Kreu > Personalitete të rëndësishëm > Publicistika e Prof. Shefik Osmanit, sidomos arsimore dhe pedagogjike

Publicistika e Prof. Shefik Osmanit, sidomos arsimore dhe pedagogjike

Prof. Murat GECAJ

 

PUBLICISTIKA E PROF. SHEFIK OSMANIT, SIDOMOS ARSIMORE DHE PEDAGOGJIKE

Prof. Shefik Osmani

Prof. Shefik Osmani

Të shkruash e të flasësh për udhën e botimeve arsimore e pedagogjike dhe të autorëve të tyre, duhen faqe të tëra. Por, më shumë mund të lexonim për to, në veprën “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”(Tiranë, 2003). Ajo kishte redaktor përgjegjës, të ndjerin Prof. Bedri Dedja dhe prof. Shefik Osmanin, bashkautor.

Siç dihet, më 1 shtator 1961 nisi udhën e saj gazeta me emrin kuptimplotë “Mësuesi” (tani, revistë, po me këtë emër). Në këto afër 52 vite  vite të jetës së saj, ajo u bë  mjaft e dashur dhe e vyer për mësues e pedagogë, nxënës e studentë, për prindër e mbarë lexuesit shqiptarë. Me rastin e 40-vjetorit të botimit të kësaj gazete, në mesazhin e tij përshëndetës, ndër të tjera, kryeredaktori i parë i saj, prof. Bedri Dedja shkruante: “Gazeta “Mësuesi” zgjoi aftësitë krijuese të dhjetëra mësuesve, gjer në fshatrat më të largët, të cilët nisën të bashkëpunojnë me endje me të…”. Ndërsa, për arsye të ndryshme, ende nuk ka një historik të plotë të kësaj gazete. Por, një ndër ish-redaktorët e kryeredaktorët e saj, Prof.as.Dr. Ilir Kanini ka botuar librin e tij, me titullin “20 vjet, nga jeta e një gazete”(Tiranë, 2004).

Megjithatë, në faqet e gazetës “Mësuesi”, janë të fiksuara puna e djersa e derdhur, nga breza redaktorësh e drejtuesish të saj. Ata janë gjithësej 23 redaktorë, 5 sekretarë kolegjiumi e 9 kryeredaktorë dhe, ndër të parët, ishin emrat e njohur: Prof. Bedri Dedja-Akademik, Mustafa Gerxalliu, Jakup Mato e Sofokli Afezolli e me radhë. Nga  redaktorët e parë, që shërbyen në gazetën “Mësuesi”, ishin: Myzafer Bejleri, Sami Xhango, Bekim Çomo, Dhurata Xoxa, Sadie Agolli, Nako Bezhani, Ramadan Pasmaçiu dhe i ndjeri Muhamet Ndrita. Në vazhdimësi, në  gazetën “Mësuesi” u caktua të punojë redaktor Shefik Osmani (Shkodër,1923-Tiranë, 21 korrik 2012). Ai shkonte aty pas një periudhe relativisht të gjatë pune, në fushën e arsimit dhe të pedagogjisë. Kishte shërbyer drejtues i shkollave pedagogjike, që përgatisnin mësues për arsimin fillor, në Shkodër, Peshkopi e Tiranë . Pra, e njihte nga afër jetën e shkollës sonë, të mësuesve e nxënësve dhe të prindërve. Prandaj në shkrimet, që redaktoi, por edhe në ata që publikoi me emrin e tij, gjatë asaj periudhe, u vërejt pjekuria dhe aftësitë profesionale të një drejteusi, mesimdhënësi, pedagogu e didakti. Nuk është vendi të përmendim të gjithë arsitikujt që ai shkroi në atë gazetë. Por dhe as të flasim për aftësinë e tij të veçantë redaktuese, ku dëshmëroi qartë aftësitë e tij dhe, në një fomë ose në tjetrën, në shkrimet e bashkëspunëtorëve futi e pasqyroi me mjeshtëri edhe shpirtin, mendimin dhe përvojën e tij në fushën e arsimit, pedagogjisë e mësimdhënies. Në ato vite të punës redaktor në gazetën “Mësuesi” ai u dallua edhe për taktin e dshamirësinë e shprehur  jo vetëm ndaj kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, por edhe në marrëdhëniet me mësuesit, nxënësit e prindërit, kur shkonte me shërbim nëpër rrethe.

Duke folur për lidhjet e vazhdueshme, që mbajti prof. Shefik Osmani me gazetën e dashur të tij, “Mësuesi” edhe pasi u largua në punë të tjera ose doli në pension,, një nga redaktorët e saj dhe shkrimtari Viron Kona, tani kujton: “Në dhjetëra takime me të, në zyrën e redaksisë së gazetës “mësuesi” ose në kafe, duke shëtitur në këmbë ose në vizita në shtëpinë e tij, gjithnjë e pashë atë Njeri, koleg e mik të mirë, që të lumturohej dhe të ngazëllehej, kur vinte biseda te arsimi dhe librat, te kultura kombetare dhe vlkerat e gjuhësisxë e të shkrimtarisë shqiptare. Arsimi ishte motive I tij udhëheqës e kryesor, deviza e jetës dhe e veprës së tij madhore”.

Në vitet e mëvonshme, prof. Shefik Osmani shërbeu në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Siç dihet, në atë periudhë dilnin disa organe tjera shtypi, si “Arsimi Popullor” (më pas u emrua “Revista Pedagogjike”) dhe buletine të ndryshme, me të cilat ai bashkëpunoi rregullisht, pra aty botoi mjaft shkrime e studime. Po të hedhim një vështrim në gazetat e kohës, si  “Drita”, “Bashkimi” e “Zëri i Rinisë” , “Rilindja Demokratike”, por dhe në gazeta të Kosovës  e  Maqedonisë etj. dhe në revistat  tona: “Nëntori”, “Ylli”, “Shkenca dhe Jeta”, “Shqiptarja e Re”, “Studime historike” dhe “Kultura Popullore” , do të gjejmë shkrime e studime  të tij për ngjarje të shënuara arsimore dhe për figura të ndritura të arsimit, kulturës dhe shkencës sonë kombëtare. Të tillë ishin punimet për:  Mësonjëtoren Shqipe të Negovanit dhe Kongresin e Elbasanit,  për shkollën Normale “Drita”  të Bukureshtit, për Kongresin e Arsimor të Lushnjës, për shkollat e para shqipe në Shkodër, për disa konferenca kombatare arsimore e pedagogjike të viteve të fundit të shek. të kaluar, Por ai shkroi edhe  për Universitetin e Tetovës e Fakultetin Filologjik të Shkupit, me mësim në gjuhën shqipe, si dhe për shkollat shqipe me mësim plotësues: në Zvicër, Gjermani, Suedi e tjerë. Gjithashtu, ka shkruar  me dashuri edhe për figura të shquara, që iu përkushtuan  me të gjitha dijet e forcat e tyre, mësimit në gjuhën amtare dhe shkollës sonë kombëtare. Nga ata po përmendim shkrimet e tij për: Ibrahim Frakullën e Beratit, Muhamet Çamin-Kyçykun, Naum Veqilharxhin, Naim Frashërin, Petro Nini Luarasin e Ibrahim Dalliun; për Nikolla Lakon, Daut Boriçin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën e Aleksandër Xhuvanin: për Gaspër Beltojën, Vehbi Dibrën, Hafiz Ali Korçën,  Kolë Kocin etj.

Vëmëndje të veçantë  i ka kushtuar prof. Shefik Osmani, “Mësues i merituar”,  edhe  historikut të hartimit dhe botimit të abetarave për shkollat shqipe. Pra, ai shkroi e publikoi disa punime të tij në këtë fushë, siç janë: “Abetarja shqipe e Anastas Kulluriotit”, “Abetarja shqip e Jani Tërrovës, e vitit 1887”, “Një abetare shqipe e vitit 1911” ose edhe: “Pellazgjika shqip, një abetare pak e njohur deri më sot”, “Vështrim historiko-pedagogjik rreth abetareve, me autor Sami Frashërin”, “Tri abetaret e Parashqevi Qiriazit” dhe më tej: “Abetaret e gjuhës shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi”, si dhe ato për disaporën shqiptare.

Interes të veçantë studimor e pedagogjik paraqesin punimet dhe studimet e publikuara nga prof. Shefik Osmani, në buletine të ndryshme shkencore të Institutit të Studimeve Pedagogjike ose jo. Të tillë mund të përmendim këtu buletinet: “Probleme të shkollës tetëvjeçare”, “Gjuha shqipe dhe letërsia në shkollë”, “Kultura fizike dhe sporti” etj. Një pasuri interesante dhe më vete përbëjnë mbi 62 “zërat”, që hartoi e u botuan, lidhur me çështje të arsimit tonë kombëtar, për ngjarje dhe figura të shquara  tij, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, botuar më 1985 dhe ribotuar në vitet e fundit.

Për disa vite radhazi, prof. Shefik Osmani ishte edhe në redaksinë e revistës shkencore e kulturore “Univers”, botim i Institutit të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, ku publikoi shkrime të vlefshme, nga fusha e arsimit dhe pedagogjisë.

Po t’i shfletosh koleksionet e gjithë atyre botimeve, që përmendëm më lart, aty gjen mjaft artikuj e studime të thelluara të tij, për çështje të mësimdhënies, historisë së arsimit e të mendimit pedagogjik shqiptar, për figura të njohura të arsimit e pedagogjisë etj. Kështu, me mjaft interes janë edhe shkrimet për Pjetër Bogdanin, Pestalocin, Luigj Marlekën e Motrat Qiriazi, të cilëve u kushtoi edhe libra të veçantë. Siç thekson prof. Pajtim Bejtja, në një shkrim kushtuar prof. Shefik Osmanit, një pjesë e artikujve të tij janë botuar si parathënie, hyrje dhe esè, në veprat e autorëve të ndryshëm.

Me inters janë edhe recensionet e shkruara prej prof. Shefik Osmanit, lidhur me temat e disertacioneve, të cilat u shkruan dhe u mbrojtën nga kolegë të Institutit të Studimeve Pedagogjike ose bashkëpunëtorë të jashtëm të tij.

Por, prof. Shefik Osmani nuk kufizohej me shkrimet dhe studimet e tij, vetëm në gazetën e revistat, që përmendëm më lart. Emri i tij u bë i njohur, pothuajse, në të gjitha gazetat e revistat e kohës, si dhe në emisone të radios e televizionit shqiptar. Një pasqyrë të plotë,  të tërë atyre botimeve e shkrimeve të thelluara, gjuhëisht e profesionalisht të larta dhe të bukura, e gjejmë në librin e prof. Njazi Kazazit, ”Në gjurmët e një didakti” (Tiranë,2005).  Ato e kanë zanafillën që në vitin 1940  e 1941 dhe vijojnë, qindra pandërprerje, deri në vitin 2010, kur sëmundja e ndau atë përgjithnjë, nga puna dhe pasioni i veçantë për t’i shërbyer, me atdhetarizëm e përkushtim të dalluar profesional, shkollës sonë amtare, Arsimit Kombëtar Shqiptar.

Edhe me këtë skicim të punës dhe veprimtarisë së gjerë të prof.Shefik Osmanit, si redaktor  dhe bashkëpunëtor i shypi arsimor e pedagogjik, por dhe më gjerë, krijojmë bindjen e një personaliteti të shquar të vendit tone. Prandaj kujtimi dhe vepra e tij do të ruhen gjatë dhe do të çmohen e njihen, jo vetëm sot, por edhe nga brezat pasardhës.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: