Kreu > Dorëshkrime > Turqia dixhitalizon memorien osmane

Turqia dixhitalizon memorien osmane

Dafina KABASHI

 

TURQIA DIXHITALIZON MEMORIEN OSMANE

osmanisht

Pluhuri i arkivave u është larguar këto ditë. Pas 800 viteve nga koha kur janë shkruar, librat e kohës osmane, po i nënshtrohen digjitalizimit, për të siguruar jetëgjatësinë e tyre dhe për një qasje më të lehtë për të interesuarit. Të gjitha faqet e veprave, një nga një kanë kaluar nëpër duart e ekipit teknik, derisa shkencëtarët merren me studimin e materialeve që digjitalizohen.

Dorëshkrimet janë memorie e njerëzve, janë memorie e kulturës dhe e qytetërimit të njerëzve. “Kjo memorie është duke u plotësuar qe 1000 ose 1200 vjet”, thotë Dr. Nevzat Kaya, ish-drejtor i bibliotekës “Suleymaniye”.

Puna trevjeçare mbi projektin e digjitalizimit synon që këtë memorie ta bartë edhe në të ardhmen. Shumë prej veprave kanë përmbajtje fetare, islame, por ka vepra të të gjitha fushave të periudhës së cilës i takojnë.

“Ka vepra të historisë, të muzikës, gjeografisë, të matematikës, të mjekësisë e astronomisë”, ka treguar Kaya për “Zërin”, teksa ka shtuar se dorëshkrimet janë nga 700 deri në 800 vjet të vjetra. Ai thotë se dorëshkrimet vlerësohen nga dy aspekte, nga vlera shkencore dhe vjetërsia e veprës, si dhe nga aspekti estetik i saj.

Aktualisht digjitalizimi është duke u bërë në bibliotekën e Bashkësisë Islame, ku janë 1000 dorëshkrime të veprave, ndërsa më parë është bërë në Teqenë e Gjakovës, ku ndodhen rreth 100 tituj, në Këshillin për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Prizren janë 154 vepra, në Arkivin Shtetëror në Prishtinë, ku është bërë digjitalizimi i 113 veprave, po kështu kanë digjitalizuar regjistra (defterë) të ndryshëm të shtetit të atëhershëm që, sipas shkencëtarëve janë shumë të rëndësishëm.

Nga Arkivi Shtetëror i Kosovës janë marrë edhe kutitë me fotografi të vjetra, të cilat po ashtu do të digjitalizohen. “Janë 21 kuti dhe rreth 1000 fotografi, më të vjetra se 70 vjet”, shprehet shkencëtari Nevzat Kaya. Biblioteka “Suleymaniye” ku janë tubuar 114 biblioteka të periudhës osmane, tani ka gjithsej 130 koleksione të mbledhura nga vende të ndryshme. “Ekziston mundësia që të ketë kopje të shkrimeve këtu e që mungojnë në “Suleymaniye”.

Nëse gjendet ndonjë vepër e tillë që nuk ka kopje në “Suleymaniye”, ajo ka vlerë të madhe”, ka thënë Nevzat Kaya. Ai tregon se çdo vepër në dorëshkrim është e veçantë, madje edhe nëse i ka 100 kopje, ngase është punuar në letra të ndryshme, pastaj kaligrafi i cili e ka kopjuar është i ndryshëm, stili i lidhjes, siç thotë Kaya, të gjitha këto e bëjnë veprën unike.

 

Pasuria e përbashkët e së shkuarës

 

Veprat të cilat janë duke u digjitalizuar janë pasuri e përbashkët e të kaluarës dhe e kulturës sonë, thotë Prof. Dr. Cihan Okuyucu, nga Faculty of Humanities and Social Sciences në Stamboll. “Të dyja palët e kemi obligim që të ruajmë këtë pasuri të përbashkëta”, ka treguar Okuyucu.

Ai ka thënë për gazetën, se dorëshkrimet janë veprat më të rrezikuara ndër veprat e historisë dhe janë më të lehta për t’u shkatërruar.

“Dorëshkrimet gjithnjë i janë ekspozuar ndikimeve apo faktorëve të ndryshëm të shkatërrimeve, djegieve, lagështisë, insekteve të ndryshme që i rrezikojnë”, thotë Cihan Okuyucu, derisa shton se librat e kanë një jetë të caktuar sikur edhe njerëzit.

“Projekti i digjitalizimit synon që të paktën informatat, dija e cila ndodhet në këto dorëshkrime t’i marrë nën mbrojtje”, ka treguar Okuyucu. Ai thotë se njerëzit që i kanë kopjuar veprat kanë qenë me prejardhje nga Damasku, por ka edhe nga vende të ndryshme dhe veprat e tyre tani ndodhen këtu. “Natyrisht edhe në Stamboll kemi dorëshkrime të cilat janë shkruar, janë kopjuar nga shkruesi, kaligrafët nga Prizreni, Gjakova, nga vendi juaj”, ka thënë ai, për të shtuar se kjo dëshmon që kjo pasuri është pasuri e jona e përbashkët.

Sipas tij, nëse një vepër është unike, e rrallë që nuk ka kopje të shumta, vjetërsia e saj është faktor ndikues në vlerën e veprës. “Brenda veprave në dorëshkrim, ne gjejmë edhe fleta të vogla. Këto janë shënime të dijetarëve të asaj kohe që kanë pasur nëpër duar këto vepra, janë shënime autentike të njerëzve që i kanë përdorur këto vepra”, ka thënë shkencëtari Cihan Okuyucu, për të shtuar se në fillim të veprës në dorëshkrim ka shënime në lidhje me ngjarjet madhore që kanë ndodhur, si zjarr, katastrofat natyrore e luftërat.

 

Dorëshkrimet që i kanë shpëtuar kohës

 

Bulent Yuçpunar, ndihmësdrejtor në Qendrën kulturore turke “Yunus Emre” në Prishtinë, thotë se për digjitalizimin e veprave kanë marrë edhe miratimin e institucioneve relevante të Kosovës.

“Ne i kemi vizituar shumicën e organeve ku thuhet se ka dorëshkrime, por digjitalizimin e realizojmë vetëm në ato institucione, të cilat kanë shprehur vullnet dhe pajtohen për digjitalizimin e materialeve”, thotë Yuçpunar.

Ai ka bërë të ditur se krahas digjitalizimit do të bëhet edhe përgatitja e katalogëve të dorëshkrimeve. “Në katalogë përfshihen informatat në lidhje me natyrën e dorëshkrimeve, përmbajtjen, detajet teknike, lloji i letrës së përdorur, formati i saj, stili i shkrimit, cilës fushë i takon shkrimi dhe të tjera”, ka thënë ai.

Yuçpunar shprehet se të gjithë atë që kanë kontribuar në ruajtjen e këtyre veprave deri në ditët e sotme kanë bërë punë e cila duhet të çmohet. “Gjëja më e rëndësishme është se njerëzit në kushte të vështira, nëpër luftëra, kanë arritur t’i ruajnë këto dorëshkrime dhe na kanë sjellë në kohën e sotme”, ka shtuar ai.

Vedat Sahiti, këshilltar i lartë i myftiut Tërnava dhe koordinatori i projektit, ka thënë se ky është projekti i dytë që e kanë realizuar bashkë me “Yunus Emre” në Kosovë. Projekti i parë kishte të bënte me deshifrimin e epigrafeve nëpër objektet e vjetra të periudhës osmane në Kosovë. “Për deshifrimin i mbi 70 epigrafeve nëpër xhami, teqe, ura të ndryshme nëpër Kosovë, është botuar edhe një libër”, është shprehur Sahiti. Për projektin e digjitalizimit thotë se është më i madhi që e kanë realizuar në bashkëpunim me “Yunus Emre”.

Projektin për digjitalizimin e veprave të vjetra 800 vjet, materialisht e ka mbështetur Banka Qendrore e Turqisë, me ndërmjetësimin e Institutit “Yunus Emre”. Projekti në të cilin në Kosovë punon ekipi prej tetë personash, është realizuar edhe në vende të tjera të Ballkanit, duke filluar nga Shqipëria, Kroacia, Bosnja, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, në të cilin ende nuk ka përfunduar projekti.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: