Hyrje > Shqiptarët dhe Islami > Nga dashuria për Islamin u zu në dashuri të kombit

Nga dashuria për Islamin u zu në dashuri të kombit

Dr. Muhamet PIRRAKU

 

NGA DASHURIA PËR ISLAMIN U ZU NË DASHURI TË KOMBIT

Prof. Dr. Muhamet Pirraku

Prof. Dr. Muhamet Pirraku

Veprën “Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë sheku­jve” të Nexhat Ibrahimit e kam lexuar një herë nga e djathta derë në faqen e fundit, për nevoja të ushqimit si studiues, dhe e kam rilexuar edhe një herë tashti nga e majta, deri në fletën e parë, me një përqendrim në tri pjesët e para, për nevojat e këtij referimi.[1]

Duke e lexuar e rilexuar, nga e djathta dhe e majta, por gjithnjë duke qenë i njohur me pjesën më të madhe të shkrimeve dhe të koncepcioneve të tij për jetën, për shoqërinë dhe për amshimin, mund të arri­het përfundimi se studiuesi me arsimim të themeltë dhe me kulturë të gjerë shkencore filozofike fetare, nga dashuria për Islamin u zu në dashuri të kombit, pra fillimisht plotësisht antipod me këtë referues, i cili, po të lexohet me maje lapsi, del se nga dashuria për kombin u zu në dashuri të Islamit.

Më duket se rrugët që na bashkuan në një pikë refe­ru­e­se të përbashkët të mendimit shkencor i sheston mesazhi i kësaj vepre – “Të inicojë ecjen drejt një pik­ëp­a­mj­eje universaliste, ku bashkekzistojnë shpirtërorja dhe na­ci­o­n­alja” – siç do të thosha me gojën e Nexhatit.

Të njëmbëdhjetë studimet, pjesë të kësaj vepre, ndo­në­se të shkruara në intervale – në kohë të ‘pakohë’, siç thotë autori, vendi dhe koha kur janë sjellë në një vepër të përkufizuar teorikisht e metodologjikisht, dhe pikërisht më 23 rebiul evel 1418, që do të thotë: në të hënën e 28 korrikut 1997, njëri studim e plotëson tje­­trin, i lidh një frymë, të njëjtat ide kultivohen, ndë­r­ko­hë që projeksionet dhe porosia e bëjnë këtë vepër monument të mendimit krijues islam, kritik e teorik, me rëndësi edhe historike për trashëgiminë shkencore shqiptare të viteve kthesë historike çlirim­tare kom­bë­ta­re me penë dhe pushkë.

Zatën, nga pena e një personaliteti me guxim, me vendosmëri e me virtytet liridashëse, që i dëshmoi dhe që u qëndroi burrërisht, Nexhat Ibrahimi, nuk mund të lindet vepër sa për t’i thënë. Rëndësia e vep­rës rritet kur të kihet parasysh fakti se u lind në një kohë kur pjesa absolute e inteligjencies shqiptare ka­lo­nte jetë amullie fetare e politike kombëtare, pa asnjë pro­jeksion për shtegdalje nga robëria ku kombin shqi­ptar e kishte hedhur imperializmi evropian an­tiislam dhe antishqiptar i pjesës së dytë të shekullit XIX – pjesa e parë e shekullit XX.

Nga përvojat e një Nexhati si ky yni ngrihet veçse vepra si kjo që sonte po e paraqesim, me porosi për breza se me indiferencë, me inferioritet, me përbuzje të qenies civilizuese të etërve, pa gatishmëri për sakri­ficë, varroset e kaluara, përdhoset e sotmja dhe bjerret e ardhmja.

Vërtet, ky është sublimimi i mesazhit të veprës së Nexhatit – fetar e kombëtar, i armatosur me penë e pushkë, për të madhështuar stërgjyshërit shqiptarë isla­më, për të çliruar qenien e tij fetare islame e kom­bëtare shqiptare dhe për t’ua ndriçuar brezave rrugën drejt së ardhmes njerëzore mbi të vërtetën hyjnore të sublimuar në Kur’anin e Allahut xh.sh. dhe Hadithit të Muhamedit a.s.

Megjithatë, më duhet të pranoj se paraqitja e një vepre, sado me pretendim përqendrimi kritik e rig­oroz, nuk mund të mos ketë edhe një dozë subjektiv­izmi të prezentuesit, mangësi kjo njerëzore. Por, besoj se nuk do të gaboj me konstatimin në vijim: me këtë vepër Nexhati më shumë filozof kritik e ka tejkaluar me hapa Nexhatin më shumë historian në veprën:Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periu­dhën paraosmane, botuar më 1997. Ndonëse as tashti nuk ka arritur të sigurojë burimet në një shkallë sa më shte­ruese, porse ato që i ka pasur i ka bluar dhe ka arritur t’i shfrytëzojë shumë racionalisht.

Dhe, vlerë domethënëse veprës i ka siguruar citimi i autorëve dhe i burimeve me fanatizëm prej dijetari që ka arritur fazën e pjekurisë. Nuk është indiferent ndaj imponimeve, ndaj tendencave, ndaj abuzimeve e ndaj para­gjykimeve pseudoshkencore e politike ndaj Isla­mit si religjion, ndaj Islamit si kulturë dhe ndaj Isl­a­m­it si qytetërim, në botë dhe ndër shqiptarët, por mlle­fin e frenon me përdorimin e mendimeve dhe të për­fu­ndimeve të dijetarëve nga areali europerëndi­mor, lindor e shqiptar, me citim të plotë dhe të drejtë edhe kur i përfol ato. I konfronton bukur mendimet e kon­klu­dimet për e kundër dhe nxjerr përfundime të qëndrueshme.

Me arsye qëllon defetizmin, inferioritetin, defen­sivi­te­tin dhe ad hoc-improvizimet e inteligjencies isla­me botërore e shqiptare para kundërshtarëve euro­centri­stë kryqtarë inkuizicionistë ndaj ekzistencës historike, ndaj aktualitetit dhe së ardhmës së Islamit. Në pjesën “Islami, Kristianizmi dhe bashkekzsitenca” mendimtari ynë formulon përfundime sentencë, se i Dërguari i fundit i Zotit për njerëzimin nuk është themelues i Islamit, por është “vazhdues i së vërtetës permanente hyjnore”, ndaj“besimi në burimin hyjnor” të Teuratit, të Zeburit dhe të Ungjillit “është kusht për të gjithë mu­sli­m­a­nët” dhe këtu qëndron primati i Islamit në ba­shke­k­zis­tencë e për paqe midis feve e popujve fesh të ndry­shme para kristianizmit.

Duke i konfrontuar ajetet kur’anore me predikimet e Mateut, Lukës etj. në emër të Jezusit zot, sipas tyre, njeri i dashur i Zotit sipas Kur’anit dhe Hadithit, nxori përfundimin e drejtë se fundamentet e kristi­ani­z­mit pushtetin e lënë “si të drejtë të veçantë dhe aut­or­i­zim të dhënë personaliteteve fetare” nga Biri i Hyut – njeri zot, kurse sipas fundamenteve islame pu­sh­teti i takon Të Plotfuqishmit, Mëshirëplotit, Per­ë­n­d­i­së, “por e drejta në përdorimin e tij i takon popullit”, i takon njeriut për vete si pjesë e bashkësisë islame.

Studimin problematizues, si për hyrje në problem të çështjes, studiuesi në krye të detyrës zot i vetes, e përmbylli duke iu qasur paragjykimeve kryqtare ak­tuale midisshqiptare antiislame të “profiter-intelektu­alëve” dhe të “pseudo-shkencëtarëve”kasnecë të kërke­save për transplantimin perfid të metodave dhe të vep­rimeve inkuizicioniste mesjetare antiislame në emër të rrënjëve të paqena, plotësisht paragjykim, kurrë ekzistuese katolike historike të pjesës absolute të popullit që është përballur, historikisht më fu­qim­i­sht, në luftëra për ekzistencën dhe për ardhmërinë e kombit. Aktivitetin e tyre e quan, me të drejtë, “terror e gjenocid religjioz e etnokulturor”, do të thoja veprim anti­kombëtar.

Këtë problem të krijuar artificialisht në letrat shqi­p­ta­re dhe në botëkuptimin politik shqiptar, aktu­alisht të traumatizuar nga goditjet e armiqve shekullorë antiislamë, që do të thotë antishqiptarë, Nexhati penë-majemprehtë e shtjelloi dhe e goditi në pjesën “Islami, europerëndimi dhe udhëkryqet intelektuale shqip­tare”.

Duke u nisur nga fakti se Islami është vazhdimësi e fesë së drejtë nga Ademi a.s., nxori përfundimin-më­si­m se “Islami në kontinuitet ka manifestuar barasp­eshën ndërmjet nevojave të trupit dhe të shpirtit, ndërmjet kësaj dhe asaj bote”, se Ai “nuk është vetëm emërtim për reli­gji­o­nin, por (është) edhe sinonim për shoqërinë që ka ndërtuar civilizim autokton e të veçantë” – shembull tipik iliro-shqi­ptarët dhe iliro-boshnjakët në Ballkan. Hu­man­iz­m­in e këtij civilizimi me vlera më të qëndrue­shme se të civilizimit europerëndimor dhe atij dog­matik orto­do­ks e mbështeti në mendimet e Sartrit, Fanonit, Garodit, gjithnjë duke pasur pranë mendimet e disa dije­tarëve islamë, lindorë e ballkanas.

Dhe, si përvojë e rivalorizuar nga kombet islame e të tjera të rilindura, përfundon: “Popullit shqiptar i mbetet që në bazë të autoktonitetit të vet, në bazë të traditës së vet islame, si shumicë, dhe kristiane si pakicë, t’i impo­nohet faktorit ndërkombëtar për njohje e bashkëpunim të ndërsjellë, kryesisht me forcat vetjake” – islame e kristi­ane, mu siç porositiAllahu në El-Maide-54: “Kush lar­gohet prej jush nga feja e vet (i bën dëm vetes)…”

Pjesën e vet të xhihadit, detyrë kur’anore a hadi­thiane, për çdo musliman, më shkoqur: “luftën për ta aftë­suar njeriun profesionalisht, teknikisht, shpirtërisht dhe moralisht”, Nexhati e zhvilloi në studimin, pjesa e tretë e veprës: “Paragjykimet europerëndimore e shqiptare ndaj Islamit gjatë historisë”, ku me kompetencë pohon se literatura e deritashme europerëndimore, pra­vo­s­lla­ve e svetisave, shqiptare katolike e ortodokse, “por edhe ajo laike, prokristiane”, Islamin e përdhosin me cilë­sime fyese, denigruese: “fe regresive, violente, fa­n­a­ti­ke, intolerante, aziatike, fe e pasioneve, e errësirës, fe e pa­di­j­es” dhe një varg epitetesh në frymën e këtyreve.

Përfundimet e autorit se hulumtimi dhe studimi i fesë dhe i civilizimit islam në trojet shqiptare në për­gji­thësi, të thuash ende është aktivitet shkencor i individëve të virtytshëm, që ishin të gatshëm për të bartur edhe konsekuenca të rënda për punën e tyre shkencore, Nexhati, paksa i mllefosur, thekson me të drejtë se “në Kosovë, Islami në të gjitha segmentet e tij lëre që nuk është studiuar objektivisht, por është injoruar tërësisht” dhe se “atë e hasim nëpër librat shkollorë në rolin e ‘gogolit’ të fajtorit kujdestar për të gjitha të bëmat e të zhbëmat shqiptare: Islami është fajtor për amonolitizmin fe­tar të shqiptarëve, është fajtor për prapambetjen e shqip­tarëve, është fajtor për dështimet politike shqiptare, për mosshkollimin e femrave e të ngjashme”, për çka kishte shkruar më herët Kaleshi ndjeshëm, më pas Pirraku ca me zjarr, e më vonë, në rrethana më stabile pa cen­surën komuniste, një plejadë e tubuar përreth “Di­turisë Islame” e “Hënës së Re”.

Realisht, rrënjët hebraike e mesjetare inkuizicionale kristiane të gjenezës së paragjykimeve europerëndi­more, ende të pranishme kundër Islamit në për­gji­thë­si dhe në tokat shqiptare në veçanti, studiuesi i zba­r­dhi dhe i shigjetoi me kurajo civile, duke i ballafaquar men­dimet e dijetarëve pro et contra mbi Islamin në për­gjithësi: Hit, Hegel, Volter, Voln, Shatobrian, Lama­r­ti­n, Vinji, Goldziher, Snouck-Hur­gronje, Damascenea, Levi-Strauss, Fanon, Sartr, Carlyle, Garod, Asad, Gubino, Ren­an, Niçe, Zigfrid, Arnlod, Mu­hiq, Princi Çarls, Kalajiq, Show, Spengler, Hajdeger, Sten­dal, Kardavi, Bozhoviq, Çek­rezi, Buda, Pirraku, Rizaj, Tër­nava, Pushka, Xholi, Reso, Zefi, Mirdita, Sedaj, Lushi, Berisha, Kadare, Noli, Fra­shëri, Baleta, Andriç, Tirta, Ça­bej, Pulaha, Dozy, Kaetan, Kremer, Krasniqi, Kastrati etj., kurse armë të vetën për të gjykuar me paanësi mualimi ynë ka zgje­dh­ur dhe ka përdorur me mjesh­tri Kur’anin dhe Hadithin, burime këto fundamentale të Islamit. Autori ka nxjerrë një përfundim interesant se “supremacioni papnor, përkatësisht kristianizmi politik, identifikohet me Perë­ndimin evropian”.

Iu kushtua nacionales dhe nacionalizmit, për­ka­të­si­sht kombëtares dhe shovinizmit, vendit real të femrës në botën islame e me forcë, paksa si në luftë ende të pa­barabartë me sulmet e kundërshtarëve, të gjith­fa­r­sh­ëm, kryqtarë, komunistë, ateistë, intelektu­alë, infe­rio­rë, disfatistë, defetistë, të pamoralshëm, të pa­për­gje­gjshëm për varret stërgjyshore – tapi islame të shqi­pta­risë, dënues xhahilë të të ardhmes së brezave mbi bazë të një tradite civilizuese shumë të rëndësishme, tipar dominantë dhe veçori ekzisten­ciale të kombit shqiptar të rrethuar me sllavë e grekë ortodoksë alba­no­fobë, të përkëdhelur, me dëshmi, kohë e mot nga euro­perëndimi antiislam.

Duke kundërvënë me ballafaqim tezat, mendimet dhe konkluzionet e studiuesve shqiptarë muslimanë, të krishterë e budallenj, ua jep hakun të tri kate­go­ri­ve dhe çan përpara: “Ndarja e popujve, feve apo ku­lt­ur­ave në aziatike e evropiane ka konotacione të racizmit, qoftë të raci­zmit nacional apo religjioz”, për të përfu­n­d­uar: “Kur’ani kaherë ka apeluar në komunikim të ndë­r­sj­e­llë, por a do të pranohet kjo ofertë e hapur, nuk varet prej tij”.

Të përfundoj nga atje ku fillova: Nga leximi dhe rile­ximi, nga e djathta dhe nga e majta e veprës: Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve del përfundimi i pai­mponueshëm se për Nexhat Ibrahimin – hoxhë, di­jetar e luftëtar me penë e pushkë – e ardhmja e Islamit në trojet iliro-shqiptare është e ardhmja e shqiptarisë; Feja Islame dhe Shqiptaria – vëlla e motër në ecje krah për krah. Çapitja e njërit ose ngecja e tjetrit, e prish ima­zhin e harmonisë vëlla-motër.

Zoti i dhashtë shëndet dhe i siguroftë suksese të reja Autorit, kurse botuesin e shpërbleftë. Paqe për të gjithë!

 


[1] Referat me rastin e promovimit të librit Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve të autorit Nexhat Ibrahimi, mbajtur në Hotel Iliria në Prishtinë më 19 dhjetor 2000.

  1. 06/09/2014 te 01:28

    Bukur. Shum bukur .

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: