Kreu > Personalitete të rëndësishëm > Roli i klerit musliman në Pukë për liri e pavarësi

Roli i klerit musliman në Pukë për liri e pavarësi

Gëzim KOPANI (Myfti i rrethit të Pukës)

 

ROLI I KLERIT MUSLIMAN NË PUKË PËR LIRI E PAVARËSI

Osman Hoxha

Osman Hoxha

Përpjekjet e klerit mysliman të Pukës për Lirinë dhe Pavarësinë e Atdheut janë të njohura qofte perms kujtesës historike, qoftë përmes disa burimeve arkivore të rëndësishme. Këto përpjekje janë më të dukshme dhe të drejtuara që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e në vazhdim. Ky fakt i rëndësishem përgjithsisht është lënë në hije ose është paraqitë si rastësisht dhe i mangët me dashje apo pa dashje.

Megjithatë, imami teolog që është shquar për unitetin e komuniteteve deri të ngjallja e dashurisë atdhetare ka qenë Musa Dizdari, i njohur në popull me emrin Hoxhë Puka.

Musa Et’hem Dizdari, Hoxhë Puka (1800-1900) njihet si i pari imam vendas, për të cilin ruhen kujtime dhe burime arkivore për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare.

Bazuar vetëm në vendimin e Gjykatës Ushtarake Shkodër  më 19 gusht 1881 dhe te akteve gjyqsore të Ministrisë së Luftës, përcjelle me shkresë prej Kryeministrit turk Pallatit Perandorak në Stamboll, del se Ismail Salih Agë Kryeziu, në bashkëpunim me imamin e Xhamisë së Pukës, Haxhi Musa Et’hem Dizdari dhe të Mahmud Bytyçi, imam i fshatit Bytyç, dhëndër i Ismail Agës, organizator përcjelljen dhe sigurinë prej Prizrenit deri në Shkodër te Haxhi Ymer Prizrenit, Kryetar i Komitetit Drejtues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për haxhi Ymer Prizrenin ishte lëshuar urdhëri për kapjen e tij (arrestimin), si organizator “i kryengritjes që kishte themeluar dhe kishte përgatite ai”, gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881.

Nëpërmes këtyre dokumentave osmane del se veprimtaria atdhetare për Liri dhe Pavarësi e Haxhi Musa Dizdari, imam i xhamisë së Pukës, Hoxhë Puka, del jashtë kuadrit krahinor, Kazasë Pukës, sepse merr shtrirje me përmasa kombetare, me përpjekjet në bashkepunim për të shpëtuar haxhi Ymer Prizrenin, një prej figurave më të rëndësishme të Rilindjes Shqiptare.

Hoxhë Puka, edhe pse kishte mosmarrëveshje me Ismail Agë Kryeziun për postin e kajmekamit të Pukës, të cilin e kërkonte për derën e tij, të birin, Et’hemin, kapter i xhandarmërisë së Pukës, kur erdh puna për inters kombëtare në kuadrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, iu bë krah Ismail Agë Kryeziut dhe i vuri në shërbim të birin e vet, Et’hemin, rival me Ismail Kryeziun për postin e kajmekamit të Pukës.

Mahmud Bytyçi, i cili nën petkun e imamit udhëtoi për në Prizren, ku me shoqëruesit e vet, e mori ne mbrojtje haxhi Ymer Prizrenin dhe e kaloi ne Bytyç te kulla e vet, ku e priste Et’hem Dizdari i Pukës për ta përcjellë në Kryezi. Në Kryezi e priste i biri i Ismail Agë Kryeziut, imam Zenel Hoxha (imam i xhamisë së fshatit Kryezi). Në vazhdim, Haxhi Ymer Prizreni përcillet në siguri të plotë prej këtij imami të xhamisë së Kryeziut pë rte kulla e Hoxhë Pukës, Dizdari.

Për këtë përkrahjë prej imamëve pukas, merren masa të ashpra prej qeveritarëve turq kundër Ismail Agë Kryeziu, Hoxhë Pukës dhe të bijve, te cilët arrestohen dhe dërgohen në gjyqin ushtarak. Shkodër, sepse me veprimtarinë e tyre kanë “guxuar të nxisë veprimet kryengritëse dhe antishtetrore.” Dhe me këtë akuze gjykohen dhe dënohen “të internohen jashtë vendit të tyre.” Edhe Kryeministri në shkresën e tij, shoqëruar aktet gjyqsore Pallati Perandorak, Sulltanit thekson se: “Ismail Agai dhe hoxha i Pukës, Musa efendiu, kanë qenë nga njërëzit e rrezikshëm që patën turbulluar dhe prishur qetësinë e vendit.” Sulltani, në përgjigjen e tij 15 nëntor 1881, i cilli thekson se: “Shkresa e lartë e shkelqesisë Suaj, zotni Kryeministër….si dhe aktet e tjera, u panë nga Madhëria e Tij (Sulltani)” i cili urdhëroi që të zbatohet vendimi i gjykatës ushtarake për internimin dhe largimin nga vendi i tyre.

Përfundimisht u internuan “me rrugën e Selanikut dhe të Aleksandrisë për në Merash” .

Kryezi tregonin se përfunduan ne HalepSirisë, ku u mbajtën në internim për afro pesë vjet, pa pasë asnjë përkrahje shtetërore, veç sa u shpërblye Hoxhë Puka prej vendasve, të cilët ishin shumë të kënaqur prej sjelljes së tij me ta dhe për sherbimet fetare që u kryente.[1]

U liruan vetem me amnistinë e Sulltanit për të qetësuar Kryengritjen e Prizrenit1885, e cila u shtri deri ne viset e Pukës nën udhëheqjen e Mustafë Ismail Kryeziut bashkë me të vëllain, imam Zenel Hoxha.

Imam Isuf Arif Hoxha (1820-1919), i mbiquajtur hoxha i Madh, teolog, hoxhë i xhamisë së Iballës, ka përkrah Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Imam Isuf Arifaj ishte mik me Dizdarin e Pukës, se kishte gruan prej asaj dere, Gjylen. Këto lidhje krushqie e miqësore i bashkuan më shumë në përkrahjen e Lidhjes së Prizrenit, që forcuan ndjenjat kombëtare, që u shprehën sidomos në ruajtjen e unitetit mes dy besimeve, ne ruajtjen  e raporteve të mira deri miqësore e me krushqi. Kështu, imam Isufi ishte nip i Cecë Halilit Dardhës, burrë trim dhe guximtar, me të cilin ruante lidhje të ngushta dajë-nip.

Për më tepër, imam Isufi ndihmonte dhe respektonte edhe kabashës të tjerë të Dardhës a të Mëziut si “dajë”, siç ishte rasti i Mark BalësMëziut i cili u sëmurë në Mertur , ku kishte shkuar për festë dhe erdh e vdiq në kullën kater katesh të imam Isufit, Hoxha i Madh, i cili e varrosi me nderime Mark Bal Gjonin, burrin mendtar e guximtar të Mëziut, ndërsa prifti Domeniko Passi, misionar Italian, e kishte “mallkuar” se kishte marrë grua të dytë për fëmijë, që ia përtrine kullën në shuarje, që sot janë bërë mbi dhjetë familje me shtrirje që prej Mëziu, Shkodër, Tiranë deri në ShBA. [2]

Imam Zenel Adem Hoxha (1853-1945), imam e Myfti i rrethit të Pukës, Qytetar Nderi i Pukës. Zene Hoxha u kthye prej studimeve në vendet arabe më 1879, në moshë të pjekur dhe me një kulturë të gjerë islame. U kthye në një kohe kur ndihej shumë nevoja e tij, se situate politike ishte e ndarë. Ishin vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dënimi dhe internimi i Ismail Agë Kryeziut bashkë me imamin afro 80-vjeçar haxhi Hoxhë Puka, i lanë mbresa të forta, sa vendosi të ndjek udhën e tyre të Lirisë dhe të Pavarësisë të Atdheut, gjë që e tregoi gjate kryengritjeve 1910-1912. Imam Zenel Hoxha u ka pri në namaz Shqfet Turgut Pashës, korrik 1910, ministrit të brendshëm Turk, Adil Beut, mars 1912 si dhe Hasan Riza Pashës, verë 1912, por në hytbe u është shprehur: “Allahu e ka dhënë që çdo popull të jetë i lirë në vendin e vet.”

Gjithashtu ka nxitë e përkrahe frymën liridashëse të luftëtarëve që luftonin për Liri e Pavarësi gjatë Kryengritjes së Përgjithshme 1912 dhe për karakterin demokratik të Shtetit.

Jeta e tij ka qenë shembull virtyti; gjithmon bujar, popullor, imam me cilësi të larta për ndërgjegjësimin e besimtarëve në mësimin dhe zbatimin e normave të besimit islam, por gjithnjë me respektimin e çdo besimi tjeter, unitetin e popullit si komb e Atdhe i përbashkët.

Prej tij mësuan imam të ardhshem si: Asllan Hoxha, Beqir Hoxha, Sait Hoxha, Shaban Rexha etj të cilët edukuan besim, respekt, unitet, ndjenja atdhetaie.[3]

Kushtrimin e fillimit të luftës në Malzi e dha i pari Sadik Hoxha, imam dhe banues në fshatin DukagjinMalziut [4], sot ne rrethin e Kukësit. Mbas imam Sadik Hoxhës e filluan pushkën që prej Vaspasi, Pistës etj.

Imam Osman Hoxha (1847-1912) banues dhe imam në fshatin Flet, Kulumri dhe në tërë Udhmadhen të rrethit të Pukës, bashkë me Baram Hazirin, myezin. Që të dy sëbashku dhanë shembull burrëror e të guximshem, me fillimin e luftës kundër pushtuesve serbë më 12 nëntor 1912. Prandaj fshati Flet me Udhmadhen ishin betuar se do ta luftonin me të gjitha forcat pushtuesin serbë, të cilët po kryenin krime të vazhdueshme në Kosovë, siç i vunë zjarrin edhe Malziut, ku vetëm në Gdheshtë therën e masakruan 72 pleq, fëmijë e gra. Baram Haziri lëshoi kushtrimin: “Bini serbit, kush asht burr, se na vran Osman Hoxhën!”  Dhe shtiu drejt kolones serbe që po i ngjitej luginës së Fletit. Ketu mbeten të vrarë 20 ushtarë serbë dhe komandanti i tyre, ndersa Ismail Arifi ra Dëshmor i Atdheut, por ai u përjetësua në këngë si edhe Fletasit me Osman Hoxhën e Baram Hazirin:

 

Djal ish kan ai Zmajl Arifi!

Zmajl Arifi ish kan djal,

Ma ka çu Shkodra nji fjal:

Teslim serbit mos me ju bam!

 

Ndersa për luftën e Fletit me serbë, mund të shkëpusim këto vargje:

 

Kush e nisi luftën i pari?!

E kan nis dy hoxhallarë!

Hoxhallart e Malit t’Zi!

Sadik Hoxha ish kan dai,

Osman Hoxha i shehitli!

Ka  nis luften me Serbi!

N’ujt e Goskës [5] jan mbyt nji mij!”[6]

 

Një këngë tjetër, motërzim mbledhë në fshatin Kabash Pukës1969 këndohet:

 

Kush e nisi luften me serbë?!

Osman Hoxha, past rahmet!

Osman Hoxha e Baram Haziri.

Qesi djemsh na i ka Fleti!

S’i ka krajli, s’i ka mbreti!

S’i mban toka, s’i mban deti!

Gjasht taborre kan mbet prej heri!

Gjasht taborre kan mbet prej ‘i dit!

Dy mij vet kan dal komit.”[7]

 

Haxhi Elez Hoxha (1912-2005), “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Pukës, shërbimin e imamit fillimisht e filloi në qytetin e Delvinës, ku tregoi kujdes në edukimin e unitetit ndërfetar, unitetit të popullit, respektit reciprok për interes të Atdheut. Gjatë pushtimit nazifashist Haxhi Elez Hoxha, përkrahu fuqishëm njësitet partizane dhe urrejtjen ndaj pushtuese. U shqua veçanërisht në Kuvendin e Shtatë Bajrakëve të Pukës.[8] Haxhi Elez Hoxha me një oratori popullore shtroi kërkesën për forcimin e unitetit të popullit, rezistencën mbar popullore kundër pushtuesve nazifashist deri në çlirimin e Atdheut.[9]

Imam H. Elez Hoxha dha shembullin e tij të guximshëm atdhetar si qytetar dhe si imam me varrosjen e trimave: Kadri Zogu dhe Ismail Ibrahimi, Deshmorë të Atdheut, rënë në luften e Rrapës, më 2 nëntor 1944, pa u tërhequr para kërcënimeve të forcave naziste që ishin egërsuar prej humbjeve në Rrape.

Ky material është nxjerr nga arkivi i Myftinisë së rrethit të Pukës që mban datën 25.11.2012 me numër protokolli 90.[10]

 

———————-

[1] Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet Osmane 1878-1991)

[2] Cordignano, A.F. – Shqipëria nëpërmjet vepres dhe shkrimeve të një misionari, Romë, 1933. Përkthim i I. Zamputit. Dorëshkrimi ruhet në Muzeun Historik të Pukës.

[3.] Dr. Sulejman Sula, Zenel Hoxhë Mehaj, Tiranë 2005)

[4] Shërbimet fetare islame në atë kohë i mbulonte Myftinia e rrethit Pukë.

[5] Goske, përrua ne Mal të Zi.

[6] Visaret e Kombit, vll. IV. Tiranë, 1939, f. 58-59, mbledhur në Lumë, Kukës.

[7] Mbledh nga prof. Xhemal Meçi në vitin 1969.

[8] Shenim i vitit 3 tetor 1943.

[9] Dr. S. Sula, Puka vazhdimësi vlerash, Elez Hoxha-klerik atdhetar dhe democrat. Tiranë, 2008, f. 129-157)

[10] Kumtesë e vitit 2012 e mbajtur nga prof. Xhemal Meçi .

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: