Hyrje > Maqedonia, Mesele kombëtare > Piromanëve nuk duhet t’u ngrihen buste, ata meritojnë të shporren nga historia

Piromanëve nuk duhet t’u ngrihen buste, ata meritojnë të shporren nga historia

Behxhet JASHARI

 

PIROMANËVE NUK DUHET T’U NGRIHEN BUSTE, ATA MERITOJNË TË SHPORREN NGA HISTORIA

Behxhet Jashari

Behxhet Jashari

Para disa ditësh në lokalet e komunës Çair të Shkupit u promovuan katër librat e historianit shqiptar Mr. Skënder Asani. Dy prej tyre kishin të bënin me Shkupin: “Bibliografia për Shkupin” dhe “Shqiptarët e Shkupit ndër shekuj”. Pa dyshim, librat paraqesin një studim profesional për çështjen shqiptare; aty autori me mjaft mjeshtëri e shkathtësi shkencore shpalos faktet historike, të cilat deri në një të kaluar të afërt nuk ishte e mundur të publikoheshin. Në qendër të vëmendjes së këtyre dy librave janë Shqiptarët e Shkupit dhe aktivitetet për rilindjen kombëtare. Sidoqoftë, falë angazhimit dhe guximit intelektual, kohët e fundit publikohen vepra me dëshmi dhe argumente autentike, që kanë të bëjnë me çështjen shqiptare… Mirëpo, për fat të keq, ndonjëherë verbërohemi dhe mundohemi t’i përcjellim disa gjëra në mënyrë të verbër. Në këtë rast verbëria ka të bëje pikërisht me Shkupin. Nuk e kam fjalën për “Shkupin 2014” të Gruevskit, po për “Shkupin 1689” të Pjetër Bogdanit!

Të filloj me radhë: Është e vërtetë se botës së qytetëruar asnjëherë nuk i ikin nga sytë e së vërtetës ata që, gjatë periudhës së tyre si veprimtarë, shkrimtarë ose politikanë, u treguan intolerantë, falsifikatorë ose shkatërrimtarë, madje edhe nëse në bagazhin e veprave të tyre kanë ndonjë të mirë… Sipas ligjeve dhe parimeve morale qytetëruese, ai që shkakton dëm, shkatërron ose djeg, duhet ndëshkuar, dhe assesi të mos dekorohet ose shpallet hero. Madje, ata që u vënë zjarr objekteve ose vendbanimeve – siç i quan bota piromanët – duhet të shporren nga historia. Për fat të keq, me ne shqiptarët ndodh një fenomen i paparë në historinë e popujve të qytetëruar, sepse, siç mund të vërejmë, në shoqërinë shqiptare ka prej atyre që mundohen t’u ngrenë buste jo vetëm heronjve të vërtetë e meritorë, por ndonjëherë edhe verbërohen aq shumë, saqë ngrenë buste edhe për ata që me një pjesë të veprimtarisë së tyre u dalluan si intolerantë dhe shkatërrimtarë, madje edhe si piromanë, siç është edhe Pjetër Bogdani.

 

Kush ishte Bogdani?

 

Në historiografinë italiane dhe atë shqiptare, Pjetër Bogdani njihet si prozator, teolog dhe filozof. Pas përfundimit të studimeve në Loreto dhe në Padovë të Italisë, ai shugurohet prift dhe më vonë shkon në Romë, ku edhe doktoron. Punoi si ipeshkëv i Shkodrës për afro 21 vjet. Nën mbikëqyrjen e tij ishte edhe arqipeshkëvia e Tivarit. Pas një kohe, Vatikani e kishte emëruar “arqipeshk të Shkupit dhe administrator të gjithë mbretërisë së Serbisë” (Archepiscopo Scoporom ac totivs regni Serviae administratore).1
Bogdani vdiq nga murtaja në dhjetor të vitit 1689. Pjetër Bogdani kishte marrëdhënie mjaft të mira me Romën dhe Vjenën, e cila me mish e me shpirt angazhohej për një kryengritje kundër “okupatorit osman”. Ndoshta ai nuk e dinte se, para se të vinin osmanët në Ballkan, e po kështu edhe në Shqipërinë etnike, osmanët turq këto vise shqiptare i gjetën të copëtuara dhe të okupuara nga joshqiptarët, të cilët orvateshin për asimilimin e tyre të plotë. Siç tregoi historia më vonë, osmanët kishin bërë bashkimin e trojeve shqiptare, madje ata edhe ndërprenë procesin e asimilimit në sllav, grekë, etj.. Më datën 25.06.1675 Bogdani i dërgonte një letër Kuvendit të Propagandës – Propaganda Fide-së (Vatikan), nga e cila kërkoi që të botohej vepra e tij.

 

Çfarë ishte dhe ç’përfaqësonte Propaganda Fide-në?!

 

Propaganda Fide u themelua në fillim të shekullit XVII, në vitin 1622, nga Papa Gërguri XV dhe ishte një organizatë brendakishtare që orvatej për përhapjen e katolicizmit me dhunë në ato vise ku përhapja e besimeve të tjera kishte marrë hov, siç ishte rasti me fenë islame në Ballkan. Në këtë propagandë të krishterë, me mish e shpirt u aktivizua edhe Pjetër Bogdani / Pietro Bogdano /. Aktiviteti i Pjetër Bogdanit për qëllimet e Propaganda Fide-së, u vërejt qartë edhe gjatë aventurës së tij kishtare masakruese në vitin 1689, kur ai mori pjesë në gjenocidin kundër popullatës myslimane shqiptare që jetonte në trojet e saj etnike shqiptare. Sidoqoftë, për Pjetër Bogdanin thuhet se ka qenë nga ata që kanë vend qendror në gjithë letërsinë e vjetër shqiptare, sidomos si prozatori më i madh i saj, por njëkohësisht edhe si poet, filozof, shkencëtar e teolog. Në historiografinë shqiptare Pjetër Bogdani është i njohur për veprën e tij “Çeta e profetëve” (ku në më shumë vende ofendon jo të krishterët). Ai në këtë vepër shpreh arrogancën kundër myslimanëve dhe profetit të Islamit – Muhamedit (a.s.), si dhe ndaj kulturës islame në përgjithësi.

Në “Çeta e profetëve”, në mes të tjerash, ai shkroi: “Andaj turqit dhe hebrenjtë, duke ndjekur gjurmët e Ismaelit e të Ezaut, nuk zunë besë Jezu Krishtit, të vërtetit Mesi, por ndoqën idhujt: Muhametin, Surullahin e Talmudin. Duhet ditur se këta krerë të të gjitha të këqijve, Muhameti, Surullahi e Talmudi, po sikur që shtinë themel një ligji të lirë, pa udhë e pa arsye, plot me fëlliqësi, ashtu edhe i kanë marrë prapa njerëzit e paudhë e pa ndonjë nder në vete, që janë arabët, tatarët e turqit, që janë dhënë pas lakmive të kësaj jete, fëlliqësive e shtazërive, e pasi ishte Muhameti bari i deveve dhe i pelave duke u ngjitur me gjithë to. Nuk është pra çudi që njerëzve të kësaj dore të mos u pëlqejë feja e vërtetë e Krishtit, as pastërtia e madhe e saj”2.

Dorën në zemër, këtu nuk ka asnjë germë që i përket realitetit historik, dhe as atij teologjik islam, kurse për atë shkencor, as që mund të flitet. Këtu vërehet qartë intoleranca fetare dhe anti-semitizmi, sepse, thjesht, ai (Bogdani) si myslimanët, ashtu edhe hebrenjtë, i quan ndjekës të idhujve, gjë që aspak nuk është e vërtetë. Ai pa KURRFARË DITURIE (pra, ishte injorant në këtë sferë) flet rreth qëndrimit islam që ka ndaj Jezusit (Isait a.s.). Ai mundohet të tregojë për ndonjë papastërti fantazmash, që nuk kishin të bënin aspak me realitetin, sepse dihet mirë se çfarë është qëndrimi islam ndaj pastërtisë etj..

– Pse Pjetër Bogdani nuk kishte shkruar për Evropën e krishterë mesjetare, ku Kisha kishte paraparë që sa më gjatë të mos pastrohej besimtari i krishterë, aq më i devotshëm do të bëhej tek Zoti?

– Pse kishte fshehur dëshmitë dhe qëndrimin islam ndaj shkencës dhe shkencëtarëve?

– Pasi konsiderohej teolog dhe filozof i shquar i shek. XVII, atëherë a nuk kishte pasur njohuri për zgjerimin e mjaft lëmenjve shkencorë që u përhapën në Spanjën myslimane, ku dominoi kultura dhe qytetërimi islam?

– Pse ai nuk kishte shkruar për qëndrimin e Kishës ndaj shkencëtarëve mesjetarë, siç ishte gjykimi me vdekje i Sigerit të Brabandit (përfaqësuesit më të njohur francez të mësimeve të averoizmit), i cili me vendimin e Gjyqit të Inkuizicionit, në vitin 1277, në Paris u gjykua me vdekje; i Miguell Servetos, të cilin në vitin 1553 Inkuizicioni e dogji të gjallë në stivë; i Luçilio Vaninit, reformist dhe filozof i njohur italian, i cili, për shkak të mendimeve të tij të lira në vitin 1619, nga ana e Inkuizicionit u gjykua me prerjen e gjuhës, etj. etj..

 

Pse për këto gjëra nuk shkroi Bogdani në veprën e tij?

 

Ai me urrejtje të plotë ofendoi myslimanët dhe Muhammedin (a.s.) duke thënë:
“… Muhameti në asnjë mënyrë nuk mund të jetë dhe s’duhet thënë profet, siç e mbajnë turqit. E ndoshta do të ketë kallëzuar ndonjë gjë dhe parashikuar si hamendje ndonjë të vërtetë: nuk duhet pra për t’u çuditur duke u gjetur se djalli herë flet të vërtetën për gojë të profetëve të vet rrenacakë…”3.

Përmes teksteve të tij kuptojmë se Bogdanin e kishin penguar mjaft Islami dhe myslimanët, prandaj i quan ata “infedelta orientale”, por, për çudi, atë nuk e kishte penguar Serbia, që në periudhën kohore të shek. XII-XIV kishte pushtuar mbi gjysmën e tokave shqiptare4.

Po qe se orvatemi të bëjmë një krahasim ndërmjet veprës “Çeta e profetëve” dhe “Vargjeve satanike” të Salman Rushdiut, do të vërejmë se dallimi qëndron vetëm në faktin se Salman Rushdiu shkroi dhe ofendoi në gjuhën angleze, kurse Pjetër Bogdani trilloi dhe fyeu në gjuhën shqipe. Madje, kjo e fundit është dy herë vetëvrasëse, sepse “rilindësi” Pjetër Bogdani ofendoi rëndë fenë e bashkëkombësve të tij. Për sa u përket aktiviteteve të Bogdanit në rrafshin politik-diplomatik, do të duhej të theksojmë të vërtetën historike, gjegjësisht injorimin e tij të emrit të Shqiptarëve në trojet e Kosovës. Territorin e Kosovës ai nuk e quante as Iliri, as Dardani, as Kosovë, dhe as Shqipëri por ai (Kosovën) e quante ‘Mbretëri e Serbisë’, ndërsa veten e quante ‘administrator i gjithë Mbretërisë së Serbisë’. Në atë kohë, edhe pse njihej emri shqiptar, ai veten e tij e quante “Pjetër Bogdan Maqedonasi” (Petro Bogdano Macedone)5.

Ndër aktivitetet e tij do të veçojmë faktin se Pjetër Bogdani në faqet e historisë njihet edhe si PIROMAN – ai ishte edhe pjesëmarrës dhe organizator i djegies së disa vendbanimeve shqiptare… Ai në vitin 1689, në miqësi me priftin malazez Arsenije Çarnojeviç, realizuan një marrëveshje me ushtrinë austro-hungareze, pikërisht me komandantin austriak Nikolo Pikolomini, me qëllim që t’i sulmonin turqit. Mirëpo, në atë aventurë kundër turqve, ata dogjën një numër të madh vendbanimesh shqiptare myslimane, siç ishin Shkupi, Prizreni, Prishtina etj.. Në këtë gjenocid ndaj popullatës myslimane, të cilët pothuajse rreth 80% ishin shqiptarë, rolin kryesor e kishte Bogdani. Pas kësaj masakre, shumë shqiptarë që kishin qenë pjesëmarrës në ushtrinë austriake, e nën ndikimin e krishterë katolik të Pjetër Bogdanit, së bashku me priftin Arsenije, ikën nga kundërsulmi i ushtrisë osmane. Shqiptarët që kishin ikur në Itali, për një kohë të shkurtër u asimiluan. Është me rëndësi të thuhet se Nikolo Pikolomini, pasi që kishte djegur edhe Shkupin, kishte dalë në periferi të qytetit – në malin Vodno të Shkupit – prej nga kishte shikuar tymin dhe flakën e qytetit. Por, duke u kthyer përmes grykës së Kaçanikut, Pikolomini ishte sëmurur rëndë nga murtaja dhe kishte vdekur. Fatin e njëjtë, disa javë më vonë, pati edhe Pjetër Bogdani. Shikuar nga aspekti historik, Shkupi ka përjetuar disa tragjedi, si tërmete, vërshime, djegie etj.. Nga të gjitha këto tragjedi, djegia e këtij qyteti shqiptar ka qenë nga më tragjiket.

Pra, piromanët Pjetër, Çarnojeviq dhe Pikolomini, Shkupit dhe arkitekturës së tij i dhanë një goditje të fortë antiqytetëruese.

Historiani shqiptar Hysamedin Ferraj, në librin e tij “Skicë e mendimit politik shqiptar”, në f. 58 thotë:

“Kosova si rajoni më i zhvilluar i Shqipërisë etnike dhe i Ballkanit, u shkatërrua plotësisht nga luftërat e Austro-Hungarisë, Serbisë dhe në aleancë me ta të forcave shqiptare-katolike të udhëhequra nga Pjetër Bogdani kundër Perandorisë Osmane, që pikërisht u zhvilluan në këtë rajon”6.

 

Minimizimi i figurave shqiptare islame

 

Gjithashtu, me qëllim të minimizimit të një vargu figurash të tjera shqiptare, siç ishin Sami dhe Naim Frashëri, Nezim Frekulla, Hoxhë Tahsini, Ibrahim Dalliu, etj., imponohen personalitete që, sipas fakteve historike, dalin ose si të dyshimtë ose si shkatërrimtarë…
Po ashtu është i njohur edhe fakti se “krijimtaria letrare shqiptare e proveniencës islame… në historinë e letërsisë shqiptare, nuk ka gëzuar gjykim të drejtë dhe adekuat me gjykimin që i është bërë letërsisë shqipe të proveniencës së krishterë”. 7 Kjo është bërë me qëllim që të minimizohen personalitetet shqiptare myslimane, që kontribuuan në zhvillimin e kulturës shqiptare, veprat e të cilëve janë konsideruar si të huaja. Prandaj është me vend pyetja: Nëse është menduar se krijimtaria e proveniencës myslimane shqiptare është pjellë e pushtuesit të huaj, pjellë e kujt ishte kultivimi i letërsisë shqiptare të proveniencës së krishterë, e shkruar me alfabetin grek e latin? Meqenëse, sipas ndonjë logjike, u dashka të ndahet identiteti fetar nga ai kombëtar, atëherë shtrohen disa pyetje logjike: Nëse nuk duhet të ndodhë kjo përzierje, atëherë pse në disa raste përzihen aq shumë? Pse, p.sh., “Meshari” i Gjon Buzukut dhe veprat e autorëve, si Pjetër Budi e Pjetër Bogdani, konsiderohen vepra kombëtare, kur janë tërësisht vepra fetare, madje me plot urrejtje kundër myslimanëve, kësodore edhe kundër bashkëkombësve të tyre shqiptarë, siç është rasti me “Çetën…” e Bogdanit? Pse ndonjë aktivist(e) ose humanist(e) me angazhimin tërësisht fetar, të trajtohet si simbol kombëtar?

E vërteta është se në këto çështje përdoren kute të dyfishta. Kur është fjala për veprimtarë dhe intelektualë të proveniencës krishtere, pa asnjë hamendje pranohet se veprimtaria fetare është veprimtari kombëtare, madje pavarësisht nga rezultatet që ka prodhuar për kulturën, shtetin dhe kombin shqiptar. Si argument i kuteve të dyfishta, mund të kujtohet me këtë rast vetëm trajtimi i poetit alamiadist shqiptar Nezim Frakulla. Poezia e tij është e shkruar shqip, ka tema dhe motive laike dhe ka tone kritike ndaj sundimit osman. Nezimi madje ka vdekur në burgjet osmane, por deri më sot ai nuk është trajtuar me asnjë fjalë si poet kombëtar. Në gjykimet shkencore të këtyre deformimeve që u janë bërë vlerave tona kulturore dhe kombëtare, nuk ka vend për politikat ditore të partive. Për të qenë tragjedia edhe më e madhe – për sa i përket Bogdanit – pushtetmbajtësit aktualë në Republikën e Maqedonisë, me plot vullnet, propozojnë dhe vendosin që pikërisht në këtë qytet të vendoset edhe një bust i këtij personi, pra i Pjetër Bogdanit, i cili asnjëherë dhe askund nuk dëshmoi dashuri për popullin shqiptar, madje shkroi dhe një vepër fyese për të gjitha fetë dhe ritet e tjera, përveç Krishterimit.

 

Ai më shumë njihet si teolog intolerant se si teolog humanist

 

Po qe se në aspektin shkencor-historik merren parasysh këto të vërteta historike, që kanë të bëjnë me “aktivitetin” edhe të Pjetër Bogdanit, atëherë do të shohim se sa meriton për t’iu ngritur një bust, madje pikërisht në qytetin shqiptar që dogji ai, sepse thjesht, sipas veprës së tij “Çeta e profetëve”, ai më shumë njihet si teolog intolerant se si teolog humanist e rilindës. Piromanëve askush në histori nuk u ka ngritur buste. Këtë e bëjnë vetëm disa shqiptarë tanë, të cilët me vete e bartin ende frymën marksisto-leniniste dhe që janë të mbushur me myslimanofobi. Pse të mos vendosen buste të rilindësve dhe intelektualëve të mirënjohur shqiptarë, si Ibrahim Dalliu, Vehbi Dibra, Hoxhë Tahsini, Rexhep Voka etj., të cilët asnjëherë nuk ditën të ofendonin apo të shprehnin urrejtje ndaj pjesëtarëve të religjioneve të tjera, siç bëri Bogdani “ynë”!?

 

Burimet:

(1) Bogdani, Pjetër, “Çeta e Profetëve”, shkalla II, ligjërata III, paragrafi 3, Prishtinë, 1990. f. 60-61.

(2) “Çeta e Profetëve”, shkalla II, ligjërata III, paragrafi 3, f. 229, Prishtinë, 1990.

(3) “Çeta e Profetëve”, shkalla II, ligjërata I, paragrafi 4, f. 269.

(4) Ibrahimi, Nexhat, “Islami në trojet Iliro-shqiptare gjatë shekujve”, Logos/A-Shkup, 1999, f. 98-99.

(5) Ibrahimi, Nexhat, “Islami në trojet Iliro-shqiptare gjatë shekujve”, Logos/A-Shkup, 1999, f. 108-110.

(6) Ferraj, Hysamedin, “Skicë e mendimit politik shqiptar”, Logos/A, Shkup, 1999, f. 58.

(7) Pirraku, Muhamed, “Kultura kombëtare shqiptare deri në lidhjen e Prizrenit”, Prishtinë, 1989, f. 112.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: