Kreu > Europa dhe Islami > Muslimanët në Hungari

Muslimanët në Hungari

Khamis ROHNER

 

MUSLIMANËT NË HUNGARI

Gazi Kaszim Pasa Dzsamija

Falë vizitës sime që i bëra Hungarisë, arrita të bëj disa hulumtime rreth ardhjes së Islamit në këtë vend. Vlen të theksohet se gjatë hulumtimeve rreth depërtimin të Islamit në Hungari, kuptova se kontaktet e para të hungarezëve me Islamin nuk qenë me osmanët turq, të shekullit të 16-të, mirëpo, sipas disa historianëve, Islami në Hungari kishte filluar të depërtojë në fillim të shekullit të 8-të, atëherë kur muslimanët nga Hvarazani në Azinë Qendrore kishin pushtuar Hungarinë.

Sipas historianëve, shumica e këtyre qenë tregtarë dhe ushtarë. Turqit kishin arritur të dominojnë këtu për 150 vjet. Me kalimin e kohës, shumica prej tyre nuk kishin praktikuar Islamin në mënyrë të duhur, dhe kjo kishte çuar deri te martesa e tyre me gra hungareze, ku pasardhësit e tyre ishin asimiluar dhe pas vetes nuk kishin lënë asnjë gjurmë islame, me përjashtim të disa vlerave të rëndësishme, andaj unë (tregon autori i artikullit) isha shumë i interesuar që t’i shoh gjurmët e tilla, dhe mu për këtë, mora me vete kamerën dhe përpiqesha të gjeja vendndodhjen e tyre.

Në Budapest, nuk ka edhe shumë gjëra që kanë mbetur qysh prej asaj kohe, përveç një varri enigmatik dhe ca gurë varresh, një pjesë e xhamisë, e cila tashmë është shndërruar në kishë, si dhe një banjë publike, e ndërtuar po ashtu nga osmanët, e ashtuquajtur “Hamam”. Unë dhe shoku im “Nur Islam” nga Hungaria, më në fund arritëm te kisha Kapuçin (Capuchin), e cila qe ndërtuar në vitin 1777.

Kjo është kisha e ashtuquajtur “Baroque church” (Kisha baroke) që dikur ishte “Xhamia e Ali Pashës” (Ali Pasha jami), e ndërtuar në vitin 1568-1569. Kjo xhami ishte shndërruar në kishë në vitin 1788 dhe në të gjendet mihrabi, hyrja e saj si dhe kupola që ka stilin osmano-turk.

Duke shikuar pjesën e xhamisë, e cila kishte një hyrje dhe një dritare në formë harku, në vete ndihesha i mërzitur dhe i zbrazët. Nuk mund të duroja dot, dhe fillova të lexoja suren El-Fatiha me zë shumë të lartë. Ndoshta ky mur i gjatë 10 metra nuk kishte pasur rastin të dëgjonte Kur’an për një kohë shumë të gjatë.

Kur vizitova Pécs, qytet ky i shtrirë në jug të Hungarisë, fillova disi të ndihem ndryshe. Qendra e vjetër e qytetit ishte tërësisht e ndërtuar me ndërtesa historike, në të njëjtën kohë në të gjendej edhe kisha e quajtur “Parish church” e cila me të vërtetë tërheq vëmendjen e vizitorëve, për arsye se është ndërtuar në afërsi të rrugës kryesore, dhe nga jashtë nuk i ngjan fare një kishe, por një xhamie turke (mund ta shihni në foto më bukur dhe do të vëreni se ishte me të vërtetë një xhami me arkitekturë osmane-turke).

Emri i kësaj ish-xhamie është: “Xhamia Gazi Kassim” (Djami Ghazi Kassim). Pasi që qyteti Pécs kishte rënë në duart e osmanëve në vitin 1543, pashai i Pécs-it kishte urdhëruar për ndërtimin e një xhamie, e cila kishte shërbyes si e tillë deri në mbarimin e sundimit osman në vitin 1686.

Xhamia kishte kaluar në duart e të krishterëve dhe më vonë ishte shndërruar në kishë. Një fat i tillë i kishte kapluar edhe xhamitë e tjera.

Ndonëse shumicës së xhamive që u shndërruan në kisha, nuk u mbeti asgjë nga gjurmët e Islamit, shohim se në Hungari, kisha e quajtur “Parish church of Pécs” paraqet një përzierje të çuditshme dhe të rrallë.

Edhe pse kjo kishë shërben për besimtarët e krishterë, megjithatë, vizitorët e çmojnë stolisjen dhe dekorimin e mihrabit, në të cilin gjendet e shkruar shehadeti (dëshmia islame) “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Muhammedi (alejhi selam) është i Dërguari i Tij”.

Nga karakteristikat apo veçoritë islamo-turke të kësaj kishe janë edhe dritaret dhe dyert në formë harku, bukurshkrimi arab apo kaligrafia, fenerët turq, madje në të ekziston edhe sureja El-Fatiha, e shkruar me shkronja hungareze dhe e gdhendur në mermer.

Unë kuptova se, ky simbol ndër-fetar mes Turqisë dhe Hungarisë është rezultat i bashkëpunimit mes dy qeverive, asaj turke dhe hungareze. Unë mendoj se ky është një hap i mirë drejt mirëkuptimit të dy feve, të cilat historikisht janë shumë të rëndësishme për popullin hungarez.

Shpresoj se një ditë, kryqi i vënë mbi gjysmëhënën e xhamisë Ghazi Kassim, të hiqet nga aty përgjithmonë.

Në realitet, një gjë e tillë është realizuar, ku “Xhamia Xhakovali Hassan” (Djami Jakovali Hassan), po ashtu ne Pécs, e ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. 16, u është dhënë muslimanëve përsëri, dhe për momentin, konsiderohet e vetmja xhami e kompletuar me minare. Renovimi i saj tashmë ka mbaruar dhe një pjesë e saj është muze. Bashkësia Islame e Pécs ka lejuar që ditën e premte namazi i xhumasë të falet në po të njëjtën xhami.

Këtu mund të shihet shehadeti i shkruar në gjuhën arabe: “Nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe Muhammedi (alejhi selam) është i Dërguari i Tij”. Ky shkrim gjendet në mihrabin e kishës “Parish church of Pécs” që dikur ishte xhamia Gazi Kassim.

Pas qytetit Pecs, u nisëm për në qytetin Szigetvar, 45 minuta larg udhëtim me autobus. Atje vizituam kishën baroke. Aty ishe xhamia e Ali Pashës, në origjinal “Ali Pasha Jami”, e cila qe ndërtuar në vitin 1569 dhe më vonë, në vitin 1788 ishte shndërruar në kishë. Afër mureve të kishës të cilat i përkasin ndërtimit osman, vërejtëm mihrabin dhe hyrjen e xhamisë, ku edhe kupola i ngjante origjinës osmane. Monumentin tjetër që arritëm të vizitojmë, ishte edhe Xhamia e Sulejmanit. Minarja e saj ishte rrënuar. Kjo xhami qe ndërtuar gjatë gjysmës së dytë të shek. 16. Tashmë, disa pjesë të saj janë rinovuar dhe është shndërruar në muze. Një grua e shtyrë në moshë, e cila punonte në sportelin e biletave, kishte dëshirë të madhe që të na tregonte mihrabin si dhe disa kaligrafi arabe që ruheshin me vite.

Gjatë vizitës sonë, patëm shansin të falemi në të duke mos na penguar askush. Me t’u kthyer në Budapest, vizituam edhe ca monumente të historisë osmane, siç ishte banja publike (Hamami ose në hungarisht Kiraly Fürdo). Kjo banjë ishte ndërtuar nga osmanët në vitin 1566, me urdhrin e Sokol Mustafës “Szokol Mustapha” që ishte pashai i Budapestit, i cili në atë kohë quhej Buda. Është me rëndësi për t’u theksuar se, kjo banjo edhe sot e kësaj dite përdoret si banjo publike për banorët e Budapestit.

Hungaria posedon edhe shumë vende të tjera me ndërtime dhe monumente islame dhe osmane, ku ne nuk patëm rastin t’i vizitojmë të gjitha.

Këtu mund të aludoj se në vendin e quajtur Eger gjendet një minare me lartësi prej 35 metra, e cila i përkiste xhamisë “Kethuela Dzami”. Kjo xhami tashmë nuk ekziston. Bazuar në shtypin hungarez, në të cilin thuhet se qysh prej 300 vitesh, në këtë minare nuk është thirrur ezan.

Pamje të tjera islame janë edhe xhamia e cila shtrihet në Siklos dhe shërben për faljen e namazit të xhumasë. Po ashtu gjendet edhe një minare në vendin e quajtur Erd me lartësi 15 metra. Kjo minare ishte pjesë e xhamisë e cila ishte ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. 16.
Kjo që u theksua më lart i përket të kaluarës islame në Hungari. Kur të flasim për muslimanët e këtij vendi në kohën tonë, mund të themi se atje numërohen 38.000 muslimanë hungarezë. Shumica prej tyre janë të huaj. Gjithashtu ka edhe muslimanë vendas të cilët kohët e fundit një numër i madh i tyre janë duke pranuar Islamin, e në veçanti gratë.

Në Hungari ekzistojnë disa organizata të cilat përfaqësojnë muslimanët hungarezë, mirëpo më e rëndësishmja prej tyre është “Magyar Iszlam Kozosseg” (Bashkësia Islame e Hungarisë), e themeluar në gusht të vitit 1988 dhe udhëhiqet nga Dr. Abdurrahman Mihalffy Balazs.

Që nga viti 1996 kjo bashkësi drejtohet nga Zoltan Bolek dhe është e dobishme të ceket se prej momentit të ardhjes së tij në këtë pozitë, Komuniteti Musliman i Hungarisë ka filluar të organizojë projekte të shumta islame që janë në dobi të muslimanëve hungarezë.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Përktheu nga gjuha angleze: Fehim Xh. DRAGUSHA

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: