Kreu > Gjuha shqipe > Turqizmat në shqip, pse nuk u zhdukën

Turqizmat në shqip, pse nuk u zhdukën

Ardian VEHBIU

 

TURQIZMAT NË SHQIP, PSE NUK U ZHDUKËN

Pjesëmarrësit në Kongresin e Manastirit

Pjesëmarrësit në Kongresin e Manastirit

Në diskutimet rreth zëvendësimit të toponimisë “së huaj” në Shqipëri, sillet ndonjëherë, si kundërargument, trajtimi i suksesshëm i turqizmave nga kultura shqiptare, që nga Rilindja e këtej.

Kundërargumenti mund të formulohet kështu: nëse ne arritëm të pastrojmë turqizmat nga shqipja, duke i zëvendësuar me fjalë tonat, pse qenka e pamundur të ndërrojmë tani toponimet e huaja?

Në fakt, arsyetimi nuk qëndron.

Në kulturën shqiptare ka pasur vërtet një lëvizje për t’i pastruar turqizmat, por ajo lëvizje në thelb puriste nuk pati sukses.

Le të kthehemi për një çast në periudhën e Rilindjes, kur një grusht patriotësh po kërkonin të gjenin rrugë për t’i shkëputur shqiptarët nga Perandoria Osmane. Një nga këto rrugë, ishte edhe arsimi dhe kultura, të cilat parakuptonin dhe kërkonin që gjuha shqipe të shkruhej dhe të mësohej në shkolla.

Po si do të shkruhej gjuha shqipe? Dhe më tej akoma, si do të mësohej në shkolla?

Për Rilindësit rol kryesor në këtë lëvizje kulturore do të luante letërsia.

Tani, deri në atë kohë, letërsia shqipe pothuajse nuk ekzistonte, me përjashtim të letërsisë së bejtexhinjve, e cila lëvrohej nga disa poetë.

Për një poet madhor të Rilindjes, si Naim Frashëri, poemat e kushërinjve të tij bejtexhinj Dalip dhe Shahin Frashëri ishin pikë referimi kryesore dhe përfaqësonin të vetmen traditë të poezisë shqipe.

Kujtoj këtu se për Naimin Hasan Zyko Kamberi, një bejtexhi edhe ky, ishte më i madhi poet i gjuhës shqipe.

Letërsia e bejtexhinjve i përkiste një kulture të cilën Rilindja po gatitej ta mohonte: në përmbajtje dhe në formë. Nuk po zgjatem në çështje të përmbajtjes, por po kujtoj vetëm se forma poetike e bejtexhinjve ishte në thelb e tëra e huazuar nga modele orientale, përfshi këtu edhe fjalorin poetik.

Naimin e kanë quajtur ndonjëherë “bejtexhi pa bejte”, dhe me të drejtë: ai e mori traditën e bejtexhinjve dhe e çoi përpara, por duke e pastruar nga orientalizmat (ose “turqizmat”, siç i quajmë ne sot, dhe siç do t’i quaj unë tash e tutje në këtë shkrim; termi orientalizëm është më i saktë, sepse shumë nga këtu të ashtuquajtura “turqizma” janë në fakt fjalë arabe dhe persiane që përdorte osmanishtja e kohës, por le ta bëjmë një kompromis për hir të qartësisë).

Nëse përpiqemi sot të lexojmë një tekst të një poeti bejtexhi, nuk do të arrijmë dot; për shkak të turqizmave që gjenden aty. Nuk është e sigurt, për filologun e sotëm, nëse këto fjalë që përdorin bejtexhinjtë kanë qenë përdorur edhe në shqipen jashtë modeleve poetike apo jo. Tahir Dizdari i ka futur në fjalorin e vet të orientalizmave, por ai fjalor i përmbledh të gjitha instancat e orientalizmave, pavarësisht nga statusi i tyre.

Gjithsesi, Naimi ishte poeti që e ndërmori hapin kritik dhe shkroi një poezi e cila i shkëputi lidhjet leksikore dhe stilistike me rrymën e bejtexhinjve, pikërisht duke mënjanuar fjalët orientale nga leksiku poetik.

Kjo që bëri Naimi me të tjerë, ishte pastrim vërtet – por jo i gjuhës shqipe, sesa i një regjistri specifik të kësaj gjuhe, atij poetikut.

Përndryshe, statusi i turqizmave në shqipe ka qenë gjithnjë problematik.

Dihet se ndikimi i osmanishtes në shqipen ka qenë kryesisht urban, ose ka depërtuar fillimisht në qendrat urbane dhe vetëm shumë më vonë është përhapur edhe në zonat rurale. Për këtë arsye, të folmet e qyteteve kanë pasur shumë më tepër turqizma sesa ato të fshatrave.

Turqizmat në shqipe hynë së bashku me kulturën osmane: kulturën materiale (jetesa e përditshme, mallra konsumi, zeje, veshje), kulturën shpirtërore (leksiku fetar), kulturën ekonomike dhe juridike, dhe kulturën shtetërore-administrative.

Bëjmë mirë t’i këqyrim si pasqyrim të periudhës osmane në gjuhën shqipe.

Me shkëputjen e Shqipërisë prej sferës kulturore osmane, numri i turqizmave në përdorim do të vinte duke u ulur natyrshëm. Teksa qeveritë shqiptare i kthenin sytë nga Perëndimi, një numër i madh fjalësh që lidheshin me botën osmane do të dilnin vetvetiu nga përdorimi. Kush kishte më nevojë për bimbash, sadrazem, kadi, vali, vezir, mytesarif dhe qatip, në rrethanat kur këto figura profesionale u zhdukën nga qarkullimi?

Veç kësaj, një numër i madh turqizmash kishin hyrë në shqipe pa nevojë; meqë shqipja i kishte fjalët përkatëse. Për shembull, kishin hyrë dhe përdoreshin fjalë si zaman dhe sene, edhe pse shqipja i kishte fjalë si kohë dhe vit. Gjuha zakonisht nuk i duron dot sinonime të tilla absolute; dhe kur letërsia shqipe që po lëvrohej rishtas nisi të hedhë në qarkullim fjalë thjesht shqipe, atëherë barasvlerat e tyre në turqisht nisën të dalin nga përdorimi.

Në masë të madhe, një ligjërim shqip i mbytur nga turqizmat po kthehej në shenjë dalluese të shtresës së mesme qytetare të kultivuar nga Perandoria Osmane, e cila përçonte, nga qendra drejt periferive, vetë pushtetin osman. Jo rastësisht, kjo shtresë e mesme qytetare do të konsumonte jo vetëm marrëdhëniet ekonomike, tregtare, juridike, fetare dhe politike të kohës, por edhe disa aspekte kulturore tipike të periudhës, siç ishte letërsia shqipe me alfabet arab, ose e bejtexhinjve.

Përhapja sociale e turqizmave në shqipe nuk ndikohej aq nga ndarja në myslimanë e të krishterë, sesa nga ndarja qytet/fshat; mjaft të lexojmë disa poetë katolikë shkodranë të fillimit të shekullit XIX (Leonard De Martino, Pjetër Zarishi), për të parë se deri në ç’masë kishin depërtuar këto turqizma në shqipen “e kultivuar”. Përkundrazi, fshati shqiptar kishte mbetur relativisht i paprekur prej tyre, sidomos sa i përket leksikut abstrakt dhe të kulturës.

Sa më shumë që punëtorët e gjuhës dhe të shkollës shqipe, të shumtë dhe të përkushtuar gjatë Rilindjes, nisën të vënë në dispozicion të folësve fjalë shqipe të mirëfillta, aq më problematik do të bëhej statusi i turqizmave në shqipe, në fillim të folur, pastaj të shkruar.

Këtu duhet pasur parasysh edhe se turqizmat kishin hyrë relativisht vonë në shqipe dhe nuk ishin integruar dot mirë në sistem; p.sh. nuk ishin bërë produktive, duke u ofruar si tema për fjalë të tjera, por kishin mbetur relativisht si mish i huaj, leksikisht të izoluara. Veç kësaj, pjesa më e madhe e tyre ishin emra, ndërsa foljet ishin fare të pakta; çka e kufizonte edhe më aftësinë e tyre për të ndërvepruar në gjuhë – po të kihet parasysh se nga foljet mund të kalohet lehtë në emra prejfoljorë abstraktë të veprimit dhe në gjithfarë mbiemrash prejpjesorë, etj. Të krahasohet, bie fjala, defter me fletore dhe të vihen re lidhjet horizontale të së dytës me fletë, shfletoj, etj.

Fati i turqizmave të shqipes u vendos nga një konvergjencë: vullneti i Rilindësve për ta pastruar gjuhën nga turqizmat konvergoi me vjetërimin e vetvetishëm të turqizmave, për arsye historike (shkëputja e Shqipërisë nga bota osmane).

Praktikisht të gjithë shqiptarët mësuan të shkruajnë shqip me tekste të ndërtuara sipas parimeve gjuhësore të Rilindjes. Turqizmat që mbijetuan gjatë gjysmës së parë të shek. XX, mbijetuan në ligjërimin e folur, të shtresës kryesisht analfabete të popullatës.

Ndërkohë, falë mendësisë së Rilindjes dhe një zgjimi të përgjithshëm të krenarisë kombëtare, por edhe kthimi të vështrimit kulturor drejt Perëndimit, elitat në Tiranë, në Shkodër, në Korçë, në Elbasan dhe në Gjirokastër do t’i konsideronin turqizmat e shqipes si shenja të një mendësie orientale, anadollake, turkoshake, nga e cila do të distancoheshin me përkufizim, për të merituar statusin e tyre të ri si elita kombëtare të Shqipërisë. Brenda një shekulli, statusi i turqizmave në ligjërimin joletrar u përmbys: nga mishërim i mendësisë urbane perandorake, në mishërim të mendësisë së prapambetur, fshatarake, provinciale të shqiptarit të vjetër, që i kishte mbetur ora “në kohën e turkut.”

Ndërkohë, purizmi – që është gjithnjë i gabuar – kishte filluar të jepte efekte anësore të padëshiruara, duke e varfëruar shqipen letrare. Noli, që ishte ndoshta i pari shkrimtar shqiptar që ia pa shqipes së re mangësitë e mëdha, kur e ballafaqoi me gjuhë dhe shkrimtarë madhorë në punën e vet si shqipërues, u detyrua… t’i kthejë disa turqizma në shqipen e vet poetike; dhe këtu s’e kam fjalën për poezi satirike, si Kënga e Salep Sulltanit, por edhe për poezi të stilit të lartë, si ato për Bajram Currin dhe Luigj Gurakuqin.

Me Nolin ndodhi kështu një tjetër ndërrim paradigmatik; që nga ajo kohë, turqizmat nuk është se u dëbuan nga gjuha në mënyrë të padiskriminuar, por vetëm u rivlerësuan nga pikëpamja stilistike ose e përdorimit. Kjo do të kërkonte, gjithsesi, shumë kohë për t’u realizuar.

Një koleg, në një koment të lënë në temën tjetër, shkruante – po parafrazoj – se pse qenka kaq e vështirë të ndërrohen toponimet e huaja, kur janë ndërruar “fjalët tenxhere dhe penxhere.” Në fakt, komenti është tipik për të ilustruar pështjellimin në mendjen e njerëzve, kur vjen puna për turqizmat e shqipes. Tenxhere dhe penxhere nuk janë ndërruar – të gjithë i dimë dhe i përdorim. Çfarë ka ndryshuar, është statusi i tyre – veçanërisht për penxhere, e cila është zëvendësuar, në tekste neutrale (p.sh. një manual i arkitekturës), nga dritare, që është neologjizëm (fjalë e krijuar në tavolinë). Penxhere, ndërkohë, është kufizuar disi në përdorim, duke fituar edhe ngjyrim stilistik.

Kjo u ka ndodhur tashmë shumë turqizmave: nuk janë larguar krejt nga gjuha, por vetëm janë “shënjuar” stilistikisht, nëpërmjet një procesi në thelb letrar, që e ka pasuruar gjuhën. Të krahasohet, p.sh. fjala dynja me fjalën botë; unë besoj se shqipja vetëm ka fituar, duke i mbajtur të dyja fjalët, sepse dynja jep disa nuanca specifike, të cilat botë nuk i jep dot.

Mund të thuhet, pa e tepruar, se sot turqizmat janë një pasuri e rrallë e shqipes, e cila gjen shprehje në regjistra të caktuar gjuhësorë, sidomos në letërsinë satirike, në teatër, dhe në përgjithësi në ligjërimin bisedor. Madje ligjërimi bisedor, si sistem i pavarur nga dialektet – ose diferencimi gjeografik i shqipes – nuk do të krijohej dot pa rehabilitimin stilistik të turqizmave.

Rilindësit vërtet u nisën të “pastrojnë” shqipen, sepse e tillë ishte koha. Njëlloj si shqipja ishte pastruar më parë greqishtja (nga turqizmat) dhe rumanishtja (nga sllavizmat); më pas, të njëjtat “turqizma” (në fakt, orientalizma) që u dëbuan prej shqipes do të dëboheshin edhe prej turqishtes moderne, krahas me ndërrimin e alfabetit në atë gjuhë.

Megjithatë, pastrimi nuk është asnjëherë politikë gjuhësore e mirë. Një nga kritikat që i kanë bërë Naimit, sidomos nga Shkodra, ka qenë se gjuha e tij tingëllon e sheshtë, për të mos thënë e varfër; dhe gjithsesi monotone. Në fakt, po të nxirret nga konteksti historik dhe letrar i kohës, gjuha e Naimit ashtu është: artificiale, e varfër në mjete leksikore, e sheshtë. Mirëpo kritika vetë është anakronike, sepse harron të marrë parasysh sa eksperimental ishte Naimi; dhe sa e re do të ketë tingëlluar shqipja e tij, në veshët e shqiptarëve të kohës.

Gjithsesi, kjo është çështje tjetër. Çfarë dua të theksoj, është se purizmi, si politikë gjuhësore, nuk funksionoi – dhe nuk mund të funksiononte, me gjithë zellin me të cilin u zbatua ndonjëherë. Ndoshta shërbeu në fillim, kur duhej vendosmëri dhe sakrificë, për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane dhe përqafimi i saj politik, ekonomik dhe kulturor; por kjo nuk ishte arsye për ta sanksionuar si politikë zyrtare në pavarësi nga rrethanat.

Përkundrazi, politikë e drejtë me turqizmat e shqipes do të rezultonte disiplinimi i tyre – i cili u arrit shkallë-shkallë, krahas me lëvrimin e shqipes si gjuhë polifunksionale, veçanërisht në sferat e letërsisë, të teatrit, të filmit, të televizionit. Sa më i artikuluar bëhej ligjërimi shqip, aq më shumë kishte nevojë për diferenca – të cilat do t’i përmbushte, ndër të tjera, edhe duke shfrytëzuar thesarin leksikor të turqizmave, të cilin më kot ish përpjekur ta groposte krahu më radikal i Rilindjes.

Prandaj sot fjalë si tenxhere dhe penxhere janë pasuri e paçmuar e shqipes, me kusht që të përdoren nga një publik me arsimin dhe kulturën e duhur gjuhësore.

Advertisements
  1. Muniri
    19/10/2014 te 22:07

    diotet duke larguar Turqizmat larguan edhe fjalet origjinale shipe sa per ilustrim:
    10-djeta
    20-dydhjete jo barbarizmi greke (1z) nje zet
    30-tridhjete
    40-katerdhje barbarimi i dyte greke(2z)dyzet bo vaki do te vijne edhe tjerat
    3z-trizet
    4z-katerzet e keshtu me radhe………..

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: