Hyrje > Vilajetet shqiptare > Aq sa ka krahët Shqiponja, katër janë vilajetet tona

Aq sa ka krahët Shqiponja, katër janë vilajetet tona

Prof. dr. Eshref YMERI

 

“AQ SA KA KRAHËT SHQIPONJA, KATËR JANË VILAJETET TONA”

Lefter Çipa

Eshref Ymeri

Eshref Ymeri

Në një njoftim të faqes internetike të gazetës “Panorama” me titull “Presidenca greke: Himara, Vorio Epir”, të botuar më 18 tetor 2014, lexova këtë informacion:

“Njoftim në faqen zyrtare të Presidencës greke për takimin e Papuliasit me një qytetare nga Himara. Presidenti priti 81-vjeçaren Pringu nga Himara e Vorio Epirit”.

Nga ky informacion mësohet, gjithashtu, se Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, i ka kërkuar ambasadorit grek Rokanas heqjen e termit Vorio Epir nga faqja e Presidencës greke, pasi “ky term nuk është koncept politiko-administrativ në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që përdoret rëndomë në qarqe antishqiptare, të cilat, në kuadër të pretendimeve territoriale, identifikojnë me këtë term Shqipërinë e Jugut”. Por rezulton se termi Vorio Epir nuk është lëvizur nga faqja zyrtare e Presidencës greke.

Është për të vënë duart në kokë që Tirana zyrtare, gjatë gjithë këtyre viteve të pluralizmit politik, vazhdon të përdorë shprehjen “qarqe antishqiptare”, një shprehje kjo e shpëlarë që i ka dalë boja me kohë e me vakt dhe që dëshmon për mjerimin politik ku shteti ynë e ka katandisur veten në sytë e opinionit publik mbarëshqiptar.

Si është e mundur që Tirana zyrtare të deklarojë për qarqe antishqiptare, kur duket sheshit, ditën për diell, që në këtë mes kemi të bëjmë jo me “qarqe antishqiptare”, por me politikë zyrtare greke, të kristalizuar, kundër Republikës së Shqipërisë. Presidenti Papulias është President i Republikës Greke dhe shprehet botërisht në faqen zyrtare të Presidencës greke se Himara është tokë greke. Të njëjtën gjë e ka pas deklaruar para disa vjetësh edhe paraardhësi i tij Stefanopulos:

“A mund të lejojmë që në Himarën greke… dhe në Korçën vllaho-greke të mos ketë shkolla greke..?” (Gazeta “Republika”. 25 shtator 2005, f. 8).

Unë mendoj se përgjigjja që duhet t’i jepet jo vetëm Presidentit Papulias, por edhe kishës shoviniste greke, Kryeministrit grek, parlamentit grek dhe mbarë politikës shoviniste grekokaragjoze, është fare e thjeshtë:

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, në sallën e pritjeve solemne dhe në kabinetin e vet, prapa kolltukut të tij, të varë në mur hartën e Shqipërisë Etnike.

Kryeministri Edi Rama, në sallën e pritjeve solemne dhe në kabinetin e vet, prapa kolltukut të tij, të varë në mur hartën e Shqipërisë Etnike.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, në sallën e Kuvendit, në sfondin prapa kolltukut të tij, pranë flamurit kombëtar, të varë edhe hartën e Shqipërisë Etnike.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha, në sallën e madhe të selisë së Partisë Demokratike, në murin prapa kolltukut të tij, të varë hartën e Shqipërisë Etnike.

Dhe në të katra hartat, të shkruhen përsipër tyre, me shkronja ari, dy vargjet e mësipërme lapidare të një strofe nga një poezi e poetit mitik Lefter Çipa, e këtij zëri të fuqishëm të Labërisë dhe të mbarë shqiptarisë që kërkon ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të vetëm, me një stemë dhe me një flamur.

Këto katër figura kryesore të politikës së sotme shqiptare, le ta varin hartën e Shqipërisë Etnike dhe të mos u trembet syri hiç, se kanë me vete mbarë popullin shqiptar të të gjitha trevave etnike, kanë me vete rininë mbarëshqiptare, që e përfaqësuan aq denjësisht futbollistët tanë trima, të cilët, me aq burrëri shqiptare, morën në mbrojtje flamurin e Shqipërisë Etnike në mes të bishave fashiste serbogreke në stadiumin e Beogradit.

Jam i bindur që këta katër kryepolitikanë shqiptarë janë burra të vendosur, prandaj, përballë aleancës së ndërkryer sllavogreke kundër etnisë shqiptare, siç u demonstrua më 14 tetor 2014 në Beograd, kanë rastin ta tregojnë vendosmërinë e tyre që të lënë emër në histori.

 

San Diego, Kaliforni

21 tetor 2014

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: