Hyrje > Kosova > Gafë e pafalshme apo guxim për t’u përshëndetur i LDK-së

Gafë e pafalshme apo guxim për t’u përshëndetur i LDK-së

Ruben AVXHIU

 

GAFË E PAFALSHME APO GUXIM PËR T’U PËRSHËNDETUR I LDK-së

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Në natën e parë të fushatës zgjedhore, i ftuari i nderit ishte një nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës

Debati ka shpërthyer mbrëmë në Kosovë, nëse Lidhja Demokratike e ka nisur fushatën e saj me një gafë.
Në fakt ngjarja duhej të ishte një surprizë poztive për partinë që dikur mbizotëronte skenën politike të Kosovës. Prania e një delegati nga Partia Popullore Europiane do të nënvizonte vlerën e LDK-së si parti që meriton të qeverisë vendin e që gëzon mbështetje ndërkombëtare.
Mirëpo, mesa duket mjaftoi një kërkim i vogël në internet për të zbuluar se miku i madh i mbrëmjes së parë të fushatës ishte në fakt, një kundërshtar i vendosur i pavarësisë së Kosovës.
Mikulas Dzurinda, ish Kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Sllovakisë, ka luajtur një rol personal që Sllovakia të shprehej në mënyrë të vendosur kundër pavarësisë së Kosovës në vitin 2010.
Lajme nga vitet 2010-2012 filluan të ridërgoheshin menjëherë mes shqiptarëve të Kosovës në interenet për të kujtuar se si Dzurinda u kishte premtuar serbëve se Sllovakia nuk do ta njihte kurrë Kosovën. (Në fakt, ai e ka përgënjeshtruar median serbe, duke deklaruar se nuk ka thënë ndonjëherë fjalën “kurrë”.)
Një dokument që ka rrjedhur bashkë zbulimet e tjera të korrespondencës diplomatike amerikane nga Wikileaks dëshmon për refuzimin qysh në vitin 2007 që Mikulas Dzurinda i ka bërë idesë së pavarësisë së Kosovës. Një përpjekje e ambasadorit amerikan të kohës në Sllovaki për ta bindur në atë kohë ka dështuar. Dzurinda druhej privatisht se kjo do ta hidhte Serbinë në krahët e Rusisë.
Sllovakia mbetet edhe sot një nga pesë vendet e Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur Kosovën.
Për komentues që janë më të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës në fuqi apo edhe nga ata që përkrahin parti të tjera, vendimi për të ngjitur në tribunë një kundërshtar të pavarësisë së Kosovës është një gafë e madhe që tregon mungesë serioziteti dhe që do t’i kushtojë shumë LDK-së. Ata thonë se ishte fyese për Kosovën që prezantohen me një njeri të tillë.
Po a është gafë ky veprim i LDK-së?
Le ta gjykojmë me qetësinë e vëzhguesit që i interesojnë më shumë faktet se sa burimi i tyre. Le t’i rreshtojmë ato.

 

Refuzimi i njohjes nga Sllovakia

 

Së pari, Sllovakia nuk do ta njihte Kosovën kushdo që të ishte në pozitën e ministrit të Jashtëm. Kur Dzurinda erdhi në krye të diplomacisë sllovake në 2010, linja e Kosovës ishte përcaktuar tashmë. Pastaj, çfarë është më e rëndësishmja, njohja nga Sllovakia nuk është atribut i kryediplomatit apo i kryeministrit. Nevojitet një shumicë dashamirëse në parlament plus një president pozitiv. Në atë kohë asnjë prej të dy kushteve nuk plotësohej.

Sllovakia ka një pakicë etnike hungareze shumë aktive me probleme tradicionale në vend dhe udhëheqësit e të cilës e duartrokitën pavarësinë e Kosovës si një precedent të mundshëm për ta, duke nervozuar shumicën sllovake e cila ngurtësoi në mënyrë të jashtëzakonshme qendrimin e saj.

Ndikimi i zgjatur i Moskës, rënia e autoritetit të BE-së, debati i brendshëm me poza të panevojshme nacionaliste dhe rritja e nacionalizmit në Hungarinë fqinje kanë ndikuar të gjitha Sllovakia të mbetet pjesë e pesëshes famëkeqe anti-kosovare në BE.

Në këtë kuadër, Dzurinda nuk kishte hapësirë për manovrim ndaj nuk mund t’i lihet atij në derë faji i mosnjohjes së Kosovës nga Sllovakia, siç kanë bërë disa nga kritikët e LDK-së.

Mirëpo, nga ana tjetër, Dzurinda mund të kishte qenë më diplomatik dhe më vizionar lidhur më këtë çështje. Sepse pasi je shprehur publikisht disa herë kundër pavarësisë së Kosovës është e vështirë të rishfaqesh si një mik i saj, siç u prezantua nga LDK-ja në mbrëmjen e parë të fushatës.

 

Dzurinda pas politikës

 

Që nga deklaratat e fundit të Dzurindës deri më sot kanë kaluar të paktën dy vite. Ai nuk është më përfaqësues zyrtar i shtetit të tij dhe nuk ka më nevojë që të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës sepse tani flet nga pozita personale.

Së dyti edhe vetë Sllovakia e ka zbutur qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Në një shkrim të para një viti paraqisja argumentet nëse do të ishte Sllovakia apo Rumania vendi që do ta njihte i pari Kosovën nga pesëshja kryeneçe.
Mbi të gjitha ne i gjykojmë njerëzit nga ajo çfarë thonë sot dhe jo nga çfarë kanë thënë dikur në të tjera kohë, kushte e pozita.
Kush është Mikulas Dzurinda sot? Ish-politikani sllovak duket se është shpërblyer për qendrimet e tij shpesh pro-perëndimore me një post në një nga organizatat kërkimore të ekspertëve në Perëndim të njohur si Qendra për Studime Europiane (CES) ku ai shërben si President, si dhe në Qendrën Martens për Studime Europiane.
Në të dyja këto qendra me peshë në EPP, Kosova njihet dhe trajtohet si shtet i pavarur. Dzurinda që vepron në kontekstin e tyre nuk ka sit ë ketë një qendrim të ndryshëm, pavarësisht se cilat mund të jenë ndjenjat e tij.
Në 2008, ai përfaqësonte një institucion që nuk mund ta njihte Kosovën, sot përfaqëson një institute që e ka pranuar atë. Në fund të fundit, LDK-ja vetë është pjesë e EPP-së dhe për një parti i një vendi relativisht të vogël dhe jashtë kufijve të BE-së, sjellja në fushatë e një figure drejtuese të qendrave studimore është teknikisht një sukses.
Në analizat e fundit të botuara nga këto qendra, vizioni për Kosovën është korrekt, Qendra Martens ka rrëzuar argumentet ruse për ngajshmëri mes Kosovës dhe Krimesë duke nënvizuar se Kosova kishte arsye legjitime për shkëputje nga Serbia.
Deri diku kritikët e LDK-së e teprojnë kur e paraqesin Dzurindën të ngulur në vitin 2010. Koha kalon e njerëzit evoluojnë.
E megjithatë, një koment nga vetë Dzuirnda në Qendrën Martens për atë çfarë pritej nbga viti 2014 ndez sinjalin e alarmit.
Ndonëse nuk shprehet konkretisht pro apo kundër Kosovës, mënyra e referimit të lë dyshime. Nga Ballkani, nënvizon të parën Serbinë si një histori suksesi për të cilën thotë se do të vazhdojë të normalizojë marrëdhëniet me Prishtinën.
Kjo mund të jetë një rastësi dhe nëse ndonjë nga LDK-së do të më akuzojë për obsesion nuk do t’ia marr për keq. Por në shkrimin e teksteve të tilla ka një rregull simetrie. Nëse flet për raportet mes dy shteteve, nuk mund t’i referohesh njërit me emrin e vendit dhe tjetrin me emrin e kryeqytetit. Është Serbia dhe Kosova ose Beogradi dhe Prishtina. Serbia dhe Prishtina, në “gjuhën tonë” të medias dhe diplomacisë do të thotë që pabarazi në status. “Shkupi” është për shembull mënyra se si i referohet Greqia Maqedonisë.
Megjithatë, dy rreshta më poshtë Kosova përmendet bashkë me Shqipërinë se dy vende ku Dzurinda priste përparime.
Gjithshka pra mbetet e hapur ndaj interpretimeve sa kohë që vetë ish-politikani sllovak nuk na qartëson hapur mendimet e tij në këtë drejtim.

 

Njohjet tani drejt territoreve të panjohura

 

Megjithë hijet e dyshimit që shoqërojnë këtë zgjedhje të LDK-së (nëse ka qenë vërtet zgjedhje e saj dhe jo imponim nga EPP-së) nuk duhet të nxitohemi duke u alarmuar e fyer për ftesën ndaj Dzurindës.

Sigurisht, ata që janë me PDK-në e parti të tjera kundërshtare me LDK-në do ta dënojnë apo tallin këtë ngjarje. Në fund të fundit, jemi në fushatë zgjedhore, dorezat janë hequr dhe çdo kritikë e mundshme do të përdoret. Çudia do të ishte nëse PDK etj nuk do ta sulmonin LDK-në për këtë pikë.

Mirëpo, që të flasim esëll, Kosova herët a vonë do të ndeshet me njerëzit që e kanë refuzuar deri tani.
Dalëngadalë po plotësohen njohjet e vendeve që priteshin se do të na njihnin herët a vonë dhe po futemi në territorin e panjohur ku përkrahja amerikane nuk mjafton, ku vuajtja e popullit të Kosovës shpërfillet dhe ku interesat kombëtare të vendeve vështirësojnë njohjen e Kosovës prej tyre.
Kjo fazë nuk kalohet duke iu shmangur atyre që na kanë refuzuar deri tani. Nuk bëhet duke i denoncuar si kundërshtarë të përjetshëm njerëzit që mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.
Kosova duhet të gjejë fantazinë dhe aftësinë e duhur për të bindur vendet që nuk e kanë njohur, sidomos ato në BE. Nuk mund të pritet ndonjë mrekulli po as të dorëzohemi pas vetëm 6 vitesh përpjekje.
Sllovakia ka dhënë shenja se mund të ndryshojë. Kundërshtimi në parlament është zbutur. Një president i arsyeshëm fitoi në zgjedhjet e fundit. Afrimi me ish-politikanë dhe ish-diplomatë është një nga rrugët e afrimit.
Në këtë prizëm, përtej retorikës së fushatës dhe dyshimeve se Dzurinda vijon të jetë një kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, është pozitive që LDK e ka afruar dhe po bën një përpjekje ta angazhojë. (LDK mund të ketë vepruar thjesht për interesat e saj zgjedhore, por thelbi është po ai. Një përpjekje për afrim me ata që deri dje na kanë refuzuar.)
Në fjalën e tij të raportuar edhe nga “Illyria” dje, ish-diplomati sllovak nënkuptoi se dera për njohjen nga Sllovakia mbetet e hapur por se Kosova do ta kishte më lehtë nëse Hashim Thaçi nuk do të ishte kryeministër.
Ashtu si refuzimi nga Sllovakia nuk erdhi prej një njeriu të vetëm (Dzurinda) edhe njohja tani nuk mund të mohohet vetëm prej një njeriu (Thaçi). Vendimet e shteteve varen nga shumë faktorë, e jo nga përshtypjet personale. Por, i ftuari sllovak ishte në miting fushate dhe foli më shumë me gjuhën e fushatës sesa me atë të diplomacisë dhe arsyes.
Po nëse ka një mesazh që vërtet duhet të na mbetet në mend pas kësaj ngjarje të debatueshme është se kemi marrë një sinjal më tepër që Sllovakia e ka të hapur mundësinë e ndryshimit të qendrimit e se pesëshja e vonuar nuk është aq hermetike sesa shpreson Serbia. Të tjerat pastaj janë punë fushate.

 

Burimi: http://illyriapress.com/gafe-e-pafalshme-apo-guxim-per-tu-pershendetur-ldk-se/

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: