmen herët në mëngjes, shkuam t’i merrnim në hotel. Kishim planifikuar që ditën e parë të qëndrimit të tyre 3-ditor në Shqipëri të bënim një vizitë në qytetin e vjetër të Krujës. Atje vizituam pazarin dhe xhaminë e vjetër në qendër të tij (pazari, xhamitë, ujësjellësi dhe kanalizimet kanë qenë pjesë të qytetërimit islam gjatë sundimit të Perandorisë Osmane dhe ka lënë gjurmë në qytetin e Krujës dhe në qytete të tjera shqiptare). Pastaj u nisëm drejt Durrësit ku hëngrëm drekë dhe pimë një kafe në bregdet. Në Durrës pamë qendrën e qytetit me xhaminë karakteristike në qendër të saj, sipër kodrës. Është karakteristike të përmendet se gjatë kohës së Perandorisë Osmane dhe në përgjithësi gjatë tërë historisë së qytetërimit islam, çdo qytet kishte një xhami të madhe dhe një pazar të madh në qendër të qytetit, përveç institucioneve shtetërore që gjendeshin aty, dhe e njëjta gjë ka ndodhur dhe në Shqipëri.

Pas qëndrimit dhe bisedave të gjata në qetësinë e plazhit të Durrësit, pak para akshamit u nisëm për në Tiranë. Shkuam në xhaminë e qendrës, Et’hem Bej, ku falëm namazin e akshamit. Pastaj i përcollëm deri në hotel, ku pushuan pak, dhe në mbrëmje e lamë të hanim darkë. Pas darkës, shkuam për të pirë një kafe në një nga lokalet e malit të Dajtit, në mënyrë që mysafirët të shijonin natyrën e qetë dhe piktoreske të Tiranës në mbrëmje. Vonë në darkë u kthyem për të fjetur, për t’u parë sërish të nesërmen në mëngjes.

U takuam rreth orës 8 në mëngjes, ku vendosëm që mëngjesin të shkonim ta hanim në një fast-food me pronar sirian, ku shijuam shauarma-t e famshme siriane. Gjatë ngrënies, shtruam mendimin për të shkuar në Kosovë, por duke menduar se do të vonoheshim dhe do të lodheshim shumë gjatë rrugës, si dhe për shkak të kohës së shkurtër të qëndrimit të tyre, ky udhëtim nuk u realizua, dhe në këtë mënyrë e kaluam ditën duke shëtitur nëpër Tiranë dhe duke mësuar më nga afër shumë gjëra. Gjatë bisedave diskutuam dhe mbi origjinën e arnautëve (shqiptarëve) në Orient, dhe jetesën e tyre në Shqipëri dhe atje.

Të nesërmen në mëngjes erdhi koha që ata duhet të linin Tiranën dhe Shqipërinë. U duhej të bënin një rrugë të gjatë, për në Bejrut të Libanit, ku atje i prisnin familjarët dhe të afërmit e tyre. Të dy bashkëshortët tashmë kishin se çfarë t’u tregonin familjarëve në Bejrut për Shqipërinë dhe shqiptarët pasi “i prekën” me dorë. Ata u shprehën gjithashtu se ardhja e tyre në Tiranë dhe Shqipëri ishte momenti më i lumtur që kishin kaluar gjatë udhëtimit të tyre të gjatë drejt Libanit.

Në momentin e ndarjes, ata shprehën dëshirën që gjatë pushimeve verore vitin tjetër të qëndrojnë më shumë në Shqipëri, nga ku mund të shkojmë të shohim dhe trojet e tjera shqiptare në Kosovë e Maqedoni.

Vizita e tyre e parë këtu ishte dhe një hap i madh që vitet në vazhdim të vijnë sa më shumë arnautë (shqiptarë) që jetojnë në Orient.

 

* Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: