Kreu > Histori > Demistifikimi i programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga Prof.dr. Iljaz Rexha

Demistifikimi i programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga Prof.dr. Iljaz Rexha

Agron ISLAMI

 

DEMISTIFIKIMI I PROGRAMIT TË LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT NGA PROF. DR. ILJAZ REXHA

Vështrim mbi librin “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Porta e Lartë”, i dalë nga shtypi këto ditë

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Porta e Lartë

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Porta e Lartë

Para disa ditësh doli nga botimi libri më i ri i prof. Dr. Iljaz Rexha, me titull: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Porta e Lartë” (1878-1881). Mirëpo para se ta prezantojmë veprën e tij, do të doja ti them disa fjalë të shkurtra për këtë autorë të zellshëm dhe me punime shumë shumë të rëndësishme për historiografinë shqiptare. Iljaz Rexha, është një punëtor shkencor që punon në heshtje, ngase nuk lakmon të reklamohet. Autori në fjalë për shkaqe shëndetësore ka një kohë të gjatë që gjendet jashtë Kosovës, përkatësisht në Holandë. Prof. Dr. İljaz Rexha është njëri ndër studiuesit dhe specialistët e rrallë jo vetëm në hapësirën etnogjeografike shqiptare, por edhe më gjerë, që në mënyrë sistematike merret me  hulumtimin dhe studimin e dokumenteve të proveniencës osmane dhe kohëve të fundit edhe me burimet mesjetare sllave dhe evropiane. Burime këto që kan të bëjnë me periudhën e mesjetës së vonshme dhe me periudhën osmane, të cilat ndriçojnë shumë çështje historike, onomastike dhe demografike të shqiptarëve në arealin e Dardanisë-Kosovës dhe Maqedonisë Veriperëndimore. Për periudhën në fjalë profesori ka botuar një sër studimesh, por ne do ti përmendim vetëm disa nga to të cilat kanë një rëndësi të veçantë dhe vlerë të lartë shkencore, madje edhe kombëtare: “Onomastika Protoshqiptare ne Arealin e Dardanisë (2005); Regjistrimi i vendbanimeve dhe popullsisë së Kazasë së Novobërdës-Artanës sipas Defterit të fundshekullit XV, Vjetari-AK, Prishtinë, 2002; Sllavizmi i onomastikës së vendbanimeve mesjetare në arealin e Dukagjinit (sipas defterëve osmanë), Vjetari-AK, Prishtinë, 2001; Vendbanimet dhe Popullsia Albane gjatë mesjetës në hapësirën e Maqedonisë se sotme. Gjurmime albanologjike- Seria e Shkencave Historike, Prishtinë, 2012 etj.

Ndërsa libri për të cilin do të mundohemi të bëjmë një vështrim të shkurtër mbi të dhënat që na sjell kjo vepër vëllimore, deri më tani pak të njohura ose thënë më mirë krejtësisht të panjohura për lexuesin dhe studiuesin shqiptar, përveç parathënies dhe Hyrjes përmban 10 kapituj me 460 faqe dhe pothuajse çdo kapitull është temë në vete, por që kanë një lidhshmëri organike, kronologjike dhe përmbajtesore. Autori duke u bazuar në një dokument osman konstaton se Komiteti Shqiptar i Stambollit ishte formuar në fillim të janarit 1877, e që deri më tani është pohuar se formimi i këti komiteti në mënyrë ilegale ishte formuar në vjeshtë të vitit 1878. Përveç kësaj autori na sjell edhe versionin e programit të parë si një paraprojekt që ekzistonte në dorëshkrim, qysh nga muaji janar, e që më vonë ishte përpunuar nga antarët e rregullt të komitetit: Sami Frashëri, Hoxha Hasan Tahsini, Pashko Vasa dhe Jani Vreto, sikur edhe antarët sekret të komitetit, e që ishin deputetet shqiptar në  parlamentin osman; Abdyl Frashëri, Haxhi Ymer Prizreni, Mehmet Ali Vironi, Ahmet efendi Korenica, Jusuf efendi Sokoli, Daut efendi Boriqi, Mihal efendi Hariti, Filip Doda etj.

Me 10 qershor 1878 Sami Frashëri në emër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në gazetën e tij Tercuman-i Shark, botoi velëm dy nga pikat e programit të lidhjes Shqiptare, ku kërkohej nga Porta e Lartë bashkimi i gjitha vilajeteve të banuara nga shqiptarët në një vilajet te vetëm nën emrin Vilajeti autonom i Shqipërisë (Arnavudluk Vilayeti) në kuadër të Perandorisë Osmane, ndërsa në pikën e dytë kërkohej arsimimi i shqiptarëve në gjuhën shqipe. Ndërsa 4 pikat tjera të programit u mbajten sekret me qëllim të konsolidimit dhe forcimit të Lidhjes Shqiptare ne aspektin organizativ dhe ushtarak. Këto 4 pika u publikuan vetëm pas vrasjes së Mareshalit osman në Gjakovë Mehmet Ali Pashai me nofkën Maxharri, më 15 shtator 1878 në gazetën Tercuman-i Shark.

Sipas autorit versioni i programit të parë i është dërguar të gjitha komiteteve vendore dhe ndërkrahinore për aprovim para se të mbahej kuvendi Themelues i Prizrenit. Ndërsa për versionin e dyt të cilin e kishte përmendur studiuesi turk Sylejman Kylçe, e që për herë të parë për opinionin shqiptar e bëri të njohur historiani G. Shpuza, autori konsideron se ky program i miratuar me 15 qershor në mbledhjen e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit është programi i dytë i lidhjes i cili ishte reduktuar nga 7 ne 5 nene dhe ishte i formuluar në mënyrë të përgjithësuar në të cilin nuk determinohej se cilat vilajete do të bashkohen dhe nuk emërtohej me emrin Vilajeti Autonom i Shqipërisë (siç ishte paraparë në programin e parë), por përdorej nocioni Vilajete të Unisuara (Tevhid-i vilayat) qe aludonte ne vilajetet shqiptare.

E që sipas kësaj del se në versionin e programit të parë kemi të bëjmë me kërkesën e qartë për bashkimin e vilajeteve shqiptare dhe autonominë e Shqipërisë, ndërsa në versionin e dytë kërkohej një autonomi e përgjithësuar e vilajeteve shqiptare. Megjithatë edhe pse versioni i parë ishte miratuar nga komiteti i Stambollit, autori nuk ka gjetur të dhëna për miratimin e tij në ndonjë mbledhje të kuvendit të Lidhjes, ndërsa siç është e njohur versioni i dytë sipas S. Kylçe dhe G. Shpuzës ishte miratuar në mbledhjen e Kuvendit të lidhjes më 15 qershor 1878. Sipas autorit, para miratimit të karanames-aktvendimit në mbledhjen e Kuvendit të Lidhjes më 17 qershor si pasojë e presionit të Mytesarrifit të Prizrenit dhe përkrahësve te tij, edhe versioni i programit të parë edhe versioni i dytë u anashkaluan duke u lënë anash çështja e autonomisë së Shqipërisë territoriale-administrative edhe çështja e mësimit dhe përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet arsimore dhe administrative. Gjë që për shkak të anashkalimit të 3 neneve kryesore të versionit të parë kararnameja nuk u nënshkrua nga Haxhi Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri e asn nga përfaqësuesit e komunitetit katolik. Në të njëjten kohë sipas tij (autorit) Kararnameja nuk paraqiste kurfar programi politik, madje edhe Talimati i 2 korrikut te vitit 1878, më tepër paraqisnin aktvendime ligjore për formimin dhe mobilizimin e njësive të armatosura vullnetare për mbrojtjen e territoreve në kuadër të Vilajetit të Kosovës ku administrativisht bënin pjesë edhe sanxhaku i Novi Pazarit dhe ai Tashllëxhes.

Ndërsa sa i përket karakterit ideo-politik të lidhjes autori nënvizon se pavarësisht se në kararname thuhet se Lidhja kërkon që territoret e saja do të mbrohen nën sovranitetin e Sulltanit, kundër pretendimeve të shteteve ortodokse ballkanik,e nuk mundë të konsiderohet se Lidhja kishte karakter fetar. Përkundrazi një etiketim i tillë me qëllim shantazhi ishte bërë nga konsujt Grek, Rus dhe Austriak të cilët gjendeshin në Shkodër dhe ushqenin pretendime ekspansioniste ndaj Ballkanit e sidomos ndaj Shqipërisë e cila me pozitën e saj gjeostrategjike ishte portë e përshtatshme për dalje në Adriatik. Dhe krejt në fund autori konkludon se, për shkak të një politike dhe diplomacie të verbët të Portës së Larte e cila sipas sugjerimeve të Fuqive të Mëdha, e sidomos të Rusisë, ajo pas tre viteve arriti ta shuaj Lidhjen dhe luftën e saj për autonomi.

Në fund mund të thuhet se vepra e Prof. dr. Iljaz Rexhës, e pasuruar me referenca nga burimet e kohës Osmane dhe Evropiane, është punuar dhe trajtuar në mënyrë sintetike dhe analitike. Andaj si e tillë padyshim që është edhe një kontribut me vlerë për opinion shkencor dhe e pasuron historiografinë shqiptare.

 

Autori është doktorant i Historisë Osmane në Universitetin e Stambollit

 

Burimi: http://www.zeri.info/kultura/18158/demistifikimi-i-programit-te-lidhjes-shqiptare-te-prizrenit-nga-prof-dr-iljaz-rexha/

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: