Hyrje > Identiteti islam shqiptar > Lokalja në traditën islame: a është hallall ‘Islami shqiptar’?

Lokalja në traditën islame: a është hallall ‘Islami shqiptar’?

Besnik SINANI

 

LOKALJA NË TRADITËN ISLAME: A ËSHTË HALLAL ‘ISLAMI SHQIPTAR’?

Besnik Sinani

Teksti i mëposhtëm – me pak ndryshime – u prezantua në Simpoziumin Islami Shqiptar midis lokales dhe globales,organizuar nga Shoqata Ardhmëria në datë 7 Qershor në Hotel Tirana International.

Një nga karakteristikat e traditës studimore të Orientalizmit është përshkrimi binar e kundërshtues i Islamit. Sipas traditës orientaliste, Islami dallohet në Islamin e ngurtë të juristëve – Islami legalist  – dhe ai mistik. Islami legalist dhe ai mistik u përshkruhen si dy realitete kundërshtuese e jo si dimensione të së njëjtës traditë. Edhe pas kritikës që sfidoi një pjesë të madhe të studimeve orientaliste në vitet 1970 dhe me zhvillimin e disiplinave si Antropologjia, vazhdoi përshkrimi binar, kundërshtues i Islamit. Ernest Gellner, po dhe më shumë Clifford Geertz me librin e tij Islam Observed, sjell dikotominë midis Islamit tekstualist, pra të bazuar në tekste, dhe atij popullor, folklorik e lokal. Përsëri, këto u panë si shfaqje kundërshtuese të eksperiencës fetare.

Kjo dikotomi në përshkrimin e Islamit është transportuar edhe në ligjërimin politik global. Në librin e tij Good Muslim, Bad Muslim, Mahmoud Mamdani, profesor i Antropologjisë në Universitetin Columbia në ShBA, vendos militarizmin fetar në botën muslimane në kontekst historik duke treguar se si fundamentalistët muslimanë që ishin aleatë të Perëndimit gjatë Luftës së Ftohtë – pra muslimanët e mirë – u përshkruan si muslimanët e këqinj mbas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Përpjekja e autorit është të nxjerrë fenomenin përtej termave moralizues dhe t’i kontekstualizojë, por dhe të sfidojë natyrën binare që përshkruan muslimanët në terma reduktues ‘të mirë’ apo ‘të këqinj.’ Edhe në ligjërimin shqip rreth Islamit kemi ndeshur një përshkrim të bazuar në një kundërshti binare midis Islamit të huaj, arab, intolerant dhe Islamit shqiptar dhe tolerant. Një vështrim i shpejtë na bën të ditur se kemi të bëjmë me një traditë ligjërimi që përshkruan Islamin në terma binarë: i mirë, i keq, popullor, tekstual, lokal, global.

Do ishte me interes të zbërtheheshin këto terma që janë në thelb reduktues e shpesh nuk arrijnë të informojnë, por vetëm të përforcojnë qëndrime të ngulitura në tradita ligjërimi që janë kritikuar gjerësisht nga studiuesit bashkohorë. Por sa thamë më sipër mund të na nxisë të ngrejmë një tjetër pyetje:

Islami ka qartazi një nocion të gjeografisë së shenjtë që vendos Mekën në qendrën e praktikave dhe devocionit fetar të muslimanëve. Njëkohësisht, arabishtja është gjuha me të cilën muslimanët besojnë se Zoti i foli njerëzimit në shpalljen e fundit dhe Profeti i fundit në serinë e lajmëtarëve të Zotit është një Profet arab. A ka Islami, për rrjedhojë, në thelbin e vet, një mesazh qendror në kuptimin e gjeografisë së shenjtë që kundërshton dhe qëndron në konflikt me shfaqjet lokale të eksperiencës fetare? A mund të ketë, për rrjedhojë, një Islam shqiptar pa qenë njëkohësisht në kundërshti me thelbin e mësimit të traditës fetare të Islamit?

Kushdo që ka ndjekur debatet për Islamin në rang global, por edhe vecanërisht në Shqipëri së paku këto dy dekadat e fundit, e ka të qartë që kjo pyetje është politike. Këto ditë dëgjojmë shpesh zyrtarë kosovarë që ankohen për rrezikun që i kanoset Islamit tradicional, vendas, nga radikalizmi i Islamit arab, edhe pse bota arabe mbart qindra milionë frymë me tendenca, shkolla mendimi, diversitet në mendimin fetar që për shumë politikanë shqiptarë reduktohen në një frazë të vetme ‘Islami arab.’

Por, përtej dimensionit politik, mendoj se kjo pyetje është e rëndësishme për vetë bashkësinë muslimane. Pikërisht pse nocioni i Islamit tradicional apo Islami shqiptar është formuluar nga jashtë bashkësisë dhe është përdorur shpesh për të stigmatizuar praktika e qëndrime të muslimanëve shqiptarë, nocioni i Islamit shqiptar ka përftuar një konotacion negativ brenda bashkësisë. Në sa vijon, nuk përpiqem të sjell një përgjigje shteruese të kësaj pyetjeje, por shpresoj të kontribuoj mjaftueshëm për të vazhduar këtë debat. Do ishte me vend të shohim se cili ka qenë raporti midis këtij kuptimi të gjeografisë së shenjtë, që përmendëm më sipër, dhe procesit të prodhimtarisë intelektuale dhe shpirtërore në traditën islame.

Në librin e tij, Islam: the view from the edge, që mund të përkthehej si Islami: pamja nga periferia, historiani Richard Bulliet propozon një vështrim ndryshe të historisë së Islamit. Tradicionalisht, në historiografinë perëndimore rreth Lindjes së Mesme, por edhe atë të prodhuar nga vetë muslimanët, narrativa kryesore e historisë ka qenë e fokusuar në kryeqytetet e mbretërive të mëdha të Islamit në periudhën mesjetare: Damasku, Bagdadi, Stambolli etj, etj. Historiografia është fokusuar në cfarë bënë mbretërit, sulltanët. Bulliet në librin e tij hedh vështrimin jo në çfarë po ndodhte në Damask apo Bagdad, por çfarë po ndodhte në periferi, në botën perse, e cila sapo ishte prezantuar me Islamin.

Përreth garnizoneve ushtarake në botën perse fillojnë mblidhen të konvertuarit në kërkim të informacionit për fenë e re. Nuk është për t’u habitur, shkruan Bulliet, që përpilimet kryesore në literaturën e hadithit vinë pikërisht në këtë kohë nga këto treva dhe ato duhen parë si përgjigje ndaj pyetjeve të të konvertuarve të rinj: Si të falem? -mund të ketë pyetur një nga të konvertuarit e rinj, dhe përgjigja i vinte: -Kam dëgjuar nga im atë, që dëgjoi nga një prej sahabëve se i dërguari i Zotit ka bërë kështu apo ashtu. Kjo është mënyra se si e gjejmë informacionin në literaturën e hadithit. Prej këndej na vinë përpilimet e Sahih Buharit dhe Muslim, Sunan Tirimidhiut etj.

Teksa në Mesjetë qytetet e mëdha u ndërtuan rreth lumenjve dhe burimeve të tjera natyrore që mund të mbështesnin jetën e qytetit, në botën perse, shkruan Bulliet, qytetet e për rrjedhim edhe karakteristikat e civilizimit që buroi nga ky proces, u ndërtuan si grumbullime në kërkim të dijes për fenë e re. Ishte migrimi i mëtejshëm nga shekujt 10-12 i familjeve të ulemave nga këto zona dhe vendosja e tyre në kolegjet e mëdha fetare në Mesdhe, nga Egjipti në Marok, që solli si rrjedhim që në qendrat e mëdha të dijes të lexonin e të debatonin të njëjtat tekste që patën origjinën nga territoret perse.

Solla këtë hyrje të marrë nga libri i Richard Bulliet për të vënë në dukje se teksa Islami ka një gjeografi të sakrales, të së shenjtës, me Mekën në qendër të saj, mendimi islam, tradita skolastike e Islamit historikisht nuk ka patur një qendër të vetme dhe në një kohë të caktuar Spanja apo Tunizia apo dhe India si qendra të mendimit fetar dhe të prodhimit të skolastikës islame kishin shumë më tepër influencë në skolastikën islame sesa Meka. Prodhimtaria intelektuale në traditën islame ka njohur disa qendra dhe nuk përkon detyrimisht me kuptimin e gjeografisë së shenjtë që vendos Mekën në qendër të praktikave fetare.

Nëse cytja e parë që doja të hidhja në këtë debat vjen nga historia, do doja që shkurtimisht të shqyrtonim edhe literaturën e jurisprudencës islame, që shihet shpesh si burimi i ngurtësisë dhe i natyrës së centralizuar – në kohë dhe në gjeografi – të praktikës islame. Cilido me një edukim bazik në literaturën e fikhut, apo jurisprudencës islame, do kujtohej menjëherë për kategoritë e maslaha-së dhe‘urf-it. Nuk është qëllimi im e as nuk besoj se jam kandidati adekuat për të sjellë një shtjellim të zgjeruar të kuptimit dhe aplikimeve të këtyre kategorive të së drejtës islame. Por le të sjellim ndër mend disa karakteristika të rëndësishme që janë relevantë në diskutimin tonë. Për këtë jam mbështetur në volumin e Mohammad Hashim Kamalit, Principles of Islamic Jurisprudence.

Maslaha do të thotë interes apo përfitim. Maslaha mursalah ka kuptimin e interesit publik në çështje që nuk janë të legjisluara nga Ligjvënësi, që në traditën islame është Zoti. Në të njëjtën kohë maslaha duhet të jetë në harmoni me objektivat e Ligjvënësit dhe sjell përfitim publik e parandalon dëm publik. Maslaha nuk merret si argument për çështje të adhurimit (ibadeteve), dënimeve të përcaktuara qartazi me tekst apo shpagimeve (hududeve dhe kafarateve), rregullave të trashëgimisë apo divorcit. Por, përtej këtyre cështjeve, e drejta islame e ka njohur maslaha-në si burim ligji dhe kjo vjen nga fakti se qëllimi themeltar i artikuluar në të drejtën islame është të sigurojë mirëqënien e bashkësisë njerzore dhe të parandalojë dëmet mbi bashkësinë njerzore. Ky është kuptimi sipas Imam Shatibiut i vargut- ‘Dhe ne të sollëm ty si mëshirë e mirësi për njerëzimin.’ Do ishte ndoshta me interes të shtohej se për disa nga ulematë, si Nexhmedin el Tufi* nga hanbelitë, maslaha, pra interesi publik, shqyrtohet dhe ka precedencë edhe kur mund të bjerë në kundërshtim me tekstet. Sa thamë më sipër është e mirënjohur, por është me interes në diskutimin tonë të theksojmë se mënyrat dhe rrugët që sjellin përfitim për njerëzit janë virtualisht të pafundme, e ato as nuk mund të numërohen e as nuk mund të parashikohen duke qenë se siç thekson Imam Shatibiu e të tjerë ndër dijetarët, konsideratat ndryshojnë sipas rrethanave.

Diskutimi për maslaha-në është tejet interesant dhe i nevojshëm por do kërkonte një shqyrtim të vecantë. Por sa kemi thënë gjer këtu, bën të qartë rëndësinë sipas të drejtës islame të evidentimit të interesit publik përtej çështjeve të përcaktuara në tekste, dhe se ky evidentim, duke qenë se nuk mund të parashikohet e as të numërohet, nuk mund të jetë parapërgatitur për ne nga imamët e të kaluarës, në një tokë e një kohë tjetër, por është e nevojshme të bëhet sot dhe këtu.

Njëkohësisht, është e mirënjohur që e drejta osmane historikisht njohu traditën vendase, lokale, ‘urf, si bazë legjislative. Ajo ishte e bazuar në qëndrimin e dijetarëve shafi si:  Sujuti, maliki: si Karafi, por edhe në ata hanefi si: Sarahsi dhe u bë prezente në Mexhelen osmane. Veçanërisht në çështje tregtare, tradita lokale, urf-i, njohu aplikim të gjerë, por jo vetëm. Edhe në çështjet e martesës, të cilat janë të artikuluara në detaje në të drejtën islame, nuk është e përcaktuar në tekste se sa është, fjala vjen, sasia që bashkëshorti duhet të sigurojë në përkujdesje ekonomike për bashkëshorten, por iu referua sasisë që njihet si sasi e duhur në kohë dhe lokacione të ndryshme, përfshi konsiderata të stadit ekonomik të bashkëshortëve. Sic vë në dukje historiani Recep Senturk, në Mexhelen osmane të shekullit të 19të, e cila ishte një përpjekje për kodifikimin e ligjit islam, shprehet qartazi impakti i pamohueshëm i ndryshimeve kulturore dhe traditave në ligjin islam, përsa kohë që nuk bie në kundërshtim me principet e shpalljes. Tradita është ligj, thuhet në një artikull të Mexheles, apo vendimet ligjore bazohen në traditat vendore.

Sa thamë më sipër është gjithashtu e mirënjohur në tekstet e të drejtës islame, por ajo që vlen të theksohet për diskutimin tonë, është fakti se traditat vendase nuk janë të shkruara në gurë por janë të ndryshueshme jo vetëm nga vendi në vend, por edhe në kohë.

Sidoqoftë, pa patur nevojë të hymë në trajtime më të detajuara teknike, vlen të thuhet, qoftë shkarazi, se shpesh ‘urf – i, apo tradita lokale, shihet në tekstet juridike të traditës islame në një prizëm hierarkik relativisht të ulët në krahasim me burime të tjera që informojnë ligjin. Vlen të thuhet se, sic ka vënë në dukje Ayman Shabana, urf-i përcaktonte edhe mënyrën se si u kuptuan dhe interpretuan kategori me pozicion më të lartë në hierarkinë e ligjit islam, si kijasi, apo analogjia.

Le t’i kthehemi, pra pyetjes me te cilën nisëm këtë diskutim: a janë format lokale të eksperiencës fetare në traditën islame një lloj largimi nga thelbi i mësimit fetar? Apo siç e ngritëm në mënyrë provokuese në titull, a është Islami shqiptar hallall? Do shpresoja që sa thamë më sipër të ketë dhënë një përgjigje, por jo vetëm. Ajo që do duhej të ishte evidente është fakti se çfarëdolloj përpjekjeje për të replikuar forma të importuara të eksperiencës fetare, pa i negociuar ato me kontekstin social, historik dhe kulturor janë në fakt larg frymës së traditës islame dhe mënyrës se si është artikuluar dhe formësuar historikisht si një nga traditat e mëdha fetare të njerëzimit.

Edhe pa patur nevojë për ndonjë lloj prove tekstuale për këtë, është e kuptueshme që bashkësia muslimane në Shqipëri ndan një histori të përbashkët e që detyrimisht kushtëzon në mënyrë unike identitetin e bashkësisë. Sfida është që ky identitet i përbashkët muslimanësh shqiptarë të gjenerojë krijimin e një vizioni për të ardhmen e bashkësisë, në ngritjen e institucioneve të mendimit dhe institucioneve edukuese.

Islami shqiptar, në të njëjtën kohë, nuk është një identitet përjashtues ndaj të qenit pjesë e një bashkësie fetare globale, apo më të lokalizuar, evropiane, ashtu si dimensioni fetar nuk mund të jetë i vetmi komponent identitar i një besimtari shqiptar. Këto shtresa identitare nuk janë përjashtuese, por komplementare, pasuruese të njëra-tjetrës dhe rrjedhimisht, duhet të jenë besimtarët muslimanë ata që artikulojnë identitetin e Islamit shqiptar, i cili nuk mundet të jetë një identitet i ngurtë, por përherë fluid, reflektues i eksperiencës unike historike dhe i një ndërgjegjeje fetare moderne.

 

*Gjatë prezantimit shtova se ky qëndrim i Nexhmedin el Tufi ka qenë edhe qëndrimi i Ibn Kajim. Falenderoj imam Sabaudin Jasharin, i cili mbas fjalës së mbajtur korrigjoi këtë pasaktësi duke vënë në dukje se Tufi ishte i vetëm ndër hanbelitë që mbajti këtë qëndrim. Ibn Kajim, sidoqoftë, ka qëndrim shumë të afërt kur flet për Makasid el Shariah, apo objektivat e larta të shpalljes. Duket, gjithashtu, nga fjalët e Tufit, se ai mund të ketë patur parasysh pikërisht objektivin e shpalljes, të artikuluar si arritja e interesit publik dhe evitimi i dëmit, në qëndrimin e tij për maslaha-në.

 

Burimi: http://www.e-zani.com/2014/06/10/lokalja-ne-traditen-islame-eshte-hallall-islami-shqiptar/

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: