Kreu > Orienti dhe Oksidenti > Në gjurmët e deklaratave qesharake të presidentit Putin

Në gjurmët e deklaratave qesharake të presidentit Putin

Prof. dr. Eshref YMERI

 

NË GJURMËT E DEKLARATAVE QESHARAKE TË PRESIDENTIT PUTIN

Eshref Ymeri

Eshref Ymeri

Në një mesazh të posaçëm që presidenti Putin i pati dërguar Kuvendit Federal, ai dënonte deklaratat e politikanëve evropianë lidhur me natyrën e jashtëzakonshme të situatës në Kosovë, krahasuar me situatën në Krime.

Me këtë rast, Putini përmendi qëndrimin e Perëndimit lidhur me pavarësinë e Kosovës, në krahasim me situatën në Krime. Ai deklaroi:

“Vetë patën vënë tellallin në mbarë botën, i patën fryrë gjërat, kurse tani revoltohen. Pse? Veprimet e banorëve të Krimesë janë në harmoni me orientimet e tyre personale. Si qenka e mundur që ajo që u lejohet shqiptarëve të Kosovës, na qenka e ndaluar për rusët dhe ukrainasit e Krimesë?” (Citohet sipas: Inga Sllazhinskajte. “Putini: pse ajo që është e mundur në Kosovë na qenka e ndaluar në Krime?”. Marrë nga faqja e internetit “baltinfo.ru”. 18 mars 2014).

Lidhur me çështjen se veçoria e jashtëzakonshme e rastit të Krimesë qëndron në faktin se në Kosovë pati shumë viktima në njerëz, në dallim nga situata në Ukrainë, Putini deklaroi:

“Ky është një cinizëm naiv, primitiv” (po aty).

Me sa duket, Putinin e kanë karfosur keq ethet e shovinizmit rusomadh, prandaj edhe arrin të zbresë deri në ato nivele, saqë të lëshojë në efir deri edhe të tilla deklarata absurde. Autoritetet ukrainase, në as edhe një rast të vetëm, nuk kanë ushtruar as dhunën më të vogël kundër ndonjë qytetari të etnisë ruse. Si është e mundur që presidenti rus të heqë një paralele të tillë mes Kosovës dhe Krimesë, kur bota mbarë e di se çfarë gjenocidi të egër ka ushtruar shovinizmi serbomadh dhe kisha shoviniste serbe kundë popullit shqiptar të Kosovës pas Kongresit famëkeq të Berlinit, dhe sidomos pas Konferencës edhe më famëkeqe të Londrës të vitit 1913 dhe deri më 12 qershor të vitit 1999? Dhe këtë gjenocid të egër, shovinizmi serbomadh e ka kryer me përkrahjen dhe me nxitjen e drejtpërdrejtë të Rusisë cariste dhe neocariste.

Po se mos është hera e parë që Putini lëshon të tilla deklarata kuturu. Për t’i vënë “vulën e Kremlinit” moszgjidhjes asnjëherë të çështjes së Kosovës përmes pavarësimit të saj, ai, para disa vjetësh, pati bërë një deklaratë të tillë, thelbi i së cilës zbulonte lakuriq mendësinë cariste të politikës së sotme ruse në raport me çështjet ballkanike dhe rolin negativ të Rusisë në trajtimin e tyre, ashtu siç manifestohej ky rol edhe pak para fillimit të Luftës së Parë Botërore: Para disa vjetësh, Putini deklaronte:

“…ne jemi për zgjidhje të tilla që të kënaqin si Beogradin, ashtu edhe Prishtinën” (Citohet sipas: “Konferencë shtypi për përfundimin e bisedimeve me Kancelaren e RF të Gjermanisë Anxhela Merkel”. Soçi. 21 janar 2007).

Pra, sipas presidentit Putin, zgjidhja e çështjes së Kosovës duhej të lihej për ditën e moskurrit. Duke e njohur mendësinë paradoksale që manifestonte Kremlini në qëndrimin ndaj çështjes së Kosovës, për të cilën ai ngulte këmbë për “gjetjen” e kompromisit mes Beogradit dhe Prishtinës, një gazetar i gazetës “Figaro”, jo pa qëllim, i pati drejtuar presidentit Putin pyetjen asgjësuese që vijon:

“Unë do të dëshiroja të reagoja lidhur me atë që u tha për punën e Kosovës. Unë nuk shikoj ndonjë mundësi për kompromis. Më jepni një ide se ç’lloj kompromisi na qenka i mundur në këtë mes. Vendi ose është i pavarur, ose është i varur. S’po e marr vesh se çfarë kompromisi qenka i mundur këtu. Ku e shikoni ju mundësinë e kompromisit?”.

 Dhe presidenti Putin i jep gazetarit të “Figaro”-s një përgjigje mjerane, një përgjigje vetëdemaskuese:

“Po ta dija, do ta kisha propozuar me kohë” (Citohet sipas: “Intervistë e presidentit Putin në Gjermani me gazetarë të mjeteve të informimit masiv të vendeve anëtare të “Grupit të Tetëshes””.  04 qershor 2007).

Tre vjet më vonë, Putini lëshon një tjetër deklaratë edhe më absurde kundër kombit shqiptar:

“Nuk e kuptojmë pse amerikanët kanë filluar fushatën e tyre për të islamizuar Evropën. Pasi shqiptarët të kenë gëlltitur Evropën, ata do të mundohen të shtrihen më tej, në kurriz të Maqedonisë” (Roland D. Asmus. “Një luftë e vogël që tronditi botën”. Palgrave, Macmillan, 2010. Pjesë nga biseda e Vladimir Putinit me Presidentin e Gjeorgjisë M. Saakashvili, f. 105-107. Citohet sipas: Dr. Islam Lauka & Prof.dr. Eshref Ymeri. “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”. Botim i Universitetit ILIRIA dhe i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike. Prishtinë-Tiranë 2012, f. 169).

Kjo deklaratë e Putinit, me të pavërtetat që përmban, zbulon urrejtjen që ai ushqente dhe vazhdon të ushqejë ndaj etnisë shqiptare me shumicë dërrmuese myslimane në Evropën Juglindore. Fushatën që ndërmori aleanca veriatlantike për bombardimin e Serbisë për shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës nga zhdukja fizike prej bandave fashiste të Millosheviçit, ai, në radhët e popullit rus, e reklamon si fushatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për islamizimin e Evropës. Çdo lexues me mendje të kthjellët i shtron vetes pyetjen: po si është e mundur, xhanëm, që një deklaratë e tillë paradoksale të dalë nga goja e presidentit të një supershteti, siç është Federata Ruse? Jam i bindur se sikur President i asaj Federate të ishte një intelektual i shquar nga radhët e inteligjencies shkencore, artistike apo letrare ruse, ai kurrsesi nuk do t’ia lejonte vetes një deklaratë të tillë. Por Putin nuk vjen nga radhët e intelektualëve të tillë. Ai vjen nga radhët e KGB-së, prandaj edhe nuk ka asgjë për t’u habitur nga deklarata e tij.

Në paradën ushtarake që u zhvillua më 09 maj 2013 në Sheshin e Kuq, me rastin e 68-vjetorit të fitores kundër nazizmit, Putini, ndë të tjera,  deklaroi:

“Ushtari ynë… çliroi Evropën dhe korri fitoren, madhështia e së cilës do të mbetet përjetë në histori”.

Që në fillim duhet theksuar se gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte pikërisht Bashkimi Sovjetik ai që përballoi sakrificat më të rënda të sulmit hitlerian të 22 qershorit të vitit 1941, sakrifica këto që u shoqëruan me 20 milionë të vrarë, sipas të dhënave të botuara në shtypin sovjetik pas përfundimit të luftës.

Por Putini shtrembëron të vërtetën për çlirimin e Evropës dhe lëshon një deklaratë cinike, duke mohuar rolin e aleatëve perëndimorë në fitoren mbi nazifashizmin. Ushtari sovjetik çliroi një pjesë të Evropës që arrinte deri në Berlin, kurse pjesën tjetër të saj e çliruan trupat aleate, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat hynë të parat në Berlin më 08 maj 1945, një ditë para trupave sovjetike.

Por deklaratave qesharake dhe gënjeshtrave të Putinit lidhur me ngjarjet në Ukrainë, ua ka nxjerr bojën keq Departamenti i Shtetit, i cili, para pak kohësh, ka bërë publike një listë me dhjetë gënjeshtra të tilla, të cilën e disponon Agjencia e Pavarur Informative e Lajmeve e Ukrainës. Me sa duket, këto gënjeshtra dhe deklarata mashtruese të Putinit kishin për qëllim të justifikonin zhvillimin e referendumit që do të organizohej më 16 mars në Krime.

Gënjeshtra e parë: Ushtarakët rusë ndodhen në Ukrainë për të mbrojtur objektet ushtarake ruse. Këto janë “grupe të vetëmbrojtjes”, jo ushtarakë rusë.

E vërteta: Ka prova serioze që vërtetojnë se përfaqësuesit e shërbimeve speciale ruse janë pararoja kryesore e forcave antiukrainase, të organizuara mirë në Krime, pavarësisht se janë të veshura me uniforma pa shenja identifikuese.

Gënjeshtra e dytë: Veprimet e rusëve nuk e shkelin Traktatin e Miqësisë, të nënshkruar në vitin 1997 mes Ukrainës dhe Federatës Ruse.

E vërteta: Traktati i nënshkruar në vitin 1997 i kërkon Rusisë të respektojë tërësinë territoriale të Ukrainës. Trupat ruse që kanë marrë kontrollin operativ në Krime, kanë shkelur në mënyrë flagrante tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Ukrainës.

Gënjeshtra e tretë: Putini thotë se opozita nuk e respektoi marrëveshjen e nënshkruar me ish-presidentin Janukoviç më 21 shkurt.

E vërteta: Ajo marrëveshje parashikonte aprovimin prej parlamentit të Ukrainës të ligjit që i jepte fuqi ligjore Kushtetutës së vitit 2004, e cila i linte më shumë kompetenca parlamentit. Janukoviçit iu lanë 24 orë në dispozicion për ta nënshkruar, në mënyrë që konflikti të zgjidhej paqësisht. Por ai nuk pranoi. Përkundrazi, mblodhi rraqet dhe u arratis, duke lënë pas vetes prova të një korrupsioni gjigant.

Gënjeshtra e katërt: Putini thotë se qeveria e Ukrainës nuk është legjitime dhe se Janukoviçi mbetet udhëheqësi legjitim i Ukrainës.

E vërteta: Putini e pranoi vetë se “Janukoviçi nuk ka të ardhme politike”. Pas arratisjes, Janukoviçit i ktheu shpinën edhe partia e tij, e cila votoi për largimin e tij nga detyra dhe në përkrahje të qeverisë. Qeveria e re u votëbesua me 371 vota, pra, në masën 82% të deputetëve.

Gënjeshtra e pestë: Putini flet për krizë humanitare dhe për qindra mijë njerëz që po arratisen nga Ukraina në drejtim të Rusisë, në kërkim të një strehe.

E vërteta: Sot nuk ekziston asnjë provë për krizë humanitare dhe dyndje njerëzish drejt Rusisë sikur gjoja atje kërkuakan strehë.

Gënjeshtra e gjashtë: Putini thotë se rusët etnikë i kërcënon rreziku.

E vërteta: Duke mos marrë parasysh njoftimet e mjeteve shtetërore ruse të informimit masiv, nuk ka kurrfarë faktesh që të dëshmojnë për kërcënimin e jetës së rusëve etnikë. Rusët etnikë dhe përfaqësuesit e tyre kanë botuar deklarata, në të cilat vërtetohet se nuk ekzistojnë kurrfarë kërcënimesh.

Gënjeshtra e shtatë: Putini thotë se bazat ruse ndodhen nën kërcënim.

E vërteta: Objektet ushtarake ruse kanë qenë dhe janë të siguruara. Në të vërtetë, të kërcënuara janë objektet ushtarake ukrainase në Krime për shkak të veprimeve të ushtrisë ruse.

Gënjeshtra e tetë: Putini thotë se janë vënë re sulme masive kundër kishave dhe sinagogave në lindje dhe në jug të Ukrainës.

E vërteta: Udhëheqësit fetarë të vendit dhe të komuniteteve fetare ndërkombëtare në Ukrainë kanë deklaruar se nuk është vënë re as edhe një rast i vetëm sulmi kundër objekteve fetare. Madje ata janë shprehur në përkrahje të udhëheqësve të rinj politikë. Komunitetet hebraike kanë deklaruar se nuk kanë vënë re asnjë incident antisemit.

Gënjeshtra e nëntë: Putini thotë se Kievi po mundohet të destabilizojë situatën në Krime.

E vërteta: Qeveria kalimtare e Ukrainës ka vepruar me vetëpërmbajtje dhe ka kërkuar dialog. Kurse trupat ruse, nga ana e tyre, kaluan përtej caqeve të dislokimit, në mënyrë që të arrinin qëllime politike për të vënë nën kontroll infrastrukturën e Krimesë.

Gënjeshtra e dhjetë: Putini thotë se parlamenti i Ukrainës është nën ndikimin e ekstremistëve dhe të terroristëve.

E vërteta: Parlamenti është organi më përfaqësues i pushtetit në Ukrainë. Legjislacioni i fundit u aprovua nga shumica dërrmuese e deputetëve, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e Ukrainës Lindore. Grupet ultra të djathta që dolën haptazi kundër ruajtësve të rendit gjatë protestave, nuk kanë përaqësues të vet në parlament. Nuk ka asnjë nismë për politika diskriminuese (Citohet sipas: “Amerikanët e kapën Putinin duke gënjyer dhjetë herë”. Marrë nga faqja e internetit  “from-ua.com”. 06 mars 2014).

Me deklaratat e papërgjegjshme që lëshoi për justifikimin e trupave ruse në Krime, gjoja me pretekstin e mbrojtjes së popullsisë rusishtfolëse, Putini është shndërruar në objekt humori nëpër faqet e rrjeteve sociale. Kështu, drejtori i përgjithshëm i mediagrupit “Premjer” të qytetit të Vollogdës (ndodhet në veriperëndim të pjesës evropiane të Federatës Ruse), Roman Romanenko, në emër të banorëve të krahinës Vollogodskaja, i është drejtuar me një letër presidentit Putin të futë trupat për mbrojtjen e popullsisë së kësaj krahine, meqenëse “banorët e saj janë të gjithë rusishtfolës dhe të drejtat e tyre po cenohen rëndë”. Romanenkoja i lutet Putinit ta mbrojë popullsinë e kësaj krahine, meqenëse “okupatorët që kanë rrëmbyer pushtetin në krahinë përmes zgjedhjeve të pandershme, s’po bëjnë asgjë për popullsinë e robëruar”. Ai e siguron presidentin Putin se pas futjes së trupave “nuk do të ketë kurrfarë lufte partizane kundër çlirimtarëve” dhe se “sanksionet ndërkombëtare me siguri që do të shmangen” (Citohet sipas: Tatjana Aleksandrova. Drejtori i përgjithshëm i mediaholdingut të qytetit Vollogda i kërkoi Putinit të futë trupat në krahinën Vollogodskaja”. Marrë nga faqja e internetit “gorodche.ru”. 04 mars 2014).

Edhe banorët rusishtfolës të Gjermanisë e vënë keq në lojë Putinin me rastin e Krimesë. Në një letër që i dërgojnë atij përfaqësuesit e tyre, kopjen e së cilës ia kishin përcjellë edhe Vladimir Kliçkos, njërit nga udhëheqësit e opozitës ukrainase, ata shkruajnë:

“I nderuar zoti president. Ne jemi pesë milionë banorë rusishtfolës në Gjermani. Neve na detyrojnë vazhdimisht të flasim gjermanisht: në punë, në mësim, madje fëmijët tanë nëpër kopshtet e fëmijëve i detyrojnë të flasin gjermanisht. Edhe neve këtu na detyrojnë të punojmë. Kini mirësinë, na ndihmoni, futni në Gjermani trupat ruse për të na mbrojtur” (Citohet sipas: Sergej German. “V. Kliçko. Detyrë kyç e Putinit nuk është as Krimeja, as Donbasi, por sabotimi i zgjedhjeve”. Marrë nga faqja e internetit “Ostrov”. 09 mars 2014.

Para disa vjetësh, Putini pati deklaruar se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik kishte qenë katastrofa më e madhe e shekullit të kaluar. Me rastin e ngjarjeve të fundit në Krime, kryeministri i qeverisë së përkohshme të Ukrainës Arsen Jacenjuk ka bërë këtë reagim:

“Unë do të thoshja se katastrofa më e madhe e këtij shekulli do të ishte ringjallja e Bashkimit Sovjetik” (Citohet sipas: “Jacenjuk: Putini ka një skenar për pushtimin e kryeqytetit të Ukrainës”. Marrë nga faqja e internetit “gazeta.ua”. 13 mars 2014).

Lidhur me deklaratën e mësipërme të Putinit, vjen një reagim i fortë në internet:

“Nëse do ta trajtonim fashizmin si një rrymë politike që parashikon përdorimin e dhunës për zgjidhjen e çdolloj problemesh politike dhe jo thjesht si një term politik, atëherë duhet pranuar se atdheu i fashizmit është pikërisht Rusia që polli bolshevizmin, i cili ishte parathënia e fashizmit italo-gjerman dhe që diktaturën, dhunën, grabitjen dhe shpronësimin i shpalli si orientim themelor të politikës së vet, që përmes urisë dhe kampeve të internimit zhduku dhjetra milionë qytetarë të vendit të vet. Pikërisht në Rusi, ditën për diell, para objektivave të telekamerave, pushkatoheshin kundërshtarët politikë. Pikërisht Rusia ishte ajo që pushtoi Afganistanin dhe pjesë të territorit të Gjeorgjisë, duke shkaktuar edhe konflikte të tjera. Kurse sot, pikërisht si puna e Hitlerit, pa shpallur luftë dhe me një pretekst të trilluar, u dynd në territorin e shtetit sovran të Ukrainës. Kështu që po të dëshironi ta shikoni fashistin me pamje aziatike, atëherë shkoni në Kremlin se atje e keni” (Citohet sipas faqes së internetit “censor.net.ua”. 05 mars 2014).

 

Santa Barbara, Kaliforni

21 mars 2014

Advertisements
Kategori: Orienti dhe Oksidenti Etiketa: , ,
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: