Kreu > Filozofi > A ka vdekur Filozofia?

A ka vdekur Filozofia?

Ibrahim Kallën*, Ankara

 

A KA VDEKUR FILOZOFIA?

Ibrahim Kalin

Ibrahim Kalin

Stephen Hawking, autor i librit “Një histori e shkurtër e Kohës” (A Brief History of Time), gjatë fjalimit të tij në konferencën Zeitgeist të Google-s më 2011, e tha troç se filozofia ka vdekur. Hawking-u thotë se filozofia është e dalë mode dhe nuk ka mundur të bashkërendojë me fizikën. Duke iu referuar origjinës së universit, fizikani i famshëm i drejtohet audiencës duke thënë se: “shumica nga ne në të shumtën e kohës nuk preokupohemi me pyetje si këto, por shumica nga ne shpesh pyeten: Pse jemi këtu? Prej nga vijmë? Tradicionalisht këto pyetje janë të filozofisë, por filozofia është e vdekur.” Ai shton se, për t’iu përgjigjur këtyre “pyetjeve të mëdha” në vend të filozofisë, ne duhet t’i kthehemi fizikës.

Ky nuk është një argument i ri dhe është shqiptuar nga pozitivistët qysh në shek. XIX. Për pozitivistët çelësin e realitetit të gjërave e mbante shkenca dhe kështu që filozofia, religjioni dhe teologjia dhe format e tjera të njohjes janë flakur tej për të ardhmen racionale dhe shkencore të njerëzimit. Në tokën e filozofisë ishte Niçe ai që e shpalli vdekjen e filozofisë, sepse ai besonte se ia kishte arritur ta vërtetojë kotësinë e filozofisë në lidhje me përgjigjet ndaj pyetjeve të mëdha të mendjes njerëzore.

Aq më tepër, Hawking-u nuk është një pozitivist reduksionalistë. Por, kësaj here në një formë të simplifikuar ai e përsërit moton e vjetër të shkencizmit, se shkencat e fizikës do të duhej të ishin udhërrëfyesit tanë në kërkimin e origjinës së universit dhe kuptimin e ekzistencës fizike. Dilema e Hawkingu-t për vdekjen e filozofisë nuk përbën një propozicion shkencor, por një pretendim filozofik.

Duke thënë kështu, Hawking-u ka të drejtë ta sulmojë filozofinë përderisa e sheh atë si gjimnastikë mentale, teoretizim gjuhësor dhe komentim abstrakt dhe koncpetual të shkencës, teknologjisë dhe efekteve të hiper-modernitetit në shoqëritë bashkëkohore. Akademia filozofike çdo ditë e më tepër po shndërrohet në koment të stërzgjatur mbi të thënat e filozofëve. Filozofët seriozë nuk mund të garojnë me kulturën popullore në kohërat moderne. Momentet e tyre të shkurtra të transmetimit në televizion dhe media sociale thyhen nga blic-lajmet e rëndësishme ose trendet më të reja të mediave sociale.

Sa u përket shkencave, Hawkingu nuk është se nuk ka të drejtë. Nuk mund të injorohet ajo se çka thonë shkencat fizike në kompozimin e universit. Një pikëpamje e mirëfilltë filozofike do duhej t’i integronte gjetjet e shkencave fizike në analizat e saja.

Lajthitja e Hawking-ut është kur ai injoron se shkenca nuk përgjigjet në pyetjet “Pse?”, por në pyetjet “Çka?”, shembull shpjegimin se çka është një atom dhe si funksionon. Por, ato që neve na shqetësojnë thellësisht më së shumti si qenie njerëzore janë pyetjet “pse?”. Ky është momenti kur filozofia na kthehet prapë. Por, cila filozofi?

Fjala filozofi derivohet nga greqishtja filo-sofia, që do të thotë dashuri për urtësinë. Sipas tregimit që disponojmë, është Pitagora ai që ka meritën e përdorimit të këtij termi për herë të parë dhe ai që ka thënë se urtësia u përket “zotave” dhe qenia e kufizuar dhe e gabueshme njerëzore nuk mund ta përvetësojë një gjë të tillë. Por, ne vetëm mund të shfaqim dashuri për të. Urtësia greke, me një fjalë, e ka kombinuar aktin e njohjes dhe dashurisë në një goditje të vetme. Çka do të thotë atëherë urtësia? Ajo do të thotë më tepër se informacioni dhe fakti. Ajo i referohet një qenieje më të lartë njohjeje, përtej numrave, statistikave dhe grumbullit të të dhënave. Ajo përbrendëson edhe filozofinë edhe shkencën, por demonstron një rregull tjetër të realitetit.

Sipas Aristotelit, urtësia është të kuptuarit e shkaqeve, si fjala bie njohja e gjërave se pse janë të tilla. Ky është një definicion më thelbësor se pyetjet “çka”, sepse ky definicion nuk shpjegon vetëm “çka-në” e gjërave, por edhe “pse-në” e tyre. Në urtësi pyetja “pse” përbën një precedent mbi pyetjet “çka” dhe “si”.

Gjithë kjo është përmbledhur mirë nga filozofët myslimanë në definimin e filozofisë. Për ata, filozofia është “ta njohin realitetin e gjërave ashtu siç janë në mundësinë e tyre të shtrirjes dhe veprimit përkitazi me këtë njohje.” Që nga Farabiu dhe Ibn Sina e deri tek Ibn Ruzhdi dhe Mulla Sadra, filozofët myslimanë e konceptuan filozofinë si kërkim të kuptimit teorik dhe veprim të virtytshëm. Në veprën e tyre ata kombinuan hulumtimet shkencore, kuptimësinë filozofike dhe përsosjen etike-shpirtërore.

Kursin që ndjek sot civilizimi modern teknologjik filozofinë si “dashuri për urtësi”, e ka bërë filozofinë një ndërmarrje të çfarëdoshme dhe të parëndësishme. Ne nuk ndjejmë më nevojën të pyesim për “pse-në”. Moderniteti alla Hegel dhe Weber e definon lirinë për të bërë zgjedhjen pa iu referuar kuptimit dhe konsekuencave të tij. Kur ne përpiqemi për ndonjë shpjegim, atë e zhvillojmë në formë të përshkrimeve barnash, udhërrëfyesish, kontratash, oraresh dhe instruksionesh udhëzuese, që porositemi t’i ndjekim, me qëllim që ta gjejmë kënaqësinë dhe përmbajtjen. Pyetjet e substancës janë të zëvendësuara me qëndrimet e sasisë. Por, urtësia kërkon përgjigjet e vërteta në pyetjet e vërteta.

Gjendja momentale njerëzore kërkon reflektim filozofik përkatës dhe urgjent. Në vend të reduktimit të filozofisë në shkencë, ne duhet ta rikthejmë kuptimin e filozofisë si njohje dhe kuptim të urtësisë. Vetëm atëherë do të kemi një sintezë të duhur të zbulimeve shkencore, analizës konceptuale dhe kërkimit spiritual-etik.

*Autori është profesor i filozofisë, ka ligjëruar në Washington University, College of Holly Cross, Gerogetown University, Bilkent University dhe TOBB. Ka botuar një sërë veprash dhe punimesh shkencore, ndër to të përthyera edhe në shqip: “Islami dhe Perëndimi” – 2011 dhe “Islami, Arsyeja dhe Bota moderne” – 2012, që të dyja të botuara nga shtëpia botuese Logos-A në Shkup. Ibrahim Kallën (turq. Ibrahim Kalın) për momentin ushtron funksionin e zëdhënësit të presidencës së Republikës së Turqisë. Ky artikull është shkruar në gjuhën angleze për të përditshmen “DailySabah”.

Advertisements
Kategori: Filozofi Etiketa: , ,
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: