Hyrje > Mesele kombëtare > Nga mohimi në predikim: Mrekullia e ringjalljes në librat shkollorë të historisë

Nga mohimi në predikim: Mrekullia e ringjalljes në librat shkollorë të historisë

Dr. Enis SULSTAROVA

 

NGA MOHIMI NË PREDIKIM: MREKULLIA E RINGJALLJES NË LIBRAT SHKOLLORË TË HISTORISË

Enis Sulstarova

Enis Sulstarova

Mrekullia ka të bëjë me diçka që është shkencërisht e pashpjegueshme dhe që nuk i bindet ligjeve të natyrës. Ajo merret si tregues i ndërhyrjes së një fuqie të mbinatyrshme në rrjedhën e zakonshme dhe të pritshme të gjërave. Historiografia si shkencë, që nga shekulli i iluminizmit e këndej i përmbahet natyralizmit, që do të thotë se shkaqet e ngjarjeve kërkohen te motivet njerëzore dhe shtysat materiale. Kjo do të thotë se fuqitë e mbinatyrshme përjashtohen nga ndërtimi që historiani i bën rrjedhës së historisë. Ky rregull vlen edhe për historinë e feve, e cila përpiqet të rindërtojë të shkuarën e lëvizjeve dhe institucioneve feve, përfshirë themelimet e tyre, duke iu referuar atyre provave materiale që ka përcjellë koha. Natyralizmit i përmbahen edhe librat shkollorë të historisë në Shqipëri, të paktën deri vonë, ku lindja e feve të para të njerëzimit është shpjeguar si rrjedhojë e paaftësisë së njerëzve të parë për të kuptuar se si funksiononte natyra, por edhe e dëshirës së tyre për ta kontrolluar natyrën. Shkarja e vetme ka ndodhur vetëm me paraqitjen e lindjes së fesë së krishterë në librat shkollorë, e cila, siç e argumentojmë më poshtë në këtë artikull, ka kaluar nga mohimi i plotë historik gjatë viteve të komunizmit, deri te pranimi i mrekullisë brenda rrëfimit historik te ata libra shkollorë që kanë qenë në përdorim gjatë viteve të fundit. Në ndonjë rast jo vetëm që nuk bëhet dallimi midis faktit historik dhe mrekullisë së ringjalljes së Jezu Krishtit, por mrekullia predikohet si një e vërtetë, në të njëjtën linjë siç do ta prisnim që ta ndeshnim në bibël apo në tekstet doktrinare të krishterimit. Në këtë përfundim kemi arritur duke hulumtuar librat shkollorë parauniversitare të historisë që nga fundi i viteve 80 të shekullit të kaluar e deri në tekstet më të fundit.

Gjatë komunizmit, shkolla kishte një rol aktiv në luftën militante kundër fesë. Arsimimi ateist shihej si thelbësor për formimin shkencor të brezave të rinj dhe për emancipimin e shoqërisë e përparimin e saj drejt socializmit. Për pasojë, librat shkollorë të historisë botërore shpjegonin jo vetëm se feja ishte rrjedhojë e injorancës mbi funksionimin e natyrës, por edhe se klerikët ishin mbështetës së sundimit klasor të të pasurve dhe të të fuqishmëve mbi shtresat e gjera të popullit. P.sh. libri i historisë për klasën e 5-të i botuar në vitin 1988 përfshinte një mësim mbi krishterimin si mbrojtës të rendit feudal. Pasi përshkruan se si Kisha Katolike vriste dhe përndiqte ata që i konsideronte si heretikë, por që në fakt kërkonin nga kisha që të hiqte dorë nga pasuritë dhe luksi, teksti thotë:

Edhe sot feja krishtere me kishat, me manastiret etj., mbron interesat e kapitalistëve dhe të revizionistëve siç mbronte dikur ato të skllavopronarëve dhe të feudalëve. Papa i Romës është një nga kapitalistët më të mëdhenj të botës. Ai dhe të gjithë priftërinjtë e tjerë, së bashku me imperialistët dhe revizionistët luftojnë kundër interesave të popujve (Lama, Dhama & Xhafa, 1988: 194).

Ngjashëm paraqitet edhe lindja e islamit: feja e re kërkonte nënshtrimin e plotë para zotit dhe ishte një vegël në duart e fisnikërisë arabe për të mbajtur të shtypura masat, për të bashkuar vendin dhe për të pushtuar vendet e tjera (po aty: 198).

Kaq i fuqishëm ishte përjashtimi i fesë nga librat shkollorë të historisë sa që edhe konvencionet e përdorura rëndom për ndarjen e epokave në “para lindjes së Krishtit” dhe “pas lindjes së Krishtit” ishin të zëvendësuara me “para erës sonë” dhe “era jonë”. Arsyeja për të zgjedhur një vit të caktuar si vitin e parë të erës sonë jepej si më poshtë:

Era jonë. Sot shumica e popujve e llogaritin kohën prej një viti nga i cili kanë kaluar 1984 [viti i botimit të parë të librit shkollor] vjet. Ky është viti i tridhjetë i sundimit të perandorit August në Romën e vjetër. Pra këtë vit njerëzit e pranuan si një ngjarje të rëndësishme (po aty: 5).

Teksti e linte në heshtje se përse 30-vjetori i sundimit të Augustit duhej marrë si viti ndarës midis dy kohërave, kush e vendosi këtë dhe përse pranohej si i tillë nga historianët nëpër botë. Ngjarja e lindjes së Krishtit si përcaktuese e vitit 1 shfaqet për herë të parë në librin e historisë për klasën e 5-të të botuar më 1994. Eshtë me interes të vihet re se lindja e Krishtit thjesht vihet përkrah përvjetorit të sundimit të Augustit, ndërsa arsyetimi mbetet pak a shumë po ai: “Si vit i parë i llogaritjes së kohës është marrë viti i lindjes së Krishtit ose përvjetori i 30-të i sundimit të perandorit të Romës, Augustit. Pra këtë vit, njerëzit në të gjithë botën e kanë pranuar si ngjarjen më të rëndësishme” (Kuri, Zekolli & Jubani, 1994: 8). Përsëri nuk kuptohet nga teksti nëse “e tërë bota” ka pranuar si më të rëndësishme 30-vjetorin të Augustit si perandor i Romës, apo lindjen (e mbinatyrshme sipas biblës) të Jezusit. Në vitet që pasuan, referenca ndaj Augustit ra për fare, duke mbetur vetëm lindja e Jezusit. Vetëm në Historinë 6 me autor Vilson Kurin dhe të botuar më 2007 gjejmë akoma përmendjen së bashku të dy personazheve për të shpjeguar ndarjen e kohës historike, por nëpër të gjithë tekstin që vijon përdoren më pas shkurtimet “pr.l.K” dhe “ps.l.K” që i referohen lindjes së Krishtit. Për mendimin tonë, do të kishte qenë e udhës që ndarjet “para erës sonë” dhe “era jonë” të vijonin të gjenin përdorim në librat shkollorë të historisë, por të shpjegohej se vija ndarëse midis dy epokave është lindja e Krishtit dhe se ka mbetur si konvencion i shkencës së historiografisë në pjesën më të madhe të botës edhe sot.

Libri i historisë për klasën e 5-të i botuar në vitin 1994 është një nga të parët që i përshkruan krishterimin dhe islamin pa i lidhur me interesat klasore dhe feudalizmin. Sidomos një qëndrim i ri dhe pozitiv vihet re mbi lindjen e krishterimit, ngaqë rrëfimin e përshkon një ton optimist: bëhet fjalë për vepra të mira dhe të dobishme që Jezusi bëri për njerëzit, për “mesazhin e gëzuar” dhe për “lajmin e mirë” (ungjillin). Jepen të dhëna edhe për organizimin e bashkësive të para të krishtera dhe shpjegohen termat “dhjak”, “prift”, “peshkop” dhe “kishë”. Teksti shoqërohet nga dy fotografi bardh-e-zi: njëra është një ikonë e Krishtit me aura dhe me bibël në dorë e tjera paraqet një skenë pagëzimi të gdhendur në dru apo ndoshta në një material tjetër, pa specifikuar vendin apo kohën (Kuri, Zegolli & Jubani, 1994: 74). Ilustrimet janë një ndryshim radikal krahasuar me ilustrimet në librat shkollorë të kohës së komunizmit, të cilat tregonin djegien e heretikëve, punën angari të fshatarëve në tokat e manastireve apo shitjen e indulgjencave (p.sh. Lama, Dhama & Xhafa, 1988: 195, 197).

Gjithashtu, hulumtimi ynë tregon se ky është libri i parë shkollor në të cilin ringjallja e Krishtit rrëfehet si një fakt historik, krahas vdekjes së tij: “Pas vdekjes së Jezu Krishtit dhe ringjalljes së tij…” (Kuri, Zegolli & Jubani, 1994: 74). Dallimi me librat e kohës së komunizmit është 180 gradë. Në librin për klasën e 5-të të vitit 1988 lexojmë mbi “Përrallën e krishtit”, ku emri i përveçëm fillon qëllimisht me shkronjë të vogël, për t’i mëshuar edhe më mohimit të ekzistencës historike të Jezusit. Teksti thotë: “Shkenca ka provuar se krishti nuk ka ekzistuar. Atë e kanë krijuar njerëzit e varfër nga dëshpërimi. Kjo shihet edhe nga përrallat që tregojnë gjëra të pabesueshme dhe që nuk janë të ngjashme me njëra-tjetrën” (Lama, Dhama & Xhafa, 1988: 149). Këtu kemi natyralizmin e çuar në skajin e vet: meqenëse tregimet për të nuk përputhen, atëherë ai është personazh i shpikur. Ndërsa pranimi i mrekullisë së ringjalljes në tekstin e vitit 1994 duket sikur është një lajthitje e autorëve, sepse nuk përsëritet në tekstin e botuar një vit më vonë për klasën e parë të shkollës së mesme. Këtu flitet për “Tregimin e Jezu Krishtit” (përralla është shndërruar në tregim) dhe autorët shpjegojnë se feja e re ndërthuri legjendat çifute dhe besimet lindore për një zot që vdes dhe ringjallet. Më pas jeta, vdekja dhe pasvdekja e Krishtit rrëfehen sipas linjës biblike, por pa pretenduar se bëhet fjalë për të vërtetën historike (Kuri, Bicaj & Jubani, 1995: 64-65). Thuajse i njëjti rrëfim biblik përsëritet në librin e historisë për klasën e parë të shkollës së mesme të botuar në vitin 2000. Rrëfimin e mbyll kjo fjali: “Kjo është historia e Krishtit që u bë simbol i fesë botërore deri në ditët e sotme” (Gjini etj., 2000: 80). Kuptimi i fjalës “histori” është i mjegullt: a është fjala për rrëfenjën e Krishtit sipas biblës, apo për historinë si shkencën e studimit të së shkuarës? Teksti vetë nuk jep asnjë orientim se si duhet kuptuar ringjallja: fakt që ka ndodhur vërtet apo si një mrekulli që të krishterët e besojnë për të vërtetë?

Ndërsa supozohet se librat e rinj shkollorë të shekullit tonë do t’i ndreqnin këto pasiguri të teksteve të mëparshme në trajtimin e ringjalljes, kjo gjë fatkeqësisht nuk ka ndodhur. Shumimi i librave shkollorë si pasojë e reformës së alterteksit e zmadhoi problemin dhe nuk solli ndonjë zgjidhje. Për pjesën më të madhe të teksteve për klasën e 6-të, ku rrëfehet ringjallja e Krishtit, rrëfimin biblik njësohet me atë historik, në këtë mënyrë duke mos e bërë dallimin midis faktit dhe besimit. Formulimet që hasen janë si më poshtë:

Pak ditë pas vdekjes, ai u rishfaq përpara simpatizantëve dhe deklaroi se do të vazhdonte të përhapte mësimet e tij (Filo, 2012: 62).

Pak ditë pas vdekjes, ai u rishfaq përpara dishepujve (përkrahësve) të tij duke deklaruar se do të vazhdonte të përhapte mësimet e tij. Pas ringjalljes së Jezuit ata filluan të përhapnin mesazhin e tij në të gjithë perandorinë romake (Papajani & Nishku, 2009).

Ai ishte i biri i Zotit dhe erdhi për të shpëtuar njerëzit nga e keqja… Pas vdekjes, Krishti u ringjall dhe u ngjit në qiell për t’u rikthyer në tokë për të realizuar mbretërinë e Perëndisë (Thëngjilli, Sheme & Spaho, 2012: 60).

Krishti dha mësime me autoritet, kreu mrekulli, pretendoi se ishte mishërimi i Perëndisë (Kuri, 2007: 86; kursivi ynë).

Predikimet e Krishtit u shoqëruan me një numër të madh mrekullish, prandaj dhe turmat e popullit e ndoqën në masë (Gani, 2009).

 

Ndërsa disa prej këtyre shembujve duken sikur janë marrë drejtpërdrejt nga predikimet e krishtera, kujtojmë se të njëjtët tekste për klasën e 6-të disa mësime më përpara u kanë shpjeguar nxënësve se fetë e para kanë qenë krijime të njerëzve primitivë që nuk arrinin të shpjegonin dukuritë natyrore. Një studim për librat shkollorë të Kosovës ka zbuluar se edhe aty ringjallja e Krishtit rrëfehet si të ishte një ngjarje historike! (Jazexhi, 2013: 77-79). gjë që përforcon argumentin tonë se kemi të bëjmë me një tendencë për t’u shmangur nga parimi metodologjik që orienton trajtimin e ngjarjeve të tjera të së kaluarës. Paraqitja e mrekullisë si një fakt ndërfut në histori të mbinatyrshmen dhe çorienton kuptimin që nxënësit duhet të kenë për historinë. Vetëm në një nga librat alternativë për klasën e 6-të kemi ndeshur një formulim të saktë për mrekullinë: “Kristianët besojnë se mbas tri ditësh Jezusi u ringjall dhe u ngrit në qiell” (Treska & Dërguti, 2011: 64). Ky formulim respekton besimin fetar të nxënësve, prindërve të tyre e mësuesve dhe është në pajtim me parimin laik të shtetit, sepse nuk mbahet një qëndrim pohues ndaj mrekullisë, por as edhe një dënim i hapur i saj, duke respektuar lirinë e besimit. Eshtë e vërtetë që besimtarët e krishterë besojnë se Krishti u ringjall, por kjo gjë nuk është e thënë që të ketë ndodhur me të vërtetë, sikurse, bie fjala që Roma u pushtua dhe u plaçkit nga visigotët në vitin 410 e.s. apo që Napoleoni vdiq në Shën-Helenë më 5 maj 1821.

Në rrëfimin e lindjes së feve të tjera në librat shkollorë të historisë, nuk para gjen pranimin e mrekullisë si një fakt të mëvetshëm historik, por gjithmonë jepet një ndërmjetësim i subjektit njerëzor. Me fjalë të tjera, shpalljen e profecisë e bën vetë themeluesi dhe nuk përshkruhet ndonjë mrekulli që vërteton se kemi ndërhyrje nga ndonjë njësi e mbinatyrshme. Për të dhënë disa shembuj, në një libër historie për klasën e 11 (viti i dytë i shkollës së mesme) lexojmë se Buda “braktisi besimin brahman dhe shpalli se mori ndriçimin nga perënditë”; se “Konfuci u bë profet dhe ndërmori një reformë morale”; apo që taoizmi “e mori emrin nga themeluesi Lao Ceu, i cili u mbiquajt Tao, duke mëtuar se kishte zbuluar rrugën e universit” (Filo & Gjini, 2010: 25-27; kursivet tona). As Muhamedit, librat shkollorë nuk i veshin ndonjë mrekulli dhe as ritualeve të fesë islame. Për shembull, në një libër shkollor shkruhet se myslimanët e quajnë të shenjtë Gurin e Zi në Qabe, por menjëherë më pas autorët sugjerojnë se kemi të bëjmë me një besëtytni, sepse guri mund të jetë pjesë e ndonjë meteori që ka rënë në tokë (Meksi & Lleshi, 2008: 68).

Në përfundim, mendojmë se nuk ka përse ringjallja e Krishtit të trajtohet ndryshe në librat shkollorë të historisë nga mënyra si trajtohen mrekullitë e supozuara të feve të tjera dhe kjo është në të mirë të të nxënit të historisë. Shpjegimi i historisë me anë të mbinatyrshmes është kundërhistorik dhe kundërproduktiv për edukimin e brezave të rinj. Nëse e bëjmë mrekullinë pjesë të rrëfimit historik, atëherë realisht nuk do të kemi nevojë për hulumtime, prova dhe interpretime logjike për të kuptuar ngjarjet e së shkuarës dhe pasojat e tyre në të tashmen.

 

Burimet

Crook, Z. (2011) “On the Treatment of Miracles in New Testament Scholarship”, Studies in Religion, 40 (4): 461-478.

Filo, Ll. (2012) Historia 6. Tiranë: Ideart.

Filo, Ll. & Gjini, R. (2010) Historia e qytetërimit botëror: Me zgjedhje për klasën e 11. Tiranë: Ideart.

Gani, A. (2009) Historia 6: Për klasën e gjashtë të shkollës 9-vjeçare. Tiranë: Morava.

Gjini, R. et. al. (2000) Historia 1: Për arsimin e mesëm të profilizuar. Tiranë: Shtëpia Botuese e Librit Shkollor.

Jazexhi, O. (2013) Rrëfimet e një kombi: shqiptarët, turqit, muslimanët dhe të krishterët në tekstlibrat shkollorë të historisë dhe letërsisë në Kosovë. Tiranë: Free Media Institute.

Kuri, V. (2007) Historia 6. Tiranë: Plejad.

Kuri, V., Bicaj, I. & Jubani, B. (1995) Historia 1: Për shkollat e mesme të përgjithshme. Tiranë: Shtëpia Botuese e Librit Shkollor.

Kuri, V., Zekolli, R. & Jubani, B. (1994) Historia 5. Tiranë: Shtëpia Botuese e Librit Shkollor.

Lama, F., Dhama, T. & Xhafa, B. (1988) Historia: Për klasën V të shkollës 8-vjeçare. Tiranë: Shtëpia Botuese e Librit Shkollor.

Meksi, A. & Lleshi, Xh. (2008) Histori 6. Tiranë: Uegen.

Papajani, A. & Nishku, A. (2009) Historia 6. Tiranë: Ideart.

Treska, T. & Dërguti, M. (2011) Historia 6: Për klasën e 6-të të shkollës 9-vjeçare. Tiranë: Albas.

Thëngjilli, P. Sheme, M. & Spaho, E. (2012) Historia 6: Për klasën e 6-të të arsimit 9-vjeçar. Tiranë: Pegi.

 

* Revista Shenja, Prill 2014

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: