Kreu > Edukim > Mosmarrëveshja kulturologjike dhe “gjuha e urrejtjes”

Mosmarrëveshja kulturologjike dhe “gjuha e urrejtjes”

Ferid MUHIÇ, Shkup

 

MOSMARRËVESHJA KULTUROLOGJIKE DHE “GJUHA E URREJTJES”

Ferid Muhiq

Ferid Muhiq

Prej një kohe të gjatë njerëzimi po i afrohet shpejt pikës shumë të rrezikshme të ndeshjes brenda llojit (intra-species). Njerëzit, krijesat më të arsyeshme të botës dhe, ndoshta, edhe të të gjithë universit, përfaqësues të llojit i cili me të drejtë kualifikohet si homo sapiens, janë në pragun ku urrejtja irracionale mund të rritet deri në shfarosje të ashpër të ndërsjellë me përmasa epike! Po ata që kanë aq të zhvilluar dhuntinë e arsyes, aq sa për ta merituar emrin të ditur (sapiens), tashmë po e shkundin fazën e parë të mllefit të verbër, që për një çast mund ta shndërrojë botën e tyre në paradhomën e çmendinës më të madhe të të gjitha kohërave.

Fenomeni i ashpërsisë brenda llojit (intra-species agressivity) është differentia specifica (cilësia dalluese) më e tmerrshme e gjinisë njerëzore. Sipas hulumtimeve të Konrad Lorenc-it, gjë për të cilën ka marrë edhe Çmimin Nobel, ky impuls destruktiv, për fat të keq, përbën konstanten e llojit. Kjo do të thotë se nuk mund të eliminohet përgjithnjë nga modeli i sjelljes njerëzore. Megjithatë, nëse nuk mund të përjashtohet tërësisht, mund të kanalizohet. Sportet, nga ato kolektive deri tek ato individuale, nga shahu deri te disiplinat ekstreme, përbëjnë një metodë shumë efikase të ridrejtimit të këtij instinkti. Megjithatë, çdo shkas që rezulton me polarizim social e aktivizon vetëtimthi të gjithë shkallën e kësaj ashpërsie brenda llojit, duke e shtuar rrezikun e madh drejtpërdrejt nga konflikti i pakursyeshëm i palëve kundërshtare.

Atentati ndaj gazetarëve në rastin “Charlie Hebdon” e ilustron rrezikun nga kjo shthurje më shumë se me dramatizëm. Krijesat njerëzore janë polarizuar ashpër dhe me mosdurim në “qytetarë të ndershëm” dhe në “kriminelë të këqij”. Po të ishte kjo ndarje substanciale, pra po të mbështetej në hapat dhe në sjelljet konkrete të të gjithë atyre që janë të përfshirë në njërën ose në tjetrën kategori, në këtë polarizim nuk do kishte kurrgjë për t’u kundërshtuar. Problemi, megjithatë, është në pikën se ky kategorizim konfrontues mes njerëzve bazohet në një nivel simbolik, e jo në atë lëndor dhe, së këndejmi, me këtë rast si “kriminelë të këqij” shpallen mbi një miliardë e gjysmë njerëz: ata të cilët njihen si “myslimanë”! “Qytetarët e ndershëm”, si në të gjitha rastet e ngjashme në histori, njihen sipas asaj që, thjesht nuk kanë asnjë lloj etikete. Në këtë kategori, pas ditëve të para të rastit “Charlie Hebdon”, hynë të gjithë ata që nuk janë myslimanë. Arsyeja e mjaftueshme për dyshim dhe për masa më të rrepta kontrolli ndaj myslimanëve është fakti se ata janë myslimanë; arsye e mjaftueshme që nga kontrolle të tilla të përjashtohen të gjithë ata që nuk janë myslimanë; pra, vetëm ngaqë janë jomyslimanë!

Po të mos ishte fjala për vlerësimin paushall pa mbulesë, do të bindej lehtë secili që i krahason reagimet e liderëve politikë, të prijësve shpirtërorë dhe të pjesës më të madhe të publikut në rastet kur autorët e krimit nuk kanë qenë myslimanë ose, nëse ndjekim logjikën e etiketimit dhe të mosetiketimit, kur autorët kanë qenë të pashënuar; pra, jomyslimanë.

Le të kujtojmë, për shembull, pas masakrës ku norvegjezi Breivik, pa iu dridhur qerpiku vrau 77 të rinj, njërin pas tjetrit, për shkak të urrejtjes ideologjike ndaj myslimanëve (krimi më i kobshëm dhe më masiv i kryer në kohën moderne nga një individ), mos vallë në skenën politike botërore, në opinionin publik dhe në media u ngrit ndonjë çështje për të përndjekur norvegjezët?! Jo. A iu nënshtrua ndonjë norvegjez një kontrolli të veçantë dokumentesh, kërkimesh, ndonjë ngacmimi nga ana e pushteteve kufitare vetëm për faktin se është norvegjez?! Jo. A duhej që norvegjezët të frikësoheshin për sigurinë e tyre në vendet myslimane? Mos është shkarkuar mbi ta ndonjë mllef irracional dhe urrejtje e verbër nga popullata myslimane lokale? Jo. Meqenëse vetë Breivik-u theksoi se është i krishterë i pagëzuar (baptized christian), a e kanë dënuar dinjitarët kishtarë publikisht aktin e tij si jo të krishterë?! Jo. Pas gjenocidit në Srebrenicë nga armata serbe, ku mbetën të vrarë mbi 8.000 civilë boshnjakë, vetëm ngaqë ishin myslimanë, mos vallë janë ashpërsuar masat e kontrollit ndaj qytetarëve serbë nëpër pikat kufitare nëpër botë? Jo. A u dëgjua Kisha Ortodokse Serbe apo ndonjë kishë e krishterë në botë ta dënojë këtë krim (më të madhin në truallin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore) si një akt kundër frymës së bamirësisë së krishterë? Jo.

Kështu, pra, është logjike dhe e drejtë që asnjë norvegjez nuk e ka për detyrë të arsyetohet për veprën që ka kryer një bashkëkombës i tyre, ai i krishteri i pagëzuar, pjesëtar i të njëjtës fe! Po ashtu, njësoj e drejtë dhe logjike është që qytetarët serbë nuk kanë qenë të ngacmuar dhe se as Kisha Ortodokse Serbe nuk është dëgjuar të dënojë gjenocidin, sepse, ç’lidhje ka gjenocidi ndaj boshnjakëve me serbët e tjerë dhe me të! Duke ndjekur të njëjtën hulli arsyetimi, ç’lidhje kanë me gjenocidin ndaj myslimanëve në Srebrenicë pothuajse dy miliardë të krishterë, të cilët nuk kanë kurrfarë përgjegjësie dhe prej të cilëve, pikërisht për këtë, askush nuk ka të drejtë të kërkojë arsyetim, për të legjitimuar edhe ca virgjërinë e tyre?

Keqardhje për viktimat e pafajshme e solidaritet me dhimbjen dhe vuajtjen e të afërmve të tyre! Por, e drejta që çdokush t’i bëjë thirrje dikujt për diçka që nuk e ka bërë, kjo kurrsesi nuk ka kuptim – sepse do të ishte dhunë e qartë!

Le të përgjigjet secili për atë që e ka bërë! Mos u përpiqni të ma vishni kompleksin e fajit, as barrën e përgjegjësisë për diçka që nuk e kam bërë! Ky është parim. Kjo është normë.

Absolutisht askush nuk ka të drejtë që të kërkojë prej dikujt të arsyetohet për diçka që s’e ka bërë. Ashtu sikundërse nuk do lavdërohej një njeri i ndershëm dhe i arsyeshëm me bëmat e njerëzve të tjerë, po ashtu nuk ka se si të turpërohet për shkak të krimeve të kryera prej të tjerëve! Askush mos qoftë lëndë dënimi për diçka që e kanë bërë të tjerët, qofshin pjesëtarë të kombit ose të fesë së tij. Sipas cilës gjë barazohet i ndershmi dhe horri, që shenja simbolike, siç është rasti me fenë apo kombin, të arsyetojë njësoj për dy!? As babai, që është i pafajshëm, nuk mund të keqtrajtohet arsyeshëm për krimin që bën i biri! As i biri nuk mund të jetë subjekt i dënimit për shkeljen që ka bërë babai i tij! Kjo, sepse këtë e kërkon e drejta.

Pyetja përpara së cilës qëndron bota bashkëkohore në këtë moment është: përse ajo që është e drejtë dhe, që normalisht vlen plotësisht për të gjithë njerëzit, nuk vlen edhe për myslimanët?! Krimin në rastin “Charlie Hebdo” e kanë kryer dy myslimanë. Mbi ç’bazë konsiderohet e arsyeshme që të damkosen mbi një miliardë myslimanë, të cilët nuk kanë absolutisht kurrfarë lidhjeje me atë krim?! Fakti se janë myslimanë, të kuptohemi menjëherë, për asnjë njeri të arsyeshëm dhe të drejtë nuk mund të jetë absolutisht kurrfarë argumenti! E, megjithatë, me miliona njerëz të arsyeshëm presin dhe, madje, kërkojnë pikërisht këtë nga një miliardë e gjysmë njerëz, për të cilët e dinë fort mirë se me krimin në Paris nuk kanë asnjë lidhje!

Ja pra se pse pyetja për motivet e praktikës sistematike të etiketimit dhe stigmatizimit të myslimanëve si kriminelë, terroristë, ekstremistë kolektivë, është pyetja më e rëndësishme ,të cilën bota bashkëkohore patjetër duhet t’ia shtrojë vetes në mënyrë serioze dhe themelore; nëse vërtet i njeh të drejtat e barabarta të të gjithë njerëzve, pa marrë parasysh racën, fenë, përkatësinë etnike apo background-in kulturor. Dhe, nëse përpiqet sinqerisht që t’i ikë edhe një tjetër akti të tmerrshëm të dramës së përgjakshme të shkruar me energjinë destruktive të instinktit të agresivitetit brenda llojit!

Edhe pse ka implikime të drejtpërdrejta dhe skajshmërisht të rrezikshme politike dhe sigurie, vetë pyetja, në të vërtetë, është një lëndë e shkencave shoqërore, para së gjithash e psikologjisë sociale, e sociologjisë dhe e antropologjisë kulturore. Në kontekstin e antropologjisë kulturore janë regjistruar disa raste paradigmatike, të cilat ngjajnë si dy pika uji me sfondin socio-psikologjik të rastit “Charlie Hebdo” dhe të cilat, në këtë kontekst, janë jashtëzakonisht instruktive për t’u ikur incidenteve të kësaj natyre në të ardhmen. Si të tilla, ato paraqesin locus classicus-in në teknologjinë e zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve kulturore me ngarkesë potenciale për konflikt.

Do të theksoj një shembull tipik nga praktika e antropologjisë kulturore, që ka marrë shpjegimin e vet socio-psikologjik dhe kësisoj ka përcaktuar konturet e metodës së përgjithshme për shmangien e të gjitha situatave konfliktuale në të ardhmen, të cilat ndodhin mbi një bazë të ngjashme. Për shkak të vlerave të përjetimit kulturoro-psikologjik autentik dhe të rezultatit pozitiv, do ta analizoj edhe një shembull nga përvoja personale, që i takon po të njëjtës kategori të mosmarrëveshjes destruktive të mundshme.

Në fillim të viteve të ’70-ta u rrit në mënyrë të beftë numri i vizitave turistike të qytetarëve amerikanë në Meksikë. Për fat të keq, paralelisht është konstatuar edhe një numër i caktuar viktimash në mënyrë tragjike nga një dhunë krejt e pamotivuar. Hetimet e detajuara kanë dhënë rezultate vetëm atëherë kur janë përfshirë edhe antropologët socialë. Në të shumtën e rasteve vrasjeve u kanë paraprirë zënkat verbale pas incidenteve banale në komunikim. Është konstatuar se tradita kulturore meksikane ka një prag shumë të ulët tolerance për sharjet dhe ashpërsinë verbale, dukshëm më të ulët se ajo e zakonshmja në SHBA. Sharja në një vend publik trajtohet si çnderim, që mund të lahet vetëm me kërkimin e faljes. Në të gjitha rastet me fund tragjik viktimat kanë refuzuar në mënyrë kategorike që ta bëjnë këtë dhe, madje, e kanë radikalizuar edhe më tej nivelin e gjuhës ofenduese. Pasi pushtetet amerikane shtypën fletëza me kërkesa për qytetarët e tyre që të kenë kujdes që konfliktet e mundshme në Meksikë t’i zgjidhin pa ofendime e pa sharje, incidentet tragjike – për shkak të dallimeve në tolerancën kulturore gjatë dhunës verbale – nuk u shfaqën më.

Nëse turistët nga Amerika nuk do ia kishin vënë veshin paralajmërimit të kulturologëve dhe të psikologëve socialë, numri i viktimave nga këto mosmarrëveshje do të kishte njohur vetëm rritje, deri në shkallën sa një konflikt serioz me pasoja të përhershme për raportet midis dy vendeve fqinje do të ishte bërë i pashmangshëm. Kjo, ngaqë, në çdo incident të ri, qytetarët meksikanë kanë menduar se është fjala për injorimin e standardeve të mirësjelljes së zakonshme për një kulturë, respektivisht për mosrespektim dhe provokim me qëllim. Kurse qytetarët amerikanë, në këtë përdorim/shprehi të pabarabartë dhune, kanë parë urrejtje dhe primitivizëm.

Injorimi i ndryshimeve në standardet kulturore të sjelljes sociale çojnë vazhdimisht drejt problemeve serioze e shpeshherë edhe me përfundime tragjike! Ajo që për disa përbën konfrontim verbal beninj, pothuajse një ushtrim gjuhësor, për të tjerët përbën një akt flagrant, provokim dhe “gjuhë urrejtjeje”.

Duke aplikuar këtë rast në incidentin tragjik të “Charlie Hebdon” në Paris, shohim qartë se është fjala për hipotezën mbi mosmarrëveshjen kulturologjike, mjaftueshëm e mundshme për t’u kontrolluar në praktikë. Nëse për matricën kulturore islame është e palejueshme dhe shumë ofenduese çdo përqeshje dhe karikim publik me simbolet dhe vlerat që në atë sistem kanë statusin e përmbajtjeve të shenjta, atëherë injorimi i këtyre fakteve për pjesëtarët e një modeli të tillë kulturor do të paraqisnin shembullin klasik të provokimit me qëllim dhe të “gjuhës së urrejtjes”, e jo dëshminë e “lirisë së shprehjes”. Të heqësh dorë nga liria e shprehjes nuk është një punë e thjeshtë, le të dakordohemi për këtë. Por, në botën ku ajo liri, krejtësisht në mënyrë ligjore, është limituar prej kohësh me dispozitën mbi ndalesën e “gjuhës së urrejtjes”, si dhe për sanksionimin e përhapjes së mosdurimit racor, fetar dhe nacional, kjo në të vërtetë nuk do të kishte qenë kurrfarë heqjeje dorë nga liria e shprehjes, por vetëm një akt i përfshirjes së Islamit dhe të myslimanëve në sistemin tashmë ekzistues të kufizimit të asaj lirie.

Në këtë rast myslimanët do të kishin fituar vetëm po të njëjtën të drejtë që tashmë vlen për të gjitha bashkësitë e tjera kulturore dhe religjioze, ndërsa efektet pozitive do të shënonin një kapital të vlefshëm shumështresor. Po qe se, pavarësisht kësaj, ndonjë mysliman do t’i sulmonte mediat dhe do ta rrezikonte jetën e gazetarëve, nuk do të kishin më mundësi ta përdornin alibinë se reagojnë ndaj provokimeve të “gjuhës së urrejtjes” dhe ofendimeve dhe, në sytë e të gjithë myslimanëve, do ta kishin statusin e kriminelëve të zakonshëm. Nëse me ndërprerjen e botimit të karikaturave dhe teksteve të pahijshme në adresë të Islamit dhe të myslimanëve do ndërpriteshin sulmet dhe siguria e gazetarëve do bëhej e padiskutueshme, ky do ishte një hap i madh për zbutjen e polarizimit kulturologjik, për uljen e tensioneve dhe për qetësimin e epsheve destruktive.

Se kjo hipotezë është me një relevancë të lartë, këtë e vërteton edhe rasti i paralajmëruar më parë nga përvoja personale e vetë autorit të këtyre radhëve. Kur isha vetëm një djalë i ri dhe kisha nevojë për mbështetje, qëlloi që njëherë më thirri me dashamirësi një letrar i njohur. Kur u afrova, më pyeti se si isha, duke shtuar edhe ca sharje nga pas. U ndjeva thellësisht i ofenduar dhe, aty për aty, bëra të ngrihem – por, me buzëqeshje, ai më shpjegoi se në rrethin e tij sharja nënkupton intimitet dhe miqësi; një mënyrë kjo që forma e drejtpërdrejtë e miqësisë ta zëvendësojë formalitetin.

Kurse në rrethin tim sharja është sharje. Unë nuk shaj dhe nuk lejoj të më shajnë!

Hajde, mos u prek tani! – tha ai dhe përdori sërish të njëjtën sharje. I thashë se unë nuk e lejoj këtë.

Mos e përsërit kurrë më këtë! Shahu me miqtë e tu, jo me mua!

Pse çka do bësh ti?

Do të hash ndonjë kokërr grushti! Ja, këtë do bëj…

Për një moment u mëdysh, por u përmbajt. Pastaj më kërkoi falje dhe nuk më shau më dhe e di që pas kësaj më ka nderuar. A do e kisha goditur? Asokohe padyshim që po. Kurse tani nuk e di… por, e di që në sytë e mi ai do të kishte humbur çdolloj respekti dhe nuk do i kisha folur kurrë më. Mosmarrëveshja kulturologjike është shmangur nga fakti që i kemi kuptuar dallimin në matricat tona kulturore dhe, së këndejmi, ia kemi pranuar njëri-tjetrit të drejtën e respektimit të këtyre dallimeve.

Po ta kishim respektuar këtë të drejtë të gjithë, shumë gjëra do të kishin ndryshuar. Edhe sikur të mos ishim bërë të ditur menjëherë, deri në statusin sapiens, megjithatë njerëzit do kishin arsyetuar të paktën shkallën e parë të emrit të tyre nga taksonomia fantastike si homo sapiens. Dhe, ajo që është më me rëndësi, rreziku nga përleshja irracionale midis krijesave njerëzore nën presionin e instinktit, do të kishte rënë dukshëm; ndërsa shanset që te çdo njeri ta njohim dhe ta pranojmë krijesën e barabartë njerëzore, do të ishin rritur ndjeshëm.

Përfundimisht, jemi të detyruar që ta kontrollojmë këtë hipotezë; madje, nëse kjo orvatje serioze e respektimit të dallimeve në standardet kulturologjike të komunikimit do të ndihmonte që të shpëtohej qoftë edhe një jetë e vetme njeriu dhe kur të paktën dy njerëz do ta kishin respektuar njëri-tjetrin më shumë jo si rrjedhojë e përkatësisë së tyre kolektive, por si krijesa njerëzore të barabarta.

 

Burimi: http://shenja.mk/index.php/opinion-analize/20132-mosmarr%C3%ABveshja-kulturologjike-dhe-%E2%80%9Cgjuha-e-urrejtjes%E2%80%9D.html

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: