Hyrje > Qytetet e vjetra shqiptare > Tirana, 95 vjet kryeqytet nga historia e një tradite

Tirana, 95 vjet kryeqytet nga historia e një tradite

Alba KEPI

 

TIRANA, 95 VJET KRYEQYTET NGA HISTORIA E NJË TRADITE

Tirana kryeqytet

9 shkurt 1920-2015, plot 95 vjet kur Tirana shpallet kyeqytet. Prej gati një shekulli është pjesa kryesore e një guide, e një trupi që bashkon shumë elementë, qyteti kryesor i një kombi, paçka se ende ka mjaft që mllefen duke analizuar se e meritoi ose jo këtë rëndësi politike. Shqipëria e kërkoi, Kongresi i Lushnjës e vulosi e banorët e pranuan këtë rol që të dhuroi historia. Kjo është e gjitha!
Jugu i vendit vuante ngacmimet e Greqisë, Veriu provokohej shpesh nga serbët dhe Tirana ishte ashtu siç parashikonte më 1899 profecia e Samiut të madh “Mez’ i Shqipërisë, domethënë kryeqytet’ i përgjithshëm, do të jetë një nga qytetet, që ndodhenë në mest të Shqipërisë, e në të cilët të flitet gjuha shqip. Po më mirë do të qe të bëhesh një qytet i ri në mest të Shqipërisë në një vend të shëndeçëm e të bukur. Ky qytet, të cilin ne mundim ta quajmë Skënderbegas, do të goditetë me një mëndyrë fort të bukurë, me udhë të gjëra e të drejta, me shtëpi të mira, me sheshe e me gjithë ç’duhetë; edhe në pak kohë mund të rritet’ e të madhohetë shumë, se gjithë parësi e Shqipërisë e shqipëtarët’e xgjuarë do të kenë nevojë të mblidhenë e të bëjnë shtëpi atje. Kështu, ky qytet i ri do të jet’ i çpenguarë nga të gjithë zakonet’ e keq, që kanë qytetet e vjetër; edhe me qenë qe ndejësit’ e ti do të jenë të mbledhurë nga gjithë anët e Shqipërisë, edhe gjuha që flitetë atje, do të jet’ e përzjerë, që të muntnjë të quhetë gjuh’ e përgjithçme e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë. Ky qytet me pak vende rrotull do të qeverisetë si një nënëgastr’e veçantë.”
Një fotografi bardhë e zi e bën të pavdekshëm hyrjen e qeverisë shqiptare në Tiranë, dy ditë pas vendimit zyrtar të Kongresit të Lushnjës. Më 11 shkurt 1920 përfaqësues të Këshillit të lartë Kombëtar, ministra e patriotë, fetarë e luftëtarë, ecin krah më krah, të gjithë bashkë e me të njëjtin hap, drejt kryeqytetit të ri të vendit. Mes tyre Ismail Efendi Ndroqi, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Ahmet Zogu, Eshref Frashëri, Mytesim Këlliçi etj, vijnë nga krahina të ndryshme të Shqipërisë e askush prej tyre nuk do ta kishte imagjinuar se, vendimi i shpalljes së Tiranës kryeqytet do të ngjallte në këtë epokë të sotme të modernizmit debate që limitohen në inate krahinore. Zgjedhja e tyre politike e me interes kombëtar, prej sot e një dekade sjell në çdo përvjetor retorikën e mërzitshme mediatike se e meritonte o jo të ishte kryeqytet. Si Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Tirana qe e është një qytet i Shqipërisë e nuk duhet harruar se pa kushtet e përshtatshme të brendshme të qytetit, vendimi i Kongresit të Lushnjës nuk do të ishte miratuar kurrë, pavarësisht pozitës së favorshme gjeografike që kishte.
Pranë Tiranës, në Qafë Kashar 95 vjet më parë qe vetë Kryetari i Bashkisë së Tiranës Ismail Efendi Ndroqi, ai qe priti përfaqësuesit e qeverisë së re për të hyrë në qytet, ndërsa ministri i brendshëm Ahmet Zogu i shpërndante të gjithë Prefekturave të Shqipërisë qarkoren; “T’i bahet me dijt popullit atjeshëm se kabineti ri i zgjedhun nga mbledhja Kombtare e Lushnjës, më 11. të k. muajit mrriti në Tiranë e filloji nga puna. Tirana u shënua për kryeqytet”.
95 vjet më parë Tirana kishte rregullin e qetësinë sociale, zhvillimin e qartësinë ekonomike, ecurinë e largpamësinë urbanistike, dijen e urtësinë intelektuale për të qënë pejsë e betimit të të gjithë deputetëve të Kongresit të Lushnjës; “Mbledhja kombtare jep fjalën e nderit e besën e shqiptarit duke u betuar në emën të perëndis se deri sa Këshilla e Naltë vepron mbas ligjet të Shtetit tue ruejtun indipendencën e plotë të Shqipnis me mish e me shpirt, do të jetë mprojtës e përkrahës i gjithhershëm i kësaj Këshille”.
“Pa një traditë të qëndrueshme nuk ka civilizim”- shkruan më 1895 Gustave Le Bon e frutet e kësaj tradite ritesh, zakonesh, dokesh, ndikuan pa dyshim në zhvillimin e qytetit të Tiranës. Falë aftësisë së banorëve të saj autoktonë u krijua një ekulibër i shëndoshë mes asaj çka të ofronte e përditshmja dhe asaj çka të këshillonte e kaluara. Kështë qe dje, e kështu vazhdon të jetë dhe sot.
95 vjet histori urbane, poltike e ekonomike e këtij qyteti, por dhe 95 vjet nga historia e një tradite kulturore që nuk zvenitet kurrë. Tì kujtosh disa prej tyre sot është një dhuratë morale ndaj Tiranës që feston ditëlindjen e saj si kryeqytet.

 

Kanuni i Bendës

 

Në Tiranë si kryesisht në tërë zonën e Shqipërisë së Mesme ka vepruar Kanuni i Bendës, norma dokësore, që rregullonin bashkëjetesën e marrëdhëniet sociale e ekonomike mes banorëve. Këto norma ligjore të traditës kanë si tipare etnopsikologjike nderin, barazinë, atdhetarizmin, përkatësinë sociale, mirësinë, besimin fetar, mikpritjen e besën. Kanuni i Bendës merr emrin nga krahina e Bendës e cila lidh Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut e të Jugut. Në Perëndim kufizohet nga rrethi i Krujës, Mali i Dajtit e mali i Linzës. Në Lindje nga Mali me Gropa dhe mali i Xibrës. Në jug nga krahina e Shëngjergjit, ndërsa në Veri nga Qafë Shtama. Sipas Profesor Eqerem Cabej fjala Bendë ka rrjedhur nga togfjalëshi “toka pas malit”, pasi kjo krahinë shtrihej pas vargmalit Krujë-Dajt. Po sipas tij në këtë zonë fjala “buenë” do të thotë vërshim ujrash e ndryshimet fonetike kanë çuar në trasformimin e saj në fjalën Bendë. Dhjetra nene e qindra paragrafë rregullojnë e orientojnë lidhjet e fejesës, martesës, ceremonitë, marrëdheniet në familje, farefis e shoqëri, përcaktojnë rregullat ekonomike e sociale mes të gjithë bnorëve. Karakteristikë e Kanunit të Bendës është origjinaliteti i tij, pa dyshim me mjaft ngjashëmëi me Kanunin e Skëndërbeut, por dhe me të Lekë Dukagjinit. Veçanti qe hierakia në vendosjen e rregullave e respektimin e zakoneve dhe riteve. Një vend kyç në Kanunin e Bendës e zinte Kuvendi i pleqve i cili ndahej në dy niveli, niveli më i ulët, Kuvendi i Pleqve të katundit dhe niveli më i lartë, Kuvendi i pleqve të Bajrakut. çdo katund kishte Plakun e tij që mbante rreth vetes pleqësinë që merrej me organizmin e administrimin e jetës shoqërore, ekonomike, familjare e fetare të banorëve. Kur shtëpia e Plakut të katundit kalonte një shekull pleqërim, ajo quhej shtëpi kanuni e gëzonte të drejtën të përfaqësonte bajrakun në çdo kuvend dhe jashtë kufijve. Si çdo Kanun që vepronte në krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe Kanuni i Bendës pasqyronte shkallën e zhvillimit ekonomiko-shoqërore ku vepronte.

“Me kanun duhet respektu rradha”; “Me kanun çunat e shtëpisë nuk martohen pa u rehatu motrat”; “Me kanun goca e ka shtëpinë ke burri”; “Me kanun gruja e keqe (pa moral) shkatërron shtëpinë e ndyn emrin e fisit”; “Me kanun do shkoj bari n’rronjë” janë shprehje që në familje tiranse i gjen sot në një përdorim të shpeshtë e të zakonshëm. Kanuni i të drejtës zakonore shqiptare siç e përkufizon dhe kodifikuesi e përpiluesi i Kanunit të Skënderbeut Dom Ilia konsiderohet: “se sot jeton si i mbuluem prej kohës dhe qet kryet dhe vepron në çdo rrethanë anarkie. Ai asht rrajë e drejtësisë, e parimet e tija që në thellësi të shekujve mbeten themel për çdo legjislacion shqiptar të gjitha kohve, në ma të ndryshmet rrethana. Ai asht fryt i nji mendjehollësie të vazhdueshme e të mahnitshme të popullit tonë”.

 

Familja Tiranse

 

Fjala familje në Tiranë është përdorur vonë, në vend të saj përdoreshin terma si “kulm”, “votër”, “zjerrm” e që nënkuptonte dy o tre banesa, pra një bashkësi familjare, një grupim njerëzish në lidhje gjaku vertikalisht o horizontalisht me një ekonomi të përbashkët. Familja tiranse ka të përbashkët e zotëron shtëpitë e prona, bagëti e toka. Karakteri historik që mbart familja tiranse është lidhur ngushtë me ndryshimet, zhvillmet, dukuritë sociale, ekonomike e politike të territorit ku jeton. Familja tiranse karakterizohej nga katër funksione bazë;

Funksioni ekonomik që nënkupton përpjekjet e të gjithë anëtarëve të familjes për të siguruar të mirat materiale për të plotësuar çdo nevojë të domosdoshme e më tepër. Pra qëllimi i këtij funksioni ishte përmirësimi gjithnjë e më shumë i pozitës ekonomike, gjithmonë falë punës e përkjekjeve të ndershme të çdo anëtari. Sado të arrinte numri i familjarëve të një oxhaku ekonomia do të ishte një ekonomi e përbashkët.
Funksioni jetik e biologjik i përcaktuar nga martesa, pra tek bashkimi i një mashkulli e një femre për të pasur një jetë sa më të plotë biologjike e sociale.
Funksion riprodhues që bazohet në aftësinë për të përtëritur jetën, për të pasur trashëgimtarë të emrit të familjes, fisit, pasurisë, trojeve e pronave.
Funksion edukues i cili ndërtohet eskluzivisht për të rritur e edukuar fëmijët, pra pasardhësit, përcjellësit e virtyteve, vlerave, e nderit të një familje.
Familjet autoktone tirranse, shekuj më parë, dalloheshin me njëra-tjetrën veç nga emrat, por shtimi i popullsisë e përsëritja e emrave solli vështirësi në evidentimin e personave të veçcantë. Lindi kështu një tjetër mënyrë dalluese, duke i shtuar pas emrit të personit dhe emrin e lagjes, zonës, fshatit ku banonte. Por nuk mbaroi me kaq pasi iu shtua kësaj dukurie dhe thirrja e personave duke i bashkangjitur emrin e babait. Vec viti 1937 me urdhëresën e qeverisë së Mbretit Zog vendosi e detyroi që familjet të ndryshonin mbiemrat e tyre duke përjashtuar emra fshatrash e qytetesh.

 

Kulti i trashëgimisë

 

Ritet, zakonet, traditat në një familje tiranse bazohen tek kulti i trashëgimisë, frymëzohen në aspiratën e jetës, për të realizuar vazhdimësinë e ekzistencës së emrit të një familje e mbi të gjitha të një qyteti. Por kanë në themel dhe kultin e së shkuarës, një sistem normash e ligjesh popullore të përmbledhura në shprehjet; “Kshu na e konë lonë amanet pleqtë” apo “kshu e kena zakon ne tironsit”. Trashëgimi i emrit, trojeve, pasurisë, vazhdimësia e brezave ishte një preokupim jo vetëm për familjen, por për të gjithë fisin.

Gjysëm shekulli diktaturë komuniste influencuan negativisht deri në eleminim të këtij tipari zakonor. Familjet tiranse të shtresës së lartë e të mesme, qenë nga të parat që u vulosën me emërtimin “armik të popullit e kulak”. Me prona, shtëpi, para të konfiskuara e të vjedhura “në emër të populllit”, burra të pushkatuar, djem të burgosur, nuse të reja me fëmijë në djep internuar në periferi të humbura; ky qe skenari i jetës pas lufte për familjet fisnike, patriotike, dyert e mëdha e të mira të qytetit. Pushteti popullor i shfuqëzoi ekonomikisht me synim dobësimin e rolit social e të influencës së tyre në komunitetin autoktonë. Dhuna shumëvejcare e kësaj politike pati pa dyshim pasoja dhe në traditën e lidhjeve mes të rinjve, trashëgimtarët e emrit të këtyre familjeve.
Memoria kolektive nuk harroj asnjëherë “dyert me emër”, “xhinset e mira”, i mbrojti, i respektoi, e fshehtazi aq sa mundësia ua lejonte, “lidhja e fjalës” me përkatësi sociale të njëjtë, vazhdonte të ruhej. Por në kulmin e egërsisë së regjimit komunist, rreziku më i madh në Tiranë qe jeta.
Mbijetesa e autoktonëve, trashëgimia njerëzore, vazhdimësia e asaj c’ka të parët e këtij qyteti kishin krijuar në shekuj fillimisht në formën e një dëshire, u shdërrua në ovjektiv e qëllim jete. Pikërisht në këtë fazë tiparet, karakteri, tradita, kultura e banorëve tiranas zëvendësuan kriterin e respektimit të lidhjeve martesore me të njëjtin nivel social, në një kriter rigoroz lidhjesh fjale “mes nesh tironsish” e mënjanimin e fejesave “mes nesh e atyre”. Epitezimi me “atyre” apo me “ata” ishte mjaft i qartë për çdo banor, nënkuptoheshin vjedhësit e pronave, trulleve, shtëpive, dyqaneve, vrasësit e burrave, torturuesit e bijve, dhunuesit e grave, pra komunistët. Shprehja “tironasit japin e marrin me njëri-tjetrin” gjen lulëzimin e saj të plotë. Në këtë moment të vështirë, qyteti i tyre duhej të mbijetonte, duhej të ruhej historia e tij dhe e të gjitha familjeve vendase që kontribuan në krijimin e zhvillimin e Tiranës, duhej nderuar jeta e çdo banori autokton që adhuron këtë tokë, e me dashuri përcolli brez pas brezi traditën e tij të jetës. Çdo ditë e më shumë u krijua “lidhjet e fjalës” mes familjeve autoktone, u trashëgua emri i vendalive, zakonet, ritet, virtytet e kultura e qytetit të tyre. Përjashtime? Pa dyshim që ka pasur, por jo aq mjaftueshëm sa prezenca e fuqishme e shprehjes “ne tironsit japin e marrin veç me njoni-tejtrin!”
Shprehja se “tironasit japin e marrin veç me njoni-tjetrin” ndikoi në fuqizimin ekonomik të shtresave sociale të qytetit në fund të shekullit të XIX e në fillim të XX. Ndërsa në gjysmën e shekullit të XX u kthye në një pamflet politik për të mbijetuar fizikisht dhe ekonomikisht shtresën autoktone të qytetit. Sot kjo shprehje vazhdon të jetë amanet shpirtëror i dashurisë së banorëve vendali ndaj qytetit të tyre.

 

I Pari i shtëpisë

 

I zoti i shtëpisë në kulturën tiranse njihet si i Pari i shtëpisë. Pozita e tij lihej në trashëgimi e roli i tij ishte i padiskutueshëm nga të gjithë anëtarët e familjes. Në çdo familje tiranse kishte dy ose më shumë burra të martuar e që përfshinin një njësi familjeje që ndiqej nga kushërinjtë e brezit të parë, të dytë e me radhë. Kanuni, pra ligji dokësor impononte që çdo familje të kishte një sistem qeverisje në krye të të cilit qëndronte i Pari i Shtëpisë. Ky i fundit stërvitej që në rini për rolin e tij të ardhshëm të përcaktuar nga paraardhësi. Përgatitja e tij kishte të bënte në rregullimin e marrëdhënieve mes anëtarëve të familjes, fqinjëve, kufijtë e trojeve, rrugëve e arave, punëve të përbashkëta në familje, raportin me parinë e qytetit e me shtetin. I pari i shtëpisë mbi të gjitha duhet të ishte një njohës i mirë i Kanunit, i ligjeve të shtetit por dhe të karakterizohej nga objektiviteti i gjykimit e karakteri i fortë. Duhet të ishte dhe një punëtor i madh në mënyrë që kur mungonte krahu i punës të përballonte sic duhej nevojën ekonomike të familjes, por dhe mbikqyrte e të organizonte aktivitetin e familjes në të gjitha drejtimet. Në qëndër të funksionit të tij duhej të ishte mbrojtja e interesave ekonomike, sociale e juridike të familjes. Por në rast se i Pari i shtëpisë ndahej nga jeta në mënyrë të papritur, një kuvend burrash të familjes mblidheshin e zgjidhnin njeriun më të përshtatshëm për t’u bërë i Pari i shtëpisë. Në familjet tiranse këtë pozitë e merrte pothajse gjithmonë djali më i madh i familjes, duke respektuar rradhën e moshën.

Për çdo anëtar të familjes tiranse roli e funksioni i të Parit të shtëpisë nuk vihej kurrë në diskutim. Ishte pika e referimit e të gjithëve. Cdo vendim e veprim i tij ishte për të mirën e emrit të shtëpisë e respektohej pa u vënë kurrë në dyshim. Për brezat e rinj, nipër e stërnipa ishte shembulli i mësimit për çdo zakon, rit, traditë e sjellje që nuk duhej t’i mungonte kurrë një tiransi të vërtetë.

 

E zonja e shtëpisë

 

Për këdo që ka lindur dhe është rritur në një familje tradicionale tiranse vendi që zë brenda saj e zonja e shtëpisë, gruaja, nusja, goca, mbesa e stërmbesa është i përcaktuar mirë në mënyrën e jetesës, sjelljes, në aktivitetin ekonomik e social e në marrëdhniet me të gjithë anëtarët. Për fat të keq historiografia komuniste për vite e dekada me rradhë këtë pozitë familjare të femrës tiranse e ka trajtuar në mënyrë mediokre, të ngushtë në këndvështrimin e të kushtëzuar të mentalitetit shtypës komunist. Duke synuar të poshtëroj shtresën e mesme e të lartë tiranse të pas Luftës së dytë Botërore, fuqia e së cilës ishte forca lëvizëse ekonomike, politike e sociale e qytetit, sistemi komunist doktrinizoj e fallsifikoi dhe historinë. Gruaja tiranse nga studiuesit e kësaj epoke, prezantohet si e përulur, pa asnjë të drejtë ekonomike, shërbëtore e burrit dhe e pavlefshme brënda familjes. Po për fat të keq në disa përpjekje të kryera gjatë viteve të fundit për të përcjellë historinë e zakoneve e riteve të traditës tiranse, përsëritet i njëjti gabim, i justifikuar nga referimi i vazhdueshëm që i bëhet materialeve të historiografisë komuniste, si dhe nga mosnjohja e vërtetët e jetesës në një familje tiranse. Pozita e gruas tiranse brenda familjes nuk ishte aspak më e ulët se pozita e cdo gruaje shqiptre në cdo familje shqiptare, pavarësisht krahinës ku ndodhej. E pra nëse i Pari i shtëpisë ishte truri i familjes tiranse, Zonja e Shtëpisë, gruaja, nusja, vajza, mbesa e stërmbesa ishte zemra pa të cilën truri nuk mund të vinte në lëvizje asnjë mekanizëm të kësaj familje. Kultura tiranse e veshi gruan kokë e këmbë me ar, kostumi i saj tradicional ishte dhe është nga më të bukurit, më të kushtueshmit e më të vlerësuarit në kostumografinë popullore shqiptare. Bizhuteritë e ballit, të gushës, të gjoksit, të duarve e këmbëve dëshmonin vlerësimin e respektin për vlerën shpirtërore, sociale e ekonomike të gruas brenda familjes. Jeleku, këmisha, dimiqtë e çdo pjesë e veshjes duhet të ishte eksluzivisht e qëndisme me ar dhe e punuar mbi pëlhurën më të kushtueshme që ekzistonte në treg. çdo vakti të ditës i përgjigjej një veshje e caktuar. Të tilla ishin rrobat e drekës, rrobat e pazarit, rrobat e dasmës, e sebepevve etj etj. Duke u bazuar në ligjet dokësore historiografia komuniste shqiptare e ka preantuar gruan tiranse si pa asnjë të drejtë ekonomike. Ky pohim bazohet në keqdashësinë e injorancës për të mos njohur sic duhet realitetin. Gruaja tiranse ishte goca tiranse e cila kishte mbërritur në familjen e burrit, me të gjitha pasuritë e tundshme e të patundshme të dhuruara nga familja e saj e origjinës e që i duheshin për të përballuar dejësisht jetën. Fuqia ekonomike e saj në shtëpinë e burrit ishte e pandashme nga pasuria që bashkëshorti apo dhe vetë i Pari i shtëpisë zotëronte për çdo anëtarë. Gruas tiranse nuk i mungonte asnjëherë e drejta për të pasur lirinë ekonomike në zgjedhjet apo nevojat e saj, kishte “qesen” e saj që e gëzonte dhe e administronte vetë. Për të gjithë jetën ajo e fëmijët e saj ishin të siguruara në mënyrën më të mirë të mundshme që familja mund t’i grantonte mbi ushqimin, banimin, veshjen e kënaqësitë e gëzimit sa më mirë të saj. Pra në familjen tiranse nuk ka ekzistuar kurrë as me ligj dokësor e as në mentalitet një grua shërbëtore. Gruan, burri e djali tirans e mbante mbi kaptinë e i thurte vargjet e këngët më të bukura duke e krahasuar me bukuritë më të padiskutueshme të natyrës si hëna, lulja, ajri e jeta.

 

Burimi: http://www.standard.al/tirana-95-vjet-kryeqytet-nga-historia-e-nje-tradite/

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: