Kreu > Poezi orientale, Poezi turke > Gruaja plakë dhe Omeri (Poezi)

Gruaja plakë dhe Omeri (Poezi)

Mehmet Akif ERSOJ

 

GRUAJA PLAKË DHE OMERI

Mehmet Akif Ersoj

Mehmet Akif Ersoj

A ka kush që s’e di se kush qe Abbasi?
Dëgjojeni tani atë sahabi!

“Ish një natë e errët dhe mjaft thëllim…”
Ibni Hattabin pak për ta takuar
Dola nga shtëpia kur në rrugët asgjë s’pipëtin;
Vërtet, unë isha i vetmi kalimtar!
Ndërkaq shumë kohë kish kaluar
Kur diku para meje u shfaq
Si një nyjë në gjoks të errësirës
Papritmas, si përmendore, një arab
I çuditshëm brenda një mbulese krejt të bardhë,
Hap pas hapi pa u ndalur duke ardhë.
Unë bëra para, ai erdhi, u afruam,
Ballëpërballë, pa u ndalur u përshëndetëm.
N’sa po mendoja zërin e tij,
Ajo hije u zgjat e më zuri në duar.
Kur, ç’të shoh, Omeri paskësh qenë ai!
– O Omer, ç’punë ke në këtë orë kaq të vonë?
– Dola të bëj një kontroll nëpër zonë.
Eja bëj katër-pesë hapa dhe ti me mua!

* * *

As zë, as dikush nëpër rrugë, i zgjuar,
Mjedisi kredhur në një qetësi të amshuar.
Omeri, mbrojtësi i të Drejtës, në këmbë…
Ja, ç’qetësi për këtë qytet që fle i patrazuar!
Ai ballë i lartësuar sa qiejt
Duke i lëshuar nga gjoksi horizontit dritë,
Një kohë, me shikimin e tij të pashuar,
Si një brerore rreth yllit që rri zgjuar!
Qëndron Omeri para çdo shtëpie
Dhe dëgjon; njerëzit brenda s’dinë gjë.
As dhe një gërmadhë s’kaluam pa përgjuar,
Kontrolluam në të djathtë e në të majtë çdo shtëpi.
Erdhëm, më në fund, jashtë Medines;
Omeri pa një çadër dhe u ndal përsëri.

* * *

Në krye të vatrës, një grua e moshuar.
Duke përzier gjellën që piqej e gatuar
Ndërsa fëmijët klithnin të uritur pa pushuar,
U fliste me zërin përzier me lotët e gëlltitur:
-Duroni, o bij, ja, zëre se është pjekur…
Mirëpo, për çudi, kjo punë s’kish të mbaruar!
Dhe fëmijët nisën sërish duke bërtitur…
Omeri përshëndeti dhe, më në fund, hyri.
Plaka e pranoi përshëndetjen me një fytyrë tejet të vrarë.
– Pse qajnë këta vogëlushë, teze, pa më thuaj!
– Sot është e dyta ditë pa shtënë gjë në gojë…
– Atëherë,
Pse nuk u shtie gjellë?
– Gjellë po thua? Këtë enë
A mos e pandeh ti me ushqim? Brenda ka vetëm ujë
Ku zjen çakëll pa pushuar!
Po ç’e do! Ndofta i gënjej, thashë, dhe pushojnë…
– Mirë, po yt shoq, yt bir, a vëllai, a daja, ku janë?
A s’ka asnjë mashkull kjo shtëpi?
– Të gjithë më vdiqën… S’kam asnjë njeri!
– Të tutë janë këta fëmijë?
– Nipërit e mi;
dhe një morí!
Po pse s’ke shkuar te Emiri t’ia qash hallin?
-Ah! Emiri?!
Allahu e shoftë sa më shpejt!
Flamuri i mbarësisë iu shtriftë përdhe!
Omeri e gjettë belanë që në këtë botë!
– Ç’të ka bërë Omeri, teze, që e mallkon kaq rëndë?
– Si, a mund të flejë Omeri kur unë gënjej fëmijët e pangrënë?
Ne jemi nënshtetasit e tij, nga Allahu amanet;
A s’bën të vijë e të pyesë një herë ç’bën njeriu i shkretë?
– Ke të drejtë,
Vetëm se i shkreti ka punë shumë, s’vjen dot vetë,
Po s’shkove t’ia thuash, s’e di hallin tuaj!
– Po pse e ka pranuar pushtetin, pa më thuaj!
Më në fund, kush e pranon këtë justifikim të pavlerë?
I mjeri, na paska punë shumë!… Ç’është, luftë?
Mos dëgjo rënkimet e dhimbjeve përreth,
Medinasit lëri lakuriq e shko Egjiptit vërdallë
Grabiti njerëzit në emër të fitores e eja e ndaj këtu trofé!

Kur fëmijët filluan këtë herë sërish duke bërtitur,
Zemërimi i plakës u kthye në çmenduri:
– Këto thirrje, Omer, që shkojnë gjer në re,
U bëfshin rrufe e të rënçin mbi krye!
Rënkimin e jetimit lutje shiu mos e pandeh!
Eshtë urtësia hyjnore që të bën pluhur e dhé!
“Duam bukë, duam bukë, na jep për të ngrënë!…”
“Pushoni, o bij, ja, tani, kam për t’jua vënë!..”
Të shkoj e t’i them, ë? Nuk bëj dot lypsarí!
E kush është Omeri? Im atë qe shumë më bujar se ai!
Vdes dhe kalifit tuaj s’i bie ndër këmbë!..
Omerin e goditën këto fjalë shumë rëndë…
Teze, ke të drejtë!
Gënjeji fëmijët, unë vij tani shpejt!

* * *

Kalifi Omer para, fajtor, i prekur, i penduar, i dërrmuar,
Unë pas, i shushatur, dolëm nga çadra për të shkuar.
Ish në të gdhirë, errësira ish pakëz rralluar.
Qentë na sulmojnë si të tërbuar, na e presin rrugën,
Po kush ua vë re? Ne ecim pa u ndaluar.
Të zhytur në sokakët e shtrembër të Medines,
Më në fund arritëm te depoja e ushqimeve.
Kalifi hyri brenda, unë pas, me urdhër të tij.
E kontrolloi rrethepërqark depon me qiri.
– Ja një thes me miell, a e pe? Eja, ma ngarko!
Kjo shtambë është plot me vaj, atë merre ti.
Dolëm nga depoja, unë me shtambë në dorë,
Kalifi me miell mbi shpinë; dhe u nisëm nga kishim ardhë.
Rruga ish e gjatë, ngarkesa e rëndë, Omeri me plagë.
Dhe i thashë:
– A s’ma jep thesin ta mbaj unë pak?
– Jo! Jo sikur të lodhem, por dhe sikur të vdes
Të mos më japësh ndihmë:
Omer ibni Hattabi e mban vetë fajin e vet mbi shpinë!
Ç’tha gruaja, Abbas, a s’e dëgjove qëparë?
Nesër, para Zotit, askush me Omerin faj s’ka për të ndarë
Qoftë edhe sa për kaq! Mirë tha gruaja,
Me kohë pushtetin përsipër të mos e kish marrë!
Dhe sikur ujku të presë një dele në breg të Tigrit,
Drejtësia hyjnore vjen dhe i kërkon llogari Omerit!
Një grua plakë mbetet pa njeri, fajin e ka Omeri!
Jetimi qan për fatin e zi, fajtor është prapë Omeri!
Nëse një vatër mjerimi e pakujdes shembet,
Jo tjetërkush, nën faj sërish Omeri mbetet!
Po qe se mbi tokë dikush me dhunë një pikë gjaku derdh
Pika e gjakut bëhet vorbull, Omerin e rrëmben!
Omeri ndihet në çdo thyerje zemre,
Omeri përzehet nga çdo mjedis ku ka zi!
Kur kalif është Omeri, kush mban përgjegjësi?
Ç’të bëjë Omeri, o Zot, njeriu mizor e injorant!
Nga Omeri kërkohet ajo që pritet nga Muhammedi vetë…
Omer! Omer! Si e more këtë barrë mbi shpinë?

– Po s’e more ti, kush do të vijë dhe më mirë se ti
Do ta drejtojë këtë fushë lufte ku ke rënë?
Po, po qe se drejtësinë si “absolute” e përfytyron,
Jo Omer, po sikur kush e di kush të jesh, lëre se e ke kot!
Po qe se njerëzimi drejtësi absolute pret,
E sheh shpresën gjithmonë të dënuar me pashpresim!
Ti, Omer, as engjëll s’je, as sundues tiran…
Ç’ke në dorë ti? Njeriu nga natyra është i pafaj!
E shohin Omerin të gjitha yjësitë e qiellit
Nën errësirë, të rënkojë nën peshë!
Kur të dalësh para Zotit me këtë ballë me miell,
Nxirr dëshmitar jo vetëm tokë, por dhe qiell!
– Larg është? A ka edhe shumë?
– Vetëm pesë hapa!

S’i kish mbetur më fuqi të shkretit… Pashë
Se ecën dalngadalë, frymë më frymë
Duke mbledhur gjithë vendosmërinë.
Ja ku erdhëm! U fut në çadër dhe e zbriti miellin poshtë.
– Lëre shtambën e rregulloje këtë në një skaj.
Nga ena i hodhi gurët jashtë pastaj,
Mori shtambën, shtiu vaj dhe sipër miell i shtoi.
Deshi të ulej, por një tjetër bela tani: Oxhaku
Do të shuhet menjëherë…
– Teze, a s’ke ç’vë në zjarr?

Gruaja i solli Omerit pesë-gjashtë ferra të njoma
Dhe Omeri, për t’i ndezur, u shtri sa gjerë e gjatë përdhe.
Oxhaku tymon, Omeri e fryn me frymë të nxehtë
Dhe e fshin truallin me mjekrën e bardhë të kërleshtë.
Brenda i djeg shpirti, në ballë djersa i shpërthen!
Tymi shtëllunga-shtëllunga kthehet pas
Dhe vërtitet mbi njerëzit si reja nën yje.

Oxhaku u ndez, gjella u poq.
– A ke, teze, ndonjë enë?
Sille ta zbrazim…
– Ja një enë e madhe, merreni.
Gjella ish e nxehtë, por kush kish durim të ftohej!
Omeri i ushqeu fëmijët një nga një gjellës duke i fryrë!
Në çadër u pre zija, fryma e gëzimit u zgjua.
Fëmijët lozin, gruaja plakë, e gëzuar.
Kjo pamje gazmore Omerin e kish turbulluar…
I thashë:
– Po bëhet mëngjes, të ngrihemi…
– Po, eja tani!
Rreth drekës, teze, eja te Emiri e më gjej mua;
I themi bashkë Omerit e puna bëhet mirë!

* * *

Plakës i qeshnin sytë…
I lamë lamtumirë e dolëm në rrugë.
Pa rënë në sy të asnjë kalimtari,
Zbritëm drejt e te Kalifi në shtëpi.
– Tani po lind dielli, – më tha Omeri,
– S’ke ku shkon, rri këtu.
Pas pak mëngjesi zhurmëshumë
E zgjoi qytetin që flinte në gjumë!

Kur kishte kaluar dreka, gruaja erdhi.
– Ndoshta, teze, mbete pa gjumë!
Ja, dhe ndihma po të lidhet,
Do ta marrësh çdo muaj që këtej.
A më fale mua, apo jo, tani?
– Kështu tregoje drejtësinë!

 

Përktheu nga turqishtja: Mit’hat HOXHA

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: