Kreu > Shqiptarët dhe Europa > Kombi shqiptar, apo parcela eksperimentale e Evropës

Kombi shqiptar, apo parcela eksperimentale e Evropës

Prof.dr. Eshref YMERI

 

KOMBI SHQIPTAR, APO PARCELA EKSPERIMENTALE E EVROPËS

Eshref Ymeri

Eshref Ymeri

I

 

Para se të ndalem në thelbin e titullit të këtij shkrimi, dëshiroj të kthehem një vit prapa dhe t’u sjell në kujtesë lexuesve një deklaratë të kryeministrit Edi Rama në lidhje me marrëdhëniet me fqinjët. Kur kishte pak ditë që kishte marrë postin e kryeministrit, ai deklaroi:

“Parimi ynë, zero problem me fqinjët. Greqia, partner strategjik”. Marrë nga faqja internetike e gazetës “Tema”. 24 shtator 2013).

Sa për kureshti, ndoqa rubrikën “Komente” të asaj faqeje internetike, në të cilën më bëri përshtypje ndërhyrja e një qytetari, i cili shkruante:

“Greqia mik nuk bëhet kurrë,.. as armiqësi nuk duam, por jo deklarata të tilla qyqare “zero problem me fqinjët”! Rama duhet të flasë me gjuhën e popullit e jo të një frikacaku qyqar, t’ua thotë troç se ne duam ta mbyllim kapitullin e urrejtjes, e padrejtësive, dialog, por jo nënshtrim. Sy më sy e dhëmb më dhëmb. E jo me avazin e vjetër: ne nënshtrues, ata dhunues”. 

Në këtë rubrikë kishin bërë komentet e veta 58 qytetarë, nga të cilët 36 shpreheshin kundër deklaratës së zotit Rama dhe 22 e përkrahnin. Pra, nga një përllogaritje e thjeshtë, rezultonte se 62% e komentuesve nuk ndanin të njëjtin mendim me kryeministrin Rama, kurse ata që ishin në një mendje me të, pëbënin 38% të tyre. Rrjedhimisht, Kryeministri Rama, me deklaratën e vet, ngrihej kundër shumicës së popullit shqiptar dhe, në raport me fqinjët, dilte kundër mbrojtjes së interesave tona kombëtare.

Fqinjët tanë, kur e kanë dëgjuar këtë deklaratë, sigurisht që janë kënaqur tej mase dhe kanë thënë me njëri-tjetrin:

“Rrofsh, ore kryeministri i Shqipërisë, që nuk paske probleme me ne. Por ama ne kemi probleme me Shqipërinë!”.

Me deklaratën e mësipërme, kryeministri Rama, në raport me Greqinë, Çështjes Çame i ka vënë përsipër gurinë e rëndë të harresës së madhe. Veç kësaj, atë nuk e shqetësuaka aspak Ligji i Luftës që Greqia vazhdon ta mbajë në fuqi që prej vitit 1940. Në të njëjtën kohë, kryeministrin Rama nuk e shqetësuaka fare fati i pavarësisë së kishës ortodokse shqiptare fanoliane, e cila është tërësisht në duart e kishës shoviniste greke që prej kohës kur Janullatosi është ulur në krye të saj. Kryeministri Rama paska zero problem me fqinjin grek, por është puna se ish-presidenti Stefanopulos ka pas deklaruar se Himara është greke dhe Korça është vllaho-greke. Presidenti i tanishëm grek Papulias, po ashtu, deklaroi para pak kohësh se Himara është greke.

Gjatë vizitës që presidenti Papulias bëri në Zvicër në pranverën që kaloi, foli për problemin e Kosovës dhe deklaroi se ai na qenkej një problem serioz dhe se kërcënuakej jo vetëm stabilitetin në Ballkan, por edhe paqen në përgjithësi në Bashkimin Evropian! Ky qëndrim i presidentit grek ndaj Kosovës nuk përbëka problem për kryeministrin shqiptar!

Ceremonia që Janullatosi organizoi më 01 qershor 2014 në katedralen ortodokse në Tiranë, ku ishin të ftuar shovinistë të njohur serbogrekë, ishte konfirmim i mohimit të pavarësisë së kishës ortodokse fanoliane, aq më tepër që ajo u zhvillua në gjuhën greke. Një fakt i tillë nuk përbëka asnjë problem për kryeministrin shqiptar që ishte i pranishëm në atë ceremoni!

Me rastin e dënimit me burgim të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve në Maqedoni dhe të protestave të popullit shqiptar që shpërthyen atje në fillim të muajit korrik 2014, Kryeministri Rama pati deklaruar:

“…këto janë pasoja të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe të një humbjeje besimi tek shqiptarët, për të cilat garantët nuk duhet t’i kërkojnë të gjitha shkaqet jashtë sferës së përgjegjësive të tyre. Ashtu sikundër besoj unë, edhe flamujt e radikalizmit shqiptar nuk ngrihen mbi shkopinj, por mbi plagë sociale, gërryese, varfëri, papunësi, keqarsimim dhe izolim, të cilat shkaktojnë reaksione nga më agresivet…” (Citohet sipas: “Garantët të reflektojnë për Marrëveshjen e Ohrit”. Marrë nga faqja e internetit e gazëtës “Dita”. 08 korrik 2014.

Nga kjo deklaratë shumë e drejtë e Kryeministrit Rama, rezulton se Shqipëria nuk paska “zero problem” me fqinjët maqedonas, madje paska probleme shumë serioze se atje po shtypen dhe po keqtrajtohen bashkëkombasit tanë prej politikës sa shoviniste, aq edhe raciste te Gruevskit.

Në rubrikën “Komente” të faqes së internetit të gazetës së lartpërmendur, dikush, me pseudonimin “andromeda”, kishte dërguar këtë reagim:

“Hë, mo Rama, si është puna e Ballkanit me zero probleme? E di që ia fut kot ti shpesh herë! Me këta lloj fqinjësh që ke që duan si ta shqyejnë Shqipërinë, s’ke për të pasur qetësi në Ballkan”.

Se sa “zero problem” ka Shqipëria me fqinjët serbë, këtë e kanë vërtetuar ngjarjet e kohëve të fundit dhe sidomos qëndrimi i politikës zyrtare të Beogradit ndaj bashkëkombasve tanë në Republikën e Kosovës që prej përfundimit të luftës më 12 qershor 1999 e deri tani. Kryepeshkopi Irinej ka deklaruar:

“Nuk e kemi humbur Kosovën, ne për Kosovën luftojmë dhe shpresojmë që do t’ia dalim. Kushti i parë për ruajtjen e Kosovës është të jemi të bashkuar” (Citohet sipas: “Irinej: Nuk ka ndarje as njohje të Kosovës”. Marrë nga faqja e internetit “BalkanWeb”. 20 mars 2013).

E njëjta gjë mund të thuhet për “zero problem” edhe me fqinjët malazias, të cilët bashkëkombasve tanë atje ua ndalojnë mbajtjen e simboleve kombëtare.

Çuditërisht, edhe në Serbi, edhe në Maqedoni, edhe në Greqi, në rastet e shpërthimeve të histerisë antishqiptare, fillojnë e dëgjohen thirrjet fashiste: “Vdekje shqiptarëve!”. Në këto kushte, shtrohet një pyetje e thjeshtë fare: mirë që kryeministri Rama thotë se “ne paskemi zero problem me fqinjët”, po si t’ia bëjmë edhe ne, shqiptarët, që fqinjët tanë të kenë zero problem me ne? Edhe përgjigjja është, po ashtu, e thjeshtë fare: gjithsecili të kthehet në trojet e veta etnike, gjithsekush në shtëpinë e vet dhe atëherë s’kemi për të pasur më probleme me njëri-tjetrin. Por këtë s’e dëshiron Evropa, për çka do të flitet në vazhdim.

II

Që në Kongresin e Berlinit, Evropa vendosi që trojet shqiptare t’i kthejë në një përcelë eksperimentale dhe që asokohe e deri tani eksperimentet nuk i ka ndërprerë asnjëherë. Për të kënaqur epshet shoviniste të shteteve fqinje të Ballkanit, Evropa, nën diktatin e shovinizmit rusomadh, eksperimentoi se si trojet etnike të një kombi të copëtohen dhe të bëhen çarçaf, për të parë në praktikë se çfarë të ndodhë me banorët e tij: a do të jenë në gjendje ta durojnë copëtimin, a do të tremben, a do të emigrojnë, a do të nënshtrohen, a do të luftojnë apo do të asimilohen, domethënë a do të shkombëtarizohen?

Madje shovinistët fqinj, me përkrahjen e gjithanshme të Evropës, pa pritur përgjigjen e pyetjeve të lartpërmendura, filluan shpopullimin e dhunshëm të trojeve tona etnike që arrinin deri në Nish. Kjo tkurrje e parë e trojeve tona etnike u shoqërua jo vetëm me shpërngulje te dhunshme, por edhe me vrasje, me djegije, me plaçkitje dhe me përdhunime. Kjo gjendje vazhdoi për 34 vjet me radhë, deri në vitin 1912, kur u shpall pavarësia. Atëherë Evropa u mblodh përsëri në kuvend për të bërë edhe një tjetër eksperiment me kombin shqiptar: organizoi Konferencën kriminale të Londrës të vitit 1913, e cila vendosi të provonte përsëri se çdo të ndodhte me kombin shqiptar pas një tkurrjeje të dytë dhe trojet tona etnike, nga mbi njëqind e ca mijë km², i katandisi në 28 mijë km². Në trojet e mbetura jashtë kësaj ngastre Shqipërie, me kalimin e viteve, ashtu si edhe më parë, vazhdoi gjenocidi kundër popullsisë shqiptare. Shumë shqiptarë të Çamërisë u dëbuan për në Turqi. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me mijëra banorë shqiptarë të trojeve të mbetura nën Jugosllavi, u detyruan të emigronin për në Turqi, popullsia çame u masakrua egërsisht nga nazifashizmi grek, ajo që mundi të shpëtonte gjallë, u dëbua forcërisht për në Shqipëri, kurse popullsia e Kosovës iu nënshtrua një gjenocidi të pashembullt nga ana e shovinizmit serbomadh. Kësisoj Evropa po i vazhdonte eksperimentet me kombin shqiptar. Mos ndoshta me të vetmin qëllim që të provonte se cila ishte forca e mbijetesës së tij, çka nuk e kishte eksperimentuar me asnjë tjetër komb në kontinent? Kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjesh dot me siguri. Por që Evropa ka dashur ta zhdukë përfundimisht etninë shqiptare nga hapësira evropiane, kjo nuk do as mend, as dëshmitarë për ta argumentuar, se një gjë të tillë e vërteton Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915 dhe Konferenca e Paqes në Paris, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ku Fuqitë e Mëdha kërkonin ta zhduknin Shqipërinë përfundimisht nga harta e Evropës, çka nuk e lejoi Presidenti Uillson.

Eksperimenti tjetër që ndërmori Evropa në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, ishte ai që u zhvillua në vitet ’90 të shekullit të kaluar, kur Millosheviçi, nën soditjen e Evropës, iu turr Kosovës me zjarr dhe me hekur për ta shpopulluar krejtësisht dhe Shqipërinë, në bashkëpunim me Greqinë, ta ndanin secili pjesën e vet dhe të shuhej një herë e mirë çdo gjurmë e kzistencës së kombit shqiptar në trevat e Evropës Juglindore. Ky plan kriminal i Evropës do të ishte zbatuar me domosdo, sikur të mos kishte qenë ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Anglisë, me bombardimet që organizuan kundër Serbisë.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Evropa përsëri nuk hoqi dorë nga eksperimentet e veta në dëm të popullit shqiptar dhe në mbrojtje të interesave të Serbisë. Përmes strukturave të UNMIK-ut dhe të EULEKS-it, ajo eksperimentoi dhe vazhdon të eksperimentojë se si një pavarësi e shpallur zyrtarisht dhe e njohur nga një shumicë e madhe vendesh, mund të shndërrohet në karikaturën e vet përmes një shteti pa identitet dhe pa dinjitet kombëtar, të cilin e qeveris një minoritet i huaj. Me këtë karikaturë, Evropa donte të provonte se si pavarësia e një shteti mund të bëhet krejtësisht e paqenë kur me nxitjen dhe me sponorizimin e saj, atë e administron një klasë politke vendase krejtësisht mercenare. Rezultatet këtij eksperimenti duken më së miri në Kosovë, ku qeveria e Thaçit është vënë kokë e këmbë në shërbim të pakicës serbe, e cila urën e Ibrit e ka bllokuar me pirgje zhavorri.

Në këto kushte, Evropa, përmes baroneshës Eshton, ndërmori eksperimentin e radhës për të ulur në tryezën e bisedimeve viktimën me xhelatin dhe kërkoi që shteti i Kosovës të vihej në shërbim të xhelatëve të djeshëm të Beogradit, të cilët nuk janë penduar botërisht për krimet që kanë kryer kundër popullit shqiptar. Pasojat e këtij eksperimenti tani duken açik: shteti i Kosovës sot është një i vdekur dhe i pakallur. Qëndrimi i Brukselit përmes baroneshës Eshton ndaj Kosovës, ishte vazhdim i qëndrimit të Sekretarit të Përgjitthshëm të OKB-së, të shprehur me gjashtë pikat e famshme për poshtërimin e Prishtinës para xhelatit të Beogradit. Qeveria Thaçi dhe vetë Thaçi, pranuan të vetëposhtëroheshin, duke u ulur në një tryezë me xhelatin e Beogradit, pa kërkuar prej tij paraprakisht pendesën publike.

Personaliteti i shquar i kulturës franceze, Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Charles Aymard Sartre 1915-1980), ka thënë:

“I urrej viktimat që respektojnë xhelatët e vet”.

Ismail Kadare ka thënë të njëjtën gjë këtu e pesë vjet të shkuara:

“…Ka një trysni të pjellë nga një keqkuptim disi i përgjithshëm që, duke mos u kujtuar krimet serbe, ndihmohet paqësimi i gadishullit. Keqkuptimi është i rëndë. Dhe kryekëput i dëmshëm… Por kjo kinse zgjidhje idilike, pa pendesë dhe pa dallim të xhelatit nga viktima, fsheh një kurth të rrezikshëm…. Po kryhet kështu mu në sytë tonë, të krejt kontinentit, një dhunim monstruoz ndaj së vërtetës. E bashkë me këtë, kërkohet që Europa dhe Aleanca Atlantike t’i bëjë, në një farë mënyre, një mohim aksionit më emancipues të saj: ndërhyrjes për ndalimin e një masakre. E vërteta në këtë rast është një dhe nuk mund të ndryshohet. Në Kosovë krimet serbe kanë qenë të lemerishme”(Citohet sipas: Kadare: Nuk mund të harrohen krimet serbe në emër të paqes ballkanike. Intervistë për gazetën “Illyria”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “55”. 19 qershor 2009).

Këtë vijë arsyetimi të të dy personaliteteve të lartpërmendura, e vazhdon edhe shkrimtarja e shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj:

“Përse gjenocidi në gadishullin e Ballkanit u ndoq vetëm ndaj shqiptarëve, të cilët u masakruan dhe u përndoqën nga trojet e të parëve ilirë si në Çamëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Bosnjë e Maqedoni, një shfarosje që ende nuk ka marrë fund?… Nuk duhet të harrojmë se ende këlthet për drejtësi Nata e Shën Bartolomeut të Tivarit, ulëret Çamëria për pronarët e saj legjitimë” (Vilhelme Vranari Haxhiraj. “Historianët a do të kërkojnë vallë përse gjenocidi në Ballkan u ndoq vetëm ndaj shqiptarëve?!”. Citohet sipas: “Tribuna shqiptare”. 05 maj 2014).

Eksperimentin Evropa po e vazhdon edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë. Në vend që të kërkonte prej Serbisë daljen me pendesë të fortë para opinionit ndërkombëtar për krimet që ka kryer kundër kombit shqiptar më shumë se një shekull dhe të ngulte këmbë që presidenti ose kryeministri serb të shkonte i pari për vizitë në Tiranë për shprehjen e asaj pendese, përkundrazi, Evropa kërkoi me ngulm që kryeministri shqiptar të shkojë i pari për vizitë te xhelati i Beogradit. Dhe Evropa të vëzhgonte ecurinë e eksperimentit: si do të zhvilloheshin ngjarjet kur kryeministri shqiptar të zbriste në aerodromin e Beogradit, ku do të përballej vetëm me valvitjen e flamurit kombëtar serb dhe jo me valvitjen e flamurit kombëtar shqiptar? Kryeministri shqiptar e duroi me gjakftohtësi këtë fyerje  publike që po i bëhej dinjitetit tonë kombëtar nga xhelati i Beogradit, nën soditjen e Evropës. Se është e pamundur që Beogradi të mos e ketë vënë në dijeni paraprakisht Brukselin se kryeministri shqiptar do të pritej në Beograd, por pa flamurin kombëtar shqiptar në aerodrom.

Kryeministri Rama mbajti një qëndrim shumë dinjitoz në konferencën e shtypit me kryeministrin Vuçiç: deklaroi prerë se Kosova është shtet i pavarur dhe ky është një realitet i pamohueshëm. Dhe kryeministrit serb s’kishte pse t’i mbetej qejfi për një realitet që e kanë pranuar 108 shtete. Por pas përfundimit të Konferencës së shtypit, kryeministri Vuçiç vërtetoi faqe botës se Serbia është vite drite larg kodit moral të shqiptarëve: ai, në vend që t’i jepte dorën kryeministrit shqiptar dhe, si mysafir që ishte, ta ftonte të kalonte i pari përpara, ai, përkundrazi, i ktheu shpinën dhe u largua vetë i pari. Ky ishte një turp deri në përmasat e një skandali diplomatik që kryeministri Vuçiç manifestoi faqe botës. Dhe Brukseli nuk reagoi absolutisht për këtë skandal të Beogradit ndaj kryeministrit shqiptar. Sepse ishte duke soditur ecurinë e eksperimentit të vet.

Kur pashë atë skenë të shëmtuar që kryeministri Vuçiç i lejoi vetes, më erdhi ndër mend një fjalë e urtë e trevave labe: “dëm sapuni tek arapi!”, ose, e thënë ndryshe, “qenin laje edhe me sapun me erë, ai prapë erë qeni do të bjerë”.

Megjithatë, unë kam përshtypjen se kryeministri Vuçiç u soll pa edukatë ndaj kryeministrit Rama kur mbaroi konferenca e shtypit jo për faktin se qëndrimi i tij buronte nga motive të brendshme të formimit të tij intelektual, por për të qenë në një gjatësi vale me opinionin publik serb, i cili është tërësisht shovinist në qëndrimin ndaj etnisë shqiptare, ashtu si edhe sivëllai i tij grek. Se po të sillej me edukatë, ku ta dish se ç’mund të sajonte nesër-pasnesër ndonjë çetnik-snajperist dhe Vuçiçi të pësonte fatin e kryeministrit Xhinxhiç.

Kryeministri Vuçiç, pas ndeshjes së 14 tetorit, deklaroi me një shqetësim të madh:

“Njerëzit që thonë se Shqipëria e Madhe është mankthi ynë, kanë plotësisht të drejtë. Por ky nuk është vetëm mankthi ynë, është një mankth evropian, është një mankth i njerëzimit dhe ne do bëjmë çdo gjë për të ndaluar botën të përfshihet nga ky mankth. Shpresojmë që shqiptarët normalë do ta kuptojnë këtë mesazh” (Citohet sipas: Vuçiç mesazh shqiptarëve: Do ta ndalojmë “Shqipërinë Etnike”. Marrë nga faqja internetike e gazetës “Mapo on line”. 18 tetor 2014).

Pas kësaj deklarate të Vuçiçit, edhe ne, shqiptarët, duhet të mendojmë thellë se si ta çlirojmë Serbinë, Evropën dhe mbarë njerëzimin nga makthi i “Shqipërisë Etnike”. Sepse Serbinë po e torturon makthi që po mban të kolonizuara troje etnike shqiptare, Evropën po e torturon makthi për krimin që kreu në vitin 1878 dhe në vitin 1913 kundër trojeve etnike shqiptare, njerëzimi po u shqetësuaka për makthin që po e munduaka kontinentin plak. Në këto kushte, shqiptarëve s’u mbetet rrugë tjetër, veçse të ngrihen peshë më këmbë dhe të kërkojnë ribashkimin paqësor të krejt trojeve tona etnike, në mënyrë që të shpëtojnë nga makthi që të gjithë një herë e mirë.

Evropa nuk e detyroi presidentin serb Tomislav Nikoliç që ta priste kryeministrin Rama, por pranoi këmbënguljen e tij që të mos e priste. Se domosdo, në raportet Tiranë-Beograd, Evropa gjithmonë mban anën e Beogradit, se prapa tij vigjëlon Moska, së cilës Brukseli i rri lepe-peqe për gazin që i dërgon.

Për kryeministrin Rama pas vizitës në Beograd, presidenti Tomislav Nikoliç deklaroi se “ai është i papërgjegjshëm”. Një deklaratë e tillë i shkon për shtat një njeriu me një gjendje psikologjike të diskutueshme. Sepse kryeministri Rama tha një të vërtetë që e mbrojnë 108 shtete në mbarë botën. Pas kësaj deklarate, presidenti Nikoliç duhet t’i nënshtrohet kontrollit mjekësor nga ana e një specialisti të neuropsikiatrisë.

Po ç’bëri Evropa, nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, pas vizitës së kryeministrit Rama në Beograd? Liroi “përkohësisht” nga burgu shovinistin e tërbuar Sheshel, me pretekstin se na qenka i sëmurë dhe u dashka kuruar në Beograd! Po pse, në Holandë, ku ndodhet gjykata në fjalë, nuk paska mundësi për kurim?! Dhe Shesheli, sapo zbriti në Beograd, deklaroi me zërin plot: “Nikoliçi dhe Vuçiçi janë tradhtarë”. E kishte fjalën se pse e lejuan ardhjen për vizitë të kryeministrit Rama në Beograd.

S’ka asgjë për t’u çuditur: Evropa vazhdon eksperimentet në Evropën Juglindore, në kurriz të kombit shqiptar. Dhe ka për t’i vazhduar gjithmonë, në qoftë se në Shqipëri nuk do të dalë në skenën politike një burrë shteti, një udhëheqës trim, përfaqësues i një klase politike trime, me formim nacionalist, i imunizuar nga mikrobi i mallkuar i mercenarizmit, që të ketë shumë besim te populli shqiptar dhe të mbështetet fort në përkrahjen e tij të fuqishme që t’i thotë Evropës:

“Boll më me eksperimente, trojet etnike shqiptare duhet t’u rikthehen të zotërve të tyre legjitimë!”.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: