Hyrje > Globalizmi > Rruga e demokracisë drejt tiranisë

Rruga e demokracisë drejt tiranisë

Erik von Kuehnelt-Leddihn

 

RRUGA E DEMOKRACISË DREJT TIRANISË

Erik von Kuehnelt-Leddihn

Erik von Kuehnelt-Leddihn

Platoni, në veprën e tij Republika, na tregon se tirania ngrihet, si sundim, nga demokracia. Historikisht, ky proces ka ndodhur në tri mënyra mjaft të ndryshme. Përpara se të përshkruajmë disa modele të ndryshimit social, le të shpallim saktësisht çfarë nënkuptojmë me “demokraci”.
Kur peshon pyetjen “Kush duhet të sundojë”, demokrati përgjigjet: “shumica e qytetarëve të barabartë politikisht, drejtpërdrejt ose përmes përfaqësuesve të tyre.” Me fjalë të tjera, barazia dhe sundimi i shumicës janë dy parimet themelore të demokracisë. Një demokraci mund të jetë liberale ose joliberale.
Liberalizmi i vërtetë është përgjigjia për një pyetje tërësisht të ndryshme: si duhet të ushtrohet qeverisja? Përgjigjia që ai jep është: pavarësisht se kush sundon, qeverisja duhet të realizohet në mënyrë të atillë që çdo person të gëzojë shkallën më të lartë të lirisë, të përputhshme me të mirën e përbashkët. Kjo nënkupton se monarkia absolute mund të jetë liberale (por zor se mund të jetë demokratike) dhe demokracia mund të jetë totalitare, joliberale dhe tiranike, me një shumicë që përndjek brutalisht pakicat. (Sigurisht, po e përdorim termin “liberal” në versionin e pranuar botërisht dhe jo në kuptimin amerikan, i cili, që nga New Deal është pervertuar totalisht).
Po si mund të shndërrohet demokracia, qoftë edhe ajo që fillimisht është liberale, në një tirani totalitare? Siç thamë në fillim, ka tri rrugë për t’iu qasur, dhe në secilin rast evolucioni mund të jetë i një natyre “organike”. Tirania mund të evoluojë edhe nga vetë karakteri i një demokracie liberale, sepse, që në krye të herës, molla ka një krimb: liria dhe barazia nuk pleksen dot bashkë, por praktikisht përjashtojnë njëra-tjetrën. Barazia nuk ekziston në natyrë, ndaj mund të vendoset vetëm me forcë. Kush dëshiron barazi gjeografike, duhet të minojë male dhe të mbushë lugina. Për të ngritur një gardh uniform, duhet të krasisësh me gërshërë të mëdha. Për të arritur nivele arsimore të barabitura në shkollë, duhet të shtrosh disa student në detyra të vështira, ndërsa të tjerët t’i frenosh.
Rruga e parë drejt tiranisë totalitare (dhe, pa dyshim, ajo që përdoret më shpesh) është rrëzimi me forcë e një demokracie liberale përmes një lëvizjeje revolucionare, si rregull nga njëra parti që mbron tiraninë por nuk është në gjendje të fitojë mbështetjen e nevojshme në zgjedhje të lira. Skena për këtë dhunë ngrihet nëse partitë përfaqësojnë filozofi kaq të ndryshme saqë është e pamundur të bëhet kompromis dhe dialog. Clausewitz ka thënë që luftërat janë vazhdim i diplomacisë me mjete të tjera, dhe në kombet e ndarë ideologjikisht, revolucionet janë njëmend vazhdim i parlamentarizmit me mjete të tjera. Rezultati është sundimi absolut i njërës “parti” e cila, edhe pasi ka siguruar kontrollin e plotë, mund të vazhdojë ta quajë veten parti, duke iu referuar të shkuarës së saj parlamentare, kur vazhdonte të ishte thjesht pjesë e kuvendit.
Një rast tipik është Tetori i Kuq i 1917-ës. Krahu Bolshevik i Partisë Social Demokrate të Punëtorëve në Rusi, nuk mund t’i fitonte zgjedhjet në Republikën Ruse të Alexander Kerenskit dhe, për këtë arsye, bëri grush shteti me ndihmën ushtrie dhe flote të mundur dhe plaçkitëse, e në këtë mënyrë vendosi një tirani të fortë socialiste. Shumë demokraci liberale janë gërryer nga konflikti partiak në atë shkallë sa organizatat revolucionare mund të marrin pushtetin dhe shpeshherë qytetaria, për njëfarë kohe, duket e lumtur që ai kaos mori fund. Në Itali, Marcia su Roma e fashistëve i bëri ata sundues të vendit. Musolini, një socialist i vjetër, pati mësuar teknikën e pushtimit politik nga miqtë tij të Internacionales Socialiste dhe, jo befasisht, Italia Fashiste qe fuqia e dytë europiane, pas Britanisë laburiste (dhe shumë më herët se Shtetet e Bashkuara) që njohu regjimin sovjetik.
Rruga e dytë drejt tiranisë totalitare janë “zgjedhjet e lira”. Mund të ndodhë që partia totalitare me popullaritet të madh të fitojë një momentum dhe kaq shumë vota saqë të bëhet ligjërisht dhe demokratikisht zot i vendit. Kjo ndodhi në Gjermaninë e 1932-shit, kur jo më pak se 60% e elektoratit votoi për despotizmin totalitar: për çdo dy nacional-socialistë kishte një socialist internacionalist në formën e komunistit marksist, dhe një tjetër në formën e njëfarë social-demokrati më pak marksist. Në këto rrethana demokracia liberale qe dënuar me vdekje, qëkur nuk kishte më shumicë në Rajhshtag. Ky zhvillim mund të ishte ndalur vetëm nga një diktaturë ushtarake (siç parashikonte Gjenerali von Schleicher, i cili më vonë u vra nga nazistët) ose përmes restaurimit të dinastisë së Hohenzollernsve (siç planifikohej nga Brfining). Por, brenda kuadrit demokratik dhe kushtetues, nacional-socialistët ishin gati për të fituar.
Por si ia dolën nazistët të fitojnë në këtë mënyrë? Përgjigjia është e thjeshtë: duke qenë një lëvizje masive që përpiqej të fitonte një shumicë parlamentare, ata përjashtuan minoritetet jopopullore (sa më pak, aq më mirë) dhe pastaj grumbulluan mbështetje popullore kundër tyre. Partia Nacional-Socialiste e Punëtorëve ishte “një lëvizje popullore bazuar në shkencë ekzakte” (fjalët e Hitlerit), që luftonte kundër pakicës së urryer: hebrenjve, fisnikërisë, të pasurve, klerit, artistëve modernë, “intelektualëve”, kategori që shpeshherë mbivendoseshin, dhe përfundimisht kundër të sëmurëve mendorë dhe ciganëve. Nacional-socializmi ishte “revolta e ligjshme” e njeriut të zakonshëm kundër atij të pazakonshëm, e “popullit” (Volk) kundër të privilegjuarve dhe, për pasojë, grupeve të urryera dhe zilepsura. Kujtoni që Lenini, Musolini dhe Hitleri i quanin “demokratike” sundimet e tyre – demokratiya po novomu, democrazia organizzata, deutsche Demokratie – por asnjëherë nuk guxuan t’i quajnë “liberale” në kuptimin mbarëbotëror (jo-amerikan).
Carl Schmitt, në vitin e 93-të të jetës, e analizoi këtë evolucion në një ese të njohur me titull “The Legal World Revolution”: ky lloj revolucioni – Revolucioni Gjerman i 1933-shit – ndodh thjesht përmes votës dhe mund të ndodhë në çdo vend ku një parti që aspiron sundim totalitar fiton një shumicë absolute ose relative dhe merr, kështu, qeverinë “demokratikisht”. Platoni bënte një përshkrim të kësaj procedure që përputhet, me përpikmërinë e një fotokopjeje, me tranzicionin kushtetues në Gjermani: është “udhëheqësi popullor” i cili vë në zemër interesin e “njeriut të thjeshtë”, të “qytetarit të zakonshëm” kundër të pasurit tinëzar. Ai brohoritet gjerësisht nga të shumtët dhe ndërton një truprojë vetëm që të mbroje veten dhe, sigurisht, interesin e “popullit”.
Në emër të Popullit
Mendoni pak për SA-t dhe SS-t e Hitlerit dhe rreth prirjes për të përdorur parashtesën Volk (popull) kudo që ishte e mundur: Volkswagen (makina popullore), Volksempfginger (radiostacioni popullor), das gesunde Volksempfinden (ndjenjat e shëndetshme popullore), Volksgericht (gjykata e ligjit popullor ose drejtësia popullore). Nuk është nevoja të themi se kjo politikë verbale vazhdon në “Republikën Demokratike të Gjermanisë” ku gjejmë “Polici Popullore”, “Ushtri Popullore”, ndërsa shtetet satelite të Moskës quhen “Demokraci Popullore”.
E gjithë kjo lë të kuptohet se në kohët e hershme vetëm elitat kishin një shans për të qeverisur dhe se tani, më në fund, njeriu i zakonshëm është zot i fatit të tij i aftë të gëzojë gjërat e mira në jetë. Ka pak rëndësi se realitetet janë mjaft ndryshe. Një zyrtar shumë i lartë sovjetik i tha kohët e fundit një princi europian: “Etërit tuaj shfrytëzonin popullin, duke pretenduar se ata qeverisnin me Hirin e Zotit, por ne po ia dalim më mirë se kaq, ne shfrytëzojmë popullin në emër të popullit.”
Pastaj është rruga e tretë në të cilën një demokraci shndërrohet në një tirani totalitare. Analisti i parë politik që e parashikoi këtë lloj – gjer atëherë të paprovuar evolucioni – qe Alexis de Tocqueville. Ai vizatoi një panoramë të saktë dhe të frikshme të Shtetit Furnizues (të quajtur gabimisht Shteti i Mirëqenies) në vëllimin e dytë të veprës së tij Demokracia në Amerikë, botuar në vitin 1835. Ai fliste gjatë rreth një forme tiranie, të cilën thjesht mund ta përshkruante, por jo ta emërtonte, sepse nuk kishte precedent historik. Pa dyshim, u deshën disa breza derisa vizioni i Tocqueville-it të bëhej realitet.
Ai parashikonte një qeveri demokratike në të cilën pothuaj të gjitha çështjet njerëzore duhet të rregullohen nga një qeveri e butë, e “dhimbsur” por e vendosur, nën të cilën qytetarët do të ushtronin kërkimin e lumturisë si “kafshë të trembura”, duke humbur gjithë iniciativën dhe lirinë. Perandorët romakë, thoshte ai, mund të drejtonin zemërimin e tyre ndaj individëve, por kontrolli i të gjitha formave të jetës as nuk llogaritej nën sundimin e tyre. Duhet të shtojmë se në kohën e Tocqueville-it, teknologjia për një mbikqyrje dhe rregullacion të tillë nuk ishte zhvilluar mjaftueshëm. Kompjuteri nuk ishte shpikur akoma dhe, kësisoj, paralajmërimet e tij gjetën pak jehonë në shekullin e kaluar.
Tocqueville, një legjitimist dhe liberal i njëmendtë, pati shkuar në Amerikë jo vetëm sepse ishte i shqetësuar nga kahjet në Shtetet e Bashkuara, por gjithaq për shkak të fitores elektorale të Andrew Jackson, demokratit të parë në Shtëpinë e Bardhë dhe njeriut që futi sistemin jashtëzakonisht demokratik të patronazhit (emërimit të mbështetësve të partisë dhe njerëzve të saj në administratë), një ftesë ashiqare për korrupsion. Etërit Themelues, siç e ka theksuar Charles Beard, e urrenin demokracinë më shumë se Mëkatin Origjinal. Por tashmë një ideologji frënge, shumë familjare vetëm për Tocqueville-in kishte nisur të pushtonte Amerikën.
Ky zhvillim ndjellakeq joshi aristokratin francez në Botën e Re, ku ai dëshironte të vrojtonte përparimin global të “demokratizmit”, në opinionin e tij dhe ashtu siç ai kishte frikë, i vendosur për të depërtuar kudo dhe për të përfunduar o në anarki, o në Tiraninë e Re – të cilës ai i drejtohej si “despotizëm demokratik”. Rruga drejt anarkisë është më e mundshme të rroket nga europiano-jugorët dhe amerikano-jugorët (dhe ajo zakonisht përfundon në diktatura ushtarake me qëllim që të parandalohet shpërbërja totale), ndërsa kombet veriore, ndërsa ruajnë të gjitha format demokratike, priren të fundosen në burokraci totalitare të mirëqenies. Mungesa e një filozofie politike të përbashkët favorizon më shumë zhvillimin e revolucioneve të menjëhershme në Jug, ku luftërat civile priren të jenë “vazhdimi i parlamentarizmit me mjete të tjera (dhe më të dhunshme)”, ndërsa Veriu i jepet më shumë proceseve evolutive, drejt një rritjeje zvarritëse të skllavërisë dhe reduktim të lirisë dhe iniciativës personale. Ky proces mund të jetë shumë më paralizues sesa thjesht një diktaturë personale, ushtarake apo tjetërsoj, pa një karakter ideologjik dhe totalitar. Regjimet e Franco-s dhe Salazar-it dhe disa qeveri autoritare të Amerikës Latine, të zbutura tërësej gjatë viteve, janë shembuj të mirë për këtë.
Kërrusja Drejt Robërisë
Tocqueville nuk na tregoi tamam si do të ndodhte ndryshimi gradual drejt robërisë totalitare. Por 150 vite më parë ai nuk mund të parashikonte se skena parlamentare do të prodhonte dy tipe kryesore partish: partitë Babagjysh (Santa Claus), kryesisht nga e Majta dhe partitë Shtrëngo-Rripin, pak a shumë në të Djathtë. Partitë Babagjysh, me dhurata për shumicën, normalisht marrin nga disa njerëz për t’u dhënë të tjerëve: ata operojnë me bujarira, po të përdorim termin e John Adams. Socializmi, nacional apo internacional qoftë, do të veprojë në emër të “drejtësisë shpërndarëse”, si edhe “drejtësisë sociale” dhe “progresit”, dhe do të fitojë popullaritet në këtë mënyrë. Në fund të fundit, Babagjyshin nuk e vrisni dot. Si pasojë, këto parti normalisht i fitojnë zgjedhjet dhe politikanët që përdorin sloganet e tyre janë votëmbledhës efikasë.
Partitë Shtrëngo-Rripin, nëse papritur fitojnë pushtetin, përgjithësisht veprojnë në mënyrë më të matur, por rrallë ndodh që ato të kenë kurajon të zhbëjnë politikat e partive Babagjysh. Masat votuese, që të shumtën e rasteve favorizojnë partitë Babagjysh, do të tërhiqnin mbështetjen e tyre nëse partitë Shtrëngo-Rripin do të vepronin në mënyrë radikale dhe me konsistencë. Dorëshpuarit janë zakonisht më popullorë se kërnacët. Në fakt, partitë Babagjysh rrallëherë humbasin, por ngandonjëherë ato mundin veten duke nxjerrë kandidatë të pashpresë apo duke shkaktuar trazira politike ose katastrofa ekonomike.
Një Shën Nikolla i politizuar është një brigadier i pamëshirshëm. Dhuratat nuk mund të shpërndahen pa sistemim burokratik, regjistrim dhe disiplinim të të gjithë vendit. Fije të panumërta lidhen pas dhuratave të përfituara nga “lart”. Shteti ndërhyn në të gjitha sferat e ekzistencës njerëzore – edukim, shëndetësi, transport, komunikimi, argëtim, ushqim, tregëti, industri, bujqësi, ndërtim, punësim, trashëgimi, jetë sociale, lindje dhe vdekje.
Kjo ndërhyrje në shkallë të gjerë ka dy aspekte: etatizmin (shtetizmin) dhe egalitarizmin (barazinë), të cilat në thelb janë të lidhura, sepse që të disiplinosh shoqërinë në mënyrë të përsosur, duhet t’i reduktosh njerëzit në një nivel identik. Kështu, një “shoqëri pa klasa” bëhet qëllimi i vërtetë dhe çdo lloj diskriminimi duhet të marrë fund. Por, diskriminimi është në thelb të jetës së lirë, sepse liria e vullnetit dhe zgjedhjes është karakteristikë e njeriut dhe personalitetit të tij. Nëse unë martohem me Bess-in në vend të Jean-it, është e qartë se unë diskriminoj Jean-in. Nëse marr në punë Dr. Nishiyama-n si mësues të japonishtes në vend të Dr. O’Hanrahan, diskriminoj këtë të fundit, e kështu me radhë. (Nuk duhet të befasohemi nëse një shtëpi operistike refuzon një këngëtare bambuti 120 cm të gjatë për të luajtur rolin e Siegriedin Wagner, “skena” akuzohet për racizëm!)
Në fakt, ka vetëm diskriminim të drejtë ose të padrejtë. Sakaq, demokracia egalitariste mbetet e paepur në politikën e saj totalitare. Argëtimi popullor i demokracisë moderne të ndëshkimit të të zellshmëve dhe të begatëve dhe shpërblimit të përtacëve, të shkujdesurve dhe dorëshpuarve, kultivohet përmes shtetit, si përmbushje e një programi demo-egalitar mbështetur në ideologjinë demo-totalitare.
Tirania demokratike, që zhvillohet tinëzisht si një kalbëzim i ngadaltë dhe i padukshëm që çon në kontrollin total nga Shteti, është kësisoj rruga e tretë dhe, pa dyshim, më e rralla drejt formës më moderne të skllavërisë.

 

Përkthimi nga gjuha angleze: Vehap Kola

Kategori: Globalizmi Etiketa: , ,
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: