Hyrje > Edukim > Ti nuk lexon

Ti nuk lexon

Edison YPI

 

TI NUK LEXON

Edison Ypi

Edison Ypi

Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, udhëton, zbavitesh. Por nuk je i qetë, nuk ndjehesh i lumtur. Ke ankesa, xerxelera, grricje, kërruajtje. Je gjithë kohën i mërzitur. Ke probleme me shëndetin. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Hak e ke. Këto dhe të tjera taksirate i ke dhe do t’i kesh deri sa të ngordhësh. Sepse ti mor’ zotni, ti moj zonjë, ti mor’ djalë, ti moj vajzë, nuk lexon.

Vendi yt ka vuajtur diktaturën më gjakatare të botës, gjatë së cilës u përdhosën të gjitha vlerat dhe u kultivuan e u himnizuan veset më të ndyra dhe më kriminale; pabesia, hajdutllëku, spiunllëku, dembelizmi.

Prej një çerek shekulli vendi yt nuk është më diktaturë, por vend i lirë ku fatet nuk i vendos 1 njeri i vetëm por vullneti i shumicës. Megjithatë ti gjithë kohën ankohesh. Ankohesh dhe do ankohesh, sepse ti nuk di, ti nuk kupton, ti s’ke se si të dish, ti s’ke sesi të kuptosh, sepse ti nuk lexon.

Ti pi kafe dhe sodit njerëzinë. Habitesh, mendohesh, dhe nuk e gjen dot, se si dhe pse nuk janë të gjithë si ty, por njëri kështu e tjetri ashtu, dhe kafja të duket zeherr. Kafja zeherr e helm do të bëhet sepse ti, ngaqë nuk lexon, nuk do ta kuptosh kurrë madhështinë e laryshisë së karaktereve njerëzorë, të cilët po aq sa janë identikë, janë edhe të ndryshëm nga njëri-tjetri. Ndërsa pretendimi yt idiotesk që të gjithë të jenë si ty, domethënë që askush të mos lexojë, do ishte groposja për së gjalli e të gjithëve.

Qëllon ndonjëherë që ti del në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja, vila, oborre të rregulluara, jo rrallë edhe me shatërvane dhe pishina. Sa herë që kjo ndodh, ti nis e bërtet;

-Nuk janë bërë me punë të ndershme. Janë bërë me pare droge, me trafiqe, me dallavere.

-Ore eja në vete, të thotë ndonjëri që eventualisht të ndodhet pranë. Kanë punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Këto shtëpi nuk i kanë ngritur në 1 ditë, por tullë pas tulle për vite të tëra. Shtëpitë e reja në Shqipëri janë me qindra mijëra. Eja në vete. Kaq drogaxhinj nuk ka gjithë bota.

E kotë. S’ka spjegim që të bind, s’ka argument që të sjell në vete ty që nuk lexon, ty që duke mos lexuar nuk kupton, duke mos kuptuar nuk ndjen.

Je vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve, deri edhe filipinit, u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t’i bësh pa të lëvizur qerpiku ti që nuk lexon asgjë. A e kupton se çfarë shtaze të bën mos-leximi?

Ti udhëton. Duke udhëtuar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar kështjellash të lashta, fytyra të çuditëshme banorësh lokalë. Por ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh të gjalla, dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr e kjo llahtarë nuk ndodh për absolutisht asnjë arësye tjetër por vetëm sepse ti nuk lexon.

Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse ti nuk lexon.

Ti nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e Nolit, letrën e Tatjanës Onieginit, por mban ment batuta të pështira soc-filmash. Nuk lexon, prandaj.

Ti thua se diktatori bëri krime  por bëri edhe disa gjëra të mira. E ke gabim. Gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që ekziston, ti që nuk lexon.

Ti voton, dhe të nesërmen e votimit pa pik’ turpi ankohesh ndaj atij ose atyre që votove vetë. Kjo ndodh sepse ti nuk lexon.

Brendinë e librave ti e përfytyron si muhabet kafeneje. Ky, ai, ai tjetri, trokiti në një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall, poqi gështenja mbi prush, u ankua nga majasilli, bërtiti, doli. Shumica e librave kështu janë vërtet. Por ti nuk e di se aq pak libra të mirë sa ka, janë me miliona herë më të vlefshëm se këta me acar dhe mangall, sepse ti nuk lexon.

Nuk ke sukses me femrat. Dhe nis e i shan e mallkon kot së koti ato të shkretat. Ulu lexo, mëso të sillesh me to, bëju komplimenta, sa më inteligjente, sa më turbulluese, sa më të bukura. Nëse përsëri nuk u mbushet mendja, ulu lexo edhe më tepër.

Ti çfaqesh në Fejsbuk në foto me gjithato të ngrëna përpara. Është turpi më i madh, njëlloj sikur ta pështysh veten në surrat, më zi se ulja e brekëve tek Zogu i Zi. Por ty nuk të bën asnjë përshtypje. Ti vazhdon të dalësh në fotografi krenar dhe i pamposhtur fill pasi ke gromësitur me sa më tepër tasa dhe pjata të sapo boshatisura, gota të rrëkëllyera, mbeturina mishrash dhe mëlçirash të ngrëna përpara. Sepse ti nuk lexon.

Sheh ndonjëherë në televizor shurdhmemeca që mësojnë të shkruajnë dhe lexojnë. Habitesh pa masë, dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë që fatkeqi, fatkatrani, fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.

Ti që nuk lexon je nxitësi më i madh i grafomanëve, atyre delirantëve që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.

Ti je gjithashtu edhe dekurajuesi më i madh i atyre që kanë diçka për të thënë, dinë ta shkruajnë dhe e shkruajnë, por i ka gjetur belaja me ty që nuk lexon.

Çfarë nuk bën ti që nuk lexon. Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, nuk punon ose punon pak dhe keq, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.

Përvojat e njerzimit, aftësitë, paaftësitë, sukseset, mossukseset, mediokritetet, gjenialitetet, Arti, Letërsia, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, të gjitha janë nëpër libra, që ti nuk i lexon

Ti që nuk lexon je lënda e parë më e mirë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.

Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.

Ti që nuk lexon, je një lëvere dhe një këllirë që nuk i duhesh as dreqit.

Boshllëkun e leximeve të munguara nuk e mbush dot materia e krejt Universit.

Rrofsh e qofsh e qafsh, ti që nuk ke haber nga shiu i gërmave, stuhitë e paragrafeve, tornadot e kapitujve, zjarri i vargjeve, inkandeshenca e Poezive, simfonitë e Poemave, tërmetet e novelave, cunamet e romaneve.

 

Burimi: http://mapo.al/2014/08/ti-nuk-lexon/

Kategori: Edukim Etiketa: , , ,
  1. POPULLI
    21/08/2014 te 09:22

    —(meqe komentet ishin mbyllur te MAPO)
    PSE “UNE” NUK LEXOJ?!?!
    PSE TE GJITHE “INTELEKTUALET” E HEDHIN FAJIN TE POPULLI, (kush eshte populli???) eshte ky qe duhet t’i beje te gjitha, te cohet ne revolte per nje cope buke qe mund te fitoje me nje rroge minimale ne fund te muajit (si znj.Elvira e Sarandes) ndryshe vdes pa ngrene fare, dhe kta qe presin nga populli (intelektuale, te studiuar, etj) nuk leshojne fare pe’ nga komforti/rehatia e standardit te jetes se tyre?!?! kur kane dhe rroga te majme e te ardhura te bollshme (krahasuar shtreses me poshte/popullit) mund t’ia dalin edhe keta te jetojne me pak harxhime, por nuk e bejne.
    ka te drejte komentuesi/sja me lart qe thote se mire ata qe lexojne, po te tjeret ? per te tjeret ka zgjidhje, ka shume zgjidhje, mund te behen nga keto “viral campaigns” (“fushata infektuese”) ne rrjetet sociale (fB etj) ku njerezit te ndergjegjesohen qe ato qe lene mbrapa (papasterti, e cka mund te prishin) do t’i rregulloje nje dore e cila do te kushtoje sh leke tenderi (shteti, qe ne fakt eshte vete populli me taksa e gjoba etj) po ne jetojme cdo dite e me sh me kompleksin aman te shpetojme nga diktatura e komunitetit, se cdo gje e lidhim me ate periudhe e nuk duam ta perdorim, bejme si e si qe te dukemi si europiane, te vecante aman individualiste ne dukje (se ne fund te fundit te gjithe nje model syze Rayban perdorin, e perfundojne si ne komunizem, si ” shtepia e femijes* ” (*pa ofendim, apo gjykim), pa vecanti, ne ate qe veshin/perdorin, gjasme jemi te mire, EPO VETEM NUK ECEN KJO SHOQERI, ska per te ecur KURRE, me kot mburremi edhe te shoqeria jone jashte shtetit, se ata lexojne se cfare ndodh ne Shq & dine ta vleresojne mire situaten, se si ka mundesi te jetoje ne luks ky shok/shoqe kur vendi eshte menxyre.
    RRUGA TJETER ESHTE QE KETA INTELEKTUALE TE DALIN NE EMISIONE KRYESORE MEDIASH (ne darke kur i degjojne te gjithe) e te bejne ndergjegjesimin e njerezve me shpjegime te arsyetuara te shoqeruara keto me foto/video (qe ka plot, po qe dhe mund te prodhohen) E SIDOMOS ME FUNKSIONIMIN E SHTETIT LIGJOR, KU NJEREZIT TE PAGUAJNE JO VETEM GJOBA NE LEKE PO EDHE PUNE VULLNETARE PASTRIM TERRITORI, SHERBIM SOCIAL PER NJEREZIT NE NEVOJE, etj etj skema te ndryshme qe intelektualet e akademiket i dine sh mire se kane mesuar shume nga udhetimet ne shtetet e perparuara (ShBA, Suedi, etj etj)

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: