Hyrje > Aktivitete kulturore > Fjala e albanologut Dr. Robert Elsie me rastin e prezantimit të librit “Shkatërrimi i trashëgimisë islame në luftën e Kosovës”

Fjala e albanologut Dr. Robert Elsie me rastin e prezantimit të librit “Shkatërrimi i trashëgimisë islame në luftën e Kosovës”

FJALA E ALBANOLOGUT Dr. ROBERT ELSIE ME RASTIN E PREZANTIMIT TË LIBRIT “SHKATËRRIMI I TRASHËGIMISË ISLAME NË LUFTËN E KOSOVËS”

Robert Elsie

Robert Elsie

Më 27 Maj 2014 albanologu Robert Elsie, një zë i rëndësishëm në studimin e historisë dhe kulturës shqiptare, bëri prezantimin e mëposhtëm me rastin e promovimit të librit “Shkatërrimi i trashëgimisë islame në luftën e Kosovës”. Në vijim po e sjellim fjalimin e plotë të mbajtur nga Dr. Elsie para audiencës në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë:

Kam nderin dhe kënaqësinë të marr pjesë në promovimin e albumit tonë të shumëpritur që paraqet shkatërrimin e trashëgimisë islame në Kosovë.

Ky projekt filloi të realizohet dy vjet më parë, në pranverën e vitit 2012, kur Petrit Selimi më kontaktoi dhe më kërkoi nëse mund ta ndihmoja të përgadis një publikim për të regjistruar dëmet e tmerrshme që kishin pësuar monumentet kulturore islame gjatë luftës së Kosovës së viteve 1998- 1999.

Punën kryesore të regjistrimit të shkatërrimit e ka kryer Bashkësia Islame në muajt e parë të pasluftës dhe rezultatet u prezantuan nga Sabri Bajgora në vitin 2000 në një botim të parë në shqip dhe anglisht. Ndonëse ishte një libër i mirë, libri asnjëherë nuk arriti shtrirje ndërkombëtare.

E pranova punën sepse e ndjeva që kishte ende shumë për të bërë për vetëdijësimin e publikut ndërkombëtar për Kosovën dhe problemet e shumta që i ka trashëguar nga e kaluara e zymtë. Unë gjithashtu kam besuar që në një botim të dytë dhe të zgjeruar mund të arrihen përmirësime të rëndësishme dhe kam dhënë disa sugjerime për këtë qëllim të cilat bashkëredaktori im Petrit Selimi i ka pranuar pa hezitim. Një nga këto sugjerime ishte që të botohet libri vetëm në gjuhën angleze si një publikim i projektuar vetëm për publikun ndërkombëtar. Mua kjo më është dukur e rëndësishme sepse përderisa populli i Kosovës e di se çfarë ka ndodhur në vendin e tyre ne vitet 1998- 1999, shkatërrimi që i është shkaktuar arkitekturës dhe trashëgimisë islame ka mbetur kryesisht i panjohur në skenën ndërkombëtare. Është kurreshtare dhe irrituese për mua të vërej  se në diskutimet ndërkombëtare që janë mbajtur lidhur me dëmet që u janë bërë monumenteve të Kosovës, përmenden vetëm kishat ortodokse ndërsa shkatërrimi i trashëgimisë kulturore islame që ishte shumë më i madh, është ende pak i njohur. Ne kemi llogaritur që rreth 40 përqind e të gjitha xhamive janë dëmtuar ose shkatërruar qëllimisht. Këto janë statistika tragjike dhe është me rëndësi për botën për të parë dhe kuptuar çfarë ka ndodhur.

Informacionet dhe fotot në ketë volum ofrojnë prova dramatike të shkatërrimit që ka pësuar arkitektura islame si dhe komuniteti islam, e shqiptarët në përgjithësi, nga paramilitarët e shfrenuar serbë, nga policët dhe ushtarët serbë gjatë kohës së Millosheviqit.

Unë do të doja të theksoja në fillim, ashtu si autori i librit Sabri Bajgora dhe Kryeministri Hashim Thaçi kanë theksuar në parathëniet e tyre, që ky libër në asnjë formë nuk është menduar si një aktakuzë ndaj popullit serb ose Serbisë si komb edhe pse krimet janë kryer në emër të saj.

Çdo individ është përgjegjës për veprimet e tij e jo për veprimet e të tjerëve dhe unë e di se pavarësisht retorikës së vazhdueshme politike nga Beogradi, serbët në Kosovë dhe në Serbi janë po aq të tronditur dhe të trishtuar nga ngjarjet që ndodhën në këtë vend pesëmbëdhjetë vite më parë. Të gjitha komunitetet në Kosovë kanë pësuar gjatë luftës dhe jam i kënaqur të dëgjoj se të gjithë janë duke punuar tani së bashku, në mënyra të ndryshme, për të gjetur shtigjet e përbashkëta. Megjithatë, llogari duhet të jepet për shkatërrimin tronditës shkaktuar trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe jam i bindur që ky publikim mund t’i shërbej këtij qëllimi.

Ka shumë njerëz dhe institucione që kontribuan për këtë libër e meritojnë të falënderohen. Midis tyre janë Bashkësia Islame e Kosovës, e përfaqësuar në mënyrë te veçantë nga autori i publikimit Sabri  Bajgora, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e përfaqësuar këtu nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi dhe Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj dhe Qeveria e Kosovës përfaqësuar nga Kyreministri Hashim Thaçi i cili na dha mbështetje dhe inkurajim të plotë.

Falënderime të veçanta shkojnë edhe për András Riedlmayer nga Biblioteka e Arteve të Bukura në Universitetin e Harvardit të cilin arrita ta përfshij në projekt. Ai fatkeqësisht nuk ia doli të ishte pjesë e këtij promovimi për shkak të një angazhimi paraprak. András Riedlmayer është bashkëpunëtor i Qendrës së Dokumentimit të Programit Aga Khan për Arkitekturë Islame dhe sigurisht mund të konsiderohet ekspert kryesor i artit dhe arkitekturës islame në Kosovë dhe Bosnje. Bashkë me Andrew Herscher, ai ishte autor i një studimi të detajuar të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore e në  veçanti të arkitekturës islame në Kosovë, publikuar në vitin 2001 si dhe ka ardhur të dëshmoj disa herë në këtë temë në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi në Hagë ku kam punuar dhjetë vjet. Duke poseduar njohuri të tilla, ai ka dhënë një ndihmë të çmuar në historinë e shumë xhamive të vjetra të Kosovës dhe rrethanat e sakta të shkatërrimit të tyre. Ai gjithashtu na ka pajisur foto-materiale shtesë të cilat ne i kemi përfshirë në këtë publikim.

Qëllimi i këtij vëllimi është të njoftohet opinioni publik për atë që i ka ndodhur arkitekturës islame të Kosovës si një komponent i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të vendit. Pjesa më e madhe e dëmeve janë të pariparueshme por disa ndërtesa sigurisht që mund të rimëkemben nëse arrihet të sigurohen fondet e nevojshme. Në të vërtetë, shumë xhami tashmë janë rinovuar në mënyrë adekuate dhe i janë kthyer aktivitetit. Qëllimi dytësor i këtij libri është që të njihet më mirë edhe vetë Kosova në arenën ndërkombëtare. Lidhur me këtë, do të doja të theksoj se shumë më shumë duhet të bëhet, në publikimin e librave, në prezantimet në internet, në spektrin e turizmit dhe shkëmbimit kulturor, për të bërë Kosovën, zemrën e Ballkanit, më mirë të njohur dhe më mirë të kuptuar në Europë dhe botë.

 

Faleminderit për vëmendjen,

27 Maj 2014, Prishtinë

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: