Hyrje > Arnautët > Të fundmit e arnautëve: pamundësia për të qenë shqiptar

Të fundmit e arnautëve: pamundësia për të qenë shqiptar

Besnik SINANI

 

TË FUNDMIT E ARNAUTËVE: PAMUNDËSIA PËR TË QENË SHQIPTAR

Besnik Sinani

Besnik Sinani

Një mbasdite pak muaj më parë, po prisja përballë një muzeumi të vogël privat të një familjeje të njohur nga Xhedah në Arabinë Saudite, që të takohesha me Mexhit Gavoçin e më pas me babain e tij, Shefqetin. Historia e familjes Gavoçi njihet gjer diku për shkak të vëllait të Shefqetit, Imam Vehbi Sulejman Gavoçit, një teolog shqiptaro-sirian që ndërroi jetë vetëm pak muaj më parë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Imam Vehbi Gavoçi ishte ndër të fundmit e një gjenerate teologësh myslimanë nga Shqipëria e para-komunizmit që përfaqsonin traditën fetare shqiptare përpara inkuzicionin komunist. Edhe pse në moshë të thyer, imam Vehbiu u angazhua në ripërtëritjen fetare në Shqipëri.

Familja Gavoçi u largua nga Shkodra në kohën kur regjimi i mbretit Zog imponoi një sërë qëndrimesh antifetare. Imam Sulejman Gavoçi – i ati i imam Vehbiut – kish shërbyer si imam në Shkodër dhe me vajtjen në Damask të Sirisë kish nisur ndërtimin e xhamisë së ‘arnautëve,’ apo shqiptarëve në lagjen që njihet edhe sot si lagjia e arnautëve. Kjo rrugë dhe xhamia në këto ditë, ashtu si pjesa më e madhe e kësaj lagjieje është rrënuar dhe shumë prej banorëve të saj të dikurshëm kanë marrë arratinë nga lufta civile që llogaritet të ketë marë jetën e gati një qind mijë sirianëve dhe miliona të tjerë janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre për vendet fqinje.

Mexhiti është miqësor e i qeshur e shpejt kërkon ndjesë që flet vetëm pak shqip. E pasoj atë me makinë drejt apartamentit të tij në një nga lagjet rezidenciale të Xhedës të njohur për kafene e restorante elegante e për dyqane ku gjenden produktet e firmave më në zë të modës dhe kozmetikës. Vetë Mexhiti ka mbi tridhjetë vjet që punon si dizenjator në Xhedah e shpejt njihem dhe me familjen e tij, të shoqen siriane, të birin që po mbaron për mjeksi dhe të bijën që sapo ka filluar studimet po për mjeksi. Por shpejt si mysafir më monopolizon Shefqeti, i cili edhe pse mbi tetëdhjetë vjeç është energjik dhe shoqëron fjalët me lëvizje të shpeshta duarsh. I lumtur që mund të flasë shqip e mund të pyes dikë për Shqipërinë, Shefqeti fillon tregon pasazhe nga historia e tij personale e mbushur me personazhe e ngjarje, midis të cilave dhe ftesa dhe takimi me Enver Hoxhën si dhe bashkpunimi i gjatë me Ahmet Zogun dhe të birin.

Shpejt pas vajtjes në Siri, Shefqeti tregon se i ati organizoi një klub të shqiptarëve dhe ai vetë filloi organizimin e një shkolle në shqip për fëmijët e shqiptarëve. Shpejt, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë largohen nga vendi dhe gjenden përballë një të ardhmeje të pasigurtë. Shefqeti kontaktohet nga të njohur të vjetër të familjes midis pasuesve të mbretit Zog në Itali, të cilët ankohen se ka qindra emigrantë në Itali që nuk kanë mbështetje e ndihmë.

Shefqeti tregon se si kish përdorur njohjet me qeveritarë sirianë me origjinë shqiptare që të siguronte ardhjen e mbi një qind familjeve shqiptare nga kampet e Italisë, ndihmë modeste financiare dhe sigurimin e një hoteli si apartamente të përkohshme për familjet që do vinin nga Italia. Midis një sërë emrash zogistësh e ballistësh ndër emigrantët, Shefqeti përmend edhe të shoqen dhe dy vajzat e Mehmet Konicës të cilat u martuan më vonë në Siri.

Qeveria siriane e njohu Shefqetin si përgjegjës për emigracionin shqiptar dhe kjo vinte me probleme. Shefqeti tregon për sherret mes shqiptarëve ku shpejt nxirreshin armët dhe ai vetë ishte përgjegjës për çdo incident përpara autoriteteve siriane. Shefqeti tregon se si i ishte dashur të ndihmonte belaxhinj e sherxhinj të arratiseshin për në Jordani apo Liban që mos burgoseshin nga autoritetet.

E pyes Shefqetin a e ka njohur Sheh Naserdin Albanin, një nga teologët më me influencë për gjithë botën islame në shekullin e XX dhe një nga figurat thelbësore të shkollës së njohur si shkolla e selefive. Shefqeti fillon e qesh duke thënë: “Hëngra një herë një thikë për shkak të Naserit.” Shefqeti tregon se ‘Naseri’ kish thënë diçka që nuk i kish pëlqyer një shqiptari tjetër e ky pa një pa dy kish nxjerrë thikën. Shefqeti ishte hedhur për t’i ndarë e kish ngrënë thikën në vend të sheh Naserit. Shefqeti më pas tregon se si i ati, Imam Vehbiu dhe i ati i sheh Naserit, Haxhi Nuhu kishin biseduar që Shefqeti të martohej me motrën e sheh Naserit. Haxhi Nuhu kish vënë si kusht që Shefqeti, i cili sapo kishte mbaruar studimet në universitetin më prestigjioz të studimeve islame të Ezherit në Kajro, të tregohej më fetar, të rriste mjekrën dhe të sillej dhe më fetarisht. Duket se këto kërkesa nuk i kishin shkuar shumë për shtat Shefqetit dhe martesa nuk u bë kurrë. Shefqeti shton, gjithsesi, faktin e mirënjohur se Sheh Naserdin Albani u prish me te atin. Haxhi Nuhu ishte një hanefi tradicionalist që e shihte selefizmin si herezi dhe nuk u dakordua kurrë me të birin.

Angazhimi në fatin e emigrantëve shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore i solli Shefqetit mirënjohjen e mbretit Zog, i cili gjatë qëndrimit në Egjipt e ftoi në oborrin e tij dhe e dekoroi kolonel. Lidhja me mbretin Zog e më shumë me të birin do vazhdonte për shumë vjet, por do sillte edhe vëmendjen e regjimit të Tiranës. Diku nga fillimi i viteve ’50, qeveria e Tiranës vendos të marë pjesë në një ekspozitë tregtare në Damask. Mallrat që do ekspozoheshin mbetën në Liban të bllokuara në doganë dhe udhëtimi rrezikohej të dështonte. Shefqeti tregon peripecitë e ndërhyrjet që të ndihmonte delegacionin shqiptar. E pyes Shefqetin se pse ndihmoi përfaqsuesit e një regjimi ndaj të cilit i ati klerik ishte tërësisht kundra? Shefqeti përgjigjet disi i habitur: ‘por ata ishin shqiptarë’.

Duket që kontaktet e Shefqetit me delegacionin shqiptar, ndihma e tij më vonë në nisjen e aktivitetit të ambasadës shqiptare në Kajro e sigurisht roli i tij në emigracioin shqiptar solli vëmendjen e më pas një ftesë nga Tirana zyrtare. Shefqeti – në atë kohë punonjës në Postën Siriane – trembet dhe nuk di ç’të presë. Në Tiranë e pret në fakt një kushëri, Fadil Paçrami dhe e njofton se do takohet me Enver Hoxhën. Përpara se të takohej me Enver Hoxhën u takua dhe me Ramiz Alinë. Ndër të tjera Enver Hoxha i ofron mbështetje e miqësinë personale dhe Shefqeti përfiton nga rasti për të kërkuar që një nga djemtë e tij të shkojë të studiojë në Shqipëri. Kjo ishte përpjekja e Shefqetit që edhe fëmijët e tij të mbajnë lidhjet me Shqipërinë. Djali i tij përfundoi studimet për mjeksi e tashmë është mjek në Suedi.

Në fakt historia e familjes së tij mbart fatin e mirënjohur të diasporave. Një tjetër djalë është inxhinjer në zonën naftë-mbajtëse të Arabisë Saudite, një tjetër djalë është mjek në Shtetet e Bashkuara e një vajzë ka mbetur në Siri. Tashmë që jeton me Mexhitin në Xhedah. Shefqeti ankohet për përpjekjen e tij tërë jetën për të mbajtur lidhjet me vendin e tij që sot i mohon shtetësinë shqitpare.

Vitin e kaluar Shefqeti shkoi në Shqipëri për të vizituar Shkodrën, ishte takuar dhe me Leka Zogun e kish shkuar dhe në zyrat e Ministrisë së Brendshme për të kërkuar pashaportë shqitpare. Edhe pse Shefqeti ka lindur në Shqipëri dhe ende ka pashaportën nga koha e mbretërisë, shteti shqiptar nuk i njeh të drejtën e pashaportës shqiptare. Sipas një ligji nga koha e diktaturës, një qytetar që ka qëndruar më shumë se dhjetë vjet jashtë Shqipërisë humbet të drejtën e shtetësisë. Shefqeti i ka shkruar edhe presidentit Nishani e i ka kërkuar të ndërhyjë me shpresë se mund të vizitojë edhe një herë Shqipërinë – jo si turist – por si qytetar shqiptar, por gjer më sot ai nuk ka dëgjuar asnjë përgjigje. Në ambasadën shqiptare në Kajro i kanë thënë se do e ndjekin rastin e tij, por gjer më sot për Shefqetin, me gjithë vitet e angazhimit në diasporën shqiptare, ka qenë e pamundur të jetë qytetar shqiptar.

U largova nga Gavoçët duke premtuar se do i vizitoja përsëri përpara se të largohesha nga Xhedah, premtim që nuk kam mundur ta mbaj, por me Shefqetin kam folur sërishmi në telefon dhe si përherë ai flet shpejt si të ketë frikë se nuk do ketë kohë të thotë gjithë sa ka për të thënë. Herën e fundit më tha që po memorizonte poezitë që ka shkruar pasi fletoret i kanë mbetur në Damask. Flet në pak kohë për brengat e të sotmes, luftën në Siri, kujtimet e personazhet nga e kaluara dhe brengën e tij, pamundësinë për t’u njohur si shqiptar. Shefqeti është një prej të fundmve të arnautëve, një bashkësi e shqiptarëve të mbetur pezull në kufijtë e perandorive, historisë e politikës.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: