Kreu > Orientalizmi shqiptar > Shitja e Shkupit

Shitja e Shkupit

Ergys MËRTIRI

 

SHITJA E SHKUPIT

Shkup, policia maqedonase sulmon të riun shqiptar

Brenda një muaji dy ngjarje i trazuan shqiptarët në dy prej zonave më të nxehta etnike në trojet tona. Në Mitrovicë, qytetarët u përballën me policinë e EULEX-it, duke protestuar për rivendosjen e barrierës serbe mbi urën e lumit Ibër, që ndan Mitrovicën në dy pjesë, ndërsa në Shkup protestat kaluan në përleshje me policinë maqedonase, ku si pasojë, pati dhunë dhe të lënduar. Politikanët shqiptarë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup u kanë bërë thirrje qytetarëve në të dyja rastet të ruajnë qetësinë, të tërhiqen nga sheshet dhe t’u lënë rrugë zgjidhjeve institucionale, por e vërteta është se ata janë në shesh pikërisht për shkak të dështimit të institucioneve për të zgjidhur problemet e tyre.

Qytetarët shqiptarë nuk i dëgjojnë këto thirrje, jo se ata nuk besojnë tek institucionet, por sepse përvoja u ka treguar se gjatë historisë së tyre janë mësuar vazhdimisht të humbin në tavolinë atë çfarë kanë fituar në shesh ose në mal. Politika nuk dëshiron ta kuptojë se qytetarët janë sot në sheshe pikërisht për shkak të dështimit të tyre në tavolinë dhe, më saktë akoma, për shkak se politika nuk përfaqëson më qytetarët e vet, duke dëshmuar se nuk i ka në plan të parë shqetësimet e tyre. Madje, edhe më keq, qytetarët sot në Tiranë, Prishtinë e Shkup nuk besojnë më tek Rama, Berisha, Jahjaga, Thaçi, Ahmeti e me radhë, sepse po shohin se agjendat e tyre politike nuk përputhen aspak me aspiratat e qytetarëve.

Ata shohin se institucionet janë ndërtuar pikërisht për t’i përjashtuar qytetarët nga vendimmarrja, ndaj edhe zgjedhin sheshet si mjet për të thënë falën e tyre. Kjo është arsyeja pse politikanët nuk kanë autoritetin për t’i bindur turmat të qëndrojnë në shtëpi. Protestat e tyre, ndonëse kundër serbëve dhe maqedonasve, në të vërtetë janë më tepër shenjë e zhgënjimit të thellë prej politikës shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar që i ka lënë në harresë e po tallet me problemet e tyre.

 

Politika e huaj zëvendëson politikën e jashtme

 

Protestat në Shkup e Mitrovicë evidentuan një distancë të madhe midis aspiratave popullore dhe synimeve të politikës që i udhëheq shqiptarët kudo. Ato treguan se politika po ecën në kah të kundërt me shoqërinë duke krijuar një hendek që sa vjen e thellohet. Gjithmonë e më shumë shoqëria shqiptare po ndërgjegjësohet mbi problemet kombëtare, ndërkohë që ky zhvillim nuk ka gjetur pasqyrim në politikë. Madje përkundrazi, ai ka qenë në përpjestim të zhdrejtë me vullnetin e klasës politike, e cila, gjithmonë e më pak i vendos interesat kombëtare në vëmendjen e saj.

Ky largim i politikës nga problemet etnike ka ardhur kryesisht për shkak të korrupsionit dhe degradimit moral, i cili i bën aktorët të përqendrohen fort në interesat e vogla të politikës së ditës, ku e tërë vëmendja shkon në funksion të ruajtjes së pushtetit personal e partiak, kundrejt çdo çmimi në raport me qytetarët. Kjo politikë nuk duket e predispozuar të mbrojë interesat e popullit që përfaqëson, duke përjashtuar vullnetin e tij nga vendimmarrja, në funksion të bindjes ndaj faktorit të huaj, i cili dikton vendime që shpesh janë në kundërshtim me nevojat reale. Korrupsioni dhe lufta e brendshme partiake natyrisht që rrit varësinë e kësaj klase politike nga faktorët e jashtëm. Emërimet e zyrtarëve të lartë nëpërmjet sms-ve prej diplomatëve të huaj, janë emblematike për një popull që ka humbur me mjete demokratike sovranitetin e vet.

Kjo ka bërë që politika shqiptare të jetë thuajse krejtësisht pa një agjendë të vetën në trajtimin e problemeve etnike, gjë që sjell thellimin e tyre. Deklaratat e liderëve politikë në Shkup, Tiranë e Prishtinë kujdesen të jenë gjithnjë në të njëjtën frekuencë me kërkesat e ndërkombëtarëve, duke mos kërkuar asgjë më shumë, pavarësisht se bëhet fjalë për interesin e tyre e jo të ndërkombëtarëve. Kjo është tragjike dhe qesharake. Ndërkombëtarët janë arbitër e jo palë në përballjet tona dhe për këtë arsye nuk mund të presim që golin të na e shënojë arbitri. Një politikë aktive duhet të jetë në avancë ndaj qëndrimeve të ndërkombëtarëve dhe jo të mjaftohet me atë çfarë diktojnë ata. Nëse ne nuk hapim gojën, është marrëzi të pretendojmë që të tjerët të shqetësohen për ne. Kjo ndodh vetëm me shqiptarët, të cilët madje shpesh tregojnë edhe se janë një hap prapa kërkesave të ndërkombëtarëve.

Duke qenë se zgjidhjen e problemeve e presim nga sms-të e ndërkombëtarëve, natyrisht që ato do të mbeten të pazgjidhura, sepse, sado të predispozuar të jenë të huajt (në qofshin vërtetë të tillë), nuk mund të jenë kurrë aq brenda realitetit sa të ofrojnë udhëzimet e duhura. Edhe në e bëfshin këtë, politika jonë pasive do ta ketë të pamundur t’i bëjë të suksesshme projektet e diktuara prej tyre me pasivitetin e vet. Në fund të fundit, arbitri kujdeset më shumë për rregullat e lojës, por na mbetet që lojën ta luajmë vetë.

 

Dështimi ndërkombëtar

 

Në fakt, vetë politika ndërkombëtare ka treguar vazhdimisht pasivitet të madh ndaj problemeve etnike në Ballkan, sidomos me shqiptarët. Kosova po bëhet një vend i kapur mat mes liderëve të korruptuar, të cilët nuk zhvillojnë dot rrugët e nevojshme institucionale, ekonomike e sociale drejt zhvillimit të shoqërisë. Statuskuoja e vendosur duket se nuk po i ndihmon aspak zhvillimit, ndërkohë që, në planin ndërkombëtar, gjërat kanë mbetur në vend. Ende shumica e shteteve nuk e njohin Kosovën dhe qytetarëve të saj u duhet të heqin një mijë të zeza për të fituar të drejtën e lëvizjes së lirë në BE dhe në shumë vende në botë.

Serbët nga ana e tyre ia kanë dalë të mbajnë të destabilizuar një pjesë të mirë të saj, teksa, nëpërmjet bisedimeve, ia kanë dalë gjithashtu t’u imponojnë shqiptarëve shumë prej verdikteve të tyre. Ndërkohë ata fituan statusin e vendit kandidat në BE, megjithëse ende nuk kanë bërë asgjë serioze për të dënuar krimet e luftës, ndërsa shumë plagë të hapura prej tyre janë ende të freskëta. Mesazhi që qytetarët shqiptarë marrin nga e gjithë kjo është se ekzekutorët janë gjithmonë të privilegjuar, ndërsa viktimat mbeten të detyruar të magazinojnë pasojat. Politika e forcës fiton, ndërsa ajo e të drejtës duhet të presë ende edhe shumë kohë.

E si për ironi, përballë kësaj situate, të huajt në Kosovë shqetësohen për gjëra periferike. Problemet në Kosovë për ta përmblidhen në: ligjëratat e tre-katër hoxhallarëve katundesh që ndajnë hakun nëpër video youtube-sh, dy apo tre ideologë lagjesh që kërkojnë «islam politik», pa ia pasur idenë se çfarë është ai, si dhe një sërë çështjesh sociale si të drejtat e grave, gejve ose romëve. Ndërkombëtarët nuk i ofrojnë qytetarit shqiptar asnjë garanci për të dëshmuar seriozitet në kultivimin e klimës së duhur të zhvillimit në Kosovë dhe kjo ka rritur skepticizmin.

E njëjta gjë po ndodh në Shkup. Shqiptarët dhunohen, diskriminohen e izolohen çdo ditë dhe të drejtat tyre kanë mbetur në letër. Shteti maqedonas po ndërton megalomaninë më monstruoze në rajon, duke pompuar një nacionalizëm qesharak mitesh, legjendash e statujash groteske, të cilat kanë në themel pastrimin e përjashtimin etnik dhe asgjë nuk iu vret sytë ndërkombëtarëve. Ata vazhdojnë të jenë të qetë duke artikuluar klishetë e zakonshme, ndërkohë që pretendojnë se po ndërtojnë një shtet multi-etnik në Maqedoni.

Ndërkombëtarët nuk u shqetësuan as kur shteti maqedonas arrestoi në mënyrë spektakolare një grup të madh qytetarësh, mes tyre edhe gra, me akuza ekstreme, siç është ajo e krijimit dhe pjesëmarrjes në organizatë terroriste. Po kështu asnjë shqetësim nuk pati kur të arrestuarit u dënuan me burgim të përjetshëm, pa ndonjë provë bindëse. Ndërsa sot BE-ja kujtohet të dënojë dhunën e shfaqur në protesta, duke u kërkuar palëve të ulen në bisedime dhe të gjejnë rrugën e zgjidhjes. Pyetja shtrohet: A nuk është dhunë burgimi i njerëzve pa provat e mjaftueshme? E pra, para se të dënojë pasojën, BE-ja duhet të ish shprehur fillimisht për shkakun. Por përveç kësaj, ka një paradoks tipik europian në këtë histori, që evidenton shterpësinë e qëndrimeve «politikisht korrekte», dhe konfuzionin e një politike të mbështetur më shumë në retorikë kuaziparimore vlerash abstrakte. U desh pikërisht dhuna që faktori ndërkombëtar të vihet në lëvizje, të shfaqë vëmendje ndaj problemeve dhe t’u kërkojë palëve të gjejnë zgjidhje. Pra, duam apo nuk duam, le ta dënojnë sa të duan ndërkombëtarët, dhuna u bë faktor për t’i vënë ata në lëvizje. Dhuna solli pra pikërisht atë çfarë nuk e kanë sjellë deri më tani institucionet dhe na del se ajo qenka instrument «diplomatik» më efikas.

E mira do të ishte që dhuna të parandalohet para se të dënohet dhe kjo mund të bëhet vetëm duke dënuar fillimisht padrejtësitë që i shtyjnë qytetarët në veprime ekstreme. Probleme të tilla duhet të trajtohen me kujdes, pasi ato mund të shkaktojnë dëme të pandreqshme në një rajon shumë të trazuar nga tensione të tilla.

 

Shkombëtarizimi i politikës shqiptare

 

Për turpin e vet, politika në Prishtinë e Tiranë nuk e çeli gojën për dënimin e shqiptarëve të arrestuar në operacionin «Monstra». Ajo nuk e çeli gojën as kur ata nisën protestat dhe u kujtua të reagojë vetëm pasi situata u përshkallëzua dhe heshtja filloi të vijë erë. Liderët kryesorë u detyruan të lëshojnë nga një deklaratë ku, më shumë se solidaritet me protestuesit, shfaqej distancim prej dhunës së tyre, duke u kërkuar qytetarëve të jenë të përmbajtur, e t’i lenë rrugë zgjidhjeve në tavolinë. Asnjë notë proteste për procesin gjyqësor të politizuar, për politikat agresive të vazhdueshme ndaj shqiptarëve, për gjendjen në të cilën ata janë lënë nga shteti maqedonas, asnjë qëndrim i qartë ndaj politikës së Gruevskit dhe asnjë përkrahje reale për zhvillimin e komunitetit shqiptar atje.

Politika dëshmoi se i ka lënë jetimë bashkëkombësit e saj, duke i konsideruar thjesht si një kokëçarje më shumë. Pikërisht, ky pasivitet e kjo indiferencë tregon qartë se politika shqiptare nuk ka një agjendë konkrete në lidhje me faktorizimin e saj rajonal dhe se nuk ka ndërmend t’i mbrojë interesat e saj kombëtare. Kjo i bën qytetarët të ndjehen të papërfaqësuar, gjë që promovon rrugën si mjet për të kërkuar zgjidhje.

Në këto kushte duhet të themi se aktualisht populli shqiptar ka mbetur pa politikë, ndërsa politika pa popull. Shkombëtarizimi i politikës, në përpjesëtim të drejtë me korruptimin e saj, ofron pasivitetin si të vetmen vlerë në raport me fqinjët dhe problemet etnike të krijuara. Gjuha e Ramës, Thaçit dhe Ahmetit, ashtu si edhe ajo e Jahjagës ose Nishanit, përballë diskriminimit, shkeljeve të rënda, dhunës dhe shtypjes mbetet në fraza boshe, si «fqinjësi e mirë», «bashkëjetesë etnike», «tolerancë», «paqe», etj., të cilat edhe do të mund të kishin kuptim nëse do të funksiononin si retorikë e një politike aktive, por bëhen krejtësisht qesharake për sa kohë gjithçka fillon e mbaron këtu, duke u mjaftuar vetëm me retorikë. Toleranca e dëshmuar përpallë politikës përjashtuese, dhunës, diskriminimit, mungesës së partneritetit e reciprocitetit nga pala tjetër, e bën retorikën tonë absurde. I rrahuri që ofron paqe bëhet thjesht qesharak.

Por, nuk mjafton me kaq. Politika në Shqipëri e Kosovë, jo vetëm që nuk u del krah shqiptarëve në Shkup, por nuk ngurron madje as t’u bëhet barrë. Deklarata e Edi Ramës, ku dënon radikalizmin fetar në protestat e Shkupit, duke u marrë me dy flamuj jeshilë të shfaqur në një foto, ishte gjëja më negative që mund të bëjë një lider që pretendon të jetë në krah të bashkëkombësve të vet kudo në rajon. «… as burgosja e përjetshme e 6 shqiptarëve, as reagimi me flamuj të një radikalizmi fetar që i bie ndesh interesave shqiptare, nuk mund të justifikohen», – u shpreh Rama gjatë një fjalimi të mbajtur në një iftar të organizuar prej tij me rastin e muajit të Ramazanit. Fetarizimi i protestës është diçka që çon ujë për mrekulli në mullirin e Gruevskit, i cili prej kohësh përpiqet t’i delegjitimojë shqiptarët pikërisht në këtë mënyrë.

Edhe nëse fotoja ishte e vërtetë, në një shesh me qindra ose mijëra flamuj kuq e zi, protesta nuk mund të identifikohet si fetare. Prirja për ta përqendruar vëmendjen në elementë periferikë dhe për ta identifikuar të gjithë turmën me të, është, në mos e ligë, një budallallëk me brirë që tregon sesa gafil është politika jonë e jashtme.

Të njëjtën gjë nxituan ta bëjnë me zell një sërë mediash, si dhe një sërë intelektualësh në Prishtinë e Tiranë, të cilët nuk hezituan ta sulmojnë protestën duke e konsideruar atë si një reagim xhihadist. Enver Robelli ishte një ndër më të zellshmit që i ra kësaj kambane, të pasuar nga shumë të tjerë, që i mbajtën iso-n: «Valëvisin flamuj arabë dhe, aty-këtu, sa për sy e faqe, edhe ndonjë flamur kombëtar. Protestojnë kundër shtypjes nga shteti maqedonas me flamuj të xhihadit. Nuk bartin plisa, por do kapuça piratësh dhe beduinësh. Në të ashtuquajturën protestë të Shkupit, pjesëmarrësve u mungonin vetëm ibrikët dhe legenët për avdes!»

Në të vërtetë, protestuesit dëshmonin se nuk ka pasur asnjë flamur fetar në protestë dhe se fotot e qarkulluara nëpër media e internet, i kanë përkitur një tjetër proteste. Por, edhe sikur ato foto të ishin të vërteta, të gjitha pamjet treguan se turma e protestuesve ishte e përskuqur nga flamujt shqiptarë. Është pak të thuhet ligësi pretendimi se këta flamuj mungonin dhe se edhe «ndonjë flamur kombëtar» i pranishëm aty, ishte sa për sy e faqe. Mesa duket, miopia mendore shfaq natyrisht edhe efekte fizike.

Sido që të jetë, nuk ka askush të drejtë t’ia mohojë tjetrit patriotizmin e vet, aq më tepër kur kjo bëhet nga kolltuku i shtëpisë ndaj njerëzve që po përleshen me policinë. As Robelli dhe askush prej robellëve idhnakë të shtypit tonë vulgar nuk është më shqiptar se ata njerëz atje që po e tregojnë me vendosmëri kurajën e tyre qytetare për të drejtat që u takojnë. Përkundrazi, përpjekja për të shkombëtarizuar shkupjanët dhe protestën e tyre, tregon se kombi për këtë kategori intelektualësh është vetëm një pretekst për të projektuar politikën e tyre të përjashtimit e denigrimit, të errësuar nga komplekset dhe frustracionet e tyre provinciale.

Ata po kombëtarizojnë përçarjen duke e shndërruar në projekt kombëtar politikën e tyre të mohimit dhe linçimit të njëri-tjetrit, duke u shërbyer kështu mrekullisht interesave të Gruevskit që shqiptarët e Maqedonisë të mbesin pa përkrahje. Këta zëra u thonë qytetarëve se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë shqiptarë të vërtetë, se ata e kanë shitur atdheun në funksion të fesë dhe radikalizmit të tyre, se ata janë turq e arabë xhihadistë, që nuk e meritojnë mbështetjen tonë.

Kjo retorikë është natyrisht gjuha më antikombëtare që mund ta artikulojnë shqiptarët. Ajo ka një përfytyrim totalitar për atdheun që shpie drejt paradoksit të kombit që mohon vetveten. Por, më tepër se kontradiktore, kjo gjuhë është imorale. Në një kohë që ata dhe politika zyrtare pas tyre i kanë braktisur bashkëkombasit e tyre në Maqedoni, duke i lënë të vetëm përballë antishqiptarizmit maqedonas, nuk e di ku e gjejnë kurajën të shprehen me këtë pezëm kundër tyre! E, teksa politika prodhon harresë, si të vetmin projekt për shqiptarët e Maqedonisë, mediat dhe shoqëria civile prodhojnë vetëdije për t’i lënë ata në harresë. Kjo duket se është agjenda e re kombëtare në Shqipëri dhe Kosovë, e cila synon ta ruajë batakun e statukuosë aktuale, ku korrupsioni e imoraliteti bëjnë festë me hallet tona të përditshme.

 

Revista “Shenja” 01.08.2014

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: