Hyrje > Histori > Amanetin e Hasan Prishtinës, ideologut kryesor të Shqipërisë Etnike, duhet çuar në vend!

Amanetin e Hasan Prishtinës, ideologut kryesor të Shqipërisë Etnike, duhet çuar në vend!

Ramadan PLLANA

 

AMANETIN E HASAN PRISHTINËS, IDEOLOGUT KRYESOR TË SHQIPËRISË ETNIKE, DUHET ÇUAR NË VEND!

(Përkujtim me rastin e 76 vjetorit të vrasjes mizore të këtij vigani të Shqipërisë Etnike) 

Hasan Prishtina

Hasan Prishtina


– Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im.

– Dhe, para se gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur të jepni mendimin tuaj! (Hasan Prishtina)
Më 13 gusht mbushën 76 vjet që nga data e 13 gushtit të vitit 1933, ku në qytetin e Selanikut u vra në pabesi ideologu i Shqipërisë Etnike Hasan Prishtina nga tradhtari, Ibrahim Çelo.

Hasan Prishtina, strategu i shquar i Pavarësisë së Shqipërisë, kurrë nuk u ndalë së luftuari për çlirim e bashkim kombëtar, për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, aty ku i thonë bukës bukë e ujit ujë. Heroizmi dhe fryma e tij, edhe pas trupit të vrarë nga tradhtia e Ahmet Zogut e me ndihmën e Serbisë fashiste, do të ndikojë e gjallërojë, dhe ende frymëzon, deri në Ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, gjerë sa të bëhet Shqipëria Etnike.

Atdhetar i paepur, me pendë e me pushkë, i shquar që luftoi për lirinë e Pavarësinë e Atdheut, pastaj për demokratizimin e jetës së shtetit shqiptar, për çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me Nënë Shqipërinë. Lindi në Vushtrri në një familje bujare, të shpërngulur nga Polaci i Drenicës kreshnike. Mësimet e para i kreu në Vushtrri. Këtu, në qytetin e lindjes, do ta kryej edhe gjimnazin e ulët (Iptidai) ku do të edukohet e frymëzohet, për dije e për atdhedashuri, prej pedagogut drenicak Hafëz Arifi nga Prekazi. Studimet e mesme i kreu në gjimnazin frëng të Selanikut, ku do ta mësoi edhe gjuhën frënge e do të njihet me veprat e iluministëve francezë, Volterit, Monteskie, Zhan Zhak Rusos, etj; kurse, studimet e larta i kreu në Stamboll për shkencat politiko-juridike. Në kryeqytetin otoman krijoi lidhje të ngushta me bashkatdhetarë të dalluar dhe do të lexojë shpirtërisht veprat e vëllezërve Frashëri, Pashko Vasës, Hoxhë Tahsinit, etj. Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Nga kjo kohë do të njihet me mbiemrin Prishtina, përpara quhej Hasan Vuçiterni. Hasan Prishtina, kurrë nuk i vuri interesat personale mbi ato shoqërore e kombëtare. Në parlament luftoi për të drejtat e shqiptarëve, për njohjen zyrtare të kufijve të Shqipërisë, për hapjen e shkollave shqipe, për administratën shqiptare në Vilajetet shqiptare, që ushtria shqiptare të shërbejë në Shqipëri me oficerë vendas, etj. Dha kontribut të madh në hapjen e shkollave shqipe si dhe në hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit më 1909 ku do të dërgonte djem nga Kosova e Dibra duke u ndihmuar edhe financiarisht, ku drejtor ishte Luigj Gurakuqi. Mu nga mirënjohja dhe nga një frymëzim i lartë për kontributin e Hasan Prishtinës, Luigji do të shkruaj: «Rroftë atdhetari i shkëlqyer, ky engjëll i Shqipënies së mjerë! Istoria e kombit t’onë me shkronja t’arta, me shkronja të shkelqyera do të shkruajë ndër faqet e’ saj shërbimet e mëdha, punët e shënuara, që qëndrojnë sipas çdo lavdimi, të cilat asht tue bâmun deputeti i adhurueshëm ndër deputetet t’onë Hasan be Prishtina në fushë atdhesie. . . brez pas brezi, ati dhe bir pas pas biri zembrat e djegura t’atdhetarëvet emënin t’uaj kânë me bekuar, dhe një shtat i shkëlqyeshmë, një shtat i mermertë që do të ngrehet për ju, pasi moti të kalojnë, kaa me leçitun për para botës së qytetënueme, që një komb i gjithë ju ka detyrë!» («Bashkimi i Kombit» nr. 25, 25. II.1910).

Qysh nga janari i vitit 1912 ai do të mbajë mbledhje të fshehta së bashku me Ismail Qemalin, në lagjën «Taksim» të Stambollit dhe do të vendosin për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri. Për këtë vendosmëri e kishte paralajmëruar edhe Parlamentin otaman, kur ky(Parlamenti) nuk merrte parasysh kërkesat e deputetëve shqiptarë, kërkesat e drejta të tyre për një autonomi të Shqipërisë, ku ndër të tjera deklaron: «…një ndër të parët që do marrë në dorë flamurin e revolucionit, ndofta i pari ndër të parët do të jem unë». Kështu gjatë pranverës së atij viti fillon përgatitjet e një kryengritje me karakter të përgjithshëm kombëtar duke u lidhur me besa –besë me tribunët popullorë, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Ahmet Delinë, Mehmet pashë Dralla, kushëririn e vet Zejnullah Begu, etj. Pas një lufte, me betejat triumfale midis 5 majit-18 gushtit 1912, kryengritësit shqiptarë në krye me Hasan Prishtinën e çliruan Vilajetin e Kosovës. Toskë e Gegë ia besuan ngritjen e flamurit kombëtar në Shkup më 12 gusht 1912. Me marrjen e Shkupit, kryengritësit shqiptare i çliruan te burgosurit qe ishin mbi 1 000 vete, e shtinë ne dore post telegrafin dhe suspenduan shume qeveritarë dhe administratorë turq dhe përkrahës te tyre ne Shkup dhe shumë qytete tjera të Vilajetit të Kosovës.
Me 18 gusht pas një zhagitjeje të gjatë të përgjigjes qeveria turke doli zyrtarisht se i pranon 12 pika nga 14, kërkesat e njohura me emrin “14 pikat e Hasan Prishtinës”, sa kërkonin me marrëveshjen e Prishtinës kryengritësit shqiptarë.
Kryengritësit shqiptarë të Kosovës u “demobilizuan” me kërkesë të Hasan be Prishtinës, me arsyetim se Qeveria Osmane -Turqia i ka pranuar “14 kërkesa të kryengritjes”… Mirëpo, shkaku ishte tjetër dhe pikërisht i natyrës së dobësive të disa krerëve kryengritës për të qenë konsekuentë për ta ndjekur strategjinë e Hasan Prishtinës deri te bërja e shtetit shqiptar. Qe, çka thotë Hasan Prishtina në kujtimet e veta: « Në tjetrën anë Ibrahim Pasha filloi me i lëmue kryetarët tjerë qi shkuen m’e vizitue edhe nisi me u perpjekun me të gjith fuqin e vet per me shti dasin në mes t’onë. Sidomos filloi me perfitue në ma të mirën mënyrë prej pa dijes së Riza Beg Gjakovës e të fanatizmit fetar të tij. Riza Beg Gjakova e mandej edhe Isa Buletini filluen me thanë: “Na nuk duem autonomi edhe nuk mund të dahemi prej osmanlive”. N’anë tjeter filluen me u perpjekë me konsulin serb në Prishtinë. Konsuli do t’i u ketë thanë se do tu epte armë, mbasi ma vonë, morën prej Serbisë shumë pushkë. Gjendja ishte tue shkue për ditë e ma keq… Por në njenën anë Ibrahim Pasha e në tjetrën konsulli i Serbis kishin mërrijtë me futë farën e dasis në mes t’onë me propaganda qi bajshin nën dorë. »

Kryengritësit shqiptarë, ndonëse arritën ta çlirojnë Kosovë nga perandoria osmane, Fuqitë e Mëdha: Rusia, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Italia… duke qenë kundër interesave shqiptare, intensifikuan fuqishëm aktivitetet e tyre diplomatike, për të penguar realizimin e formimit të një shtetit shqiptar (me kufij etnik) në Ballkan. Në tetor 1912 shpallet lufta e parë Ballkanike, me pretekst çlirimin e vëllezërve të tyre. Në fakt, me anë të saj pretendoheshin territoret shqiptare.

Hasan Prishtina, është burgosur më 26 tetor të vitit 1912, nga Ushtria okupatore serbe kur e pushtoi Shkupin. Ndërkaq, në fillim të vitit 1913, tre Qeveritë, ajo e Italisë, Anglisë dhe Austro-Hungarise me anë të një memorandumi kërkuan në mënyrë ultimative lirimin e menjëhershëm të Hasan Prishtinës nga burgu dhe ajo ndodhi.

Shtetit të Pavarur Shqiptar që u pranua në Konferencën e Londrës, më 1913, ia copëtuan tokat verilindore dhe jugore të banuara me shqiptarë. Vendimi i këtillë u soll si kompromis, me qëllim që t’i iket keqësimit të marrëdhënieve mes vet Fuqive të Mëdha. Me vendimin e këtillë në masë të madhe u kënaqën pretendimet e shteteve tjera ballkanike, por nuk i morën parasysh interesat kombëtare të popullit shqiptar për krijimin e shtetit të tij etnik që paraprakisht u shprehën në Kuvendin e Vlorës.

Në vitin 1913 është kthyer në Shqipëri dhe u ngarkua nga Ismajl Qemajli me detyrën e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Kombëtare të Vlorës.

Gjatë Luftës së Parë Botërore ishte kthyer në Kosovë dhe duke shfrytëzuar rrethanat e kohës, nën okupimin e Austro-Hungarisë do të bëhet përsëri promotori i arsimimit të shqiptarëve duke hapur shumë shkolla anembanë Kosovës. Gjithashtu, në mënyrë sekrete, pengonte regrutimin e shqiptarëve në njësitë ushtarake austro-hungareze për t’i dërguar në frontin e Galicisë, kundër Rusisë.

Gjatë kësaj kohe bëri përpjekje për të riaktivizuar Lëvizjen Kombëtare edhe në Shkup e rrethinë që ishte pushtuar nga Bullgaria, ku, më 1917, u burgos nga policia bullgare. Hasan Prishtina, do ta thejë dritaren e qelisë së burgut duke shpëtuar nga zhdukja e sigurt; në këtë rast do ta lëndojë rëndë njërën këmbë nga e cila do të vuajë shumë kohë.

Me themelimin e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër më 1918, të udhëhequr nga Hoxhë Kadrija (1878-1925) u zgjodh anëtar i tij, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 Komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris ku do të kërkonte bashkimin me shtetin kombëtar shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Në këtë komitet ishin edhe këta atdhetarë të njohur: Bajram Curri, Avni Rrustemi, Sali Nivica, Hysni Curri, Bedri Peja, Azem Galica, Elez Isufi, Sotir Peci, Sotir Kolea, etj.
Në veprimtarinë e tij të pashembullt do të ketë pengesa të mëdha, si nga ana e shteteve shoviniste ballkanike, Serbisë, Greqisë, Malit të Zi, Bullgarisë, të përkrahura nga Fuqitë e mëdha, sidomos nga Rusia e Franca, dhe nga tradhtarët shqiptarë me damkë, nga Esat Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Ceno beg Kryeziu, etj.
Hasan Prishtina, ishte një nga promotorët më aktiv në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në Parlamentin shqiptar. Në dhjetor të vitit 1921 kryesoi një ndër qeveritë më demokratike të vendit, por nga presioni i reaksionit të bejlerëve, në krye me Ahmet Zogun, jep dorëheqje, për të mos qenë shkaktar i ndonjë vëllavrasje kombëtare. Pastaj, duke parë ambiciet e sëmura personale të Ahmet Zogut për pushtet, Hasan Prishtina bëhet një nga drejtuesit e organizatorët kryesorë të lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit 1922. Gjatë viteve 1922 dhe 1923 u shqua si kundërshtar i vendosur i reaksionit të brendshëm. Shquhet si luftëtar për mbrojtjen e “Zonës neutrale”të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i lëvizjes nacionalçlirimtare dhe i çetave kryengritëse në Kosovë kundër sundimit serb. Hasan Prishtina, mori pjesë aktive në përgatitjen e Revolucionit Demokratiko-borgjez të Qershorit të vitit 1924, luftoi për vënien në jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga ky revolucion. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, shkoi, së bashku me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Bedri Pejanin në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë. Në këtë rast, Sotir Kolea, në gazetën dyjavore « L’ALBANIE », që dilte në Losanë të Zvicrës në gjuhën frënge, do të shkruan më 19 janar 1919 shkrimin me titull: Une voix d’Albanie ( Një zë i Shqipërisë), ku ndër të tjera do të thotë « …Dans l’appel si noblement et si virilement patriote qu’on va lire, c’est la voix de tout le peuple albanais, depuis des siècles assoiffé de liberté et d’indépendance, qui retentit. Dans les circonstances actuelles, notre peuple ne pouvait trouver d’interprète plus fidèle et plus autorisé que le groupe de patriotes qui se pressent autour de M. Hassan Béy Prishtina, signataire, en leur nom, de la supplique à M. Wilson. ) (…Në apelin aq fisnikërisht e me aq burrëri atdhetare që do ta lexojmë, është zëri i gjithë popullit shqiptar, i etur qysh me shekuj, për liri dhe pavarësi, zë që jehon. Në rrethanat aktuale, populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik dhe më me ndikim se grupi i atdhetarëve që janë rreth z. Hasan Bej Prishtina, në kërkesën që i bëjnë Z. Wilson, në emër të tyre.)

Pjesë nga letra e Hasan Pishtinës, drejtuar presidentit të ShBA-ve, Wilsonit në Paris gjatë Konferencës së Paqes hapur më 18 janar 1919:

18 dhjetor 1918

Në këtë çast solemn, ne, përfaqësues të dy milionë e gjysmë shqiptarëve, të popullit më të vjetër të gadishullit të Ballkanit…ju lutemi të shqyrtoni aspiratat e kombit tonë…dhe të na jepni mundësinë t’ia paraqesim këto aspirata Konferencës së Paqes. Për shekuj të tërë. Me gjithë fatkeqësitë e panumërta kundër të cilave i është dashur të luftojë, kombi ynë ka ruajtur gjuhën, origjinalitetin, zakonet, doket dhe traditat e veta. Për pesëqind vjet populli ynë ka kundërshtuar në mënyrë më të vendosur shtypjen otomane dhe më në fund e detyroi qeverinë turke të bënte lëshime të konsiderueshme nëpërmjet Kryengritjes së 1912-ës. Është e vërtetë se Konferenca e Ambasadorëve, që u mbajt më 1913 në Londër, njohu një Shqipëri të pavarur, por shumica e shqiptarëve kanë mbetur jashtë kufijve të këtij shteti…Kombi shqiptar, ka bërë aq sakrifica për realizimin e idealit të vet kombëtar dhe ka derdhur aq gjak për këtë qëllim…Ju lutem, zoti president, të ushtroni ndikimin tuaj me qëllim që gjatë negociatave, që do të zhvillohen lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë, të thirret për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes një delegacion i popullit shqiptar për të parashtruar e për të argumentuar aspiratat dhe kërkesat e kombit shqiptar.

Pranoni, zoti president, sigurimet e respektit tonë të thellë.
Hasan bej Prishtina
(AQSH i RPSH, F. 251, D. 9 f. 122. Origjinali frëngjisht)

Pas dështimit të revolucionit të 1924-ës u largua jashtë Atdheut. Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. E vazhdoi luftën kundër regjimeve diktatoriale e monarko-fashiste, kundër tiranisë zogiste në Shqipëri dhe zgjedhës shoviniste serbomadhe në Kosovë. Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës” i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Hasan Prishtina, luftën çlirimtare në Kosovë u përpoq ta lidhë e ta bashkërendojë me luftën e popujve të shtypur ballkanikë. Disa herë u bë nismëtar i bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe organizatat nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e regjimeve shoviniste të huaja. Hasa Prishtina, kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arrihej sipas tij me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonisë së pushtuesve serbë, malazezë, grekë e bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje xhonturqit, feudali e vegla e Serbisë Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut. Më 13 gusht 1933 u vra në Selanik me atentat nga agjentët e Ahmet Zogut në bashkëpunim me qeverinë jugosllave. Hasan Prishtina, ka lënë një varg artikujsh si edhe kujtimet e tij për kryengritjen anti-osmane të 1912 që kanë vlerë për historinë e lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Kukës.

Hasan Prishtina, ideologu i Lëvizjës Kombëtare shqiptare, në gjithë këtë veprimtari atdhetare e kishte pasur jetën në rrezik, si nga Ahmet Zogu ashtu edhe nga armiqtë e kombit shqiptar, nga agjenturat serbe, e të tjera armiqësore. Ishte shpifur, madje edhe shpallur tradhtar nga propaganda e Beogradit dhe regjimi i Ahmet Zogut. Ai, e kishte parë rrezikun e Shqipërisë nga Ahmet Zogu dhe klika e tij, m´u për ketë do t’u propozojë, qysh më 1921, Azem Galicës, i cili qe i gatshëm ta vriste, vetëm e priste urdhrin prej udhëheqësve atdhetarë; Gurakuqit, Nolit dhe Bajram Currit .

Vrasjen e Zogut, e propozoi duke u thënë: «Të vritet Zogu! Të vritet sa nuk na ka vrarë! Më dhimset Shqipëria! », por këta nuk deshën t’i përlyejnë duart « me gjakun e vllaut», si dhe nuk deshën të ndizej pushka me krahinën e Matit, prej nga ishte Zogu. Kundër shpifjeve dhe ndjekjeve do të shprehet shumë herë; kështu në gazetën « Ora e Shqipnisë » që dilte në Vjenë, më 22 maj 1928 në shkrimin « DERI NË VDEKJE » ai do të deklaron: …Por në vend të kolltukut me turp në Stamboll preferova kryengritjen me nder në malet e Kosovës. Akuza, shpifje, kërcënime rreziqe nuk më kanë frikësue kurrë deri më sot e kundërshtarët e mijë le të jenë të sigurt se nuk do të më frikësojnë as mbas sodit. Unë, kam një rrugë të caktueme para mejet: atë kam shkelë dhe atë do të shkeli deri në vdekje – rrugën e independencës ma të plotë të tanë Shqipnisë! Rrugën e tradhëtis as nuk e kam shkelë as nuk do ta shkeli kurrë edhe pse disave sot po u kande me më quajt publikisht tradhtor! Në kjoftë se këta kanë ngulë syet në personin t’eme tue kujtue se unë trembem prej shpifjeve të tyne e do të ndrroj rrugë, u diftoj kjartas se kanë gabue adresë. Nderin t’em si njeri e si shqiptar e çmoj, e them me kreni, nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mue n’iden t’eme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të muej me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë armiqvet!

Ka me më shtrue vetëm vdekja!
Hasan Prishtina

Vrasja mizore e në mënyrë tradhtare u krye në orën 2 pasdite më datë 15 gusht 1933 në Selanik nga agjenti i Zogut Ibrahim Çelo.

Lajmi i gazetës «Spiros » mbi vrasjen e Hasan Prishtinës në Selanik prej agjentit të Zogut Ibrahim Çelo.

Janinë, më 15 gusht 1933

U VRA HASAN BEU

Athinë – Telegrafojnë nga Selaniku se dje mbas mesdite u vra në mes tregut ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Beu, prej…Ibrahi Husen Çelos, arritur për këtë gjë nga Manastiri. Vrasësi shtiu kundër viktimës shtatë herë prej të cilave katër plumba e goditën këtë figurë dhe e lanë në vend të vdekur. Vrasësi u zu dhe u dërgua në polici.

Pjesë nga artikulli i gazetës greke «To Fos» mbi shkaqet e vrasjes së Hasan Prishtinës.

18 gusht 1933

Si e shohin serbët vrasjen e Hasan Prishtinës. Beograd, gusht (shërbim i posaçëm)

Vrasja e Hasan bej Prishtinës, është karakteristike se në Beograd asnjë gazetë dhe asnjë parti nuk mungoi të theksojë se në personin e të vramit u zhduk njëri prej armiqve më me rëndësi të politikës serbe në Shqipëri, bile edhe një prijës i rrezikshëm i minoriteteve shqiptare në Serbinë e Jugut….

Një pjesë e shkëputur nga gazeta « Ipirotikos Agon » mbi shkaktarët e vrasjes së Hasan Prishtinës.

Selanik, më 22 gusht 1933

…Hipotezat më të mundura të kësaj vrasje janë këto që vijojnë:

1) Se Prishtina u vra prej njeriut të regjimit të sotëm në Shqipëri.

2) Se u vra prej propagandës italiane.

3) Se u vra prej propagandës serbe, që kishte frikë se mos Prishtina krijonte një kryengritje të shqiptarëve dhe bullgarëve të Kosovës. Këtë hipotezë pranon qeveria shqiptare e sotme.

Njoftim i gazetës «Lirija Kombëtare» për vrasjen e Hasan Prishtinës.

Gjenevë, më 20 korrik 1934

Kufoma e Hasan Prishtinës në morgun e Spitalit në Selanik 

Më 14 gusht, në Selanik, u vra Hasan Prishtina prej një të ashtuquajturi Ibrahim Çelo nga Resnja e Manastirit. Asasini është një njeri i hurit e i litarit, njeri i cili, për para mund të vrasë edhe t’anë. Meqë këtë aventurier e kish mbajtur me pare e me bukë, Hasanit nuk’ e shkonte kurrë nëpër mendje rrezikun që e priste.
Kemi marrë vesh nga një burim fare i sigurt se asasinati i Hasan Prishtinës është vendosur në pallat prej klikës së katilëve Zogolli-Krosi-Juka.

Ekzekutimi i planit t’asasinatit iu ngarkua konsullit të Selanikut, dr. Qemalit, i cili është një nga larot më të poshtër të Lartmadhënisë së tij. Se si e ekzekutoi këtë plan konsulli kallauz, këtë e rrëfen gjer e gjatë gazeta greke. Dr. Qamili lozi Çatin Saraçi në asasinatin e Gurakuqit. Kështu, Ahmet bej Zogolli, me metodën e tij të vjetër e të provuar, zhduki nga skena politike edhe një nga kundërshtarët e tij. Kështu, listës së krimeve politike edhe ashtu mjaft të gjatë, që ka bërë i biri i Xhemal Pashë Xhelatit iu shtua edhe një krim akoma. Dhe, s’do fjalë se sulltani gjakatar listën nuk e quan akoma të mbyllur. Kush e di se ç’krime të tjera po gatiten në « pallatin mbretëror » gjersa një ditë populli shqiptar të ngrihet më këmbë dhe t’i japë fund tragjedisë së tij. Dhe atëherë të ketë ardhur edhe fundi i organizatorëve të krimeve politike.

……Gjygji që do të bëhet në Selanik, duhet të nxjerrë në shesh komplicitetin e qeverisë shqiptare. Ndryshe ky gjyq s’do të ketë kuptim se vrasësi është një me Isuf Reçin që vrau Avni Rrustemin dhe me Balto Stambollën, që vrau Gurakuqin.

(«Lirija Kombëtare», Gjenevë, më 20 korrik 1934)

Nga kjo veprimtari e pashembullt e Hasan Prishtinës, shembull konkret se si luftohet për liri e bashkim kombëtar, se ideal thelbësor i tij e i të gjithë luftëtarëve ishte dhe do të mbetët Shqipëria Etnike . Ky shembull dhe kjo rrugë mbetet gjithmonë aktuale. Emri dhe vepra atdhetare e Hasan Prishtinës me bashkëmendimtarët dhe bashkëluftëtarët e kohës së vet, gjithashtu edhe pasuesit e rrugës së tij gjatë përpjekjeve për të realizuar amanetin e tij, bashkë me Komandantin legjendar Adem Jashari e me UÇK- në heroike, rrugë që politikanët e sotëm, të Shqipërisë me Sali Berishën që ka miq armiqtë tanë shekullor, ata të Klanit të Zemunit, gjithashtu me politikanët e Kosovës, që pranuan Kushtetutën e Ahtisarit, që e lanë në gjysmë realizimin e Shqipërisë Etnike, mbetën yje të pashuara për liri e bashkim kombëtar dhe do t’i kujtojmë gjithmonë, si të gjallë, në kujtesën dhe shpirtin tonë!

– Politikanët e sinqertë, parlamentarë, nga partitë e majta dhe të djathta, populli i mashtruar, intelektualët atdhedashës, gazetarë e subjekte të varura e të pavarura, duhet ta dinë të gjithë se pa i lënë bindjet subjektive, individuale, të një partie, si dhe interesat personale nuk mund të ecim si duhet kah bashkimi kombëtar, megjithëse, kjo rrugë është e pashmangshme, derisa, të jetë populli ynë i pranishëm në këto troje, dhe i gjallë në Ballkan.

Nuk ka çare pa u bë, me dashje ose pa dashje, një Referendum për Vetëvendosjen e një Shqipëri Etnike, kjo është e drejtë natyrore e popujve dhe e sanksionuar nga Karta e Kombeve të Bashkuara.

Besnikërinë e rrugës për çlirim e bashkim kombëtar e kanë dëshmuar me vepra, me gjak e me jetë shumë dëshmorë, në kohën tonë kemi simbolin e Rezistencës, Adem Demaçin, flijimin e Adem Jasharit dhe të familjes së tij dhe luftëtarët e UÇK- së, heroike, Albin Kurtin që po lëvizë fuqishëm me L. V. e atdhetarë të tjerë të paepur, që nuk duan ta lënë në gjysmë rrugën për bërjen e Shqipërisë Etnike.

Amanetin e Hasan Prishtinës, ideologut kryesor të Shqipërisë Etnike, duhet çuar në vend!

Zvicër, 6 Gusht 2009
___________________
PS: Autori ka qenë 2 herë i dënuar politikisht nga regjimi i Beogradit, një nga udhëheqësit e LNÇKVSHJ, si bashkëveprimtar i dëshmorit Jusuf Gërvalla, më 1979 dhe si veprimtar i LPK-së, më 1993. Shumë herë i arrestuar dhe i torturuar fizikisht, bashkë me vëllain e vet, Xhemajlin, kanë kontribuar në formimin dhe mobilizimin e UÇK-së. Jeton në Zvicër, nga 1997, si i strehuar politik.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: