Hyrje > Letërsi shqipe > Shllimet shpirtërore të Elez Ismailit

Shllimet shpirtërore të Elez Ismailit

Zeqirija IBRAHIMI

 

SHLLIMET SHPIRTËRORE TË ELEZ ISMAILIT

Shllime-Shpirti

Ka vite që e njoh prof. Elez Ismailin dhe nuk më ka ndodhur që ta takoj e të mos flasim bashkë se sa e rëndësishme është mbledhja e thesarit poetik të përshpirtshëm shqiptar dhe gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam takuar askënd tjetër aq shumë të magjepsur që kishte gjetur një poezi të filan autorin në filan revistën a gazetën të botuar në ndonjë vit të hershëm në kopjen e fundit që dikush mund ta ketë shpëtuar në ndonjë bibliotekë private a familjare. Ka qenë kjo një prirje për admirim dhe shumë respekt.

Profesori i gjuhës shqipe në medresenë “Isa Beu”të Shkupit, Mr. Elez Ismaili, duke ndjerë mungesën e një vepre që do ta përmblidhte kulturën e përshpirtshme shqiptare, idenë e kësaj antologjie e ka filluar qysh nga vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, në mos më herët, dhe përgjatë këtyre viteve gjithnjë ka mbledhur dhe sistemuar poezi të kësaj natyre, për të arritur sot në këtë vepër. Dhe, derisa mbledh, njeriu fillon ta humbë drejtpeshimin e sasisë. Kjo i ndodhi dikur edhe përpiluesit të kësaj antologjie. Ai mblodhi aq shumë material, sa pastaj i doli detyrë e vështirë se çfarë të hiqte e çfarë të linte, se ndryshe kjo vepër do të dilte së paku edhe një vëllim si ky. Megjithatë, një përpilues antologjie, duke pasur para vetes kriteret profesionale të përzgjedhjes, arrin t’ia dalë edhe kësaj detyre të vështirë.

Janë disa aspekte të kësaj antologjie që kujtojmë se duhet të theksohen, që kjo vepër të mos kalojë pa u vënë re dhe dosido, sepse ajo nuk është një vepër që mund të cilësohet si “të tjerat”. Si e para, duhet të thuhet se kjo është vepra e parë e këtij lloji në gjuhën shqipe dhe kjo është jo pak e rëndësishme. Qoftë për shkak të paragjykimeve, qoftë për shkak të mungesës së një dore që ka ditur dhe mundur t’i përzgjedhë këto poezi në këtë antologji, ajo mbetet flamurtare e këtij tipi të antologjive në gjuhën shqipe. Siç thekson edhe vetë autori i saj: “…në përzgjedhjen e këtij materiali kam dashur në radhë të parë të prezantoj poezitë që ngërthejnë anën sublime të shpirtit poetik dhe që, për fat të keq, kritika jonë letrare e Pasluftës nuk është marrë sa duhet.”. Dhe, përveç meritave historike që i ka, si edhe vlerës së rëndësishme artistike që e ka për këtë traditë, ajo njëherazi paraqet edhe një vepër që mbart me vete edhe rrezikun e lëshimeve të mundshme, që secili autor – si njeri që është – natyrshëm i përcjell edhe në punën e tij. Sidoqoftë, të vjelësh mbi 400 poezi nga 171 autorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, duke gjurmuar në rreth njëqind burime të ndryshme, paraqet vetvetiu një punë jo vetëm të mundimshme, por edhe delikate – duke u gjendur gjithnjë mes dilemës se çfarë je duke zgjedhur e çfarë je duke lënë. Shprehur figurativisht, i bie të hysh në një kopsht me shumë lule me detyrë që t’i mbledhësh vetëm lulet më të mira të kopshtit. Ndërsa një gitanxhali i luleve (kopshtarsipas Tagorës) nuk ka lule që mund t’i duket më pak e bukur.

Autori i kësaj antologjie ka bërë mirë që këtë vëllim me poezi nuk e ka titulluar me ndonjë atribut fetar, megjithëse shumë poezi në të janë të kulturës islame. Dhe, kjo jo që t’i iket elementit islam që herë-herë nuk është i mirëpranuar nga qarqe të ndryshme, por edhe për faktin se në këtë vepër janë përfshirë vepra që janë të kulturës shpirtërore, por që nuk janë religjioze islame. Ky kriter kujtoj se e bën edhe më të vlefshme këtë vepër. Sepse, ajo del përtej një antologjie të poezisë me motive fetare, ngase përshpirtshmërinë nuk e vë vetëm në korniza religjioze, por atë e shtrin edhe në atdhedashurinë si vlerë universale njerëzore, por edhe në perceptimin e jetës e të botës duke mos qenë i kufizuar vetëm në këto kritere. Kjo i bie që shllimet shpirtërore të prof. Ismailit nuk janë vetëm të Islamit që sot nënkuptohet në botën tonë, por janë islame në kuptim të asaj që nënkupton vetë etimologjia e kësaj fjale, por edhe tradita abrahamike (ibrahimike) e saj. Shikuar kështu, ajo paraqet një ngjizje mes përshpirtshmërisë religjioze dhe përshpirtshmërisë në dimensionet e tjera të jetës. Prandaj edhe autori i saj nuk ka gjetur fjalë më të bukur për titull se leksemën “shllime”, që ndonëse pak e njohur në fjalorin tonë të përditshëm, nënkupton ide e përfytyrime të poetit mbi jetën dhe botën. Në këtë frymë duhet theksuar se në këtë antologji ai ka përfshirë edhe poetë që as nuk i kanë takuar kulturës islame, si Asdreni, Fishta e Lasgushi, që sigurisht janë ndër poetët më tipikë të letërsisë së gjithmbarshme shqiptare, ndërsa këtu zënë vendin e tyre të merituar në korpusin e përshpirtshmërisë shqiptare.

Shllime Shpirti

Ajo që duhet të vihet re në këtë kontekst është edhe fakti që për përpiluesin e kësaj antologjie poezitë që kanë të bëjnë me atdheut, me hallet e tij, me himnizimin e flamurit e të vlerave tona kombëtare, janë pranë e pranë me poezitë që i këndojnë Perëndisë, Kur’anit, Profetit Muhamed etj. Kjo jep edhe një mesazh se për përpiluesin e saj dashuria ndaj Perëndisë nuk është e ndarë nga atdhedashuria dhe se të gjithë ata që janë besimtarë detyrimisht janë edhe atdhetarë. Ky ka qenë në të vërtetë edhe perceptimi i shumicës së intelektualëve shqiptarë të para-Luftës së Dytë Botërore dhe, si të thuash, prof. Ismaili paraqet një hallkë të këtij zinxhiri të perceptimit të kombit e të besimit.

Antologjia është e ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë përpiluesi i saj i sjell poezitë e kësaj fryme të shek. XIX e fillimit të shek. XX, që nga Naim Frashëri, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Korça, Ferid Vokopola, Rexhep Voka, Haki Sharofi, Esad Mekuli, Arshi Pipa e deri te Shaban Demiraj e Vexhi Buharaja. Në pjesën e dytë i ka vendosur poezitë e autorëve të rinj, që mund të jenë edhe më pak të njohur, por që prof. Ismaili i ka vendosur si për ta rilidhur atë gjysmëshekull shkëputjeje të kulturës shpirtërore shqiptare, që pësoi një ndërprerje në periudhën e pas-Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse një kritik i rryer mund ta shtrojë pyetjen se a e kanë vendin aty edhe të gjitha ato poezi pranë kolosëve të poezisë së përshpirtshme shqipe, ma merr mendja se përpjekja për rilidhjen e këtyre hallkave të shkëputura është një argument i fuqishëm se pse autori Ismaili i ka vendosur në këtë pjesë shumë emra të poetëve më të rinj, që në një mënyrë janë shpresa e poezisë shqipe të kësaj fryme. Ndërkaq pjesa e tretë e këtij vëllimi është me poezi të përshpirtshme të kulturës botërore, që nisin me Shejhun e Madh – mistikun Muhijidin Arabiun, Shemsi Tebrizin, Ibn Sinanë (të njohur në Perëndim si Avicena), Rumiun, Junus Emrenë, e vijnë deri te Muhamed Ikballi, por edhe Gëte, Pushkini e Xhibrani.

Kundruar kështu, një antologji e filluar me traditën shqiptare dhe e përfunduar me traditën poetike botërore, përpiqet t’i ndërthurë në vete edhe shumë poetë më të rinj, të kohës sonë ose pak më të moçëm, që duhet të marrin mësim nga tradita poetike shqiptare dhe të marrin frymëzim nga tradita e përgjithshme poetike botërore. Sepse shpirti nuk mund të kufizohet e bile edhe të përkufizohet, megjithëse secili popull i shpreh ato në gjuhën e tij.

Marrë në përgjithësi, antologjia e Mr. Elez Ismailit “Shllime shpirti” – e përsërisin si antologjia e parë e kësaj natyre në gjuhën shqipe, shpresojmë se do ta gjejë lexuesin e saj, ndërsa shpresojmë se do të jetë edhe motiv për shumë poetë të tjerë që dëshirojnë të gjenden në antologji të këtij tipi, por të jetë edhe motiv më shumë për studiues të tjerë që të hartojnë antologji të këtilla, që janë pasuri e vërtetë dhe e vlefshme e letërsisë shqipe. Kjo antologji, si e tillë, mund dhe duhet t’u shërbejë edhe studiuesve të poezisë shqipe, që kështu në një vend të mund ta përkapin më lehtë kulturën e përshpirtshme shqiptare dhe ta studiojnë në punime a disertacione që s’do mend se mund të sjellin interpretime të dobishme për vlerat artistike të këtij korpusi të letërsisë sonë.

Që të mos i mbetemi në asgjë borxh kësaj pune, do të duhet të themi se edhe përgatitja teknike dhe shtypi janë elemente që detyrimisht e kanë bërë këtë vepër kaq të bukur e madhështore. Prandaj një mirënjohje edhe për këtë aspekt të veprës.

Megjithatë, mirënjohjet, por edhe vërejtjet, më të mëdha bien mbi atë që ka marrë mundimin e madh që ta përpilojë këtë antologji, që për ata që dinë dhe duan të vlerësojnë, është një peshqesh që do ta zbukuronte secilën bibliotekë. Sepse, secili që do ta lexojë këtë antologji, detyrimisht aty do t’i gjejë edhe shllimet shpirtërore të autorit të saj – Mr. Elez Ismailit.

 

(Recension për antologjinë “Shllime shpirti” të Mr. Elez Ismailit, boton “Brezi i ri”, Tetovë, 2014, formati B5, 780 faqe)

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: