Kreu > Ballkanologji > Apologjia e Ballkanit

Apologjia e Ballkanit

Ferid MUHIÇ

 

APOLOGJIA E BALLKANIT

Ferid Muhiq

Ferid Muhiç

Sokrati është i mundur vetëm në Ballkan. Nëse kërkoni argumente, përfytyrojeni Sokratin në Angli, ose në Gjermani, ose në Suedi. Sokrati është saktësisht fenomen ballkanik; një instancë endemike, siç është edhe Ballkani një rast endemik. Të të akuzojnë për krim ata që u ke bërë të mirën më të madhe; të të dënojnë me vdekje ata që u ke hapur dhe u ke ndriçuar mendjen, kjo mund të ndodhë vetëm në Ballkan. Sokrati, sipas profetes nga Delfi, e cila nuk kish gabuar asnjëherë, ishte “më i mençur ndër njerëz”. Mendjen e tij plot bujari ua dhuronte të gjithëve. Dijen e tij e këmbente me miqtë dhe me armiqtë. Ai mbeti i varfër, edhe pse e donin më të pasurit. Ai nuk arriti asnjëherë fuqi, ndonëse ishte i rrethuar nga më të fortët. Dinte më shumë se të arsimuarit, ndërkohë që e akuzonin se ishte i paarsimuar. Të rinjtë i udhëzonte në rrugën e virtytit, ndërkohë që u dënua me vdekje me akuzën se po prishte rininë. Predikonte ekzistencën e një Zoti të vetëm me shumë pasion, ndërkohë që e dënuan me vdekje për herezi dhe blasfemi. Mbrojtja e tij para gjykatës, e njohur si “Apologjia e Sokratit”, nuk e ndihmoi që t’i shmangej dënimit me vdekje, por, nga ana tjetër, e bëri të pavdekshëm! Shtrohet pyetja se kush e kishte akuzuar Sokratin? Bashkëqytetarët e tij, banorët e qytetit ku kishte lindur, të cilit i dha vulën e urtësisë dhe aurën e virtytit! Një njeri i tillë mund të lindte vetëm në Ballkan dhe vetëm në Ballkan mund të kishte këtë fat.

Më shumë se dymijë vjet më vonë, mbase për shkak të ndonjë drejtësie më të lartë ose për shkak të rezistencës së virusit të padrejtësisë, mallkimi i Sokratit goditi Ballkanin. Tashmë ka kaluar një kohë e gjatë që është ngritur akuza kundër Ballkanit: e pështyjnë për shkak të primitivizmit, mungesës së kulturës dhe qytetërimit; e akuzojnë se po prish të rinjtë dhe pleqtë; se është një “strehë për heretikët” (refugium haereticorum); e ngarkojnë me blasfemi; e gjykojnë për krimet më të rënda. Ballkani, i cili në fillim të erës së re quhej “Kopsa e botëve” (Catena mundi) – sepse vërtet që ka qenë qendra e botës, ku janë bashkuar tre kontinentet e njohura, Afrika, Azia dhe Europa, duke bashkuar dijet e tyre më të larta, jo në aspektin epigjenik, por drejt një sinteze origjinale dhe kreative – sot është shpallur si guacë dhe WC e Europës! Nga kush akuzohet sot Ballkani? Pikërisht prej asaj Europe për të cilën Ballkani është jo vetëm burim, por edhe deltë; jo vetëm alfa, por edhe omega, dhe i cili i ka dhënë edhe emrin, përveç urtësisë, drejtësisë, artit dhe virtytit, që ajo i ka marrë po nga Ballkani!

Kanë kaluar shumë kohë që Ballkani po shkruan “Apologjinë” e tij, që sipas logjikës së padrejtësisë historike dhe precedentit të Sokratit, nuk do gjykohet me liri. Por, sipas drejtësisë historike dhe rrëfimit për Sokratin, Ballkani do ta sigurojë pavdekësinë. Pikat kryesore të “Apologjisë së Ballkanit” janë fokusuar mbi akuzat më të rënda.

Në raport me akuzën e parë, që Ballkani përbën një çerdhe tradicionale primitivizmi dhe një zorrë qorre të qytetërimit, le të kujtohemi se e ashtuquajtura filozofi perëndimore, shkencë perëndimore, kulturë perëndimore, demokraci perëndimore, me një fjalë i gjithë qytetërimi perëndimor buron drejtpërdrejt nga Ballkani! Edhe Sokrati, edhe Platoni, edhe Aristoteli, edhe Soloni, edhe Perikliu, edhe Herodoti, edhe Tuqididi, edhe Sofokliu, edhe Fidia, edhe Euripidi, edhe Aleksandri bashkë me babanë e tij, Filipin, si dhe nënën, Olimpian, që të gjithë me radhë kanë lindur në Ballkan, dhe nuk kanë shkelur kurrë në Londër, në Paris, në Berlin apo në Bruksel. Në fakt, këto qytete, në atë kohë as që kanë ekzistuar, as si mëhallë fshati nuk u është përmendur emri. Pa këto emra dhe pa dy-treqind ballkanas të tjerë, as që do ekzistonte filozofia perëndimore, shkenca perëndimore, kultura perëndimore, demokracia perëndimore dhe qytetërimi perëndimor, ndërsa bota nuk do ishte kështu siç është. Madje edhe Zeusi, si dhe të gjithë hyjnitë e tjera, në atë kohë kanë jetuar në malin Olimp, në zemër të Ballkanit, e jo në Europën Perëndimore. Gjithçka që ata dinë sot e kanë mësuar nga Ballkani. Ndërsa tani kanë gjetur rastin të akuzojnë Ballkanin për primitivizëm, për mungesë kulture dhe qytetërimi, duke përvetësuar pa pikë turpi veprat e ballkanasve si realizime të tyre. Vallë, askush nuk do i dënojë për shpifje dhe si plagjiatorë të paskrupullt!?

Akuza e dytë kapitale kundër Ballkanit ka të bëjë me dhunën fetare dhe etnike, mungesën e tolerancës, me brutalitetin, përndjekjet dhe krimet masive. Megjithatë, eksodi më i madh dhe përndjekja tërësore në historinë e njohur, e realizuar vetëm për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare, ka ndodhur në vitin 1492 shumë larg nga Ballkani, në Spanjën e atëhershme, kur të gjithë muslimanët dhe hebrenjtë ishin përzënë. Ata që nuk kishin nga të shkonin, ose u vranë, ose u kryqëzuan. Muslimanët e kryqëzuar me dhunë, të quajtur në mënyrë pezhorative moriskosë, si dhe hebrenjtë e kryqëzuar me dhunë, të quajtur maranosë, qenë përndjekur edhe 120 vite të tëra më pas: të akuzuar për herezi dhe blasfemi; të dënuar pa asnjë faj; të masakruar përçudshëm e kështu me radhë. Përfundimisht ishte lëshuar urdhri që deri në mars të vitit 1612, ose do vriteshin, ose duheshin përzënë nga Mbretëria e Spanjës.

Dhe, ndërkohë që luftërat më të përgjakshme në Europën Perëndimore janë zhvilluar për motive religjioze/doktrinare, në Ballkan mbizotëronte një atmosferë e qëndrueshme dhe paqësore, rrjedhojë e tolerancës multifetare dhe multikulturore, e paprecedentë  në të gjithë historinë botërore. Pikërisht për këtë arsye, numri më i madh i muslimanëve dhe hebrenjve të përndjekur, të përzënë nga Spanja dhe nga vendet e tjera euro-perëndimore, gjetën shpëtim dhe strehë bash në Ballkan. Kishat, xhamitë, katedralet dhe sinagogat, ndryshe nga e gjithë pjesa tjetër e Europës, në Ballkan qëndronin pranë njëra-tjetrës, që edhe sot dëshmojnë në favor të mbrojtjes së Ballkanit. Krimi më i tmerrshëm kolektiv, holokausti, nuk ka ndodhur në Ballkan; as nuk është planifikuar dhe as është kryer nga ballkanasit. Të vrasësh miliona njerëz në kuadër të një projekti ideologjik, në emër të arsyes dhe qëllimeve të larta, për ballkanasin kjo është shumë monstruoze! Vërtet çnjerëzore! Për ballkanasin vrasja  njerëzve është çështje ndjenjash, emocionesh – nuk është një çështje e arsyes. Vrasja është një formë çmendurie: vetëm një i çmendur i përkohshëm (nga urrejtja, nga hidhërimi!), një njeri pa arsye, që ka dalë nga vetja, mund të bëjë një vepër të tillë të tmerrshme, siç është vrasja e njeriut. Në Ballkan, njeriu i arsyeshëm, njeriu që është në vete, nuk do vriste kurrë një njeri. Llogoret e përqendrimit nuk janë menduar nga ballkanasit, por nga anglezët. Bombën atomike nuk e kanë hedhur ballkanasit.

Që nga themelimi i tij, duke filluar me Torkvemadën dhe me pasuesin e tij Lojola, e deri ne fund të tij, inkuizicioni ka gjykuar me vdekje dhe djegie me zjarr më shumë se dhjetëmijë njerëz, dhe kjo vetëm për motive doktrinare, teorike. Siç thuhet, nisur nga parimi! Në listën e të djegurve janë gjetur mijëra njerëz kundër të cilëve nuk ishte bërë asgjë, dhe të cilët nuk i kishin bërë kujt asnjë të keqe – përveçse ishin të mashtruar nga djalli! Prandaj, në atë listë kishte edhe njerëz të thjeshtë, shkencëtarë të mëdhenj, pleq, gra, madje edhe fëmijë. Në Ballkan nuk ka ekzistuar asnjëherë inkuizicioni; as që ka qenë e mundur. Torkvemado dhe Lojola nuk kanë urryer askënd. Gjykimet e tyre nuk përmbanin diçka të ngjashme. Vdekja në Ballkan është një temë për të cilën me patjetër duhet të keni diçka shumë personale. Asnjë ballkanas i vërtetë nuk mund të pranojë të vrisni një njeri ndaj të cilit nuk ndjeni asgjë personale! Nëse nuk e urreni, si mund ta vrisni!? Njeriu nuk vritet thjesht, ashtu siç theret delja ose pula! Kur njeriu vritet për kot, kur ekzekutohet për kot, ai përçmohet, i mohohet e gjithë njerëzorja! Të paktën i vrari meriton pak respekt nga vrasësi, që të mos ekzekutohet si dele apo si pulë! Vdekja e tij është e pakuptimtë, ndërkohë që ai degradohet si njeri, nëse vrasësi nuk ka ndjerë asgjë ndaj tij – as urrejtje, as hidhërim, as pikëllim, as lehtësim, as vuajtje, as pendim! Thjesht asgjë. Vetëm ai që urren ka një shtysë mjaft të fortë – për të mos thënë edhe të arsyeshme – për të vrarë. Vetëm urrejtja është motivi i pranuar i ballkanasve për të vrarë një njeri ose me dhjetëra.

Është mirë të kujtohemi… Por, edhe Ballkani ka historinë e tij të përgjakshme, dhe në Ballkan lulëzon e harlisur lulja e krimit, nëse na kujtohen fjalët e Baudelaire-t. Në atë pjesë të Europës që e akuzon Ballkanin për brutalitet, për krime masive dhe luftëra të rrepta, vrasja e njerëzve është një aksion aseptik, deratizim, një lloj përdorimi sistematik i herbicideve, ku në vend të minjve dhe barit, vuajnë qeniet njerëzore, të degraduara në minj dhe bar! Aksione të tilla vrasjesh, në thelbin e tyre më të thellë janë të organizuara në mënyrë racionale; janë të planifikuara në aspektin logjistik; të motivuara ideologjikisht; janë të justifikuara nga aspekti doktrinar – e thënë shkurt, janë çnjerëzore. “Asgjë personale” thonë planifikuesit, por edhe ekzekutuesit, dhe këtë e thonë pa emocione, nuk u dridhen duart; zemra nuk rreh e çakërdisur. Ata flenë të qetë, pa ankthe dhe pa brejtje ndërgjegjeje. Ky është lloji më i lig i krimit: krimi pa urrejtje! Ekzekutimi versus vrasja. Në të kundërtën, në Ballkan dhe për ballkanasin, çdo gjest është vetjak, me emocion. Mbase Ballkani është vendi i fundit në të cilin ekziston akoma apejroni i fundit autentik antropologjik, ajo protoplazmë, ai brumë primordial (i kryehershëm) në të cilin ruhet akoma bashkësia burimore e të gjitha elementeve nga të cilat është gatuar njeriu.

Prandaj dhe ballkanasi është i afërt me Sokratin, sepse ai nuk ishte gjykuar me vdekje për motive ideologjike, as për shkak të ndonjë mospajtimi intelektual ndërmjet tij dhe akuzuesve, siç pohohet aq shpesh dhe gabimisht! Pikërisht për arsyen se një pjesë e qytetarëve të Athinës, ballkanas në eshtra e në shpirt, thjesht nisën ta urrenin Sokratin. Prej vitesh u kishte llomotitur të njëjtën gjë: me vendosmëri dhe këmbëngulje gjakonte t’u dëshmonte se sa të pavlerë janë dhe çfarë jete të padenjë e të zbrazët jetojnë. Sepse ua kishte sjellë në maje të hundës! Prandaj kishin zënë të pëshpëritnin: “Aman, edhe ai Sokrati! Kur do shpëtojmë prej tij!?” Ndërkaq, prej Sokratit nuk kishte shpëtim, edhe në moshën 70-vjeçare, duke qenë shëndosh si lisi, një asket i vërtetë, rezistues karshi diellit dhe acarit, i pavarur nga të gjithë dhe i kënaqur me atë pak që kishte, ai përbënte një kërcënim që mund të zgjaste: nuk i shihej fundi, mund të hante inat edhe për 100 vjet me radhë! Ndërkaq, përgjatë gjithë jetës, 50 vite rrumbullak, Sokrati vërtet hante inat: nuk donte t’i linte të qetë njerëzit, u kishte ardhur në maje të hundës. Gjysma e athinasve filluan të mos dilnin në Agorë, në sheshin e qytetit – i rrinin larg si djalli temjanit. Nuk u interesonte as e vërteta, as mirësia, as shpirti, por vetëm paratë, ndërkohë që ai, pikërisht për para nuk i linte të hapnin gojë. Iu lutën, i tërhoqën vëmendjen, u përpoqën që ta korruptonin dhe në fund e kërcënuan. Por çdo gjë qe e kotë. Madje edhe kur u dënua me vdekje, i dhanë 30 ditë afat, derisa të kthehej anija nga ishulli i shenjtë – të ikte, t’i mbyllnin sytë, të shkonte vullnetar në syrgjyn; ata do kujdeseshin që ai të jetonte si mbret. Por, jo dhe jo! A e donte me patjetër gjykimin me vdekje prej tyre? Sigurisht që e donte! Në Ballkan nuk kishte shteg tjetër. Aniti, Meleti dhe prokurorët e tjerë ndjenin urrejtje personale ndaj tij dhe ky ishte një rast ideal që ta kurorëzonin në mënyrë ballkanike: me vdekje. Meqë nuk bënte asnjë dëm serioz dhe nuk i rebelonte njerëzit, në çdo vend tjetër Sokrati do e kalonte me ndonjë qortim dhe me një dënim në të holla. Por, në Ballkan, edhe kundërvajtja më e rëndë falet nëse nuk ekziston urrejtja personale. Kurse në pjesën tjetër të botës dënohet kundërvajtja, jo personaliteti. Madje edhe kundërvajtjet më të rënda mund të kalojnë me qortime ose me ndonjë dënim në para, deri edhe çrregullimet relativisht beninje të rendit dhe qetësisë publike, si në rastin e Sokratit, mund të përfundojnë me dënim me vdekje. Në Ballkan gjykohet personi, jo kundërvajtja. Edhe dënimi në Ballkan nuk është dënim, por hakmarrje. Ndërsa amnistia nuk është amnisti, por falje!

Dhe këtu mund ta ndërpresim këtë apologji për Ballkanin, edhe pse potencialisht nuk ka fund. Në këtë rast vetëm sa përmendëm anën më të ligë të njerëzve, pra edhe të ballkanasve – vrasjen e njerëzve. Sa e gjatë dhe e madhe do ishte kjo apologji për Ballkanin nëse do bëhej fjalë për gjërat e bukura: për dashurinë, butësinë, miqësinë! – fenomene që në Ballkan arrijnë proporcione dhe intensitet të lartë dhe nuk mund të krahasohen me asnjë vend tjetër në botë! Por, edhe Apologjia e Madhe e Ballkanit, kur të ulet në bankë për të dhënë llogari para prokurorëve dhe gjykatësve, nuk do ndryshojë shumë; sepse as kjo apologji e vogël, as Apologjia e Madhe nuk do jenë të mjaftueshme që të tërhiqen akuzat kundër Ballkanit, sikundër nuk ka mjaftuar as “Apologjia e Sokratit” për tërheqjen e akuzave kundër tij. Sado që të jenë të pabaza, të sforcuara, të pabesueshme, këto akuza kanë qenë të vërteta, nga njerëz të gjallë, realë, në adresë të një njeriu real, të gjallë! Edhe akuzat kundër Ballkanit janë të njëjta: ato janë akuza plot ndjenjë. Baza e tyre e përbashkët është përzierja e urrejtjes dhe zilisë, e superioritetit të rremë dhe inferioritetit të vërtetë. Dhe, pikërisht për shkak të kësaj, këto akuza, me argumentimin e tyre të papranueshëm racional, por me qëllimin e keq irracional dhe të sinqertë, sa më shumë të përsëriten e të shtohen, aq më të pavdekshëm do e bëjnë Ballkanin, njësoj si akuzat kundër Sokratit, që nga ana racionale janë të paargumentuara, por të motivuara nga mëria dhe smira. Ato e bënë të pavdekshëm Sokratin.

Burimi: http://shenja.mk/index.php?news=8948

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: