Kreu > Ballkanologji > Uniteti i shqiptarëve në mbrojtjen e Shkodrës (1912/13) sipas epikës historike

Uniteti i shqiptarëve në mbrojtjen e Shkodrës (1912/13) sipas epikës historike

Prof. Dr. Sadri FETIU, Instituti Albanologjik i Prishtinës

 

UNITETI I SHQIPTARËVE NË MBROJTJEN E SHKODRËS (1912/13) SIPAS EPIKËS HISTORIKE

Hasan Riza Pasha (në mes)

Hasan Riza Pasha (në mes)

Nuk ka dyshim se qëndresa e Shkodrës në luftë me pushtuesit sllavë (Serbinë dhe Malin e Zi), tetor 1912 – prill 1913, është një ndër ngjarjet e rëndësishme historike të gjysmës së parë të shekullit XX. Historikisht kjo çmohet, si qëndresë e popullit shqiptar dhe e ushtrisë së rregullt të garnizonit turk të Shkodrës të komanduar nga Hasan Riza Pasha, që jo vetëm se ua ndali hovin hordhive pushtuese sllave, që bënë krime të pashembullta mbi popullsinë shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Mal të Zi dhe në malësitë e Veriut, por e nxiti edhe ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për t’i zvogëluar sadopak apetitet e pushtuesve të aleatëve ballkanikë, që, në emër të luftës për çlirim nga sundimi i Turqisë, po i copëtonin e ndanin midis tyre viset shqiptare.

Për këtë ngjarje janë shkruar më shumë se pesëmbëdhjetë libra të autorëve të ndryshëm, të cilët pos analizave historike, përmbajnë edhe shënime e kujtime të pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në to. Midis tyre shquhen disa botime të organeve ushtarake të Turqisë, si edhe botimet e autorëve të tjerë, siç është italiani B. Gerri, pastaj disa autorë serbë e malazezë. Për luftën e Shkodrës kanë dhënë vlerësime edhe autorë të ndryshëm, si: Gjergj Fishta, Edit Durhami, autorët turq Abdurrahman Gyrmani dhe Nafiz Koxhamani, Fevzi Çakmak, Hamdi Ertuna, e shumë të tjerë. Për një periudhë relativisht të gjatë, lufta e Shkodrës, si ngjarje e veçantë është trajtuar me shumë kujdes edhe nga të gjitha organet e shtypit evropian të asaj kohe.

Sado që në historinë shqiptare të kohës sonë nuk kemi ende ndonjë studim monografik për këtë ngjarje, që çështjet do t’i shtronte me objektivitet të plotë historik, jashtë çdo ndikimi të kufizuar ideologjik, ose shpjegimi romantik e pseudopatriotik të mendësisë së kufizuar krahinore, historianët tanë, brenda paraqitjes së ngjarjeve të periudhës, që i përkasin fillimeve të shekullit XX, i kanë dhënë vlerësimet e veta për Shkodrën e viteve 1912-1913. Në mënyrë të veçantë janë trajtuar rrethanat e përgjithshme historike-shoqërore dhe veprimi aktiv i faktorit ndërkombëtar, sidomos brenda veprimtarisë për përcaktimin e kufijve nga ana e Konferencës së Londrës.

Këto ngjarje i ka vlerësuar edhe populli në mënyrën e vet meritore, duke i ruajtur kujtimet e hidhura dhe duke krijuar këngë popullore, të cilat, përveç rëndësisë njohëse, shquhen edhe për vlerat e tyre poetike e muzikore. Këngët popullore historike, të frymëzuara nga qëndresa e Shkodrës e viteve 1912-1913 kanë një shtrirje të gjerë në viset shqiptare të Veriut, por jehona e tyre është e hetueshme edhe në jug të Shqipërisë, deri në Çamëri[1].

Këngët kanë një përhapje të gjerë në shumë vise të Kosovës, midis shqiptarëve në Maqedoni e në Mal të Zi, pastaj në krahinat e Shqipërisë së Veriut, duke u shkuar kah jugu deri në Durrës, në Tiranë e në Elbasan, e në ndonjë rast edhe në Fier, midis mërgimtarëve kosovarë[2].

Pesëdhjetë këngët, që i trajtuam me rastin e hartimit të kësaj kumtese, dëshmojnë se këngët historike për luftën e Shkodrës, si tekste poetike, kanë një strukturë të përcaktuar unike. Brenda traditës poetike të këngëve popullore epike të Veriut, ato i përkasin grupit karakteristik të këngëve pa narracion të zgjeruar epik. Kështu për shembull, një këngë e shënuar në Tiranë ka gjithsej 17 vargje dhe i kushtohet kryesisht trimërisë shkodrane, që i kundërvihet në mënyrë të vendosur ushtrisë së Kral Nikollës:

Dalin Shkodra si sokola:

– Ku po shkon o kral Nikola?

Nuk të lshoj, pa më lshue toka,

Se kët punë na dau Europa.[3]

Duhet theksuar se në këto këngë, krahas Kral Nikollës, theksohet edhe Serbia si agresore:

Dalë kadalë mori Serbi.

Tash ke hasë ne trima daji…

Ni taborr e kam Dibranë.

Ata i rrinë Serbit kallkan…

Kta janë topat e halis.

Qi luftojnë djemt e Shqipnis.[4]

Në vëllimin “Zana popullore” të Kasem Taipit, Shkodër, 1933, ku mbizotërojnë këngët shkodrane, është botuar vetëm një këngë për Luftën e Shkodrës, dhe ajo e sistemuar pa ndonjë kriter të veçantë, në fund të veprës. Kjo këngë sjell të dhëna të plota historike për ngjarjet e kohës, qoftë ato në frontin e luftës me serbë e malazezë, qoftë edhe për konfliktet e brendshme midis Esat Pashës dhe Hasan Riza Pashës. Mirëpo këtu theksohet uniteti ndërfetar dhe qëndresa e popullit në luftë të pabarabartë me pushtuesit sllavë, që e mbanin Shkodrën të rrethuar, duke u përpjekur që të dorëzohet për shkak të mungesave më elementare për jetesë, ushqimit dhe veshmbathjeve.

Këngë të tilla paraqesin sinteza të vlerësimit të rrethanave historike me një ndjeshmëri të theksuar emocionale, në të cilën gërshetohet tragjikja dhe heroikja.

Siç shihet nga epika jonë  popullore, dhe nga realiteti historik, që nga fillet e Rilindjes Kombëtare, Shkodra është shembull i një uniteti ndërfetar, që manifestohet  në mënyrë të veçantë në luftën e saj kundër pushtimit serbo-malazez (1912/13). E përbashkët është gatishmëria për flijime tepër të mëdha e të gjithëve (popullit dhe ushtrisë) për mbrojtje të Shkodrës, gjë që shihet edhe në pohimin e heroit të kësaj lufte, Hasan Riza Pasha: “Shkodra është fati ynë ose varri ynë, por jo turpi ynë”. Heroi i kësaj lufte pohonte kështu, sepse për një kohë të shkurtër e kishte njohur mentalitetin e shkodranëve dhe kishte krijuar lidhje të forta me përfaqësuesit e komuniteteve fetare, në mënyrë të veçantë me komunitetin katolik, që e kryesonte arqipeshkvi i qytetit, Jak Sereqi.

Uniteti ndërfetar manifestohet edhe në veprimet e Hasan Rizasë, që në bashkëpunim me udhëheqjen klerikale katolike, në mënyrë të veçantë me ndihmën e poetit kombëtar, Gjergj Fishta, përpiqej që luftës t’i jepte karakter kombëtar, duke e ngritur flamurin kombëtar dhe duke vënë lidhjet me Qeverinë e Ismail Qemalit.

Davi diten me çue bajrakun

Si mbas planit qi kish shenjue

Thehet Serbi me Karadakun

E pshton Shkodra qi ish rrethue.[5]

Kur është fjala për bashkëpunimin me poetin Gjergj Fishta, bashkëkohësit e poetit pohojnë se pashai kishte kërkuar nga poeti që ta hartonte tekstin e një himni, që do të këndohej në gjuhën shqipe nga luftëtarët që e mbronin Shkodrën e rrethuar[6].

Por kjo vendosmëri bazohej krejtësisht në unitetin e shkodranëve që siç pohohet në njërën nga këngët, janë të gatshëm të flijohen:

Xhevapë Shkodra i ka dhanë

Jemi gadi me të ndihmue

Karadakun mos t’a lamë

Der’ sa të mund’ na me qindrue[7].

Në vëllimin e dytë “Kangë popullore të Kosovë Metohis”, Prishtinë 1951, gjendet vetëm një këngë që i ka gjithsej 54 vargje. Në kuadër të ndërlikimeve ndërkombëtare, ku siç thuhet “shtatë ballkanat” i shpallin luftë “mbretit të Stambollit”, ngjarjet e këngës  përqendrohen në jetën e vështirë në Shkodrën e rrethuar, ku popullsia detyrohet të jetojë, duke ngrënë edhe mishin e kalit, por djemtë e Shkodrës janë të vendosur të qëndrojnë deri në fund për mbrojtjen e atdheut të tyre:

S’po kanë dert qata djem t’ri;

Huten n’ dorë, barutin n’gji

N’ istikam në borë e n’shi,

Gjith tuj nejtë dushmanit karshi.[8]

Në shumicën e këtyre këngëve, qëndrimi subjektiv i këngëtarit si vlerësim për ngjarjen, pastaj nama dhe anatema ndaj pushtuesit ose tradhtarit të popullit, bëhet motiv kryesor i këngës.

Esad Pasha, kjoftë mallkua,

Murtat i turkit ish qillua;

Ish murtat e haj medet

E ka pre dar çadër t’ vet![9]

Mënyra e këtillë e trajtimit të ngjarjeve të rëndësishme historike dhe e ndërtimit të personazheve që marrin pjesë në to, ka kushtëzuar që në këngë, brenda strukturës së saj poetike të mbizotërojnë përbërësit artistikë ndaj lëndës thjesht historike, që e ka nxitur frymëzimin për krijimin e këngës si tekst poetik dhe si melodi muzikore. Duke kufizuar narracionin epik këngët për qëndresën e Shkodrës së rrethuar nga forcat pushtuese serbo-malazeze, shpesh marrin trajtat e kushtrimit, të alarmit për mbrojtjen e atdheut, ose edhe të mallkimit të plotë të agresorit:

Bini, trima, bini, burra,

Mun ta shtym gjakun te ura!

Bini trima, pashallarē,

Mun ta shtijm gjakun n’pazar![10]

Ato me një shprehje të saktë sintetizuese përshkruajnë telegrafikisht edhe atmosferën e rëndë të ekzistencës së njerëzve në rrethana rrëqethëse të bllokadës së plotë, të mungesës së ushqimit dhe të municionit për luftë:

Hajmedet, si m’ ja bam hallit,

Na ardh’ vakti me har’ mish kalit

Hajmedet, shum’ medet,

Nji mexhite nji peksimet,

Fort e lyp e nuk u gjet![11]

Duke pasur parasysh se synimi i këngëtarit popullor ishte paraqitja e unitetit heroik të popullit shqiptar të Shkodrës, por edhe të viseve të tjera, vullnetarët e të cilave kishin ardhur në ndihmë, në këto këngë nuk kemi heronj të veçantë të individualizuar në aspektin poetik. Ndër të paktët kënga e përmend individualisht: Dan Alinë, Zog Sadrinë, Brahim Zenelin dhe Adem Haxhinë:

Adem Haxhija, ‘i trim drangue,

Komandatit i ka shkrue:

-Pak nimadin me ma çue,

iqind trima i kam bashkue,

nesër n’ Bardhaj dum me liftue![12]

Midis këngëve të botuara në vëllimin 3 të “Epikës historike” të Institutit të Kulturës Popullore të Tiranës, krahas heroizmit të viseve, që vijnë për ta ndihmuar Shkodrën, siç janë: Boksi, Postrriba, Bardhajt etj., pastaj emërtimeve të vendeve si, Taraboshi, Bërdica, Maja e Helmit, Bregu i Shtodrit, Myselimi etj., në të cilat bëhen luftimet që shndërrohen në simbole të qëndresës, paraqiten edhe heronjtë e individualizuar midis atdhetarëve të thjeshtë të popullit, si p.sh.:

Dem  Haxhija, ‘i djal’ pej djalit,

pes’ petica i ka marr’ krajlit!…

Dem Haxhija, i gjat’ e i hollë,

ja ka marr’ kaçakun n’ llogorë…[13]

Si vendet ku ndodhin ngjarjet luftarake, ashtu edhe heronjtë e këngëve përshkruhen me mjete tradicionale të epikës shqiptare, si burra të hollë e të gjatë, sypatrembur, me zë të theksuar mobilizues e të gatshëm për t’u flijuar për interesin e popullit dhe të atdheut.

Me simpati të veçantë këngët e paraqesin edhe komandantin e famshëm turk, Hasan Riza Pashën, si hero legjendar të kësaj lufte, duke rrëfyer me një gjuhë të drejtpërdrejtë pa ndonjë ngarkesë figurative edhe për qëllimet e tij në këtë luftë që janë të pandashme nga kërkesat e luftëtarëve shqiptarë, që sakrifikohen për mbrojtjen e interesave të tyre kombëtare:

 Hasan Rizaja e kish mendue,

Për këtë tokë të bajmë hyzmet,

Të njallim shqipen qi asht harrue

E ta pshtojmë na nji këtë milet.[14]

Ose

Vali Shkodra po bon gajret,

Shprazke topa me dorë t’ vet,

Vorri tyrbe iu boftë n’atë bjeshkë![15]

Kënga jonë popullore me një vlerësim objektiv di të bëjë dallimet e rolit të personaliteteve, prandaj krahas paraqitjes së madhështisë heroike të Hasan Riza Pashës, me shprehje të thjeshtë e të kuptueshme për nivelin e përgjithshëm të njohjes së popullit shqiptar do ta stigmatizojë tradhtinë e Esat Pashës:

 Esat Pasha me tradhti,

Vret Hasanin me tinzi,

Ban marrveshje me Mal t’ Zi,

Ta lshoj’ Shkodrën, mbrend’ me hi.[16]

Figura e Esat Pashës në këto këngë është paraqitur në përmasat e saj reale, brenda kontradiktave të plota që e shquajnë ambicien e tij për pushtet, që bëhet faktor vendimtar për veprimet e tij kundër interesave të përgjithshme të atdheut. Në disa nga këngët ai anatemohet plotësisht si tradhtar me shprehje përbuzëse, por është krejt e kuptueshme se ka edhe këngë që e heshtin në tërësi aktin e tradhtisë, dorëzimin e Shkodrës, pas të gjithë atyre sakrificave të popullit dhe ushtrisë.

Këngët në shumë raste mallkojnë kral Nikollën si shkaktar të të gjitha vuajtjeve të popullit të pafajshëm, por e nxjerrin në pah edhe dyfytyrësinë e tij ndaj malësorëve, që nën maskën e ndihmës për luftë kundër sundimit turk, me premtim për lirinë dhe të drejtat e tyre, i shfrytëzoi për interesa të luftës së tij, por në fund edhe i vrau me pabesi:

O, Kral Nikolla, pra, kopil Kopilit

Se na u ndau armet, o, pra te tane kshtenimit…

Kral Nikolla, po, ti kjosh i zi,,

E, s’ merret Shkodra, mor-o, me fuqi![17]

Duhet theksuar se brenda këtyre këngëve bashkë me jehonën e fuqishme të atmosferës së përgjithshme të krismave të topave e të armëve të tjera, bashkë me kushtrimin mobilizues kombëtar, populli e di fare mirë se koalicioni sllavo-serbo-malazez, kishte synime të qarta, që të mos lejonte funksionimin e shtetit shqiptar, që ishte shpallur në atë kohë dhe t’i pushtonte të gjitha viset e tij, gjë që është shprehur qartë në vazhdimësinë e politikës sllavo-ortodokse edhe në periudhat e mëvonshme, deri në kohën tonë. Megjithatë, brenda këtyre këngëve, bashkë me paraqitjen e unitetit të përgjithshëm të popullit shqiptar, me krenarinë ngadhënjyese dhe urrejtjen ndaj armikut, hasen edhe shenja të ndjeshmërisë humaniste, madje, edhe për humbjet e mëdha të kundërshtarit, sidomos për vrasjen e shumë të rinjve në llogoret e luftës në Tarabosh, në Bërdicë e në vija të tjera të frontit.

Në fund të kësaj kumtese mund të pohojmë se në aspektin e përgjithshëm artistik, këngët për qëndresën e Shkodrës në vitet 1912-1913, janë krijime origjinale, që e pasurojnë poezinë tonë popullore me vlera të tjera të artit, të realizuar me gjuhë të pasur e figuracion të ri, që krijohet në mënyrë origjinale ose ripërtërihet bashkë me strukturat tradicionale të krijimtarisë poetike popullore.

 

———–

[1]. Shih, Fatos Meri Rrapaj, Këngë popullore nga Çamëria, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1982.

[2]. Shih përmbledhjen e këngëve popullore “Për vend tonë jem tuj liftue”, Tiranë, 1969.

[3]. Shih, Epika historike, v. III, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1990, f. 30.

[4]. Po aty, f. 32.

[5]. Kasem Taipi, Zana Popullore (Kangë popullore). Shkodër, 1933, f. 279-280.

[6]. Prof. Dr. Gazmend SHPUZA, Hasan Riza Pasha dhe mbrojtja e Shkodrës; Shih, Dom Ndoc Nikaj, Kujtime të nji jete së kalueme, Tiranë, 2003, f. 156-162.

[7]. Po aty, f. 281.

[8]. Kangë popullore të Kosovë-Metohis, bl. II, Prishtinë, 1952, f. 60.

[9].  Po aty, f. 341.

[10]. Epika historike, v. III, Tiranë, 1990, f. 53.

[11]. Po aty, f. 48.

[12]. Epika historike, v. III, Tiranë, 1990, f. 51.

[13]. Po aty, f. 54.

[14]. Kasem Taipi, Zana Popullore (Kangë popullore) Shkodër, 1933, f. 279.

[15]. Po aty, f. 60.

[16]. Epika historike v. III, Tiranë, 1990, f. 48-49.

[17]. Këngë popullore historike II, IAP, Prishtinë, 2007, f. 330.

 

Burimi: http://zaninalte.al/2015/01/uniteti-i-shqiptareve-ne-mbrojtjen-e-shkodres-191213-sipas-epikes-historike/

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: