Hyrje > Mali i Zi > Epitafet me shkrim osman

Epitafet me shkrim osman

Mr. Ali BARDHI

 

EPITAFET ME SHKRIM OSMAN

Ali Bardhi

Ali Bardhi

Sa i përket formës së kokës së gurvarreve në trevën e Anës së Malit, te meshkujt kemi gjetur tri forma, ndërsa te femrat forma të ndryshme. Format e kokës së nishaneve të përdorura për meshkujt janë si më poshtë:
1. Sarëk – që d.m.th. çallmë. Ka pasur disa llojesh pasi lidhjet e tyre janë bërë në disa mënyra.
2. Kavuk – edhe kjo fjalë ka kuptimin e çallmës, por të ndryshme nga modelet e cekura më lart.
3. Fes – që d.m.th. kësulë. Janë tre llojesh: Mahmudi, Azizi dhe Hamidi, të cilat kanë formën e feseve apo kësulave të përdorura në periudhat e këtyre sulltanëve.

Disa prej epitafeve apo mbishkrimeve të gurëvarreve janë të gdhendur në mënyrë të atillë që shkrimi është i gdhendur brenda sipërfaqes së gurit, ndërsa në disa të tjerë tabela është në sfond të shkrimit. Në të shumtën e rasteve, vijat e shkrimeve të gdhendura janë të shkruara në mënyrë profesionale me shkrim elegant dhe të padeformuar, por ka edhe ndonjë nishan tjetër, ku shkrimi nuk të lë përshtypjen e punës profesionale.

Njëherit janë gjetur edhe nishane të varreve me simbole të ndryshme të gdhendura, nga ku mund të dihet edhe statusi që ka pasur i ndjeri gjatë jetës së tij, por ndodh që të ketë edhe simbole të gdhendur me qëllim dekorimin e gurit të varrit. Në disa nishane janë gjetur të gdhendura shpata, divit- laps, relic; së bashku me diellin (nga gjashtë cepa e sipër), të vendosura në një lidhëse koke të nishanit të femrës, ylli apo myhyri (vula) i Hz. Sylejmanit, dielli, svastika, gjysmëhëna, ylli e hëna, selvia, lule e dekorime të ndryshme.

Epitafet e varreve në hapësirën e Anës së Malit janë të shkruara me shkrim osman ashtu si në çdo vend tjetër të Perandorisë Osmane, në ndonjë rast edhe arabisht, pasi gjuha zyrtare e Perandorisë Osmane ka qenë osmanishtja me shkronja arabe, por në disa raste janë përdorur edhe shprehje apo fraza në gjuhën arabe të cilat mendohet se janë vendosur edhe për arsye fetare me qëllim lutjen, ashtu siç ka qenë latinishtja në Perandorinë Romake apo më pas greqishtja te Bizanti. Në përgjithësi, në mbishkrimet e nishaneve të varreve bëhet dua për të vdekurin. Temat që përfshihen në mbishkrimet e varreve dëftojnë keqardhje për të ndjerin, lutje që i bëhet Zotit për të, kaderi apo caktimi i vdekjes, botë e shkurtër, për ibret apo mësim nga vdekja. Përveç këtyre shprehjeve, ajo që është e veçantë dhe e përbashkët për këto nishane është kërkesa për dua ndaj të vdekurve e sidomos leximi i sures Fatiha.

Më poshtë po japim disa shprehje të përdorura në epitafet e varreve në hapësirën e Anës së Malit: “La Ilahe Il-lallah Muhamedun Resulullah”, që d.m.th. “S’ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i dërguari i Tij”; “Hu (Allah)”, që d.m.th. “Ai (Zoti)”; “Huve’l-Baki”, që d.m.th. “Ai është i Përjetshëm”; “Huve’l-Hal-lak el-Baki” që d.m.th. “Ai është Krijuesi i Përjetshmi”; “El-merhum ve’l-magfur”, që d.m.th. “I mëshiruari dhe i faluri”; “Ilahi Ente Gaffȃru’z-zunub, Rabbi la tekessür aybun-li, Ente settarü’l-uyub”, që d.m.th. “Zoti ynë Ti je falësi i mëkateve tona, Zoti im mos m’i shto turpësitë, Ti je mbuluesi i turpeve”; “Künna mislüküm ve se-tekunune mislüna…”, që d.m.th. “Ne ishim si ju e ju do të bëheni si ne…”; “Ya Ilahi kebir, günah magfiret et Lütufla ey Padişah…”, që d.m.th. “O Zot i Madh, O Padishah (Zoti) me mirësinë Tënde fali gjynahet…”

Qëllimi kryesor i epitafit apo nishanit të varrit është identifikimi dhe ruajtja e identitetit të personit të vdekur. Në përgjithësi, emrat e të vdekurve në këto nishane janë emra muslimanë me rrënjë arabe, si: Ahmed, Ali, Ramazan, Omer etj., emra dhe mbiemra me rrënjë turke, si Gül-Gjyla, Gülşah- Gjylshah, Demir, Kurt (Ujk), Arsllan, Kapllan, Paşa-Pashe, Sulltana, Turku, Bega, Aga, Çoban etj., apo edhe emra nga kultura perse që kanë depërtuar në vendin tonë me anë të osmanlinjve, si Umminhan, Minhan, Shaho etj. Por në shumë vendvarre janë gjetur edhe emra tradicionalë të vendit dhe me kuptim në gjuhën shqipe, si: Zogo, Zojo, Hana, Ujk, Durro, Eltane, Pirro, Agush, Kamber, Velo, Syna, Voca, Çik, Çoban etj.

Ka edhe emra që janë shkruar në versionin e shkurtuar apo shndërruar në tjetër, gjë që është veçori e banorëve të kësaj zone dhe akoma vazhdon një praktikë e tillë, nga ku mund të përmendim emrin Mehmet të shkurtuar në Met, Meto, Meta apo Muho, nga Jahja në Jaho apo Jahush, Beqir në Beqo, Nuredin në Nuro, Rustem në Rusta, Islam në Lam, Ramazan në Ramë, Ramo, Dan apo Zan, Rexhep në Rexha, Rexho apo Rexhi, Mustafa në Taf apo Mujo, Jusuf në Cuf, Zejnel në Nel, Hasan në Can apo Ceno, nga Abdullah në Abdyl apo në Dyl dhe Abdi, Hatixhe në Tixhe, Halil në Lila, Sylejman në Syla, Arsllan në Lan, Xheladin në Xhela, Xhafer në Xhafa, Hajrudin në Dino, Zylfije në Zylë, Osman në Oso, Safije në Sofi, Hysejn në Hysë, Ibrahim në Braho, Selatin në Sela, Hava në avo, Bejtullah në Bejto, nga Aga në Ago, Adem në Demo, Fazli në Fazlo, Rabije në Rabo, Myrteza në Myrto etj.

Në shumë nishane të varrezave të kësaj treve janë gjetur edhe mbiemra apo llagape që dëftojnë emrin e toponimeve, si dy nishane me mbiemër Shasi të gjetur në varrezat e xhamisë së Shasit, dy nishane me mbiemër Bojku të gjetur në fshatin Bojk, një nishan me mbiemër Brashnje në xhaminë e Brajshës, nishane me mbiemrat Krytha, Kadërkolla, Dibra, Holli (vendi Hollaj) në varrezat e xhamisë së Katërkollës, një nishan me mbiemrin Krytha i gjetur në varrezat e Kurmemajve në fshatin Krythë, një nishan me mbiemër Suma në xhaminë e Brajshës, shumë nishane me mbiemrat Koka (vendi Kokaj) e Ceka (Cekaj), Luka (vendi Lukaj) në Brajshë; mbiemri Luka është gjetur edhe në Shas, mbiemri Nika (vendi Nikaj në Rashtishë Lart) i gjetur në Shas etj., mbiemri Midha (fshati Millë) në varrezat e xhamisë së Selitës, mbiemri Gjate (emër toke në fshatin Draginë) në xhaminë e Draginës, mbiemri Peçurica në varrezat e Mërkotit, nishani me mbiemrin Çapra i gjetur në xhaminë e Kravarit Poshtë, mbiemri Gjeloshi (vend në Kravarin Lart) i gjetur    xhaminë e Kravarit Lart, nishan me mbiemër Tela (vend në Rashtishë Lart) i gjetur në xhaminë e Shasit, Molla Osman Podgorica (i ndjeri ka qenë nga Podgorica dhe ka punuar si imam në xhaminë e Millës) – nishani i tij është gjetur po në varrezën e kësaj xhamie. Gjatë hulumtimeve kemi ndeshur edhe mbiemra që janë të pranishëm edhe në ditët tona në trevën e Anës së Malit, si mbiemri Nika, Lika, Koka, Luka, Ceka, Holli, Kurti, Kasneci, Lleshi, Demiri, Kovaçi, Gjeloshi, Zaga, Duraku, Pali, Hoxha, Dabi, Doçi, Ibroçi, Aloja apo Allaj, Çapra (i shndërruar në Çapriq pas rënies së Anës së Malit nën Malin e Zi), Dibra, Pelinku etj. Njëherit kemi hasur edhe nishane me emra që mund të supozohet se me kalimin e kohës pasardhësit ta kenë shndërruar në mbiemër, ku mund të përmenden: emrat Bejto e Ibrahim, të gjetur në fshatin Bojk, të cilët mundet që më pas të jenë shndërruar në mbiemra pasi këto mbiemra edhe sot ekzistojnë në këtë fshat; nishanet me emrat e dy motrave, bija të Uruçit, të gjetura në varrezat e Seferajve në   ythë, të cilat mund të kenë qenë nga Oblika, të martuara në Krythë, pasi në Oblikë ende ekziston mbiemri Uruçi; nishanet me emrat Sala, Taipi e Aloja, të gjetura në varrezat e xhamisë së Katërkollës, të shndërruar më pas në mbiemrat Salaj, Taipi e Allaj; emri Sinan i gjetur në Shtodër, i cili më pas të jetë shndërruar në mbiemër Sinani; emri Zago e Abdija, të gjetur në varrezate xhamisë së Kravarit Poshtë, i cili më pas të jetë shndërruar në mbiemrin  Zaga e Avdiu; emri Can, i gjetur në varrezat e xhamisë së Rashtishes Poshtë, i cili më pas është shndërruar në mbiemrin Cani; emri Tafa, i gjetur në varrezat e xhamisë së Kravarit Lart, i shndërruar në mbiemrin Tafica; emri Rexhi, i gjetur në Kllezën, i shndërruar më pas në mbiemrin Rexha.

Gjatë hulumtimeve të bëra në trevën e Anës së Malit kemi gjetur edhe varrezat e Nizamijes (varre të ushtarëve të periudhës osmane), por pa epitafe. Mendohet që këto varre t’i përkasin ushtrisë së Nizamëve gjatë luftës për mbrojtjen e Shkodrës në vitet 1912- 1913, por që duhen studiuar dhe hulumtuar edhe më tej duke shfrytëzuar edhe arkeologët.

Në këtë artikull jemi munduar që sadopak të japim një raport me shpjegime në mënyrë të përmbledhur, kurse në mënyrë të detajuar në të ardhmen shpresojmë që ky studim të gjejë dritën e botimit.

(Autori është kryeimam i Ulqinit)
Deri në këtë fazë, projekti është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave – Mali i Zi.

/Koha Javore/

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: