Hyrje > Poezi turke > Amentu/Besoj (Poezi turke)

Amentu/Besoj (Poezi turke)

Ismet ÖZEL

 

AMENTU/BESOJ (Poezi turke)

Amentu

Njeriu

është krijesë e nderuar – më thoshte im atë.

Kjo fjalë kish vendin e saj mes fjalëve,

por vetëm një ditë shtatori

kur preva damarët e dorës,

kjo fjalë e rroku kuptimin e saj të vërtetë;

kaloi, kjo fjalë, mes llohës, çibanëve e reklamave,

kapërceu tregtarin e pangopur q’i thonë “histori”

duke u përvjedhur prej gjysmëshifrave të nxira, të sterrosura,

u ul poshtë, kjo fjalë, gjer te zemra ime;

u pre damari:

çka do të rrjedhë, është gjak;

mirëpo, me t’u prerë gjaku,

të ngrohta, të nxehta fjalë

u zbrazën nga damari.

Bari që lyeva mbi bark dhe gjoks për dashurinë,

mbi zemrën për vdekjen,

sikur në çast avulloi

dhe dashuria me vdekjen përsëpari

morën kuptim tek unë,

uji dhe zjarri dhe dheu,

përsëpari.

 

Në një epokë

kur jo me gojë

por me trup flitet e bisedohet,

e di që aq lehtë s’do kuptohet.

Për të pasë në dorë të drejtën për t’u çmendur

mes ngrehinave të mbytura në vaj të përvëluar

të botës me flatrat që i kanë hapur

lule sterrë të zeza të mëkatit,

për ta shprehur mëshirën me terma bashkëkohore,

gjenialitet s’më duhet mua,

por dokumenta,

prova, pohime, firma dhe vula zyrtare.

Sa pata qenë i ri,

për vite me radhë

pata fluturuar

i mbështetur në pjesë të buta e dhimbëse

të trupit tim

netëve që ndiqnin njëra-tjetrën

pa e ditur

pse disa sahatë

allaturka qenë rregulluar,

pse digjte lukthi

në tezgat me shalqinj.

 

Rrënjë likeri rrëmokej im atë në djerrina

E në atë moshë unë: nën sqetull libra,

në gishtin tregues një zinxhir,

në xhep një thikë sedefi,

dallëndyshe, fletë marrëzie,

në kokë mendime të ndaluara,

si, p.sh., Gide.

 

Një gjë që fëlliqet duke rënë borë ish fytyra ime;

në çdo krizë gëzimi, të vjell m’u propozua;

fërshëlleja që kuptimi i natës të asfiksohej,

nga një libër i ilustruar jetën time vidhja;

kurse im atë qenkej ai

që merrkej për ditë gomar me qira

rrëmokej rrënjë likeri

e firmës Forbes ia shitkej.

 

Kjo, pra,

është frika e dukur sikur s’ka frikë

me qëllim për të mos pasur edhe një herë tjetër frikë;

është gënjeshtra q’i tregon qytetet të sistemuara,

janë prangat, janë internimet e avullta

në atë vend ku ndërrohen stinët;

fjalia që mundimshëm ndërtova me dhimbjet rinore,

e tërë rëndesa e trupit m’u asgjësua

nga bartja e një kryqi të rëndë

të ngarkuar me ankthe

e shqetësime trupore.

 

Shtëpitë e çngjyrosura, një mal i vdekur,

buza e zverdhur mjaft, madje,

janë lajme kryengritjeje

që tingëllojnë ting-ting një e nga një

dhe fakti që nata e endur është me fije t’argjendta,

e lehtëson trupin muajt e prillit me të ardhur;

mes grevave të vrullëzuara, gajasjet e mia – të paturpshme,

shikimet – të bardha, përballë reve – të pangopura;

zëri im,

i dhënë pas dëshirës për t’u vënë në akord me marshet,

shkon në qytet

dhe, duke iu servilosur verës, pijes,

bën fotografi

që të mund të qajë disi;

im atë është hileqar në bashkëpunim.

 

Në një kohë

kur njeriu njihet me anë të hijes së tij,

marsheve u bie, ndoshta, të sqarojnë disa gjëra;

dhe marsheve u bëhet e mundur

ta thërresin babanë me anë të dhimbjeve t’ekzistencës:

 

Zë ezani më s’dëgjohet,

Me kryqin ngulur minbereve;

Qafiri grek flamur ka ngulur

Xhamive, gjithë vendeve…

 

Prandaj ngreu, o vëlla,

T’i japim dorëpërdorë

E t’i plasim bombat,

Kudo që të jenë,

Të heshtin këmbanat!

 

Këmbanat heshtën, por, në fakt,

një zë mijëvjeçar i huaj

jehoi (në turqisht) minareve:

Zoti është i madh, Zoti është i madh!

Polic është im atë,

një rob i republikës,

kurse unë

nuk kam kuptuar dot gjë prej kësi aventurash;

as Godiva kalon nëpër rrugë, as dikush bëhet qorr,

veçse

shatërvani përballë haresë së të cilit u preka,

vula e bukës në letërnjoftimin tim

të çuditshëm rrinë.

Puna ime,

të mat retë gjatë gjithë ditës,

të zgjohem dalngadalë drejt shijes së lagur të mishit;

të kundërshtoj përbuzjen ndaj banknotave

q’i preka

duke bërë vela prej eshtra fëmijësh,

çezma prej rrëqethjes së dyshekëve të pastër

duke u hipur e hipur kufomave hajdute,

kunupjera duke ngritur prej lutjesh frikacake;

hartën e kafshatës së ngecur në fyt

e nxora

jetesat pa dekoracione

armatosje duke i kujtuar;

me një mijë lumenj ndër flokë popullit për t’i dhënë ujë,

me diej në bohçë për t’ia shpërndarë popullit

i bëra të rënkojnë rrugët,

ndërsa ato na qenkeshin varreza;

gati na qenkëshin

mur i vënë para grushtit

fly Pan-Am,

drink Coca-Cola!

 

Kapini dhe i ballafaqoni jetët:

njëra, në rropatjet e baltovinave të verbëra, e shenjtë;

tjetra, rebele, por me mjaft të drejtë.

Vdekjet janë mjeshtre për t’iu shtuar vdekjeve,

kurse jeta, një jete tjetër kundër për t’i dalë!

Atje

ashku dhe fëmija me njëra-tjetrën nuk përzihen

ashtu siç vapa e gushtit me të tjerat nuk përzihet;

njeriu ecën pas rrezikut të vetvetes

dhe e vazhdon ndjekjen lodhëse

gjer ditën kur të rrjedhë edhe nga damari i idhujve.

 

Ku është bota e bukur e lindur mes botëve?

Ku, në cilat anët tona është vendi

i përforcuar me mure rrethuese prej tunxhi?

Mos janë rimat apo broshurat partiake

mitra e fëmijës, goja e të cilit me ujë të ndenjur

është shpëlarë?

Dua të di hapur

ç’lëndë është ajo që hapësirën mes fletëve

të kalendarit mbush,

ç’është ai send i ngurtë,

forca e të cilit do ta qetësojë

rrëmujën e shqetësuar të ndjenjave?

 

Jeta ekziston me katër gjëra – thoshte im atë

– me ujë dhe zjarr dhe ajër

dhe dhé.

Më pas me të dhe unë u bashkova;

frikën sterrore të argjilës

dhe gungat e zemrës së papërpunuar kapërceva;

trupin tim botëve duke ua injektuar,

me mbështetjen e Krijuesit ekzistencën e vërtetë fitova;

dhe ç’është krijesa e nderuar

e kuptova!

 

Përktheu nga turqishtja: Mithat HOXHA

Kategori: Poezi turke Etiketa: ,
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: