Hyrje > Edukim > Aty ku liria duhet të takohet me mohimin e saj

Aty ku liria duhet të takohet me mohimin e saj

Redi SHEHU

 

ATY KU LIRIA DUHET TË TAKOHET ME MOHIMIN E SAJ

Redi Shehu

Redi Shehu

Debati mbi homoseksualët, ashtu si edhe debate të tjera të natyrës së të drejtës individuale, janë pika ku shoqëria takohet me të çarat e veta përsa i përket të kuptuarit të konceptit të lirisë. Të kuptuarit e lirisë përfshin formën se si projektohet roli i individit dhe përgjegjësitë e tij në shoqëri. Është mbi të gjitha një debat mbi lirinë, sepse pothuaj të gjitha kategoritë të cilat duan të “thyejnë vargonjtë” e të tashmes dhe historikes, në emër të një koncepti të ri, e bëjnë këtë lidhur me të drejtën  e indivdit, pra me lirinë e tij në  hapësirën publike.

 

Ky debat mbi lirinë është një zanat i vjetër në Evropën e plakur, që kur religjioni në hapësirën evropiane humbi pushtetin në mendjet dhe zemrat e njerëzve mbi të gjitha për fajin dhe kokëfortësinë dogmatike të tij. Me të rënë koncepti tradicional i lirisë si atribut i zbritur brënda një kuadri religjioz, shumë filozofë perëndimorë, pluguan në fushën e mendimit për të përcaktuar terrenet e reja të lirisë, tashmë triumfuese ndaj pushtetit të vjetër fetar ne Evropë. Është pak e vështirë të  argumentosh faktin, se liria si koncept duhet të qëndrojë e shkëputur  nga rendi dhe renditja, nga norma dhe rregulli, për sa kohë ajo si kategori merr formë brënda këtij realiteti. Ne, jetojmë në një botë ku rendi është tipari themelor i ekzistencës. Ai, (rendi) projektohet që nga makrosfera në një kozmos ku rregulli perfekt dhe ligji fizik janë  formë e jashtme e mirëmbajtjes, formë vizive e  realitetit.

 

Mirëpo, duket se nuk e patën fare të vështirë  grupe filozofësh të fillojnë ta projektojnë lirinë nisur nga terrene tashmë krejt të tjera, atë të triumfit të arsyes dhe fronëzimit të saj në hapësirën publike, si dhe mendimin njerëzor si e vetmja zgjidhje. Formula të tilla si “një njeri i lirë është ai i cili nuk është i penguar të bëjë çfarë deshiron të bëjë” të Thomas Hobbes-it, definicionet e John Locke mbi lirinë në gjëndje natyrore dhe lirinë në shoqëritë politike, apo teoria e John Stuart Mill mbi dy gjëndjet e lirisë, atë të mundësisë për të vepruar lirshëm dhe lirisë si pasojë  e mungesës së shtrëngimit, në mënyrë të paevitueshme, nuk mundën të zgjidhnin përfundimisht natyrën dhe kufinjtë e pushtetit dhe se si ai të mund të rregullonte ekuilibrin mes pavarësisë individuale dhe kontrollit social. Nisur nga premisa e mësipërme, pikëpyetje të përhershme vendosen lidhur me atë nëse arsyeja dhe besimi janë dy nocione të papërputhshme me njëra-tjetrën, ku me arsyen  nënkuptohej vlera demokratike, sekulare liberale dhe me besimin nënkuptohej  autoriteti, tirania e nënshtrimit, pse jo edhe dhuna. Të vendosura në këtë formacion, qasja hulumtuese duket se është pashmangshmërisht konfliktuale dhe e tillë konfliktuale projektohet në artikulimin publik ekzistenca e dy llojeve të lirive, ku njëra përparimtarja emancipuesja është pikërisht liria e mendimit filozofik të Hobbes-it, Locke, Mill e deri tek liberalizmi i Fukujamës i tipit, “preferenca ime është morali im”, apo neo-frojdistët me identifikimin e seksualitetit si identitet personal në hapësirën publike, dhe liria në kuptimin religjioz si e zbritur brënda një pakete të të drejtës hyjnore ku nënshtrimi ndaj Krijuesit është vetë liria, ku bindja ndaj rregullit dhe rendit hyjnor përbën edhe kufirin e vetë lirisë.

 

Koncepti i lirisë në përceptimin e masës nuk ka qenë kurrë i çliruar nga padroni i saj. Në shoqëritë religjioze atributet e dhuruesit të lirive dhe përcaktuesit të kufinjve respektivë të saj i përkasin Zotit i cili në formë transhendente jo vetëm ekuilibron liritë e individit por edhe implementon rolin e monitoruesit të këtyre lirive. Në shoqëritë moderne, tashme padroni i lirisë u zëvendësua me rolin e përcaktuesit dhe monitoruesit të shtetit ndaj lirive të individit, pavarësisht faktit që padroni i dytë i lirisë (shteti) ka bërë ç’është e mundur për të zhdukur çdo gjurmë të padronit të parë (Zotit) në institucionet, politikat dhe qeverisjen e shtetit.

 

Në të njëjtën formë, mospërcaktueshmëria e vijës ndarëse përfundimtare, aty ku liria takohet me mohimin e saj, ka bërë që shoqëritë postmoderne sot, të intepretojnë lirinë sipas rrethanave sociologjike.Mirëpo, me lëvizjen e shoqërive të sotme drejt destinacioneve të papërcaktuara, u pa edhe lëvizja e konceptit të lirisë dhe determinizmit të saj në të njëjtin drejtim. Referenca e lirisë, e cila e mban të gjallë modelin e saj, mbështetet mbi dy shtylla të forta që janë e vërteta dhe drejtësia (morali dhe moraliteti), sepse janë të pathyeshme përgjatë historisë së vetë lirisë. Relativizimi i kufinjve të lirisë i cili shkon paralel me relativizimin e kufinjve të moralit, humbja pra e referencës së saj, në të njëjtën kohë përbën edhe humbjen e vijës ndarëse, të asaj vije ku liria e ka të domosdoshme të takohet me mohimin e vet për të mos shkaktuar dëme sociale.

 

Pikërisht, trajtesa e lirisë së homoseksualizmit si atribut publik, do të duhet të përballet me dy shtyllat e lirisë, të vërtetën dhe drejtësinë si dobishmëri morale. Kështu, ne ndodhemi herë pas here në dilemën e madhe të aktualitetit ku konceptet religjioze të lirisë, ato metafizike të instaluara në individë brënda sferës së tyre private, do të duhet të ndeshen me konceptet sekulare të lirisë si normë e arsyetimit në sferën publike. Është pikërisht këtu ku një hipokrizi e stërmadhe merr udhë në diskursin e përditshëm lidhur me çështjen e homoseksualizimit, ku nga njëra anë individët në sferën private të tyre aplikojnë një qasje më konservatore dhe më religjioze të lirisë, duke mbajtur një qëndrim qartësisht kundërshtues ndaj tyre, dhe nga ana tjetër në diskursin publik, të njëjtët individë në hapësirën publike sillen dhe artikulojnë për homoseksualët ashtu siç norma sekulare e arsyetimit publik e do. Syfaqësi e cila për hir të të vërtetës është instaluar në mënyrë jetese për njeriun postmodern, i cili këtë hipokrizi sjelljeje e ka të përditshme pikërisht si pasojë e shtyrjes së religjionit vetëm në sferën private, ku në intimitetin e tij privat flet dhe vepron fetarisht, dhe me të dalë në hapësirën publike, transformohet në një instrument sekularizmi.

 

Në këtë pike, do të ishte më e drejtë dhe më e ndershme që pikëpamja religjioze mbi lirine, të vazhdonte të artikulohej drejt edhe në sferën publike përkarshi pikëpamjes sekulare mbi lirinë. Në këtë mënyrë, ne do të ishim në gjëndje të shikonim publikisht se cili nga këto këndvështrime do të lëvizte e devijonte në raport me kohën dhe situatat, si dhe thellimi i distancës mes tyre, do të përbënte dhe shkallën e vlerësimit në raport me të vërtetën dhe drejtësinë.

 

Burimi: http://www.gazetastart.com/aty-ku-liria-duhet-te-takohet-me-mohimin-e-saj_24780.html

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: