Hyrje > Mesele kombëtare > Pluhur shqiptar

Pluhur shqiptar

Redi SHEHU

 

PLUHUR SHQIPTAR

Redi Shehu

Redi Shehu

Gjatë një shëtitjeje ekologjike në pluhurin veror të qytetit, ndalesh mes cytjesh tentuese të herë pas hershme, se mes cilës pjesë më pak të pluhurosur do të mund të pish kafenë e radhës. Sa herë që përballesh me një situatë të tillë, të fantakset në mendje teza se injoranca dhe pisllëku gëzojnë një marrëdhënie të ngushtë dhe aty ku është njëra, tjetra me siguri sorollatet ngeshëm atypari. Mbështetur në këtë arsyetim, i bie që sorollatjet e mia ekologjike në pluhurin e qytetit, janë në fakt sorollatjet në pluhurin e injorancës që e bëjnë kafenë e ditës përherë më të hidhur. Në fakt, ishujt ekologjikë të gjendur rrallë në oqeanin e injorancës qytetase, qëndrojnë si oaze shpresëdhënëse , si diapazone frymëmarrjeje, si stacione të fundit të shpëtuara prej valës shkatërruese urbanistike tonën. Mendoj se përpjekjet ekologjike më së shumti hesapet i kanë në fund të fundit me inorancën e cila shtresëzohet që nga dimensioni individual i anëtarit të shoqërise, e deri në rrafshin qeverisës. Ky paralelizim i qasjes, është i domosdoshëm për të kuptuar se si qytetërimet janë zhvilluar. Ne, sot, thjesht sodisim dëshpërueshëm pasojat e babëzisë si një formë e injorancës dhe efektet që ajo ka lënë në hapësirën tonë publike me dëme të natyrës fizike dhe psikologjike. Kohë më pare, kur kyebashkiak i Tiranës ishte Kryeminitri i sotëm, më pat bërë përshtypje një shprehje që ai kujdesej ta përdorte shpesh, kur binte fjala për ndotjen e ambientit të kryeqytetit ; “pluhur oriental”- thoshte ai. Me këtë besoj se ai donte të përballte dy sisteme, ku nga njëra anë kishim shembullin e ekologjisë evropiane si model shembullor dhe nga ana tjetër, “pluhurin oriental”, si shprehje degraduese qytetërimore. Jam i bindur se të gjithë jemi dakort me faktin se pluhuri në vetvete nuk ka përkatësi, ai është i tillë si në orient ashtu edhe në oksident. Mjafton ta lësh pa pastrua dhe ai pushton çdo hapësirë gjeografike dhe gjeopolitike. Por, stigmatizimi i z. Rama në këtë rast, më shumë se me pluhurin kishte të bënte me mentalitetin i cili prodhon pluhur. Ky rast i ligjërimit metaforik, na sjell në mendje një zanat të vjetër mediatik, por edhe një presion kulturor ushtruar nga elitat kulturore shqiptare, mbështetur mbi tezën se problemet tona janë veçanërisht dhe ekskluzivisht probleme kulturore, që na vijnë nga “prapambetja” e “kaluara e errët” e kështu me radhë duke fokusuar periudhën osmane shqiptare si burimi i së keqes. Ndodh tipikisht kështu, kur një popull e gjen veten të pa përfaqësuar nga elitat e veta kulturore, të cilat nga ana tyre, projektojnë dështimet personale drejt armikut imagjinar, mundësisht historik dhe me përkatësi të ndryshme kulturore nga e vetja, në mënyrë që elementët përkeqësues dhe stigmatizues të mund të qëllojnë në ndërgjegjen e “kopesë”. Kështu, teksa sorollatesh në qytetin tënd për të gjetur oaze gjelbërimi e pastërtie, do të duhet të përballesh me pluhurin shqiptar i cili ekskluzivisht dhe veçanërisht është prodhim i korrupsionit dhe apatisë së udhëheqësisë tone, e cila përkatësinë e formimit kulturor tipikisht e ka pasur komuniste. Është i çuditshëm fakti se si historianë të huaj të cilët e kishin vizatuar Shqipërinë gjatë periudhës osmane, përshkruanin qytete të lulëzuara dhe të pastra, për të mos përmendur faktin se krenaritë turistike të tanishme shqiptare janë qytete osmane. Ne, nuk do të fillojmë të korrigjojmë veten nëse problemet tona do t’i përjashtësojmë dhe ti projektojmë tek tjetri. Pluhuri i cili përshkon qytetet tona, më duket thjesht tipikisht pluhur i pa pastruar, pluhur që vjen nga mungesa e dëshirës për të punuar për këtë vend. Pluhur që të kthehet si “bonus” ndaj asaj makutërie individuale për të pasur sa më shumë e sa më shpejt. Prandaj, mendoj se dështimet tona kanë vetëm një drejtim, atë theqafës e tatëpjetë, që nëse nuk do të fillojë të kurohet duke parë të keqen te vetja, shumë shpejt do të jetë telashi i madh i radhës për të cilin pendesa nuk do të vlejë.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: