Kreu > Edukim > Martesat homoseksuale dhe e mira publike

Martesat homoseksuale dhe e mira publike

Redi SHEHU

 

MARTESAT HOMOSEKSUALE DHE E MIRA PUBLIKE

Redi Shehu

Redi Shehu

Një ndër debatet e hapura në mënyrë ciklike sa herë që afrohen data të caktuara simbolike që promovojnë çiftet e të njëjtit seks, është edhe debati mbi atë se çfarë është familja dhe cili është definicioni i martesës? Duket çudi për një pjesë të madhe të njerëzve një debat i tillë, por ajo që nuk përbën fare çudi, është fakti se tashmë ky debat është një realitet kokëfortë në të gjithë Perëndimin e për pasojë edhe në Shqipëri. Ama, ajo që përbën një taksë të rëndë intelektuale, është sipërmarrja për t’iu përgjigjur pyetjeve absurde të cilat si pasojë e postmodernizimit relativizues, insistueshëm kërkojnë përgjigje publike, e jo vetëm kaq, por kërkojnë ripërcaktim dhe rimoralizim të koncepteve dhe praktikave bazë të shoqërisë njerëzore, në emër të një rendi të ri shoqëror vizatuar në terrene psikologjike veçanërisht problematike.

 

Mbrojtësit e pikëpamjes se martesa tradicionale duhet rishikuar dhe konceptet e saj duhen rimodeluar, janë edhe mbështetësit e martesave mes të njëjtit seks. Përkufizimi i tyre i martesës është tipikisht i thjeshtë dhe retorika argumentuese e tyre mbështete mbi faktin se bazë e martesës duhet të jetë dashuria dhe emocioni seksual. E bukura e këtij pretendimi është se, mbështetësit e martesave mes të njëjtit seks, nuk bien dakort që të krijojnë një entitet tjetër social “konkurues”, jashtë martesës tradicionale, por kërkojnë që t’i bashkëngjiten martesës tradicionale duke e ndryshuar tërësisht atë. Pra, një marrëdhënie imponimi e nevoje, pak absurde. Kjo martesë sipas tyre me bosht qëndror tërheqjen seksuale, bëhet përmes një bashkimi mendjesh dhe vullnetesh duke krijuar një “njësi juridike” tërësisht të ndryshme nga ajo me të cilën ekzistenca njerëzore ka funksionuar deri më tani, kjo pavarësisht faktit se janë ose jo seksualisht të ndryshëm partnerët.

 

Mirëpo, koncepti i martesës heteroseksuale, i cili është edhe ai tradicional dhe masiv, është një praktikë sociale e bazuar kryekëput në arsyen e përbashkët njerëzore e cila si rezultat përfundimtar ka të mirën e përbashkët shoqërore. Tiparet themelore te martesës tradicionale, sipas Jonathan Rauch, janë: Bashkimi i përshtatshëm i një çifti hetero seksual, lidhjet speciale me fëmijët dhe ekskluziviteti. Pra, si pas tij, martesa duhet të ketë tiparin e ekskluzivitetit bashkëshortor që të konsiderohet e tillë dhe e shëndetshme shoqërisht.

 

“Harward Journal of Law & Public Policy” i bën një trajtim ekzemplar konceptit të martesës tradicionale dhe hyn në antropologjinë e saj, duke u përpjekur për të shpjeguar me mekanizma aspak konservatorë, porse të logjikës sociologjike, se çfarë është martesa. Sipas saj, ashtu si martesat homoseksuale edhe ato tradicionale heteroseksuale janë bashkime mendjesh dhe vullnetesh mbi bazë tërheqjeje seksuale duke sjellë në një bashkim organik të trupit. Mirëpo tek martesat tradicionale, bashkimi trupor përfshin koordinimin trupor me qëllimin për të përftuar një “të mirë trupore” dhe e mira biologjike e bashkimit trupor është riprodhimi. Riprodhimi si “e mirë trupore” është jo vetëm i tillë por është edhe e mirë publike. Kjo e mirë publike nuk mund të sillet në hapësirën publike veçse përmes bashkimit  mes një burri dhe një gruaje të cilët janë të vetmit që mund ta konceptojnë dhe ta formësojnë atë.

 

Tek bashkimi i personave të të njëjtit seks, nuk mund të arrihet “e mira trupore” si e mirë publike dhe meqë riprodhimi, fëmijët si e mirë trupore, janë domethënia e vetë martesës, atëhere në rastin e homoseksualëve bashkimi nuk mund të konsiderohet martesë pikërisht prej paaftësisë për të sjellë “një të mirë trupore”. Dallimi mes të mirës trupore tek martesat heteroseksuale është se ajo ka veti trashëgueshmërie, pra përfundon me një trashëgimtar dhe produkt që është e mirë publike, ndërsa martesat homoseksuale maksimumi mund të prodhojnë “kënaqsi seksuale” e cila nuk ka vlerë trashëgueshmërie dhe si e tillë del nga tipologjia e bashkësisë bashkëshortore. Pra, ajo që e dallon martesën tradicionale nga forma të tjera të të njëjtit seks, është aftësia riprodhuese. Partnerët homoseksualë pavarësisht statusit të tyre, nuk mund të prodhojnë martesë sepse u mungon çfarëdolloj orientimi për të pasur fëmijë. Bashkimi i tyre nuk vuloset nga akti riprodhues. Me pak fjalë, nëse  do ta mbështesnim martesën vetëm tek emocioni dhe seksi atëhere automatikisht do të binte arsyeja për t’u martuar, jo vetëm kaq, por duke qenë se ana emocionale nuk është stabile, atëhere edhe martesa po të mbështetej vetëm mbi këtë element nuk do të ishte gjithashtu e qëndrueshme. Që të jetë e qëndrueshme duhet një faktor stabiliteti dhe përgjegjësie i cili përmblidhet me riprodhimin.

 

Mbështetësit e martesave të të njëjtit seks, pretendojnë se edhe çiftet heteroseksuale sterile martohen dhe bashkimi i tyre quhet martesë, përse kjo nuk duhet të ngjajë me homoseksualët të cilët mund të adoptojnë një fëmijë ? Themi, që familjet tradicionale pa fëmijë të shkaktuar si pasojë e sterilitetit apo arsyeve të tjera të bashkëshortëve, quhet martesë, (nëse ata rrezistojnë bashkë, ngase fëmijët si shkak qëndrueshmërie mungojnë) sepse ata potencialisht janë prokrijues, riprodhues dhe realiteti në të cilin ata jetojnë nuk është vullneti i tyre. Ndërsa çiftet homoseksuale janë që në premisë joriprodhues, dhe vullneti i tyre qëndron pikërisht në të kundërtën, se duan të bashkohen duke mos pasur asnjë shans thelbi martesor riprodhimi.

 

Fëmijët e adoptuar nuk krijojnë atë lidhjen biologjike me prindërit, sepse martesa reale tradicionale në fund të fundit është një premtim solemn përgjegjësish e cila çon drejt realiteteve morale që krijojnë përgjegjësi morale mes palëve.  Nuk është thjesht prezenca e dy prindërve, por është prezenca e dy prindërve biologjikë që ndikon në zhvillimin pozitiv tek fëmijët. Fëmijët e adoptuar nëse kanë dy gra si prindër nuk do të dinë përgjigjet e një babai, dhe ato fëmijë që kanë dy meshkuj si prindër, nuk do të kenë kurrë përgjigjet e një nëne.

 

Tek martesat homoseksuale del në pah një hendek i madh mes martesës dhe prindërimit i cili padyshim çon në shpërbërjen e idealit të familjes. Burri dhe gruaja në një familje normale sjellin prurje të ndryshme psikologjike në proçesin e prindërimit, prurje të cilat nuk mund të garantohen kurrë nga dy individë seksualisht të njëjtë të cilët nuk garantojnë nesër asnjë përgjegjësi ndaj një fëmije të adoptuar, që në fund të fundit, nuk është i tyri.

 

Shoqëria merr formë nga normat kulturore të sanksionuara si arsye publike të cilat shpesh i gjejmë edhe të formësuara në ligje. Kërkesa për të legalizuar martesat homoseksuale, është kërkesë për të ndryshuar kuadrin ligjor, sepse ata e dinë shumë mirë që çdo ndryshim ligjor ka pasoja dhe ndikon kulturalisht në shoqëri. Pra, transformimin më shumë se në aspektin juridik, mbështetësit e martesave homoseksuale duan ta bëjnë në kulturë. Që ta bëjnë këtë ata duhet të ndryshojnë atë që Kanti e quan “arsye publike”, dhe për të ndryshuar arsyen publike, duhet të japin prova gjithashtu të arsyeshme për qënien njerëzore. E nëse kërkojnë që këtë ta justifikojnë në kuadrin e të drejtave të njeriut, atëhere çdo e drejtë e njeriut nuk qëndron jashtë arsyes publike dhe çdo gjë tjetër që nuk është arsye publike nuk konsiderohet e drejtë e njeriut.

 

Burimi: http://www.gazetastart.com/martesat-homoseksuale-dhe-e-mira-publike_23395.html

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: