Kreu > Vilajetet shqiptare > Barbarizmi grek i 99 viteve më parë ndaj 195 burrave të Hormovës dhe politika 100 vjeçare greke ndaj Shqipërisë

Barbarizmi grek i 99 viteve më parë ndaj 195 burrave të Hormovës dhe politika 100 vjeçare greke ndaj Shqipërisë

Xhenet SULA, Studiues historie

 

BARBARIZMI GREK I 99 VITEVE MË PARË NDAJ 195 BURRAVE TË HORMOVËS DHE POLITIKA 100 VJEÇARE GREKE NDAJ SHQIPËRISË

Kufijtë e Shqipërisë

Kufijtë e Shqipërisë

Copëzimi që iu bë Shqipërisë nga një zgjidhje e palogjikshme e gjashtë ambasadorëve, bëri që veriut të Shqipërisë, t’i shkëpusin disa krahina nga “Grupi i Pesë Bajraqeve” dhe pas një “kompromisi” të bërë me 11-gusht 1913, Greqisë i japin pjesën më të madhe të Shqipërisë Jugore, Çamërinë dhe Janinën, kryeqyteti tradicional i Shqipërisë së Jugut. Kjo ngjalli urrejtje dhe krijoi një pakënaqësi të madhe për popullin shqiptar dhe qeverinë e Ismail Qemalit, të cilët u ngritën në këmbë dhe luftuan me armë në dorë për mbrojtjen e vatanëve që po copëtoheshin dhe krasiteshin, duke i gjymtuar, djegur e shkatërruar të gjitha krahinat banuara nga shqiptarët që nga Preveza e deri në Prizren. Kjo situatë e vështirësoi edhe më shumë gjendjen dhe e bëri atë më kritike. Fuqitë e mëdha, duke i parë më nga afër masakrat që po bënte ushtria greke në tërë jugun e vendit, bënë që Konferenca e Ambasadorëve në fund të gusht te vitit 1913 të ngrinte një Komision Ndërkombëtar për Kufijtë, që do të verifikonte popullsinë dhe do të përcaktonte me saktësi kufijtë. Menjëherë, pasi marrin vesh se komisioni filloi punën, grekët organizojnë demonstrata të zjarrta në Korçë, në muajin tetor. Metodat që u përdorën me nxënësit shqiptarë nga mësuesit grekë, në shkollat ku këta jepnin mësim si në Korçë, Ersekë dhe Përmet qenë dy: Ata veshën me kostum ngjyrë greke (bardhë e blu) të gjithë fëmijët dhe në krahë mbanin nga një shirit të bardhë, ku ishte qëndisur “Enosis i thanatos”, që do të thotë “Bashkim ose Vdekje” dhe e dyta, këngët që këta fëmijë shqiptarësh në kor do të këndonin para këtij komisioni kur ai të shkonte për ti parë dhe vërtetuar?!…
Anëtarët e komisionit sa hynë në oborret e këtyre shkollave, panë dhe dëgjuan kur kaluan mes përmes nxënësve që këndohej në kor greqisht. Atëherë, një nga anëtarët e këtij komisioni, Bilinski përfaqësuesi austriak, tek çdo oborr i këtyre shkollave greke, hodhi nga lart mes fëmijëve që luanin një grusht me monedha. Ata u hodhën që t’i kapnin dhe nga hutimi, harruan greqishten dhe folën shqip, në gjuhën amtare. Mjaftoi kjo dhe komisioni u bind. Kjo ishte njëra mënyrë për greket, që ata paraqitën si provë para komisionit, të cilët nuk i bindi, dhe tjetra, ata donin me çdo kusht që të realizonin pikësynimin e tyre që kishin vendosur që te “Guri –Ylynecit” e deri te “Tri-Avgat”! Ëndërr kjo e planifikuar në Athinë, ku nga zyrtarët grekë u formua një “Qeveri e Përkohshme e Epirit Autonom”, e cila kryesohej nga Kristaki Zografos, ish -ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë. Duke parë rrezikun grek, masakrat e shkatërrimet e shumta në jug të Shqipërisë, ambasadorët e Londrës paralajmëruan Greqinë se nëse nuk tërhiqej nga Shqipëria, ata nuk do ta shqyrtonin pretendimin e saj për Ishujt Dodekanezë në Egje, të cilët i përkisnin Turqisë.

“Kështu, më 1 mars të vitit 1914 trupat greke “largohen” nga Korça duke lënë pas një numër ushtarësh grekë në spitale të ndryshme, me pretekstin se kishin nevojë për kurim. Këtu, peshkopi grek nisi të thurte një komplot me ushtarët grekë të lënë qëllimisht në spitale, si edhe me simpatizantë shqiptarë e banda greke që endeshin nëpër krahinat jugore. Helenistët sulmuan Korçën, Ersekën, Dangëllinë, Përmetin, Tepelenën, Gjirokastrën, Vlorën e Sarandën, së bashku me to edhe krahinat e tyre në të cilat në mënyrën më barbare kryen krime nga më të shëmtuarat e më çnjerëzoret, duke vrarë e therur, varur e përdhunuar, djegur e shkrumbuar dhe kthyer në hi çdo gjë. Kudo shkretim. Në maj të vitit 1914, si e plaçkitën andartët Borovën, përdhunuan me pahir më tepër se 13 gra… Në Gostivisht turpëruan më tepër se 18 gra… Në Blush çnderuan 5 gra dhe rrahën pa mëshirë plakat dhe pleqtë e fshatit… Në Luaras therën 20 fëmijë myslimanë… Shtëpitë myslimanë i dogjën e i bënë hi nga Shqerria, Dangëllia, Kolonja e për fushë Korçë… Në Panarit therën si berrat 300 shpirtra, të cilët i gënjyen duke u thënë: “Kthehuni në shtëpitë tuaja se ne nuk u ngasim”. Por kur u kthyen, i vranë më të shumtit me sëpata për tmerr, shkruante në atë kohë Gazeta e Sofjes “Liria e Shqipërisë”.

Kurse tragjedinë që ndodhi në fshatin Kodër të Tepelenës; një banor i moshuar, Sheme Beja nga Hormova e Tepelenës, e tregon kështu: “Grekët, pasi qenë përleshur pesë muaj më parë me burrat trima të këtij fshati, se gjoja banorët e këtij fshati kishin djegur flamurin grek dhe gjatë luftimeve që u bë midis burrave trima hormovitë me ushtarët grekë, këta kishin fituar dhe nga kjo humbje, grekët ishin larguar të turpëruar, e tek sa kthehen përsëri pas pesë muajsh pranverën e vitit 1914 te kisha e fshatit Kodër, grekët thërrasin kryepleqtë e fshatit “gjoja” për tu pajtuar dhe këta sa shkuan, ushtarët menjëherë i mbyllën brenda në kishë duke u thënë: Tani, ju do të lajmëroni fshatarët dhe nëse ata nuk vijnë, të gjithë juve do t’ua presim kokat. Kështu fshatarët me ta marrë vesh këtë lajm, shkuan grupe- grupe e teksa bashkoheshin para kishës, ushtarët grekë i merrnin një e nga një dhe i fusnin brenda në kishë e i thernin duke u prerë kokat me thikë e pastaj u nxirrnin zemrat nga kraharori dhe i tërhiqnin zvarrë nëpër dysheme derisa i nxirrnin nga dera e pasme te shkallët mbrapa e që andej ata i hidhnin në një gropë të cekët duke i lënë të pambuluar”, mbaron rrëfimin e tij zoti Sheme, të cilit ia kishte treguar babai i tij që ai këtë tragjedi e kishte përjetuar që në moshën 14 vjeç…
Kurse Gjenerali De Veeri i misionit holandez, kur shkoi në atë fshat, pa me sytë e vet mizorinë e tmerrshme të grekëve dhe bëri disa fotografi nga ato pamje të llahtarshme. Raporti i tij drejtuar Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, shkruante se: “Në jug të fshatit Kodër gjeta një kishë të vogël, që padyshim do të ishte përdorur si burg. Muret e brendshme dhe dyshemeja ishin të lara në gjak: kudo kishte kësula dhe rroba të lara në gjak. Doktori, pjesëtar i Komisionit të Hetimeve pa me sytë e vet tru njerëzor. Në altar gjeti një zemër që ende rridhte gjak. U zhvarrosën 195 trupa, pasi gropa ku i kishin futur ishte e cekët dhe i varrosën në varre më të thellë. Të gjithë trupat ishin pa kokë. Por nuk duhet harruar se këta që ishin vrarë, nuk ishin myslimanë, por të krishterë, ortodoksë grekë që u masakruan për shkak të identitetit të tyre shqiptar. Ky qe kurthi i ngritur nga grekët ndaj këtyre njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm, që oficerët kur panë se këta njerëz u mblodhën të gjithë para asaj kishe, ata u dhanë urdhër ushtarëve që ti vrisnin mizorisht dhe barbarisht, me mitraloza, thika dhe sëpata e hanxharë. Falë arritjes së Selam Musa Salarisë së bashku me 500 trimat e tij të mbledhur nga e gjithë Labëria, që edhe pse mbërriti me vonesë në këtë masakër, prapëseprapë këta hakën nuk ua lanë pa marrë, duke vrarë me qindra ushtarë grekë dhe luftuan deri sa i përzunë nga Hormova dhe Labova”.

Luftime të ashpra midis shqiptarëve dhe trupave greke të cilat vetëquheshin me eufemizmin trupat e “Epirit Autonom”, vazhdonin gjithandej atë pranverë të vitit 1914 në Korçë e Vlorë, Dangëlli e Sarandë, Ersekë e Tepelenë, Gjirokastër e Mallakastër. Ja se si e përshkruan gazetari amerikan Uilliam U. Houard, ish Sekretar i Përgjithshëm i Fondit të Ndihmave për Shqipërinë, raportin e mëposhtëm: “Ushtarët grekë më 2 maj 1914 sulmuan Qinanin, një fshat 5 km larg Ersekës. I gjithë fshati u shkatërrua me zjarr e dinamit përveç një shtëpie. Harold Sherud Spenser, një vullnetar amerikan në shtabin e princ Vidit, së bashku me një trupë të vogël shqiptarësh, ditën e tretë mundën të futeshin në fshatin e rrethuar dhe u përleshën me forcat greke duke i dëbuar nga fshati këto forca greke. Në të vetmen shtëpi të fshatit u gjetën trupat lakuriqe të pesë grave të reja, që ishin mbytur e përdhunuar nga ushtarët grekë, kurse një grua rreth të gjashtëdhjetave shkruan ai, teksa Spenseri po hynte brenda, ajo i thotë atij se grekët e kishin përdhunuar 27 herë! Gratë e reja kishin luftuar për të mbrojtur nderin, derisa më në fund i kishin mbytur. Pastaj ushtarët grekë i kishin përdhunuar kufomat e tyre…”, përfundon raporti. Më tej, Spenseri thekson: “Nikolica, një fshat me 500 shtëpi në rrethin e Korçës u shkatërrua nga ushtarët grekë në dhjetor 1913. Fshatarët vetë u strehuan në Starovë. Në maj të vitit tjetër, 40 prej tyre u kthyen të jetonin në rrënojat e shtëpive të veta. Grekët i rrethuan dhe hapën zjarr mbi refugjatët e tmerruar. Të gjithë sa ishin, shumica gra e fëmijë u vranë ose u plagosën. Në Bockë, trupat greke vranë më shumë se dyqind vetë; gra, fëmijë e foshnja. Spenseri i pa trupat e tyre… Hormova, një fshat në rrugën e Tepelenës në Shqipërinë e Jugut u zaptua nga grekët. Të gjithë burrat, 225 bujq të pambrojtur e paqësorë u masakruan pa pikë mëshire. Kurse në një raport tjetër, Hauardi i bën një përmbledhje kësaj tragjedie, duke e pasqyruar atë që nga tetori i vitit 1913, ku ishin djegur ose hedhur në erë mbi 300 fshatra me 35.000 shtëpi dhe kishin mbetur pa strehë 330.000 vetë. Ishin vrarë, therur me bajonetë ose djegur 20.000 burra, gra dhe fëmijë. Ky ishte pretendimi dhe pikësynimi i grekëve, të cilët lakmonin Shqipërinë Jugore, e cila banohej nga ortodoksë dhe muhamedanë, që bëheshin pengesë për realizimin e këtij synimi, prandaj duhej të vriteshin ose të dëboheshin. Më thjeshtë se kaq nuk bëhej. Ishin këto barbarizma dhe gjithë ato krime ç’njerëzore të kryera nga grekët që më në fund të gjashtë fuqitë e mëdha u detyruan që në maj të vitit 1914, të dërgonin në Korfuz Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit për t’u takuar me përfaqësuesit grekë. Aty hartuan të ashtuquajturën “Dispozitë të Korfuzit” dispozitë së cilës, grekët nuk iu përmbajtën duke mos respektuar kushtet e vendosura për të cilat ia vlen që të dihet kur ata “kërkojnë” atë që dinë, se që ku na takon neve, qysh nga harta e lëkurës!

 

Burimi: http://www.sot.com.al/dossier/barbarizmi-grek-i-99-viteve-m%C3%AB-par%C3%AB-ndaj-195-burrave-t%C3%AB-hormov%C3%ABs-dhe-politika-100-vje%C3%A7are

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: