Hyrje > Letërsia e bejtexhinjve > Poeti Hasan Zyko Kamberi, pse s’u botua

Poeti Hasan Zyko Kamberi, pse s’u botua

Genciana ABAZI (EGRO)

 

POETI HASAN ZYKO KAMBERI, PSE S’U BOTUA

Genciana Abazi-Egro

Genciana Abazi-Egro

Në shek. XVIII, e shkroi shqipen me germa arabe.

Shqiptari që i këndoi parasë, para se Marksi të shkruante “Kapitalin”

Poeti Hasan Zyko Kamberi, ndonëse ka krijuar dy shekuj më parë, nuk ka njohur një botim të veprës së tij dhe ka qenë prezent vetëm me botime fragmentare dhe selektive nëpër antologjitë mbi poezinë shqipe. Megjithëse vazhdimisht ka qenë në vëmendjen e personaliteteve letrare, poezitë e tij nuk kanë arritur të mbërrijnë të plota te lexuesit. Kjo mbrapshti, në të vërtetë ka shoqëruar gjatë shekullit XX të gjitha përpjekjet e kryera për botimin e poetëve shqiptarë të shekullit XVIII, që shqipen e shkruan me alfabetin arab.

Poeti në letrat shqipe për herë të parë përmendet në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XIX. Naim Frashëri e vendos në kreun e poetëve shqiptarë, kurse pas tij rendit Nezim Beratin dhe Dalip Frashërin. Për Jani Vreton “Hasan Zikua lavdërohet si një poet i shkëlqyeshëm në të gjitha llojet e poezisë”, ndërsa për vjershat e tij ai shprehet “kushdo që i ka ndigjuarë nga ata që I dinë përjashtazi ka mall t’i ndigjonjë dhe tjetërë herë”. Thimi Mitko, ndonëse i konfesionit ortodoks, është i pari që ka tentuar të botojë Hasan Zyko Kamberin. Ai ka përgatitur për lexuesit tri poezi nga ky poet, “Grat e va”, “Paraja” dhe “Fati im”, që sot ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit. Për gjetjen e poezive të Hasan Zyko Kamberit ai ka përdorur dy burime, Anastas Manon në Korçë dhe Grigor S. Mitkon. Ky i fundit i ka gjetur poezinë mbi historinë e Ibrahimit/ Abrahamit. Ndërsa Anastas Mano, sikurse njofton në një letër dërguar Mitkos, tri poezitë e mësipërme i ka shkëputur nga një dorëshkrim i ruajtur nga shehu i Halvetive në Korçë.

Arsyet përse Thimi Mitko iu drejtua krijimtarisë së Hasan Zykos dhe insistoi për gjetjen dhe publikimin e saj nuk janë shprehur qartë. Por, fakti që qysh në hyrje shkruan “ishte poet i shkëlqyer në gjuhën shqipe” dëshmon për vlerësimin të veçantë që kishte ai për krijimtarinë e këtij poeti.

Mitko poezitë e Hasan Zyko Kamberit i ka përkthyer edhe në greqisht dhe ky përkthim është dhënë paralelisht me poezitë shqip, në një kolonë më vete.

Përveç kësaj, këtë sprovë ai e shoqëron dhe me disa të dhëna informuese në greqisht mbi poetin Hasan Zyko Kamberi dhe poezitë e tij. Në këtë mënyrë ai është i pari që tenton të hedhë dritë edhe mbi jetën e poetit. Sipas Mitkos, Hasan Zyko, me origjinë nga Kolonja, e ka prejardhjen nga një familje e rëndësishme me titullin Bej; ka qenë një njeri i arsimuar me njohje të mirë të gjuhëve të Orientit dhe ka qenë një poet i shkëlqyer në gjuhën shqipe nën kujdestarinë e Ali Pashës me të cilin jetoi në të njëjtën epokë. Përdorimi i alfabetit grek për shkrimin e shqipes, dhe krahas kësaj, përkthimi greqisht i poezive, përdorimi i titujve greqisht për poezitë dhe shkrimi në greqisht i hyrjes së shkurtër informative dëshmon se ky punim është përgatitur për një auditor që krahas gjuhës shqipe, njihte alfabetin dhe gjuhën greke. Gjatë përgatitjes për botim, ai nuk i ka qëndruar besnik tekstit, por është përpjekur që t’ia përshtatë konceptit të tij për shqipen dhe përdorimin e saj. Kjo punë është kryer në dy drejtime: së pari në modifikime të lehta përdorimesh; së dyti në zëvendësimin e turqizmave me fjalë shqipe. Ky zëvendësim është bërë në mënyrë të përzgjedhur, pasi nuk ka përfshirë të gjithë turqizmat e përdorur. Ai është realizuar herë me fjalët të përafërta apo sinonime të gjuhës shqipe, por në shumë raste është bërë duke marrë parasysh përdorimet gjuhësore konkrete dhe sipas një interpretimi individual të Thimi Mitkos. Ky zëvendësim shpeshherë ka transformuar mesazhin e dhënë nga poeti si në rastin kur termin mysliman, apo turk të përdorur me kuptimin “mysliman”, e ka zëvendësuar me termin shqiptar. Kjo qasje ndaj tekstit mbi baza të qarta ideologjike nacionaliste shpreh një tendencë të kohës, e cila vihet re në dimensione të ndryshme në punët me tekstet shqipe të kryera në këtë periudhë. Madje, përdorimi i turqizmave në poezi ka shërbyer për Thimi Mitkon edhe si faktor në vetë përzgjedhjen e poezive për botim. Kjo qasje gjuhësore ndaj letërsisë shqipe të shekullit XVIII, dhe veçanërisht vënia e theksit mbi përdorimin e tepruar të turqizmave do të rimerret edhe nga Naim Frashëri disa dekada më vonë. Pas Thimi Mitkos interes për të botuar krijimtarinë e Hasan Zyko Kamberit kanë shfaqur Vissarion Dodani dhe Hafiz Ali Korça. Nga letra që Faik Konica i ka dërguar nga Brukseli, më 29 nëntor 1901 Vissarion Dodanit, mësojmë se ky i fundit ka dërguar për botim në revistën “Albania” disa poezi të Hasan Zyko Kamberit. Nuk ka të dhëna për poezitë e përzgjedhura dhe numrin e saktë të tyre, përveç faktit që ndërmjet tyre ka qenë dhe poezia e Gjerdekut/ Nata e parë e martesës. Faik Konica nuk ka pranuar që t’i botojë me argumentin: “Të ngjatjetonj për vjershat e [Hasan] Zykë Kamberit. Janë të hieshme, por mbanj mè çupat e Shqipërisë dhe s’dua t’i ègërsonj…. .” Këto poezi Vissarion Dodani i ka shkëputur nga një dorëshkrim i Hasan Zykos të cilin ia kish dhënë Lipja i Tasi Jorgaqit (Filip Mano) dhe ky i fundit e kish marrë nga Baba Shehu i Korçës.

Në Kujtimet e tija, Dodani bën me dije se: “Kur u mbajtmë nga Korça në Bukuresht me tërë familinë shtëpia mbeti në kujdes të t’im kushëriri Rafail Hr. Avramit; pra do të jetë një fatmirësi për letraturën tonë në u gjeçin vjershat e këtij vjershëtori kombjar si dhe të Nezim Beratasit”.

Dhimitër Shuteriqi, duke vlerësuar këtë informacion, ndërmerr një përpjekje për të gjetur këtë dorëshkrim. Në gusht të vitit 1947 i drejtohet Ilo Mitkë Qafëzezit, në Korçë. Nga korrespondenca e tyre që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, mësojmë se Ilo Mitkë Qafëzezi në përgjigje të kësaj kërkese informon Shuteriqin se biblioteka e Rafail Avramit ku supozohet se ndodhej dorëshkrimi në fjalë, pas vdekjes së këtij të fundit, i ka kaluar të birit, Vasil Avramit (1918-1924 kryetar i Bashkisë së Korçës, 1933- 1935 ministër i Drejtësisë).

Pas arrestimit të Vasil Avramit më 1951, biblioteka së bashku me sendet e tij u sekuestruan sipas praktikave të kohës. Me gjithë kërkimet e kryera pranë Arkivit të Ministrisë së Brendshme, dosja hetimore-gjyqësore e procesit të Vasil Avramit nuk është gjetur ende dhe për rrjedhojë nuk dihet ku kanë përfunduar dhe objektet e sekuestruara. Dhe kjo është e dhëna e fundit që kemi në dorë për këtë dorëshkrim. Në fillimi të shekullit XX, edhe Hafiz Ali Korça ka kryer gjithashtu një përpjekje për të botuar këtë poet. Ai i ka dërguar Fehim Zavalanit që të botojë në gazetën “Bashkimi i Kombit” poezi të Hasan Zyko Kamberit. Mirëpo edhe kjo ndërmarrje përfundon pa sukses.

Arsyeja e mosbotimit është pakujdesia e Fehim Zavalanit, i cili ka humbur dorëshkrimin e dërguar. Përveç këtij informacioni të bërë publik nga vetë Hafiz Ali Korça, nuk kemi të dhëna të tjera lidhur me poezitë e zgjedhura për këtë botim. Në një shkrim të tij (1926) Mit’hat Frashëri bën me dije se në bibliotekën e tij posedon dy dorëshkrime të Hasan Zyko Kamberit, në të cilat shqipja është shkruar me alfabet arab dhe “njëri prej të cilëvet të pakën një qint vjeç i vjetrë,” të cilat fatkeqësisht deri më sot nuk janë gjetur. Poezitë e para që do të shohin dritën e botimit nga krijimtaria e Hasan Zyko Kamberit janë dy lutje drejtuar Perëndisë, të botuara në revistën “Zani i Naltë”, më 1937. Këto poezi revistës i janë dërguar nga kryemyftiu i Korçës, Hafiz Xhaferri, në përgjigje të një thirrjeje publike që “Zani i Naltë” ka drejtuar për mbledhjen dhe botimin e dorëshkrimeve në të cilat shqipja është shkruar me alfabetin arab. Këto përpjekje të cilat mbetën më shumë në kuadrin e një dëshire të mirë, do të vazhdohen nga Osman Myderrizi, i cili gjatë viteve ’50 të shekullit XX do të ndërmarrë një punë sistematike për njohjen, publikimin dhe studimin e poetëve shqiptarë të shekullit XVIII, të cilët shqipen e shkruan me alfabet arab. Megjithatë as Myderrizi, i cili qe i suksesshëm në mbledhjen e dorëshkrimeve, nuk do të arrijë që të botojë në mënyrë integrale letërsinë e bejtexhinjve. Me përjashtim të një numri të kufizuar artikujsh të botuar në revistat shkencore të kohës, puna e kryer nga Myderrizi do të mbetet në dorëshkrim, e pabotuar, në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë.

Hasan Zyko Kamberi, për opinionin e gjerë, por edhe për lexuesin e kualifikuar ka qenë vazhdimisht një personalitet letrar sa interesant, aq edhe i panjohur. Poezitë e tij për tema të ndjeshme dhe sociale si p.sh. paranë, trahananë, natën e parë të martesës, gratë e veja … ndonëse nuk kanë qenë të plota në duart e lexuesve të gjerë apo studiuesve të letërsisë, sërish kanë arritur të ruajnë një marrëdhënie të veçantë me lexuesin. Edhe sot mund të takosh njerëz që dinë përmendësh vargje të tëra nga poezitë e këtij poeti.

Madje për bashkëvendësit e tij Hasan Zyko Kamberi është më shumë se një poet. Në një bisedë të rastësishme me një bashkëfshatar të poetit, për të cilin nuk e dija se ishte nga Starja e Kolonjës, kur e pyeta për origjinën m’u përgjigj: “Jam nga vendi i Hasan Zyko Kamberit, që i ka kënduar parasë përpara se Marksi të shkruante ‘Kapitalin’”.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: