Kreu > Personalitete të rëndësishëm > Në kujtim të martirëve të klerit mysliman

Në kujtim të martirëve të klerit mysliman

Alba KEPI

 

NË KUJTIM TË MARTIRËVE TË KLERIT MYSLIMAN

hafiz

U desh vizita e Papa Françeskut që politika shqiptare t’i rikthejë sytë nga krimet e diktaturës komuniste, ndër mijëra të pushkatuar e mijëra të tjerë të internuar e persekutuar për dekada. Po Papa Françesku qe ai që përsëriti për të disatën herë se gjendet në Shqipëri për të përqafuar këtë popull me vuajtje madhore nga komunizmi e si i vetmi vend diktatorial në botë me një ateizëm të sanksionuar në Kushtetutë. Politika u duk se e kuptoi qëllimin e Atit të Shenjtë, duke ekspozuar fotografitë e 40 martirëve klerikë të krishterë në bulevardin kryesor të Tiranës e duke larë kështu duart me të kaluarën. E po kaq mjaftoi për të pohuar se e njohin fare pak revolucionin prej më shumë se një viti të nisur nga ky Papë e se vizita e tij në Tiranë kapërcen kufijtë e një udhëtimi apostolik e zgjerohet në kanalet e diplomacisë dhe politikës ndërkombëtare.

Papa i të thjeshtëve, Papa i të dobëtëve, Papa i periferive të harruara të botës, Papa i dialogut përsëriti edhe një herë se gjendet gjithashtu në Shqipëri, në këtë vend mysliman, pasi është shembull i bashkëjetesës mes të krishterëve, ortodoksëve, myslimanëve e bektashinjve.

“Do të jem në Shqipëri të dielën, më 21 shtator, – tha ai, – për t’u thënë mbarë popujve të botës se mund të punohet së bashku e se mund të ndërtohet një shoqëri me shumë besime fetare”.

Papa Françesku viziton për herë të parë një shtet në Evropë, vendin më mysliman të saj, Shqipërinë (duke lënë mënjanë Turqinë), dhe largpamësia e fjalëve të tij parashikon të gjejë në bulevardin kryesor të Tiranës, njerëz të të gjitha besimeve e që janë aty për të marrë bekimin e një dërguari Zoti që ka vuajtur njëlloj si ata egërsinë e një diktature.

Në ato qindra metra bulevard të Tiranës, ka vend për të gjithë, por ja që mendjeshkurtësia e politikës shqiptare la jashtë, duke fyer edhe atë motiv, për të cilin po kryhet kjo vizitë e rrallë, bashkëjetesa fetare. Ky virtyt i shoqërisë shqiptare që të dielën do të kthehet në lajtmotiv të fjalimeve të politikanëve, u përdhos me mendjelehtësi.

Dhjetëra klerikë myslimanë të pushkatuar, të burgosur e të internuar me të njëjtën shtazëri komuniste si bashkëmartirët e tyre klerikë, meritonin po një vendndodhje në bulevardin e të gjithëve e Papa Françesku do t’u kushtonte të njëjtin nderim. Papa i të thjeshtëve, Papa i të dobëtëve, Papa i periferive të harruara të botës, Papa i dialogut, Papa i vuajtjes së diktaturës, po të ishte në dijeni, me siguri nuk do ta lejonte këtë gabim. Harmonia fetare shqiptare pranoi edhe kësaj here arrogancën e politikës që për të ruajtur protokollin, fundosi realitetin.

Papa Françesku gjendet në Shqipëri për të respektuar të gjithë martirët klerikë të komunizmit, pavarësisht nga besimi i tyre fetar e për të bekuar këtë popull me plagët e komunizmit akoma të hapura. 40 martirë klerikë të krishterë, viktima të diktaturës, nderuar në qiellin e Tiranës e rreth 60 martirë klerikë myslimanë, hafizë e hoxhallarë, pushkatuar, dënuar nga komunizmi dhe ruajtur në statistikat e Komunitetit Mysliman Shqiptar, 83 dervishë e baballarë të vrarë e të internuar nga krimi i kuq e që kujtesa bektashiane nuk i harron kurrë. 1820 kisha u shembën në emër të idealit komunist e 1127 xhami mbaheshin ende më këmbë më 1967, ndërsa më 1990 mbetën sa gishtat e një dore.

Komunistët guxuan që më 31 gusht 1943, në ditën e parë të muajit të Ramazanit, të vrisnin në derën e xhamisë së Saukut, hoxhën e fshatit, Selim Brahja, i biri i Ramazan Brahjes, atdhetari tiranas i njohur në aktivitetin e tij për liri e pavarësi të Shqipërisë.

Po me aq dhunë komunistët u hakmorën ndaj dijetarit Hafiz Ali Korça, i cili do t’u kushtonte vargjet “…Shih pra nuk mbetën fare ndërtesa, ndër këmbë u muar e shenjta besë, xhami e kisha s’lanë i rrënuan, e kësi punësh djajtë i shënuan, Priftërinjë e hoxhë si kec i grinë, inteligjentët në dhenë i shtrinë…” Më 1945, komunistët arrestuan Hafiz Ali Krajën, Hafiz Sherif Lëngun, Hafiz Mustafa Varoshin; më 1946 arrestuan drejtorin e Medresesë, Hafiz Ismet Dibra, Enver Beqirin, Shaban Demirin dhe shumë arrestime e pushkatime do të vijonin gjatë viteve ndaj klerit fetar deri në të famshmin nen të Kushtetutës, që dënonte me ligj këdo që besonte në Zot. Festat fetare u zëvendësuan me festat e Partisë dhe Kurani e Bibla me veprat e diktatorit.

Më 21 shtator, në bulevardin e Tiranës do të jenë shumë bijë e nipër brezash, që ruajnë në shtëpitë e tyre gurë xhamish të shembur nga Enver Hoxha e të fshehur për vite në gjokse ijesh, për t’u lutur e pasur një shpresë larg tij. Djem e vajza nënash do të jenë krah tyre, me kujtimin e një Bible të shenjtë ruajtur si amanet për të falur mëkatet dhe lehtësuar shpirtrat nga vuajtjet e komunizmit. Populli i Tiranës këtë diel, teksa do të dëgjojë fjalët e Atit të Shenjtë, do të recitojë në heshtje himnin shpirtëror trashëguar nga vargjet e klerikut më të respektuar të trevës së tyre, Hafiz Ibrahim Dalliut. Ndërsa dergjej në burgjet e komunizmit, ndaj kësaj fare ai do të shkruante: “Komunistët… Po kërkove njeriun të japin kafshërinë/ Po të jesh shenjtor të bashkojnë me qenërinë; Komunistët… Po kërkove fenë të japin mundimin/ Po kërkove dhimbjen të japin acarimin/ Po të duash paqen të bashkojn’ me krimin…”

Shqiptarët nuk e përdorën kurrë fenë si motiv lufte, motiv konflikti e vizita e Papa Françeskut, që sot i kujtoi politikës se komunizmi ka kryer shumë krime e viktima, le të shërbejë për të nderuar edhe kujtimin e martirëve klerikëve myslimanë më të shquar sipas institucionit më të lartë të kësaj feje, Komitetit Mysliman Shqiptar.

 

  1. Hafiz Ali Korça (drejtor Arsimi, Kryemyfti, publicist, shkrimtar e poet, burgosur në vitin 1945)
  2. Hafiz Ibrahim Dalliu (themelues i shkollave shqip në Tiranë, burgosur në vitin 1946)
  3. Hafiz Ismet Dibra (drejtor i Medresesë së Përgjithshme, Tiranë, burgosur në vitin 1946)
  4. Hafiz Sabri Koçi (burgosur në vitin 1966, bëri 20 vjet e 4 muaj burg, kryetar i parë i KMSH-së pas komunizmit, 1990-2003)
  5. Haki Sharofi, kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë” (burgosur në vitin 1946)
  6. Ismail Muçej (poliglot gjuhësh, burgosur në 1952 –1963)
  7. Haxhi Faik Hoxha (burgosur në 1966)
  8. Hasan Tahsini (drejtues në Medrese, burgosur në vitin 1947)
  9. Hafiz Mustafa Varoshi (myfti i Durrësit, burgosur në vitin 1945)
  10. Hafiz Sherif Langu (kryetar i Këshillit të Naltë të Sheriatit, burgosur në vitin 1945)
  11. Hafiz Esat Myftia, (kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, burgosur në vitin 1946)
  12. Hafiz Musa Dërguti (burgosur në vitin 1946)
  13. Hafiz Ali Kraja (burgosur në vitin 1945)
  14. Imam Met Troci (vdekur në burg më 1947)
  15. Sheh Ibrahim Karbunara (vrarë në burg më 1947)
  16. Sheh Myslim Luma (vdekur në burg më 1953)
  17. Imam Ahmet Hyseni (vdekur në burg më 1945)

 

Burimi: http://www.standard.al/ne-kujtim-te-martireve-te-klerit-mysliman/

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: