Kreu > Europa dhe Islami > Muri i liberal-demokracisë

Muri i liberal-demokracisë

Abdullah REXHEPI

 

MURI I LIBERAL-DEMOKRACISË

Abdullah Rexhepi

Abdullah Rexhepi

Unë kisha menduar se muret ndërtohen vetëm prej kinezëve të lashtë për tu mbrojtur nga agresionet e huaja, prej komunizmit që ndau dy Gjermanitë dhe prej izraelitëve të armatosur për tu mbrojtur nga gurët e palestinezëve, por asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja që edhe ideologjia liberal-demokrate mund të ndërtojë mure për të vënë kufij në mes ‘nesh’ dhe ‘të tjerëve’. Në 20 vjetorin e rrëzimit të murit të Berlinit, zviceranët ndërtuan një mur tjetër. Një mur ideologjik. Javën e kaluar, 57 % e qytetarëve zviceranë – të rrezikuar nga gjashtë minaret e myslimanëve – votuan për ndalimin e ndërtimit të minareve të xhamive. Dhe shkurtë thanë: “Nuk duam të dëgjojmë zërin e ezanit, por vetëm zërin e kumbanave të kishave”. Referendumin e inicio partia popullore zvicerane (SVP), karakteristikë e së cilës është frikësimi i zviceranëve nga islami dhe muslimanët. Disa nga parullat e kësaj partie janë: “Ata duan të na islamizojnë”, “Po na ndryshojnë identitetin” apo “Jemi në rrezik”. SVP edhe më herët kishte filluar një propagandë kundër mënyrës së therjes së kafshëve nga muslimanët, por për të mos shqetësuar hebrenjtë, ishte detyruar të tërhiqej shpejtë. Kjo parti gjithashtu kishte kërkuar që Tarik Ramadan, egjiptian me nënshtetësi zvicerane, t’iu merret nënshtetësia, për shkak se po mbronte ‘islamin radikal’.

Asnjëherë nuk kisha dashur t’i besoja teorisë së Samuel Huntingtonit për përleshjen e civilizimeve, por ajo që po ndodhë në disa shtete evropiane, për fat të keq po dëshmon teorinë e tij. Ndalimi i mbajtjes së shamisë nga gratë muslimane në objektet arsimore të Francës, publikimi i karikaturave në Danimarkë, sulmet e dhunshme ndaj muslimanëve në Angli dhe Gjermani flasin për një ‘kryqëzatë’ të re të botës perëndimore përballë islamit. Këto ofeza dëshmojnë shqetësimin dhe frikën e perëndimit liberal – demokrat nga bindjet dhe mendimet e të tjerëve.

Dikush mund të pyes se si do të vepronin muslimanët nëse do ta ndjenin të njëjtin rrezik, pra sikur në një vend musliman të ketë një rritje të numrit të ithtarëve të feve tjera dhe të rrezikohet struktura e popullsisë muslimane? Përgjigja ime do të ishte kjo: Kur flasim për muslimanët, duhet ndarë shumicën e muslimanëve në njërën anë, nga regjimet shtetërore dhe grupet radikale në anën tjetër. Askush nuk duhet ta mohojë se një pjesë e madhe e botës islame po përjeton një dekadencë dhe injorancë të thellë, e cila ka ngurtësuar mendimin e lirë në këtë shoqëri. Sot në Irak, Afganistan, Pakistan, Jemen, madje edhe në Palestinë (konflikti mes Hamasit dhe Fatahut) muslimanët por vrasin njëri tjetrin, po shkatërrojnë xhamitë dhe vendet e shenjta të njëri tjetrit dhe po urrehen në mes veti. Regjimet diktatoriale të muslimanëve dhe grupet fanatike deri më tani nuk kanë lejuar zhvillimin e mendimit dhe shprehjes së lirë në vendet islame. Për fat të keq, muslimanët kanë vrarë, prerë, varë, djegur, dhunuar dhe kanë internuar dijetarët dhe mendimtarët muslimanë që kanë shprehur mendime ndryshe nga shumica, dhe këtë e kanë bërë në emër të mbrojtjes së islamit burimor. Në kohën kur feja islame, siç shihet në Kur’an dhe hadithet e Profetit Muhammed, nuk pengon shprehjen e mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe, madje hz. Muhammedi a.s. thotë: “Mosmarrëveshjet e dijetarëve janë mëshirë”. Prandaj mund të them se edhe në vendet islame gjendja nuk do të ndryshonte nga Zvicra. Por rastet dallojnë, për shkak se perëndimi ka një kohë shumë të gjatë që ka kaluar nga dekadenca dhe mendimet e zymta radikale, dhe në këto vende kanë ardhur e shkuar filozofë, mendimtarë dhe ideologji të mëdha, kurse muslimanët jo vetëm që nuk iu kanë përmbajtur mësimeve të fesë islame, por ata gjithashtu kanë mbetur prapa edhe në zhvillimin e mendimit të lirë. Edhe një gjë nuk duhet harruar se muslimanët edhe pse kanë qenë të pamëshirshëm ndaj njëri-tjetrit, por ata asnjëherë nuk kanë sulmuar ithtarët dhe objektet e shenjta të feve tjera. Kur viziton vendet më të njohura të civilizimit islam mund të hasësh në kisha dhe sinagoga, të cilët janë ruajtur nga muslimanët. Në Evropën e dy shekujve të kaluar, kur hebrenjtë masakroheshin nga evropianët, ata gjetën strehim në perandorinë osmane dhe për këtë ekzistojnë argumente e historike.

Atëherë pse Evropa po vepron në këtë mënyrë? Në këtë kontinent kanë vepruar ideologji, shkolla dhe lëvizje të shumta politike dhe filozofike dhe secila prej tyre kanë shprehur qëndrimet në lidhje me të drejtën dhe lirinë fetare. Në Evropë mbrohen të drejtat e kafshëve, homoseksualëve dhe të çdo grupi tjetër të çuditshëm. Por të drejtat e muslimanëve? Jo. Pse pretenduesit e ‘djepit të civilizimit njerëzor’ harrojnë çdo kriter dhe ligj të përcaktuar nga vet ata, kur bëhet fjalë për islamin dhe muslimanët? Pse gjithë kjo frikë dhe urrejtje? E para, për arsye se në trurin dhe shpirtin e evropianëve akoma nuk është fshirë urrejtja e kohës së kryqëzatave ndaj muslimanëve dhe ata mbrojnë të drejtat e njerëzve dhe lirinë fetare vetëm për vete, jo edhe për muslimanët. Dhe e dyta, në qarqet politike dhe mediatike të perëndimit sundon një ideologji e cila bënë investime të mëdha në krijimin e Islamofobisë në mesin e qytetarëve. Kjo ideologji plasohet nga bosë të mëdhenj të mediave, të cilët prioritet të politikës së tyre e kanë shkatërrimin e imazhit të fesë islame dhe pengimin e zgjerimit të kësaj feje në mesin e perëndimorëve jo muslimanë. Aktualisht perëndimorët janë duke vuajtur nga mungesa e ndjenjave shpirtërore dhe shumë prej tyre në kërkim të përmbushjes së këtyre ndjenjave gjejnë strehim në fenë islame. Revolucionet shkencore në Evropë me të drejtë iu kishin kundërvënë Kishës dhe interpretimit që i bëhej fesë së krishtere. Por gabimi ishte se mendimtarët evropianë, duke dashur të eliminojnë ideologjinë fetare të Kishës mesjetare, ata vënë në pikëpyetje fenë në përgjithësi. Në këtë mënyrë në Evropë pamë një zhvillim të madh të rrafshin intelektual dhe shkencor, por ngecje në aspektin shpirtëror. Prandaj shumë evropianë të dëshpëruar nga jeta materiale gjejnë strehim në fenë islame. Kjo nga askush nuk duhet të perceptohet si rrezik, madje aq më pak nga evropianët. Të gjithë duhet ta dinë se feja islame nuk është e Lindjes dhe e arabëve, ajo është e gjithë njerëzimit. Për njerëzit e lirë dhe për ata që ia duan të mirën njerëzimit nuk duhet të ekzistojë Lindja dhe Perëndimi, sepse edhe Lindja edhe Perëndimi janë të Zotit.

Zviceranët që votuan për ndalimin e minareve paskan harruar mësimet e Calvinit. Calvini jetoi në Gjenevë në shekullin 16. Gjeneva e atëhershme e Calvinit ishte bërë strehim e krishterëve protestantë që iknin nga dhuna dhe vrasjet e Vatikanit. Ata në fillim iu drejtoheshin Calvinit. Ai bënte përpjekje të mëdha që protestantët e ardhur t’i miqësonte dhe afronte me vendorët. Në një letër të Calvinit lexojmë: “Ne duhet të qajmë bashkë me ata që qajnë. Nëse jemi të krishterë, duhet të solidarizohemi me dhimbjet dhe lotët e fqinjëve, t’i ndihmojmë ata”. Këta zviceranë që votuan kundër minareve duhet të shkojnë në oborrin e Universitetit të Gjenevës dhe të lexojnë fjalën e Calvinit të gdhendur në gurë, ku thotë: “Të falësh mëkatet”.

Unë nuk e di se pse kosovarët që jetojnë në Zvicër nuk i japin leksione për demokraci zviceranëve. Kosovarët, zviceranëve duhet t’i thonë: “Në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, ku 98 % e qytetarëve janë muslimanë, ndërtohet një kishë gjigante, e cila në të ardhmen do të jetë simbol i kryeqytetit. Në vendin tonë kemi ndërrim kolektiv të fesë, ka patur raste që përnjëherë 40 familje nga muslimanë janë konvertuar në katolikë. Atje veprojnë dhjetëra organizata të krishtere propagandojnë fenë e tyre. Funksionarët e shtetit tonë jo vetëm që nuk janë të shqetësuar nga gjëra të këtilla, por ata mendojnë se janë duke ia bërë shërbimin më të madh liberal-demokracisë. Krerët e shtetit tonë janë aq diplomat dhe politikanë të shkathët, sa që me Kishën dhe Shën Terezën kanë arritur të mashtrojnë perëndimin e krishterë. Mësoni ore mësoni. Largohuni nga errësira e mesjetës”.

Advertisements
Kategori: Europa dhe Islami Etiketa: ,
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: