Kreu > Orientalizma > Adaptimet fonetike të arabizmave në gjuhën shqipe

Adaptimet fonetike të arabizmave në gjuhën shqipe

Dr. Mehdi POLISI

 

ADAPTIMET FONETIKE TË ARABIZMAVE NË GJUHËN SHQIPE

Dr. Mehdi Polisi

Dr. Mehdi Polisi

Ndikimi i gjuhës arabe te gjuhët e tjera të botës, prandaj edhe në gjuhën shqipe si gjuhë ballkanike, qoftë ai i drejtpërdrejtë, qoftë ai i tërthortë, mund të thuhet se ka qenë i madh praj kohësh. Sa për shkaqet e një ndikimi të tillë, mund të thuhet se ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë gjuhësore dhe jashtëgjuhësore. Lidhur me këtë, mjafton të shkëpusim një mendim të gjuhëtarit të mirënjohur, Eduard Sapirit, i cili ndër të tjera thotë: «Janë vetëm pesë gjuhë, që kanë pasur rëndësi të gjithëmbarshme si bartës të kulturës. Ato janë kinezishtja klasike, sanskritishtja, arabishtja, greqishtja dhe latinishtja.» Ndikimi i arabishtes në gjuhët e tjera hetohet edhe sot. Lidhjet dhe kontaktet gjithnjë e më të mëdha me Botën Arabe, pozita ekonomike dhe rrethanat politike të saj, pa dyshim, japin shkas edhe për ndikime të reja.

Huazimet arabe në gjuhët ballkanike, e edhe në gjuhën shqipe, e cila bën pjesë në familjen e gjuhëve të Ballkanit, kanë hyrë në mënyra të ndrys¬hme. Sado që pjesa dërrmuese e tyre ka hyrë me anë të turqishtes gjatë peri¬udhës së shtrirjes dhe vendosjes së Perandorisë Osmane në viset ballkanike, megjithatë, nuk mund të përjashtohet mundësia se një pjesë e ty¬re ka hyrë edhe në mënyrë të drejtpër¬drejtë, natyrisht, nga ata që e kanë ditur arabishten, e siç dihet të tillë ka pasur mjaft, aq më tepër kur dihet se arabishtja është gjuhë themelore e Fesë Islame. Këtu, kryesisht është fjala për terminologjinë fetare – islame, e cila, ose nuk ka pasur mundësi të shpjegohet ndryshe, ose nuk është ditur të shpjegohet. Ndërkaq, një numër i konsiderueshëm i tyre, ka hyrë me anë të gjuhëve evropiane (gjermanishtes, anglishtes, frëngjishtes, italishtes etj.), të cilat gjatë mesjetës kanë pranuar shumë fjalë arabe, veçanërisht nga fusha e shkencës”.
Sa i përket shtrirjes së arabizmave në disa gjuhë të tjera, konkretisht në gjuhën boshnjake – serbokroate, mjafton të mbështetemi te vepra e mirënjohur e A. Shkaliqit “Turcizmi…”, ku numri i përgjithshëm i turqizmave (turqizma të mirëfilltë, arabizma, persizma, etj.) që kap një numër prej 8742 fjalë (dhe shprehje) me 6878 fjalë me kuptime të ndryshme, më se gjysma janë të burimit arab . Hiç më ndryshe nuk është gjendja edhe në gjuhën shqipe. Numri kaq i madh i arabizmave, vetvetiu ndjell interesimin për t’i studiuar. Përveç kë¬saj, arabishtja është e një familjeje tje¬tër të gjuhëve (gjuhë semite), me tipare të ndryshme nga gjuhët ballkanike, na¬tyrisht edhe nga shqipja.

Interesimi për studimin e arabizmave (në veçanti) në disa gjuhë ka qenë më i madh se në gjuhën shqipe. Kështu, për shembull në gjuhën boshnjake-serbokroate, lidhur me këta janë bërë një varg studimesh e diskutimesh, thuajse në të gjitha nivelet gjuhësore. Disa prej tyre i kemi për¬mendur në këtë punim. Ndërsa, sa i përket arabizmave të gjuhës shqipe, ato janë zënë ngoje vetëm në kuadër të tur¬qizmave në përgjithësi. Për këto arsye dhe, meqë arabishtja përmban në vete karakteristika të veçanta gjuhësore, e pashë të udhës që arabizmave të gjuhës shqipe, pavarësisht rrugën dhe mëny¬rën e hyrjes së tyre, t’u qasem në mëny¬rë të veçantë, në këtë rast vetëm nga pikëpamja fonetike. Që të mund të shihen më për së afërmi adaptimet fonetike të arabizma¬ve, këtu po përmendim vetëm disa nga veçoritë e gjuhës arabe.
Gjuha arabe, si gjuhë semite, krahas mjaft ngjashmërive me gjuhë të tjera, ka dhe shumë mospajtime në të gjitha fushat gjuhësore, si: fonetike, morfo¬logjike, sintaksore etj., por shumë më tepër në sistemin e shkrimit (në siste¬min grafik).
Sistemi fonologjik i gjuhës arabe ës¬htë sistem tipik konsonant (bashkëtingëllor) i gjuhëve semite, me serinë e veçantë të konso¬nanteve emfatike, faringale dhe laringa¬le ; shkruhet nga e djathta në të majtë; nuk ka shkronja të veçanta të mëdha dhe të vogla; nuk shkruhen zanoret e shkurtra; për të shënuar bashkëtingël¬loret e dyfishuara (gjeminatet), dukuri mjaft e pranishme në gjuhën arabe, vë në përdorim shenjën ( ّ ) «teshdid», d.m.th, “shenjën përforcuese”, e cila ven¬dohet mbi bashkëtingëlloren përkatëse; për të shënuar zanoret e gjata vë në përdorim bashkëtingëlloret و = w (v), ی = j dhe ا = elif për të cilat do të bëhet fjalë më poshtë etj..

Këto karakteristika të gjuhës arabe, nuk i kanë gjuhët që shkruhen me shkrim latin, prandaj edhe gjuha shqipe. Për këtë arsye, fjalët arabe që kanë hyrë dhe vazhdojnë të hyjnë në cilëndo nga këto gjuhë, nuk hyjnë me shqiptime tingullore dhe trajta grafike të gjuhës arabe, por janë përshtatur dhe përshtaten sipas natyrës fonetike dhe grafike të gjuhës përkatë¬se, d.m.th. fonemat artikulohen dhe shkruhen sipas natyrës së gjuhës në të cilën hyjnë, kurse për t’i shënuar fonemat specifike arabe, siç do t’i shihet në vazhdim, herë-herë përdoren edhe mjete të tjera ndihmëse (kombinimi i fo¬nemave, shenja diakritike etj.). Të shë¬nuarit e tingujve të të folurit në mënyrë të hollësishme, duke përdorur shenja të veçanta, në shkencë quhet transkriptim. (FGJSSH -Fjalori i gjuhës së sotme shqipe f. 2014).
Çështja e transkriptimit të shkrimit arab
Duke shfletuar librin “Arapsko pis¬mo” të dijetarit të mirënjohur boshnjak nga fusha e arabistikës, Teufik Muftiqit, të botuar nga ana e Institutit të Orientalistikës të Sarajevës (Sarajevë, 1982), në faqet 246 – 252, gjetëm një varg transkriptimesh të shkrimit arab për nevoja shkencore. Nga këto, sistemi i transkriptimit ZDMG , siç thuhet këtu ka gjetur më shumë përkrahës. Për arsye krahasimi, këtë sistem të transkriptimit po e japim në tërësi:

ء (ا) – ’ ب – b ت – t ث – ṯ ج – ğ ح – ḥ
خ – ḫ د – d ذ – ḏ ر – r ز – z س – s
ش – š ص – ṣ ض- ḍ ط – ṭ ظ – ẓ ع -‘
غ – ġ ف – f ق – q ك – k ل – l م – m
ن – n ھ – h و – w ی – y

Ky lloj transkriptimi, pa asnjë ndryshim, përdoret te boshnjakët dhe në gjuhën serbokroate që nga numri i parë i revistës ‘Prilozi za Orjentalnu Filologiju’. Arsyet për përdorimin e këtij transkriptimi ata i kishin gjetur në faktin se ky lloj transkriptimi i ishte përgjigjur natyrës së drejtshkrimit të gjuhës së tyre.
I njëjti transkriptim përdoret edhe në gjuhën shqipe (e hasim p.sh. të Fjalori i fjalëve dhe shprehjeve të huaja, të hartuar nga M. Ndrecaj. Autori i këtij fjalori për t’i shkruar fjalët (ose siç thotë: tekstet) turke, arabe, persiane me shkrim latin është mbështetur te transkriptimi i Institutit të Orientalistikës të Sarajevës, të cilin e përdor A. Shkaliqi në «Turcizmi u srpskohrvatskom jeziku » dhe I. Smailoviqi në : «Muslimanska imena orientalnog porijekla u Bosni i Hercegovini» .

Lidhur me përdorimin e këtij transkriptimi në gjuhën shqipe, duke u mbështetur në disa gjuhë të tjera, unë kam shfaq disa rezerva, por para së gjithash të shohim si qëndron puna në ato gjuhë. Në të vërtetë, në të shumtën e rasteve, edhe gjuhët e tjera përdorin të njëjtin transkriptim, por çështja është e diskutueshme te disa bashkëtingëllore specifike arabe. T’i shohim:
Turqishtja largohet nga sistemi i transkriptimit ZDMG në këto raste:
ث – ʂ ج – c ذ – ẕ
ش – ş ض – ż ق – ḳ
و – v

Anglishtja largohet nga sistemi i transkriptimit të shënuar më lartë në këto raste:
ث – th ج – j خ – kh
ذ – dh ش – sh غ – gh
ق – ḳ

Edhe frëngjishtja i largohet sistemit ZDMG, por për dallim nga anglishtja, shkronjat dyshe i nënvizon me një vizë, që të tregojë se shprehin një fonemë të vetme arabe. Pra:
ث – th ج – dj خ – kh
ذ – dh ش – sh غ – gh
ق – ḳ

Pra, siç shihet nga kjo pasqyrë, bashkëtingëlloret arabe transkriptohen sipas sistemit grafik të përdorur aktualisht në gjuhët përkatëse. Prandaj, me të drejtë shtrohet pyetja: Pse të mos jetë edhe në gjuhën shqipe kështu, pasi edhe gjuha jonë ka sistemin e vet fonetik dhe grafik, bile ka fonema që disa gjuhë nuk i kanë. Pse të mos transkriptojmë bashkëtingëlloren ثme th, e cila shqiptohet njësoj në të dy gjuhët, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën arabe (turqishtja dhe sllavishtja nuk e kanë këtë mundësi, meqë nuk e kanë këtë tingull); pse të mos transkriptohet ج me xh (krahaso transkriptimin e saj në: turqisht, anglisht, frëngjisht); pse jo ذ me dh (turqishtja dhe sllavishtja nuk e kanë këtë tingull, prandaj duhet të gjejnë mënyra të tjera); pse jo ش me sh (krahaso dhe turqisht, anglisht, frëngjisht). Pastaj, nuk mund të shkojmë sipas sistemit ZDMG edhe për këto arsye: po të transkriptojmë ق me q, do të ngatërrohej me q-në palatale të gjuhës sonë, prandaj mendoj se më mire është të transkriptohet ق – ḳ (krahaso : turqisht, anglisht, frëngjisht); po të transkriptojmë ی me y, do të ngatërrohej me zanoren y të gjuhës sonë, prandaj mendoj të transkriptohet ی me j. Ndërkaq, bashkëtingëlloren ح për dallim nga sistemi ZDMG, do ta transkriptojmë me h , (pra me një vizë poshtë), kurse bashkëtingëlloren خ me ḥ me një pike poshtë që të na kujtojë se edhe në arabishten ka pikë. Bashkëtingëlloret e tjera arabe mendoj se mund të transkriptohen sipas sistemit të transkriptimit të përmendur më lartë.
Vlen të theksohet se transkriptimi shkencor duhet të përdoret në shkencë, në studime e artikuj të ndryshëm shkencorë, në fjalorët etimologjikë e të ngjashme, me qëllim që të tregohen sa më besnikërisht fonemat arabe dhe me këtë të shihet qartë etimologjia e fjalës arabe. Këtë e them për arsye se kur fjalët arabe i shkruajmë me alfabetin latin, shpesh na paraqiten fjalë homonimike, sepse, për shembull, për shkronjën shqipe h, arabishtja përdor tri bashkëtingëllore h, të cilat në atë gjuhë janë të ndryshme, ose për s-në, d-në, dh-në, t-në etj. përdor nga dy a nga tri shkronja të ndryshme (shih dhe krahaso me kujdes tabelën e sipërshënuar). Dhe, pikërisht, këtu qëndron pesha dhe rëndësia e transkriptimit shkencor të shkrimit arab me shkrimin e sotëm të shqipes. Ndërkaq, për nevoja të përditshme: gazeta, radio, televizion etj, mendoj se nuk duhet, e as që mundet të përdoret e të zbatohet teknikisht ky lloj transkriptimi, por, megjithatë, edhe këtu duhet të jemi të vëmendshëm që fonemat arabe t’i shqiptojmë sipas ekuivalentëve (barasvlerësve) më të afërt të gjuhës sonë, ose sipas ndikimit të gjuhëve ndërmjetësuese, nëse edhe këto janë në përputhshmëri me kriteret fonetike të gjuhës shqipe.

Vlen të theksohet edhe një herë se çështja e transkriptimit shkencor është një çështje me rëndësi të posaçme, prandaj është e domosdoshme që çdonjëri të japë ndihmesën e vet me qëllim që të kemi një transkriptim të njësuar në gjuhën shqipe për fonemat arabe, sidomos për fonemat specifike arabe, apo të gjuhëve semite në përgjithësi.
Në tabelën vijuese, krahas transkriptimit shkencor (sipas vërejtjeve dhe propozimeve tona) do të japim edhe transkriptimin për nevoja praktike, ashtu siç përdoren fjalët në përdorim të përditshëm.
Tabela
Transkriptimi i bashkëtingëlloreve arabe
Shkronjat arabe Emri i shkronjave Transkriptimi shkencor Transkriptimi praktik
ء (ا) hȁmzȁ ’ a, e, i
ب bȃ b b
ت tȃ t t
ث thȃ th s
ج xhim xh xh
ح hȃ ḫ h
خ hȃ ḥ h
د dȃl d d
ذ dhȃl dh z
ر rȃ r r
ز zȃ z z
س sȋn s s
ش shȋn sh sh
ص sâd ṣ s
ض dâd ḍ d
ط tȃ ṭ t
ظ zȃ ẓ z
ع ajn ، –
غ gajn Ġ g
ف fȃ f f
ق kȃf ḳ k
ك kef k k
ل lȃm l l
م mim m m
ن nǔn n n
و wâw w v
ھ hâ h h
ی jâ j j

Transkriptimi i zanoreve arabe
Zanoret e gjata
Shkrimi arab Transkriptimi shkencor Transkriptimi praktik
ﺎَ ȃ a
ﯘ û u
ﯽِ ȋ i

Zanoret e shkurtra
Shkrimi arab Transkriptimi shkencor Transkriptimi praktik
َ a, e a, e
ُ u u
ِ i i

Duke u mbështetur në tërë atë që u tha më lartë, mund të themi se gjuha arabe, e kemi fjalën pikërisht për gjuhën letrare arabe, me përbërjen e saj tingullore, veçanërisht me bashkëtingëlloret e saj, krahas shumë ngjashmërive, ka edhe mjaft mospërputhje me gjuhën shqipe.

Nga njëzet e tetë bashkëtingëllore sa i ka arabishtja (shih tabelën), njëmbëdhjetë sosh nuk i ka gjuha shqipe që, sipas mendimit tim, mund të merret si mospërputhje e madhe në mes këtyre dy gjuhëve nga ana fonetike. Nga ana tjetër arabishtja, përballë shqipes (që i ka shtatë zanore), ka vetëm tri zanore, të cilat janë të shkurtra dhe të gjata (zanoret e shkurtra dhe zanoret e gjata në gjuhën arabe kanë vlerë dalluese).

Nga kjo mospërputhje tingullore në mes këtyre dy gjuhëve, kuptohet vetvetiu se fjalët e huazuara arabe (arabizmat) të gjuhën shqipe, përkatësisht tingujt e saj, i janë përshtatur fonetikisht natyrës së gjuhës sonë. Natyrisht, ndryshime (adaptime) të rëndësishme kanë pësuar tingujt që nuk i ka gjuha jonë, por jo vetëm ata, sepse edhe disa tinguj të ngjashëm nuk e kanë ruajtur shqiptimin e tyre, zakonisht kur arabizmat kanë hyrë përmes ndonjë gjuhe tjetër si gjuhë ndërmjetësuese (më së shumti turqishtes). Edhe arabizmat që kanë hyrë me anë të gjuhëve ndërmjetësuese nuk kanë mundur të qëndrojnë si të tilla. Pra, sipas kësaj, arabizmat e gjuhës sonë, respektivisht, pjesa dërrmuese e tyre, kanë pësuar ndryshime të dyfishta, së pari në gjuhën ndërmjetësuese, pastaj në gjuhën shqipe, si p.sh. ar. kitâb > turq. kitap (b- ja fundore kthehet në p) > shq. qitap (përveç ndryshimit të b-së në p, edhe k-ja palatalizohet në q).
Përgjithësisht, adaptimet fonetike të huazimeve janë dukuri gjuhësore që zakonisht paraqiten në forma dhe në mënyra të ndryshme, si p.sh. me zëvendësimin e fonemave të gjuhës dhënëse me fonema të gjuhës marrëse, me ndërrimin e vendit të theksit, asimilimin, disimilimin, rënien ose shtesën e ndonjë foneme në pozicione të ndryshme, etj. Në vazhdim do të përpiqemi t’i japim ndryshimet fonetike të huazimeve në fjale, kryesisht ato më të rëndësishme. Së pari do t’i japim trajtat origjinale të arabizmave (të transkriptuara); trajtat e tyre në gjuhën ndërmjetësuese (në turqishte me shkrimin latin që përdoret në gjuhën e sotme turke) dhe përdorimin e tyre në gjuhën shqipe.

Adaptimet e bashkëtingëlloreve të njëjta ose të përafërta
Duke pasur parasysh se bashkëtingëlloret e poshtëshënuara janë të njëjta ose të përafërta, nuk do të ndalemi në shpjegimin e nyjëtimit të tyre..

ب – b: Është bashkëtingëllore okluzive dybuzore e zëshme . Në arabizmat e gjuhës shqipe e bartim me b, si p.sh ar. binâ’ > tur. bina> shq. bina “ndërtesë, godinë”; ar. bereket(un)> tur. bereket > shq. bereqet “prodhim” ; ar. haber> tur. haber> shq. habar “lajm” etj.. Në pozicion në fund të fjalës, bashkëtingëllorja b, kthehet në okluziven dybuzore të pazëshme p (p-në nuk e ka gjuha letrare arabe), si p.sh. ar.sebeb > tur. sebep > shq. sebep “shkak”; ar ḫisâb > tur. hesap> shq. hesap “llogari”; ar. xhewâb> tur. cevap >shq. xhevap “përgjigje” etj. Ndryshimi i b-së në p në fund të fjalës në turqishte është dukuri e rëndomtë meqë b-ja nuk mund të qëndrojë në fund të fjalës .
Një grup i arabizmave të gjuhës shqipe, të cilët në gjuhën dhënëse e kanë grupin e bashkëtingëlloreve bd, në gjuhën shqipe përdoren me dy trajta, me bd, dhe vd, pra, duke ndryshuar b-në në v, si p.sh ar. abdal > tur. abdal, aptal > shq. abdall dhe avdall (FGJSSH); ar. tebdil > tur. tevdil (FJB) dhe tebdil ( FGJSSH) etj. E njëjta gjë ndodh edhe te një numër emrash të përveçëm njerëzish (antroponime) të burimit arab; ar. ‘abdi > tur. Abdi shq. Abdi dhe Avdi; ar. ‘Abdullah > turq. Abdullah >shq. Abdullah dhe Avdulla etj. Përdorimi i trajtës me bd te ky grup i fjalëve të huazuara mund të konsiderohet një ndikim i drejtpërdrejt, qoftë i gjuhës arabe apo i gjuhës turke, zakonisht nga ata që kanë qenë ose që janë më afër këtyre gjuhëve. Ndërkaq, ndryshimi i bashkëtingëllores dybuzore b në buzore-dhëmboren v, si duket, duhet të jetë një ndikim i bashkëtingëllores d, kur gjendet pas saj, meqë d-ja dhe v-ja kanë element të përbashkët dhëmborësinë. Ky lloj alternimi i përket alternimit kombinator .
ت – t: Është bashkëtingëllore okluzive dhëmbore e shurdhët. Në arabizmat e gjuhës shqipe e bartim me t, si p.sh ar tamâm > tur. tamam > shq. tamam; ar tekrâr > tur. tekrar > shq. tekrar “përsëri”; ar. kâtib > tur. kâtip > shq. qatip “shkrues, sekretar” etj.

ث – th: Është bashkëtingëllore frikative ndërdhëmbore e shurdhët. Sado që gjuha shqipe e ka këtë bashkëtingëllore, në arabizmat e gjuhës tonë, nuk shqiptohet si e tillë, por kryesisht zëvendësohet me s (pa dyshim ndikimi i turqishtes), p.sh ar. thikle(tun) > tur. siklet > shq. siklet “mundim, vuajtje”; ar. thewâb > tur. sevap > shq. sevap; ar. temthîl > tur. temsil > shq. temsil “alegori” etj. Kjo dukuri hetohet edhe tek emrat e përveçëm të njerëzve që janë të burimit arab, për shembull: ar. Thâbit > tur. Sabit > shq. Sabit; ar. Uthmân > tur. Osman > shq. Osman etj. Ndërrimi i th-së në s ndodh edhe në disa të folme dialektore arabe . Këtë dukuri gjuhësore e kam vënë re edhe vetë gjatë qëndrimit tim në Siri. Kështu sirianët (kuptohet në të folmen popullore) shqiptonin ba‘s ( gazetë e përditshme e Sirisë) në vend ba‘th..
Vlen të thuhet se bashkëtingëllorja th e arabishtes në terminologjinë islame të gjuhës shqipe e ka ruajtur shqiptimin e saj. Kështu, p.sh krahas trajtës hadis përdoret edhe hadith (hadithet e Muhamedit), pa dyshim ndikim i drejtpërdrejtë nga arabishtja, nga ata që e njohin këtë gjuhë, ar hadîth. Trajta hadis është ndikim nga turqishtja.
ج – xh: Është bashkëtingëllore para-qiellzore e shurdhët. Në arabizmat e gjuhës shqipe e bartim me xh: ar. xhâhil > tur. cahil > shq. xhahil “injorant”, “i paditur”; ar. xhewâb > tur. sevap > shq. xhevap; ar derexhe > tur. derece > shq. derexhe “gradë, shkallë”etj. Bashkëtingëllorja xh, në fund të fjalës, rregullisht, nën ndikimin e turqishtes kthehet në ç, meqë xh-ja (tur. c) në fjalët burimore turke nuk vjen ne fund të fjalës si p.sh. ar. ilâxh > tur. ilaç> shq. ilaç etj.
د – d: Është bashkëtingëllore okluzive dhëmbore e zëshme. E bartim me d, si p.sh. ar. ders > tur. ders > shq. ders; ar. dukkân > tur. dukkan > shq. dyqan; ar. ‘adet(un) > tur. âdet > shq. adet “zakon”, “traditë”etj. Edhe kjo bashkëtingëllore, në arabizmat e gjuhës shqipe nuk vjen në fund të fjalës, por ia lëshon vendin t-së ar. inâd > tur. inat > shq. inat; ar. hudûd > tur. hudut > shq. hudut. etj.

Ndërrimi d/t në fund të fjalës është plotësisht në pajtueshmëri me rregullat fonetike të gjuhës turke, meqë d-ja në këtë gjuhë nuk vjen në pozicion fundor. Mirëpo, në gjuhën shqipe herë-herë d-ja edhe në pozicion fundor ruhet si e tillë, kështu krahas: hudut kemi hudud, pastaj, Ahmed dhe Ahmet, Muhamed (Muhamet), Mahmut (dhe Mahmud) etj..
Gjykuar sipas këtyre shembujve, që përdoren në dy mënyra, na thotë mendja se këto fjalë do të kenë depërtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, në njërën anë dhe në mënyrë të tërthortë (me anë të turqishtes), nga ana tjetër.
ذ -dh: Është bashkëtingëllore frikative ndërdhëmbore e zëshme. Kësaj bashkëtingëlloreje i përgjigjet bashkëtingëllorja dh e gjuhës shqipe. Megjithatë, tek arabizmat e gjuhës shqipe në asnjë rast nuk e hasim si të tillë, por të zëvendësuar me ndonjë bashkëtingëllore tjetër, varësisht se përmes cilës gjuhë kanë hyrë ato. Kështu, p.sh. tek arabizmat që kanë hyrë përmes turqishtes, kryesisht zëvendësohet me z: ar. Ledhdhet(un) > tur. lezet > shq. lezet; ar. dhahîre(tun) > tur. zahire > shq. zahire; ar. idhn > tur. izin (i- ja e dytë është tingull epentetik, dukuri e shpeshtë tek arabizmat e turqishtes) > shq. izën, izë “leje” etj. Po e njëjta gjë hetohet edhe tek emrat e njerëzve që rrjedhin nga arabishtja: ar. Dhihni > tur. Zihni > shq. Zihni; ar. Dhekir > tur. Zekir > shq. Zeqir etj.

Ndërrimi dh/z tek arabizmat që kanë hyrë në gjuhën tonë me anë të turqishtes, kur kihet parasysh fakti se turqishtja nuk e ka këtë tingull në sistemin e saj tingullor, mund të konsiderohet i natyrshëm.
Ndërkaq, te huazimet arabe, që kanë hyrë përmes gjuhëve të tjera, ka raste ku ذ dh-ja reflektohet në t, si p.sh. ar. Lâdhikijje (qytet në Siri), të cilin në mjetet tona të informimit e dëgjojmë dhe e lexojmë Lataki. Në disa të folme dialektore arabe, dh-ja ka prirje të shqiptohet si z ; prandaj nuk është për t’u çuditur kur edhe tek arabët dëgjoheet Lizikijje në vend të Ladhikijje.
ر -r: Është bashkëtingëllore e njëjtë me r-në e gjuhës shqipe: ar. Rahmet(un) > tur. Rahmet > shq. rahmet; ar. Musâfir > tur. Misafir > shq. mysafir; ar. nûr > shq. nur.
ز -z: I përgjigjet bashkëtingëllorja z të gjuhës shqipe, prandaj në arabizmat e gjuhës shqipe e shënojmë me z: ar. zekkât> tur. zekât > shq. zeqat; ar. wezîr > tur. vezir> shq. vezir, etj.
س -s: Eshtë identike me bashkëtingëlloren s të gjuhës shqipe. Në huazimet arabe e bartim me s: ar. sewdâ’ > tur. sevda > shq. sevda; ar. hasret(un) > tur. hasret > shq. hasret; ar. selâmet(un) > tur. selamet > shq. selamet etj.
ش -sh: Meqë është e njëjtë me sh-në e gjuhës shqipe, në huazimet arabe e bartim me sh: ar. shubhe > tur. şüphe > shq. shybe “dyshim”; ar. ishâret(un) > tur. işaret> shq. isharet etj.
ف -f: Eshtë bashkëtingëllore frikative buzore-dhëmbore e pazëshme. Në arabizmat e gjuhës shqipe e bartim me f: ar. fikr > tur. fikir > shq. fiqir “mendje, intelekt”; ar. fukarâ’ > tur. fukara> shq. fukara etj.
ك -k: Edhe pse kjo bashkëtingëllore për nga shqiptimi i përgjigjet k-së së gjuhës shqipe, në arabizmat e gjuhës tonë, përveç që përdoret si e tillë, në të shumtën e rasteve zëvendësohet me palatalen q: ar. ‘asker > tur. asker > shq. asqer; ar. kitâb > tur. kitap > shq. qitap; ar. kirâ’ > tur. kira > shq. qira, etj.
Ndryshimi i k-së në q ndodh edhe tek emrat e përveçëm të njerëzve që rrjedhin nga gjuha arabe: ar. Shewket > shq. Shefqet (tur. Şevket); ar. Kerim > shq. Qerim (tur. Kerim); ar. Bekir > shq. Beqir (tur. Bekir) etj. Ndërrimi k>gj te fjala e gurrës arabe nikah > tur. nikah> shq. nigjah, trajtë që e shënon FGJSSH, f.1265, sipas mendimit tim, është plotësisht i padrejtë. Në të gjitha të folmet shqipe të gegërishtes e gjejmë trajtën më të drejtë niqah, me ndërrim të k-së palatale në q.
ل – l: Është bashkëtingëllore qiellzore e zëshme. Në huazimet arabe të gjuhës shqipe, në të shumtën e rasteve zëvendësohet me l, e në disa raste edhe me l1 (këtë të dytën nuk e ka arabishtja, përveç te emri Allah). Ja disa shembuj: ar. lâzim > tur. lâzım > shq. lazëm, ar. ilâxh > tur. ilaç > shq. ilaç; ewlâd > tur. evlat > shq. evlat; ar. kabûl > tur. kabul > shq. kabull etj..
م – m: Është bashkëtingëllore hundore (nazale) dybuzore e zëshme. E bartim me m, si p.sh. ar. ma‘rifet(un) > tur. marifet > shq. marifet, ar. mekteb > tur. mektep > shq. mektep, mejtep, mitep; ar. temâm > tur. tamam > shq. tamam etj.
ن – n: Paraqet një bashkëtingëllore hundore të zëshme. E transkriptojmë me n, si p. sh. ar. nasîhat(un) > tur. nasihat > shq. nasihat; ar. inâd > tur. inat > shq. inat, etj.
ھ – h: Është bashkëtingëllore frikative laringale e shurdhët. Kjo bashkëtingëllore, për nga shqiptimi është më e afërt me bashkëtingëlloren h të gjuhës shqipe, prandaj edhe e shënojmë si të tillë: ar. xhâhil > tur. cahil > shq. xhahil, ar. xhehenem > tur. cehenem > shq. xhehnem etj.
ی – j: Në grupin e bashkëtingëlloreve të afërta të arabishtes dhe shqipes, është edhe bashkëtingëlloren (ی ), të cilën e transkritojmë me j. Eshtë pra, bashkëtingëllore frikative prapa-qiellzore e zëshme. Ja disa shembuj: ar. jetîm > turq. yetim > shq. jetim; ar. vilâjet(un) > tur. vilayet > shq. vilajet, etj.. Karakteristikë e saj në arabizmat e gjuhës shqipe është rënia e saj në pozicion fundor, p.sh. ar. muftijj > tur. müftü > shq. myfti etj..

Adaptimi i bashkëtingëlloreve specifike arabe

Nga bashkëtingëlloret arabe që nuk i ka sistemi bashkëtingëllor i gjuhës shqipe janë këto që do t’i trajtojmë më poshtë. Është vështirë të përshkruhet në mënyrë të saktë mënyra e shqiptimit të tyre pa ndihmën e mjeteve teknike përkatëse, mirëpo duke u mbështetur në literaturë dhe në përvojën time, kam shpresë se do të mund të japim një pasqyrë të mënyrës së shqiptimit të tyre. T’i shohim këto bashkëtingëllore:
ء – ‘ (hemze): Paraqet një bashkëtingëllore okluzive grykore të shurdhët. Shqiptohet në këtë mënyrë: tejzat e zërit bashkohen në thellësi të fytit, e pastaj nën shtypjen e rrymës së ajrit, shpejt ndahen. Kështu vjen deri te pëlcitja (eksplozioni). Kjo bashkëtingëllore arabe, jo që nuk ka ekuivalent në gjuhën shqipe, por as që ka ndonjë tingull që do të mund t’i afrohej shqiptimit të saj. Për shkak të natyrës së saj specifike, në arabizmat e gjuhës shqipe (edhe në arabizmat e gjuhës turke) as nuk shqiptohet e as nuk shkruhet. Shqiptohet vetëm zanorja që qëndron pas saj. Meqë nuk ka madje as një tingull të përafërt me të, ne e transkriptojmë me shenjën ( ’ ) si p.sh. ar. ’imâm > tur. imam > shq. imam, ar. mas’sele > tur. mesele shq. mesele; ar. sewdâ’ > tur. sevda > shq. sevda “dashuri” etj. Siç vërehet nga këta tre shembuj, bashkëtingëllorja në fjalë mund të qëndroj në fillim, në mes dhe në fund të fjalës arabe.
ح – ḫ: Është bashkëtingëllore frikative (shtegore) faringale e shurdhët. Gjatë shqiptimit të saj, goja hapet vetëm pak, pjesa e prapme e gjuhës i afrohet qiellzës së fortë (të prapme) deri në atë masë që ajri të ketë mundësi të dalë jashtë në mënyrë shumë të lehtë. Meqë nuk ka barasvlerës, në arabizmat e gjuhës shqipe zëvendësohet me h, si p. sh.: ar. ḫikâje(tun) > tur. hikâye > shq. hiqaje, ar. hakk > tur. hak > shq. hak, ar. nasîhat(un) > tur. nasihat > shq. nasihat “këshillë”, “sugjerim”etj.
خ – ḥ: Paraqet një bashkëtingëllore frikative prapa-qiellzore të shurdhët. Kur shqiptojmë këtë tingull, gjuha tërhiqet prapa, pjesa e prapme e gjuhës i afrohet qiellzës së fortë, e pastaj në mënyrë energjike shqiptojmë h. Gjatë shqiptimit të saj hetohet një grithje. Tingull përafërsisht të njëjtë me këtë ka gjermanishtja te fjala p. sh. achtung . Në arabizmat e gjuhës shqipe e bartim me h, si p.sh.: ar. ḥidmet(un) > tur. hizmet > shq. hyzmet, himet; ar. haber > tur. haber > shq. haber, ar. mahluk > tur. mahluk > shq. mahluk etj.
Ndërkaq, te huazimet, që kanë hyrë me anë të gjuhëve evropiane, kemi një refleks tjetër të saj, ku rëndomë zëvendësohet me k, si p. sh. ar. halife > shq. kalif, prej kësaj kemi ar. hilafet(un) > shq. kalifat, ar Hajjam > shq. Kajam (më drejtë Hajam), pastaj, në shtypin tonë të përditshëm hasim «Akbar el jom» (gazetë e përditshme e Kajros), e cila në arabishte shqiptohet “Ahbar el jewm”, mendoj se më drejt do të ishte të përdoret në shtypin tonë Ahbar el jevm». Ka edhe raste të tjera. Për zëvendësimin h/k si duket ka ndikuar transkriptimi anglez (خ – kh, shih tabelen e trankriptimeve) prej të cilit kemi marrë vetëm elementin e parë. Kjo është një dëshmi se fjalët arabe i kemi marrë edhe me anë të gjuhëve evropiane, sepse po të kishin hyrë me anë të turqishtes gjithsesi do t’i kishin format me h.
ص – ṣ : Është një bashkëtingëllore frikative emfatike alveolare e shurdhët. Artikulohet në këtë mënyrë: pjesa e prapme e gjuhës është e ngritur dhe e shtrënguar në qiellzën e butë dhe e ngushton daljen e ajrit, kurse maja e gjuhës e mbështetur në pjesën e brendshme të dhëmbëve të poshtëm. Kur shqiptohet ky tingull krijohet një zhurmë. Artikulimi emfatik i tingujve është një karakteristikë e gjuhëve semite . Në arabizmat e gjuhës shqipe e bartim me s, si p.sh. ar. ṣabr > tur. sabır >shq. sabër; ar. kassab > tur. kasap > shq. kasap; ar. mahsus > tur. mahsus > shq. mahsus, etj.
ض -ḍ: Bashkëtingëllore okluzive emfatike alveolare e zëshme. Shqiptohet kur pjesa e brendshme e gjuhës shtrëngohet fort në qiellzën e butë, kurse maja e gjuhës i prek dhëmbët e sipërm dhe në mënyrë të shpejt shqiptojmë d. Është pra, bashkëtingëllore emfatike pëlcitëse (eksplozive). Në arabizmat e gjuhës shqipe zëvendësohet me d,.si p. sh. ar. Fadil > shq. Fadil, ar. Ramadan > tur. Ramadan > shq. Ramadan etj. dhe me z (ndikim i turqishtes): ar. fard >tur. farz > shq. farz, ar.gadab > tur. gazep > shq. gazep, etj.
ط – ṭ: Paraqet një bashkëtingëllore okluzive emfatike të shurdhët. Gjatë shqiptimit të kësaj bashkëtingëlloreje, aparati i të folurit është i vendosur sikur shqiptojmë ( ض -ḍ ) me dallim se maja e gjuhës lëshohet drejt dhëmbëve të poshtëm. Në huazimet arabe të gjuhës tonë e bartim me t: ar. ṭabiat(un) > tur. tabiat > shq. tabiat; ar. watan > tur. vatan > shq. vatan.
Bashlëtingëllorja ṭ gjithnjë zëvendësohet me d (ndikim i turqishtes) te fjalët: ar. kata’if > tur. kadaif > shq. kadaif; ar. katife > tur. kadife > shq, kadife.
ظ – ẓ: Është bashkëtingëllore frikative ndërdhëmbore e zëshme. Shqiptohet si dhe bashkëtingëllorja dh e shqipes, me dallim se shpina e gjuhës ngrihet, si dhe te emfatiket e tjera të zëna ngoje më lart, te qiellza e butë dhe e ngushton zonën ku del ajri. Është tingull eksploziv. Nën ndikimin e turqishtes, kjo bashkëtingëllore në arabizmat e shqipes gjithnjë paraqietet si z: ar. ẓulm > tur. zülüm > shq. zullum, ar. hâfidh > tur. hafiz, shq. hafëz; ar. nizâm > tur. nizam > shq. nizam, etj..
ع – ‘ (ajn): Paraqet një bashkëtingëllore okluzive grykore të thellë. Gjatë shqiptimit të kësaj bashkëtingëlloreje muskujt e fytit janë të mbledhur dhe të shtrënguar fort, e pastaj menjëherë lirohen. Edhe në arabishten vështirë shqiptohet pa u përcjellë me zanore. Në arabizmat e gjuhës shqipe dhe në të turqishtes as nuk shqiptohet as nuk shënohet. Ja disa shembuj: ar. ‘asker > tur. asker > shq. asqer; ar. wâki‘> tur. vaki > shq. vaki, ar. ma‘rifet > tur. marifet > shq. marifet etj. Pra, shqiptohet dhe shënohet vetëm zanorja që e përcjell. Gjendet në të gjitha pozicionet: në fillim, në mes dhe në tund të fjalës.
غ – g: Është bashkëtingëllore frikative velare, e zëshme. Gjatë artikulimit të saj, aparati i të folurit është vendosur si për tingullin (خ – ḫ ) vetëm se shqiptojmë g. Ekuivalent më i afër i saj është bashkëtingëllorja g dhe në arabizmat e gjuhës tonë e bartim me g, si p. sh. ar. gajret(un) > tur. gajret > shq. gajret, ar. râgib > tur. Ragip > shq. Ragip, etj.
ق – ḳ: Paraqet një okluzive velare të pazëshme. Vendi i shqiptimit të këtij tingulli është në pjesën e prapme të gojës. Artikulohet kur pjesa e prapme e gjuhës mbështetet në qiellzën e fortë, e për të dalë ajri, gjuha menjëherë largohet. Pra, është një bashkëtingëllore eksplozive. Në arabizmat e gjuhës shqipe e bartim me k, si p. sh. ar. kuwwet(un) > tur. kuvet > shq. kuvet, ar. wakt(un) > tur. vakit > shq. vakët, vakt; ar, zukak > tur. sokak > shq. sokak etj.
Në disa raste grupi i bashkëtingëlloreve kb, në gjuhën shqipe na jep gb, si p.sh. ar. makbûl > shq. magbull, ar. ikbâl > shq. igball (tur. makbul, ikbal). Ky ndërrim fonetik i përket asimilimit të pjesshëm, ku k-ja e shurdhër kthehet në g të zëshme nën ndikimin e b~së, po ashtu të zëshme. Në arabizmat e gjuhës shqipe nuk ndodh që bashkëtingëllorja (ق – ḳ) të palatalizohet (qiellzorizohet) në q, siç ndodh me velaren (ﻚ- k).
و – w: Është bashkëtingëllore dybuzore e zëshme. Shqiptohet njësoj si tingulli w i gjuhës angleze. Meqë është shumë e afërt me bashkëtingëlloren v, në arabizmat e gjuhës shqipe e bartim me v, si p.sh. ar. vezir > tur. vezir > shq. vezir, ar. watan > tur. vatan > shq. vatan, ar. takvim > tur. takvim > shq. takvim, etj.
Dukuritë e tjera fonetike të bashkëtingëlloreve arabe
Nga dukuritë e tjera fonetike të bashkëtingëlloreve arabe, këtu do të marrim në shqyrtim vetëm çështjen e rënies së bashkëtingëlloreve, meqë kjo është dukuri që paraqitet në mbarë gjuhën shqipe (edhe në gjuhën letrare edhe në gjuhën e folur). d.m.th. nuk është çështje dialektore ose e karakterit individual.

Rënia e bashkëtingëlloreve

Nga bashkëtingëlloret, që përgjithësisht kanë rënë në arabizmat e gjuhës shqipe janë, siç thamë edhe më lart, bashkëtingëlloret (ﺀ -’ (hemze) dhe ع- ‘ (ajn). Kjo nuk do komentim, meqë këta tinguj për gjuhën shqipe janë të huaj, nuk kanë ekuivalent, madje shqiptohet në atë mënyrë që në shqipen nuk ka ndonjë tingull që së paku në shqiptim do t’u afrohej këtyre. Ja disa shembuj të rënies së bashkëtingëllores: ﺀ (hemze) në fillim, në mes dhe në fund të fjalës; ar. ’ewlâd > tur. evlat > shq. evlat, ar.’insân > tur. insan > shq. insan, ar. ’esnâf > tur. esnaf, > shq. esnaf, ar. su’âl > tur. sual > shq. sual; ar. mes’ele > tur. mesele > shq. mesele; ar. binâ’ > tur. bina > shq. binâ’, ar. rixhâ’ > tur. rica > shq. rixha etj.
Shembuj të rënies së bashkëtingëllores ع – ‘ (ajn) në fillim, në mes dhe në fund të fjalës: ar. ‘axhele > tur. acele > shq. axhele, ar. ‘inâd > tur. inat > shq. inat; ar. bid‘at > tur. bidat > shq. bidat.
n > ¢ : Bashketlngellorja n gjithnjë bie kur është në përbërje të nyjes së pashquar un (nuk shqiptohet edhe në gjuhën arabe në pauz), si p.sh, ar. kitâb(un) > tur. kitap > shq. qitap, ar. dukkan(un) > tur. dukkan > shq. dyqan, ar. ders(un) > tur. ders, etj.
t > ¢: Bashkëtingëllorja t me të cilën në gjuhën arabe shprehet gjinia femërore (natyrisht kur është në fund të fjalës) herë përdoret e herë nuk përdoret. Sheumbuj të rënies së saj: ar. sene(tun) > tur. sene > shq. sene, ar. derexhe(tun) > tur. derece > shq. derexhe, ar. medrese(tun) > tur. medrese > shq. medrese etj. Ja edhe disa shembuj, ku bashkëtingëllorja t nuk bie: ar. bereket(un) > tur. bereket > shq. bereqet, ar. ‘âde(tun) > tur. âdet > shq. adet; ar. kuwwet(un) > tur. kuvet > shq. kuvet etj. Vlen të thuhet se t-ja nuk shqiptohet në arabishte ne pauz.
Sikurse shihet nga shembujt e sipërm, bashkëtingëllorja t, te kjo kategori fjalësh, paraqitet mjaft e paqëndrueshme. Nga një analizë që u kemi bërë arabizmave të gjuhës shqipe, kemi konstatuar se kjo bashkëtingëllore bie tek ato fjalë që kanë rënë edhe në turqishten.
Bashkëtingëlloret e dyfishuara (geminatet) në gjuhën arabe janë një dukuri shumë e shpeshte dhe kane funksion dallues. Fjalët arabe me të hyrë në gjuhën shqipe, këto bashkëtingëllore të dyfishuara rregullisht i thjeshtësojnë në një të vetme. Parimisht, në këto raste kemi rënie të të gjitha bashkëtingëlloreve. Sa për ilustrim po marrim vetëm disa prej tyre: ar. hammâl > tur. hamal > shq. hamall, ar. amma > tur. am(m)a > shq. ama “por“ ar. serrâsh > tur. saraç > shq. saraç “lëkurëpunues”; ar. lëdhdhet(un) > tur. lezet > shq. lezet, ar. kassab > tur. kasap > shq. kasap, ar. hakk > tur. hak > ahq. hak, etj..
Rastet që janë të karakterit dialektor dhe individual nuk i kemi marrë në shqyrtim.

Zanoret dhe adaptimi i tyre

Gjuha letrare arabe i ka tri zanore të shkurtra ose më mirë të themi i ka tri shenja me të cilat shprehen zanoret e shkurtra, të cilat në të shumtën e rasteve nuk shkruhen dhe tri zanore të gjata, të cilat edhe shkruhen edhe shqiptohen. Ato janë: â, î, û. Zanoret e gjata dhe zanoret e shkurtra në gjuhën arabe kanë vlerë dalluese. Ndërkaq, në krahasim me gjuhën arabe, gjuha letrare shqipe i ka shtatë zanore (a, ë, e, o, i, u, y) Pra, sa janë të njëjta këto dy gjuhë në këtë çështje, flasin vetë numrat. Këtu, së pari do t’i trajtojmë zanoret e shkurtra, meqë dalin me një natyrë më të komplikuar se zanoret e gjata.
Zanoret e shkurtra
Shenja (َ – ) realizohet si a dhe si e. Vihet mbi bashkëtingëllore dhe quhet fetha. Shenja e shënuar këtu, kur vihet mbi bashkëtingëlloret emfatike ṣ (ص), ḍ (ض), ṭ (ط), ẓ (ظ); mbi bashkëtingëlloret grykore h (ح), g ( غ), k (ق); mbi faringalen ḥ (خ) dhe mbi laringalen ‘ (ajn) (ع), gjithnjë realizohet si a. Ndërkaq, në të gjitha rastet e tjera realizohet si e. Shqiptimi dhe shkrimi i fethas si a , përveç në rastet kur qëndron mbi bashkëtingëlloret që sapo i përmendëm, është plotësisht në kundërshtim me rregullat fonetike të gjuhës arabe. Nuk ka arab që do ta shqiptonte, për shembull, foljen arabe ketebe në formën kataba. Prandaj, fethan, po ritheksoj, gjithsesi duhet transkriptuar në arabizmat e gjuhës shqipe si a dhe si e, sipas shpjegimeve të dhëna më sipër. Së këndejmi, edhe nyjën shquese arabe duhet shqiptuar dhe duhet shkruar me shkrimin tonë me el, e kurrsesi me al (sepse l-ja nuk është as bashkëtingëllore emfatike, e as bashkëtingëllore e fortë – grykore). Edhe për këtë jam shumë i vendosur, natyrisht, duke u mbështetur në mënyrën e shqiptimit të kësaj nyje shquese arabe. Asnjëherë nuk kam dëgjuar që ndonjë arab të thotë alif për elif, ose al-hamdu li-Lahi… për el-hamdu li-Lahi…, ose të thotë Suratu al-bakara por ai shprehet rrjedhshëm sipas parimeve fonetike arabe Suretu el-Bekare (ose Suretu-l-Bekare) etj. Pa u zgjatur, mendoj se këto çështje duhet të unifikohen në transkriptimin e shkrimit arab në gjuhën shqipe. Në të vërtetë, përdorimi i fethas si a nuk është gjë tjetër veçse ndikim i gjuhëve perëndimore. Në favor të qëndrimit tonë flet dhe transkriptimi i arabizmave në gjuhën turke: edhe si a edhe si e, ashtu si u shpjegua më lart. Shumë bindës është dhe vendimi i Komisionit lidhur me transkriptimin teksteve arabe, turke dhe persiane në numrin e parë (e tutje) në revistën e mirënjohur të fushës së Orientalistikës: Prilozi…, ku në mënyrë të bindëse thuhet: (po e japim përkthimin) Fetha do të transkriptohet si a vetëm pas bashkëtingëlloreve emfatike( ص ض ط ظ ق) dhe të forta ( ح خ ع غ ), kurse në të gjitha rastet e tjera do të transkriptohet si e.
Edhe në arabizmat e gjuhës shqipe, varianti a rregullisht zëvendësohet me a të gjuhës shqipe, si p. sh. ar. watan > tur. vatan > shq. vatan, ar. kasd > tur. kast > shq. kast “qëllim”; ar. asker > tur. asker > shq. asqer, ar. hakk > tur. hak > shq. hak, ar. haber > tur. haber> shq. haber, ar. talebe > tur. talebe, shq. talebe, etj..
Varianti e ndërkaq, në arabizmat e gjuhës shqipe shfaqet gjithnjë si e. E njëjta gjë vlen edhe për huazimet arabe të gjuhës turke, si p.sh. ar.deraxhe > tur. derece > shq. derexhe; ar. bereket(un) > tur. bereket > shq. bereqet, ar. exhel > tur. ecele > shq. exhel “vdekje”, ar. qeder > tur. qeder > shq. qeder “dëm”; ar. mexhbur > tur. mecbur > shq. mexhbur “i detyruar” etj.

Edhe bashkëtingëllorja fundore t ( ة), në arabizmat e gjuhës shqipe (edhe në ato të gjuhës turke) gjithnjë kthehet në e, si p.sh.: ar. shubhet(un), tur. ṣuphe > shq. shybe; ar. tehliket(un) > tur. tehlike > shq. tehlyqe, ar terbijet(un) > tur. terbiye > shq. terbije; ar. axhalat(un) > tur. acelele > shq. axhele etj.
Megjithatë, kemi raste kur edhe varianti e kthehet në a tek arabizmat e gjuhës shqipe, por natyrisht është i kushtëzuar nga disa faktorë të tjerë, para se gjithash nga ndikimi i gjuhës turke. Të shohim kur ndodh në turqishten kjo gjë. Në turqishten e-ja kthehet në a, kur pas e-së vjen zanorja e gjatë a, si p.sh. ar. emma > tur. am(m)a > shq. ama; ar. emanet(un) > tur. amanet > shq. amanet, ar. serrash > tur. saraç > shq. saraç etj. Ky ndërrim fonetik (asimilim regresiv) në gjuhën letrare turke është i arsyeshëm, sepse vepron sipas ligjit mbi harmoninë vokalike dhe më anë tjetër a-ja e gjatë, siç do të shohim më poshtë, edhe në arabizmat e gjuhës shqipe, edhe në arabizmat e gjuhës turke, gjithnjë zëvendësohet me a, prandaj nuk jep mundësi të ndodh e kundërta (d.m.th. asimilimi progresiv).
2. Shenja (ֻ) realizohet si i e shkurtër, vihet nën bashkëtingëllore, dhe quhet «kesre». Në huazimet arabe të gjuhës shqipe kryesisht zëvendësohet me zanoren i, sado që në disa raste të caktuara zëvendësohet edhe me ë. Të shohim së pari disa raste ku realizohet si i: ar. isharet(un) > tur. işaret > shq. isharet; ar. kira > tur. kira > shq. qira; ar. vilajet(un) > tur. vilajet > shq. vilajet etj.
Ndryshimi i zanores i në ë, pa dyshim i përshkruhet ndikimit të turqishtes. Kështu, p.sh. te një kategori e huazimeve arabe të turqishtes i-ja e shkurtër pas zanores a të gjatë kthehet në ı (shq. ë), ndërsa a-ja natyrisht e humb tiparin e gjatësisë d.m.th. bëhet e shkurtër. Edhe ky ndërrim fonetik (asimilim progresiv) plotësisht është në harmoni me rregullat fonetike turke. Sipas harmonisë vokale zanorja a, si zanore e radhës së prapme ndikon që i-ja, si zanore e radhës së përparme, të kthehet në ı (=ë) e cila për nga vend-shqiptimi përkon me a-në. Prandaj, meqë këto huazime në gjuhën shqipe kanë hyrë me anë të turqishtes, edhe në shqipen përdoren me të njëjtat trajta si në turqishten. Ja dlisa prej tyre: ar. hâtir > tur. hatır > shq. hatër; ar. lâzim > tur. lâzım > shq. lazëm; ar. hâdir > tur. hazır > shq. hazër etj.
3. Shenja (ُ) realizohet si u e shkurtër, vihet mbi bashkëtingëllore dhe quhet «damme».Edhe zanorja e shkurtër u në arabizmat e gjuhës shqipe paraqitet mjaft e larmishme, pikërisht për shkak të ndikimeve të gjuhëve të tjera. Kështu, p.sh. tek ato arabizma që kanë hyrë përmes gjuhës turke, përveç rasteve të rralla të përdorimit të saj si u, kjo në të shumtën e rasteve nën ndikimin e turqishtes, sidomos ne rrokjen e parë, të fjalës, kthehet në zanoren y (këtë zanore nuk e ka gjuha letrare arabe), si p.sh. ar. mushterijj > tur. müşteri > shq. myshteri, ar. huxhum > tur. hücüm, shq. hyxhym; ar. muftijj > tur. müfti > shq. myfti; ar. dukkan > tur. dükkan > shq. dyqan etj.
Kemi raste kur u-ja e shkurtër arabe në arabizmat e gjuhës shqipe (dhe turke) zëvendësohet me o (e cila nuk bën pjesë në sistemin vokalik të gjuhës arabe), si p.sh. ar. nuksân > tur. noksan > shq. noksan, ar. zukâk > tur. sokak > shq. sokak etj. Megjithatë, duhet thënë se këto fjalë janë ngulitur në gjuhën shqipe me këto trajta, prandaj nuk ka vend për ndonjë komentim.

Mirëpo, nga ana tjetër në shtypin tonë të përditshëm dhe në mjetet e tjera të informimit hasim raste ku u-ja e shkurtër arabe kthehet në o, veçanërisht tek emrat e përveçëm vetjakë, të cilët në popull janë ngulitur me trajtat me u, si p.sh. ar. Muhammed > shq. Muhamed dhe Mohamed, ar. Husni > shq. Hysni dhe Hosni, ar. Mu’ammar > shq. Muamer dhe Moamer etj. Në këto raste, shihet një ndikim i transkriptimit të huaj. Mbaj mendimin që këta emra t’i shqiptojmë dhe t’i shkruajmë ashtu siç i përdorë edhe populli. Pra: Muhamed e jo Mohamed, Hysni, jo Hosni, Mubarak, jo Mobarak, Muamer, jo Moamer etj.

Zanoret e gjata

Gjuha letrare arabe ka tri zanore të gjata. Ato janë: ȃ (ﺎَ), ȋ (ﯽِ) dhe û (ﯘ ). Zanorja e gjatë â në gjuhën arabe shkruhet edhe me shenjë ( ̃) e cila vendohet mbi elif, d.m.th. në formën (آ ).
Sa u përket zanoreve të gjata te gjuhës arabe, në arabizmat e gjuhës shqipe nuk paraqesin ndonjë problem. Këto zanore në arabizmat e gjuhës shqipe humbin vetëm tiparin e gjatësisë, kurse nga ana kualitative mbesin të njëjta, kështu a-ja e gjatë zëvendësohet me a të shkurtër, i-ja e gjatë me i të shkurtër dhe u-ja e gjatë me u të shkurtër. Po kjo gjë ndodh edhe në turqishten Sa për ilustrim, po marrim ndonjë shembull.
ȃ > a: ar. ‘âde(t) > tur. âdet > shq. adet; ar. ‘âle(t) > tur: alet, shq. alet; ar. ‘adâle(t) > tur. adalet > shq. adalet; ar. alâme(t) > tur. alâmet > shq. alamet, ar. kassâb > tur. kasap > shq. kasap, ar. hammâl > tur. hamal , shq. hamall, ar. binâ’ : tur. bina > shq. bina etj.
î > i: ar. sharî’a > tur. şeriat > shq. sheriat; ar. wekîl > tur. veqil > shq. veqil, ar. jetîm > tur. yetim > shq. jetim; ar. tertȋp > tur. tertip > shq. tertip, ar. hafîf > tur. hafif > shq. hafif etj.
û > u: ar. kusûr > tur. kusur > shq. kusur, ar. kabûl > tur. kabûl > shq. kabull, ar. mahlûk > tur. mahluk > shq. mahluk, ar. hudûd > tur. hudut > shq. hudut etj.
Zanoret e shtuara – Në arabizmat e gjuhës shqipe paraqiten zanore të shtuara që në gjuhën arabe nuk i kanë. Fjalët e huazuara arabe, së pari në turqishten, e pastaj edhe në shqipen, pasi përgjithësisht kanë humbur nyjën fundore të pashquar arabe – un, mbetën me grupe të bashkëtingëlloreve në fund, që në gjuhën turke dhe në gjuhën shqipe vështirë mund të shqiptohen. Për këtë arsye, për t’u shqiptuar më lehtë, në mes të këtyre grupeve të këtyre të bashkëtingëlloreve shfaqen domosdo zanore epentetike. Lidhur me këtë po marrim disa shembuj: ar. dewr(un) > turq. devir > shq. devër; ar. ‘ilm(un) > tur. ilim, shq. ilëm; ar. idhn (un) > tur. izin > shq. izën, izëm, izë; ar. shukr(un) > tur. şükür > shq. shyqyr; ar. ‘umr(un) > tur. ömür > shq. ymër, ar. fikr(un) > tur. fikir > shq. fiqir etj.

Përfundimi

Duke u mbështetur në këtë që u tha këtu, mund të themi se arabizmat e gjuhës shqipe, si ato që kanë hyrë drejtpërdrejt si ato që kanë hyrë përmes gjuhëve ndërmjetësuese, plotësisht i janë përshtatur natyrës së gjuhës shqipe.
Në këtë punim me interes të veçantë gjithsesi është çështja e transkriptimit shkencor të arabizmave të gjuhës sonë. Këtë e themi për dy arsye kryesore:
a) sepse kemi të bëjmë me dy gjuhë mjaft të ndryshme nga aspekti fonetik, me dy gjuhë që u takojnë familjeve të ndryshme gjuhësore, arabishtja, pra, gjuhë semite, kurse shqipja gjuhë indoevropiane dhe,
b) sepse në gjuhën shqipe ende nuk kemi një qëndrim të përbashkët, të unifikuar lidhur me transkriptimin e shkronjave arabe, siç kemi në gjuhët e tjera. Meqenëse gjuha shqipe ka alfabetin e saj të konsoliduar, transkriptimi i unifikuar i teksteve arabe me alfabet të shqipes, duke vënë në përdorim dhe kombinime të ndryshme për shkronjat të cilat nuk janë identike ose të përafërta, është plotësisht i mundshëm.
Propozimet e dhëna këtu le të jenë shtytje për diskutime të mëtejme.

 

Burimi: http://www.ibnisina-ks.com/artikuj/adaptimet-fonetike-te-arabizmave-ne-gjuhen-shqipe/#.VHH3uIvF_SF

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: