Hyrje > Personalitete të rëndësishëm > Biografia e Hasan Prishtinës (1873-1933)

Biografia e Hasan Prishtinës (1873-1933)

BIOGRAFIA E HASAN PRISHTINËS (1873-1933)

Hasan Prishtina

Hasan Prishtina

Hasan Prishtina është një nga personalitetet dhe figurat më të shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare. Ky ideolog i shquar, dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjën kombëtare shqiptare. Veprimtaria e tij politike dhe luftarake gjatë muajve maj-gusht 1912 e përgatiten ngritjen e Flamurit në Vlorë.

Familja e Hasan Prishtinës ishte nga treva e Drenicës, përkatësisht nga POLACI i Skënderajt. Fillimisht farefisi i tij njihej me mbiemrin BERISHA, ndërsa tani farefisi i Hasan Prishtinës njihet me mbiemrin VELIU. Familja e tij paraprakisht ishin shpërngulur nga fshati Polac në fshatin Mikushnicë te Mangjollët të cilët janë degë e vëllazërisë Veliu, që kishin prona në fshatin Mikushnicë. Pas tri vitesh, gjyshi i tij Haxhi Ali Berisha ishte shpërngulur në Vushtrri, mbiemrin e ndryshoi nga Berisha në Polaci. Por mbas zgjedhjes së tij deputet në Kuvendin Popullor Turk (1908-1912), ai e ndryshoj mbiemrin përseri, por kësaj here nga Polaci në Prishtina pra, edhe u njoh si Hasan Prishtina.

Studimet politiko-juridike i kreu në Stamboll. Shovinizmi i xhonturqëve kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, nxiti një urrejtje të deputetëve shqiptarë, antarë të Kuvendit Popullor turk, të cilët ndërrmorën një takim të fshehtë për fillimin e Kryengritjes (1909-1912) në Shqipëri. Esat Pashë Toptani mori përsipër krahinën e Shqipërisë së Mesme dhe krahinën e Mirditës, Myfti Beu, Azis Pasha dhe Syrja Beu, morrën përsipër krahinën e Toskërisë. Ismail bej Qemali u nis për në Europë, për të mbledhur të holla dhe armë për kryengritjen. Hasan bej Prishtina morri përsipër organizimin e kryengritjes në Kosovë, bashkë me Barjam Currin dhe Isa Boletinin. Kjo kryengritje do të kurorëzonte më 28 nëntor 1912 shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë së zvogëluar. Në vitin 1913 u ngarkua me detyrën e Ministrit të Qeverisë Kombëtare të Vlorës.
Hasan Prishtina ka qenë drejtor i së përditshmes “ZUKRE” (Afërdita) që ka dalë më 1911. Për arësye të gjendjes së jashtëzakonshme brenda dy vjetëve gazeta e ndërroi emrin rreth 20 herë, ku dolën 412 numra. Dhe emri i drejtorit shkruhej gabimisht si; ’’Pessembe Mebusu Hasan’’ (deputeti i së enjtes). Në vitin 1914, kur vjen për të drejtuar Shqipërinë princ Vidi, Hasan Prishtina zgjidhet Ministër i punëve botërore të qeverisë së Durrësit. Më 1918, Hasan Prishtina, Kadri Prishtina (Hoxhë Kadriu), Bajram Curri dhe shumë të tjerë formojnë Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me përfaqësuesit e tyre në Romë dhe në shtetin mëmë Shqipëri, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 Komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqës në Paris, ku kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Mori pjesë në përgaditjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Hasan Prishtina më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar Kryeministër dhe Ministër i jashtëm, por më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Hasan Prishtina mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi.
Me vendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene më 1922 Qeveria e Ahmet Zogut dhe e Xhafer Ypit u hoqi të drejtën e deputetit në Kuvendin Popullor shqiptar, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Hoxhë Kadriut dhe shumë udhëheqëve të tjerë nga Kosova dhe filloi ndjekja për eleminimin e tyre. Kjo ishte marrëveshja që bëri kryeministri Ahmet Zogu me ministrin e jashtëm të mbretërisë Jugosllave z. Ninçiç më 1922. Në janar të vitit 1922 qeveria e Tiranës lidhi marrëveshjen që ushtria serbe ta ndiqte Hasan Prishtinën dhe udhëheqësit e tjerë kosovarë edhe brenda territorit të shtetit shqiptar.
Në fund të muajt shkurt 1923, Hasan Prishtina dhe Bajram Curri u ngritën kundër rregjimit serb në Kosovë. Kjo kryengritje u shtyp sepse qeveria e Ahmet Zogut nuk i mbështeti. Mbas kësaj 3500 shqiptarë të Kosovës u përzunë nga trojet e tyre për në Turqi.

Më 26 shtator 1924 krahas Fan Nolit, Luigj Gurakuqit ishin dhe Hasan Prishtina, Bajram Curri, Bedri Pejani në Lidhjen e pestë të Kombeve në Gjenevë. Përfaqësuesit e Kosovës Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Bedri Pejani kundërshtuan për genocidin që ndiqte Beogradi ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Mbas rrëzimit të qeverisë së Nolit më dhjetor 1924 dhe ardhjen e Zogut me ndihmën e serbëve, Hasan Prishtina largohet përgjithmonë nga toka e mëmëdheut, për t’u vrarë më 13 gusht 1933 në Selanik nga dorësi i Ahmet Zogut që quhej Ibrahim Çelo. Shumë dekada pas vrasjes së Hasan Prishtinës, eshtrat u sollën nga Selaniku për t’u rivarosur në Kukës, pranë kufirit me Kosovën.

Më 4 maj 2014, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani vlerëson atdhetarin e shquar Hasan Prishtina (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

 

PASURIA E HASAN PRISHTINËS NË SELANIK

 

Shkrimi i më poshtëm është marrë nga gazeta greke “Maqedonia e Re” e datës 14 gusht 1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, në Selanik, ku është shënuar se ai është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve”.
Hasan Prishtina ka qenë shumë i pasur, por pasurinë ai e shkriu për çështjen kombëtare shqiptare. Ai pat mbledhur të holla për të çuar në shkollën normale të Elbasanit’ djemtë shqiptarë nga Kosova. Pasuri e patundëshme që i ka ngelur ende dhe që njihet botërisht është një ndërtesë shumë e madhe që ndodhet në qendër të Selanikut, anës detit në rrugën Vasilis Ollga (dikur zonë e privilegjuar). Ndërtesa është trekatëshe dhe rrethohet prej një oborri gjigant me siperfaqe rreth 1500 m katrorë, vlera e saj në tregun e shitjeve të banesave me truall arrin në shumë milion dollarë amerikan. Sot shtëpia është pronë shtetërore dhe funksionon si shkollë dhe Instuticion bamirës për personat shurdhmemecë dhe të verbër. Kjo ndërtesë për shqiptarët ka një vlerë historike. Vendosja në murin e saj të jashtëm e një pllake memoriale është gjëja më elementare për indentitetin e ndërtesës dhe kujtimin e këtij personaliteti. Është e drejtë dhe detyrë që përfaqësuesit e Kosovës të kërkojnë që kjo pronë e njeriut që nuk e ndali luftën për bashkimin e trojeve shqiptare të njihet dhe të zotërohet. Hasan Prishtina pranoi ma mirë me vdekë nëpër malet e Kosovës, se sa kolltukun e turpit në një ministri në Stamboll. Dhe fitimi i së drejtës do të ishte një shpërblim i merituar, një peng nderimi për këtë burrë të shquar shteti.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: