Hyrje > Mesele botërore > Pse e vranë Boris Njemcovin?

Pse e vranë Boris Njemcovin?

Prof. Dr. Eshref YMERI

 

PSE E VRANË BORIS NJEMCOVIN?!

Eshref Ymeri

Eshref Ymeri

Në mbrëmjen e vonë të 27 shkurtit 2015, me gjashtë të shtëna flakë për flakë, u vra politikani dhe opozitari i njohur rus Boris Njemcov, ish-zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave të Federatës Ruse në vitin 1998. Komiteti hetimor i Rusisë deklaroi se ishte duke shqyrtuar disa variante të këtij krimi të rëndë.

Së pari, sipas këtij komisioni, vrasja përbënte një provokim për destabilizimin e vendit.

Së dyti, vrasja lidhej me ngjarjet në Ukrainë.

Së treti, vrasja shpjegohej me prishje pazaresh në lëmin e veprimtarisë tregtare.

Së katërti, vrasja mund të ishte pasojë e urrejtjes personale.

Presidenti Putin shprehu sigurinë se vrasja e opozitarit ishte e porositur dhe se ajo kishte një karakter tërësisht provokativ.

Në një intervistë që kishte dhënë dy javë para se të vritej, Njemcovi kishte deklaruar se ai druhej për faktin se Putini mund ta vriste. Druajtjen e vet ai ia pati shprehur vetëm njeriut më të afërt, nënës së vet. Por ai, më në fund, pati vendosur të shprehej publikisht përmes rrjetit social “sobesednik.ru”. Ai ka deklaruar:

“Unë asnjëherë nuk i kam fshehur pikëpamjet e veta politike. Mendoj se pikërisht Putini ishte ai që shpërtheu luftën në Ukrainë” (Citohet sipas: “E ëma e Boris Njemcovit e ndiente frikën se atë mund ta vrisnin”. Marrë nga faqja e internetit “sobesednik.ru”. 10 shkurt 2015).

Për nënën e vet (mjeke-pediatre 87-vjeçare), ai më poshtë shprehet:

“Ajo është kategorikisht kundër asaj që po ndodh në Ukrainë dhe mendon se ajo është një katastrofë dhe një mishmash i vërtetë. Por, më shumë se Ukrainën, atë e shqetëson Putini. Sa herë që i telefonoj, ajo më ankohet: kur do t’i ndërpresësh sharjet kundër Putinit? Ai ka për të të vrarë!” (po aty).

Dhe më poshtë vazhdon:

“Mamaja më ka mësuar se duhet të mbroj pikëpamjen time, të jem i pavarur dhe vetëveprues. Për të keqen e vet, më ka edukuar të jem i tillë, kurse tani revoltohet se pse unë po shaj Putinin. Ajo trembet me të vërtetë se ai mund të më vrasë në kohën më të afërt, për shkak të fjalimeve të mia, si në jetën e përditshme, ashtu edhe në rrjetet sociale” (po aty).

Në komentin që ka bërë për organin “Gordon”, kushëriri i parë dhe miku i ngushtë i Boris Njemcovit, sociologu rus, autori i librit “Ideja e re nacionale e Putinit”, Igor Ejdman, deklaroi se Njemcovin e vranë me porosi të Putinit. Madje, sipas tij, për vrasjen e Njemcovit, Putini kishte tre motive.

Motivi i parë ishin hesapet personale. Sepse Putini, sipas tij, kishte një qëndrim tepër personal ndaj Njemcovit për faktin se, për nga mentaliteti, ai (Putini) është kryebandit. Dhe në një mjedis banditohajdutësh ka shumë rëndësi të filtrosh dhe të përgjigjesh për pazar. Në qoftë se një kriminel elitar e kanë fyer me fjalë të rënda, – thotë Igor Ejdmani, – atëherë ai ka për detyrë ta vrasë atë që e ka fyer, se, në të kundërt, ai e humbet statusin e kryebanditit. Kurse Boris Njemcovi, – vazhdon Ejdmani, – e shante kryebanditin e Rusisë me fjalë të rënda, si, fjala vjen:

“Ai, Vladimir Putini, që ta merrni vesh, është një i lajthitur” (Citohet sipas: “Igor Ejdman: Sikur Putini të mos e kish vrarë Njemcovin, ai do të kishte humbur autoritetin në sytë e miqve të tij të Kremlinit”. Marrë nga faqja e internetit “gordonua.com”. 28 shkurt 2015).

Kryebanditi, natyrisht, nuk ia fali Njemcovit fjalë të tilla, sepse sikur Putini të mos e kishte vrarë Njemcovin, atëherë ai do ta kishte humbur autoritetin e vet në sytë e miqve të Kremlinit, – e përfundon fjalën e vet Ejdmani për motivin e parë të vrasjes.

Motivi i dytë, në këndvështrimin e tij, është politik. Dhe ja sepse. Kohët e fundit Boris Njemcovi ishte marrë me hetimin e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës dhe të rolit të Putinit në ato ngjarje të përgjakshme. Ai kishte grumbulluar prova për krimet ushtarake që ushtria ruse kishte kryer në Donbas dhe kishte planifikuar të botonte një raport me titull “Putini dhe lufta”, në të cilin çdo gjë do të dilte në dritë të diellit dhe do të quhej me emrin e vet. Putini, që mundohet me të gjitha mënyrat për ta mbajtur të fshehur praninë e ushtrisë së vet në lindje të Ukrainës, kishte dijeni për planet e Njemcovit, prandaj edhe e hoqi qafe pikërisht në momentin e fundit, në mënyrë që e vërteta për luftën që ai po zhvillon në Ukrainë, të mos mund të bëhej e njohur për opinionin publik rus.

Motivi i tretë i vrasjes, sipas bindjes së Igor Ejdmanit, është absolutisht pragmatik. Sepse me këtë vrasje, Putini kishte si qëllim t’i futte dridhmat shoqërisë ruse. Kësisoj ai u dërgoi një sinjal të qartë atyre rusëve  që janë kundër tij: kur unë, mu në qendër të Moskës, dy hapa larg Kremlinit, jam në gjendje të pushkatoj në një mënyrë demonstrative një opozitar të njohur në mbarë botën, atëherë edhe me ju drutë do t’i presë shkurt.

Dhe në fund, Igor Ejdmani thotë:

“Ky është terror kundër qytetarëve të vet që mundohen të ngrihen kundër një regjimi diktatorial” (po aty).

Kjo situatë, në të cilën e ka katandisur Rusinë Putini, më solli ndër mend një letër të hapur të Bjelinskit (1811-1848) që ia pati dërguar Gogolit (1809-1852) më 15 korrik 1847. Asokohe Bjelinski ishte duke u kuruar në qytetin gjerman Salcbrun. Ajo letër, e cila qe bërë pothuajse legjendare, asokohe pati qarkulluar nëpër Rusi si një botim i ndaluar, kurse në shtypin legal ajo u botua vetëm pas revolucionit të vitit 1905.

Bjelinski i shkruante Gogolit:

“Ajo (Rusia) ka nevojë jo për predikime (boll ka dëgjuar nga ato), jo për lutje (boll i ka përsëritur ato), po për zgjimin në popull të ndjenjës së dinjitetit njerëzor, i cili, për kaq shekuj, është bjerrur mes pisllëkut dhe plehut, ka nevojë për të drejta dhe për ligje, në përputhje jo me doktrinën e kishës, por me gjykimin e shëndoshë dhe me drejtësinë, si edhe për zbatimin e tyre mundësisht sa më të rreptë. Por, në vend të tyre, ajo përfaqëson në vetvete një pamje të tmerrshme… të vendit, ku nuk ka jo vetëm kurrfarë garancie për individin, për nderin dhe për pronën e tij, por nuk ka madje as rend policor, por ka vetëm korporata gjigante hajtutësh dhe grabitësisht të shërbimeve të ndryshme”.

Është për t’u shënuar një fakt mjaft interesant.

Disa orë para vrasjes, Boris Njemcovi pati folur drejtpërsëdrejti në efir, duke lëshuar një sërë deklaratash mjaft të ashpra në adresë të Putinit. Mbrëmjen e së premtes së 27 shkurtit, ai ishte ftuar në emisionin radiofonik “2015” të radiostacionit “Jehona e Moskës” (Eho Moskvëj). Duke iu përgjigjur pyetjes së drejtueses së emisionit, gazetares Ksenia Llarina, për organizimin e marshimit të ardhshëm antikrizë “Pranvera”, Boris Njemcovi tha se udhëheqësit kanë për detyrë t’i frymëzojnë me optimizëm ata që i ndjekin pas, me besim në forcat e veta.

Më pas, kolegu i Ksenia Llarinës, gazetari Vitali Dimarski, e pyeti Njemcovin për përkrahjen e Putinit nga ana e popullit. Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Njemcovi deklaroi se përkrahja e bëmave të pushtetit rus në shoqëri është një ëndërr mjaft e zbrazët dhe, duke iu drejtuar gazetarit, aty për aty, improvizoi një fjalim të vetin në një debat televiziv hipotetik me presidentin Putin:

“Hajde të përfytyrojmë një orë debate të mia me Putinin. Ja, kollaj fare. Le të fillojmë, fjala vjen, me një pyetje të thjeshtë:

Pse ushtarët rusë vriten, kurse ju, zoti Putin, si kryekomandant suprem, s’doni t’ia dini për këta ushtarë të vrarë? Dhe pse gënjeni kur thoni se ata nuk janë në luftë? Kurse ne shohim varret e tyre. I shohim në Kostromë, i shohim në Pskov, i shohim në Njizhnjij Novgorod, ku unë kam punuar si guvernator. Pse ju, ore kryekomandant suprem, nuk doni t’ia dini për ushtarët tuaj? Me ç’të drejtë e quani veten kryekomandant suprem pas këtyre tragjedive? Pse gënjeni kur thoni se në Ukrainë nuk ka armë ruse? Po ju, zoti Putin, në Marrëveshjen e Minskut vetë thatë se do t’i largonit nga Ukraina armët “Tornado-S”. Po a e dini ju që “Tornado-S” janë sisteme zjarri me breshëri dhe janë prodhim i kohëve të fundit, se në sistemin e armatimit ato i ka vetëm ushtria ruse dhe në armatimin e saj ato kanë hyrë në vitin 2012? (Citohet sipas: “Para vrasjes, Njemcovi foli për përshpirtjet dhe i bëri sfidë Putinit”. Marrë nga faqja e internetit “sobesednik.ru”. 28 shkurt 2015).

Vrasja e opozitarit të njohur Boris Njemcov, nuk përbën ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme në realitetin rus. Sepse para tij, duke filluar prej vitit 1994, në Rusi janë vrarë 13 politikanë. Emrat e politikanëve të vrarë po i rendit më poshtë, sipas viteve.

Dmitri Hollodov (1967), korrespondent i gazetës “Moskovskij komsomolec”. U vra më 17 tetor 1994. Ai kishte denoncuar ministrin e mbrojtjes Pavl Graçovin për vjedhje të pasurisë shtetërore.

Vladislav Listjev (1956), ish-drejtor i përgjithshëm i kanalit të parë televiziv ORT. U vra në hyrje të pallatit të tij më 01 mars 1995.

Mihail Manjeviç (1961), zëvendësguvernator i Sankt-Peterburgut, kryetar i komitetit për administrimin e pasurisë së qytetit. U qëllua me automatik në makinën e tij më 18 gusht 1997.

Galina Starovojtova (1946), deputete e parlamentit. Më 20 nëntor 1998, u pushkatua në hyrje të shtëpisë së vet.

Valentin Cvjetkov (1948), guvenator i qarkut të Magadanit. Më 18 tetor të vitit 2002, u pushkatua në rrugën “Novëj Arbat”, në qendër të Moskës.

Sergej Jushenkov (1950), deputet i parlamentit. Më 17 prill 2003 u pushkatua në Moskë, afër shtëpisë së vet.

Juri Shçekoçihin (1950), zëvendëskryeredaktor i organit “Novaja gazeta”. Vdiq nga një helmim i rëndë më 03 korrik 2003.

Poll Hlebnjikov (1963), kryeredaktor i redaksisë ruse të revistës “Forbes”. Më 09 korrik 2004 u pushkatua kur po dilte nga zyra e revistës, në rrugën “Dokunjin” në Moskë.

Andrea Kozllov (1965). E pati filluar karrierën në Bankën e Shtetit të Bashkimit Sovjetik në vitin 1980, kurse që prej vitit 2002 mbante postin e guvernatorit të Bankës Qendrore të Federatës Ruse. Pikërisht asokohe banka filloi fushatën kundër pastrimit të parave dhe pranisë së tyre të paligjshme. Punën e vet Kozllovi e përshkruante si më poshtë:

“Ne jemi sanitarët e pyllit, sanitarët e pyllit nuk i do njeri, por dikush duhet të merret me këtë punë dhe ne këtë po bëjmë”.

Në mbrëmjen e 13 shtatorit 2006, Kozllovi po ndiqte një ndeshje futbolli. Pas mbarimit të saj, kur ai po i afrohej makinës, dikush hapi zjarr. Shoferi vdiq në vend, kurse Kozllovi dha shpirt në spital në mëngjesin e 14 shtatorit.

Ana Politkovskaja (1958), komentatore e organit “Novaja gazeta”. Ajo qe ngritur në mbrojtje të luftëtarëve çeçenë, duke i quajtur ata “lëvizja e rezistencës” dhe pati bërë thirrje që në Çeçeni të vendoseshin paqeruajtës ndërkombëtarë. Më 07 tetor 2006 u pushkatua në ashensorin e pallatit të vet, në rrugën “Lesnaja” në Moskë. Dita e vrasjes së saj ishte “simbolike”. Pikërisht më 07 tetor Putini ka ditëlindjen. Atë ditë ai mbushi 54 vjeç.

Aleksandër Litvinjenko (1962). Që prej vitit 1980 pati shërbyer në trupat e ministrisë së brendshme të Bashkimit Sovjetik, kurse që prej vitit 1991 – në organet e Shërbimit të Sigurimit Federativ dhe mbante gradën e kolonelit. Në vitin 1999 e patën arrestuar për tejkalim të kompetencave, por më pas e patën nxjerrë të pafajshëm. Por pas një kërcënimi tjetër për arrestim, ai u arratis menjëherë në Britani, ku iu dha strehim politik. Në shkurt të vitit 2006, në njërin nga sajtet e separatistëve çeçenë, ai botoi një artikull, në të cilin akuzonte Shërbimin e Sigurimit Federativ të Fedaratës Ruse për pjesëmarrje në publikimin e karikaturave të profetit Muhamet në gazetën daneze Jyllands-Posten”. Në tetor të vitit 2006, Litvinjenko rrëfeu për kërcënimet që i ishin bërë gazetares Ana Politkovskaja nga ana e presidentit Putin. Më 01 nëntor ai e ndjeu veten keq dhe u shtrua në spital. Më 23 nëntor ndërroi jetë. Tri orë para se të vdiste, mjekët zbuluan polonium në gjakun e tij. Më 07 dhjetor kufomën e tij e varrosën, të mbyllur në një sarkofag hermetik.

Sergej Magnjitskij (1972), jurist. Ai kishte deklaruar se kishte zbuluar skemën e grabitjes së buxhetit të shtetit në një shumë prej 5,4 miliardë rublash, të cilat i kishin përvetësuar organet e ruajtjes së rendit nëpërmjet shërbimit tatimor. Vdiq i helmuar në një spital të Moskës më 16 nëntor 2009.

Natalja Estemirova (1958) ishte bashkëpunëtore e përfaqësisë së qendrës së mbrojtjes së të drejtave të njeriut “Memorial” në Groznëj, kryeqytetin e Çeçenisë. Më 15 korrik 2009, e patën rrëmbyer afër shtëpisë së saj në Groznëj dhe po atë ditë kufoma e saj, e goditur nga plumbat, u gjet në afërsi të fshatit Gazi-Jurt të Ingushetisë fqinje.

Në kohën e qeverisjes së Jelcinit, janë kryer katër vrasje politike. Në kohën e qeverisjes së Putinit janë kryer dhjetë të tilla, pra, gati 71,5% e tyre.

Kur njihet me vrasje të tilla politike, porositësit e të cilave dhe shumica absolute e dorasve nuk janë zbuluar fare, lexuesit, vetvetiu, i lind një pyetje e zakonshme:

Po edhe sa kohë do të vazhdojnë vrasje të tilla në Rusi?

Politikani, avokati dhe publicisti rus Mark Fejgin (1971), duke komentuar vrasjen e Boris Njemcovit, ka deklaruar se vrasjet politike në Rusi do të vazhdojnë. Ai thotë:

“Vrasjet politike do të vazhdojnë, me kaq nuk mbyllet hesapi, do të ketë të vrarë të tjerë. Për këtë nuk ka asnjë dyshim, kjo është një situatë absolutisht tipike” (Citohet sipas: “Avokat Mark Fejgin: Vrasjet politike në Rusi do të vazhdojnë”. Marrë nga faqja e internetit “mik.ru”. 11 mars 2015).

Këtë deklaratë ai e bëri për kanalin televiziv “112 Ukraina”. Me këtë rast, ai nënvizoi se më pas, prapëseprapë, duhen pritur ndryshime.

“Por, – theksoi ai, – në analizë të fundit, duhen pritur ndryshime. Sa kohë që kjo pakënaqësi shoqërore është e shtypur ose, përkundrazi, është zëvendësuar me tendenca “urra-patriotike”, vrasjet politike do të vazhdojnë. Por kur kjo situatë do t’ia lërë vendin pakënaqësisë shoqërore, atëherë gjendja do të jetë krejtësisht e trishtueshme” (po aty).

Sipas këndvështrimit të avokatit Mark Fejgin, pritet që pas vrasjeve të tjera të politikanëve rusë, të cilat nuk dihet se sa kohë do të vazhdojnë, do të reaguaka opinioni publik, çka mund të çojë në përmbysjen e Putinit! Ky është një parashikim utopik i avokatit në fjalë. Sepse përkrahja e opinionit publik rus për Putinin arrin në masën 80%. Madje pas aneksimit të Krimesë, kjo përkrahje u rrit në 85%. Prandaj edhe pas vrasjeve të tjera politike, nuk pritet që përkrahja e popullit për Putinin të vijë duke rënë. Sikur Putini të pushtojë edhe Ukrainën, edhe Bjellorusinë, edhe Kazakistanin, me siguri që përkrahja e opinionit publik do të jetë edhe më e fuqishme. Sepse popullit rus nuk i mjaftuakan hapësirat e Federatës Ruse prej 17 milionë km², ai kërkuaka t’i rikthehen hapësirat e ish-Bashkimit Sovjetik prej 22 milionë km²!

Beatris Zhiblën (Béatrice Giblin) (1947), gjeopolitikane franceze, që drejton institutin francez të gjeopolitikës në universitetin e Parisit VIII, në uebsajtin “Atlantico” ka shprehur pikëpamjen e saj për mbështetjen që gëzon Putini në opinionin publik rus. Duke pasur parasysh që Putini kërkon ta ruajë përkrahjen e opinionit publik rus përmes pushtimeve të territoreve të huaja dhe konfrontimit me Perëndimin,“Atlantico” i ka drejtuar asaj pyetjen e mëposhtme:

Atlantico: Sipas fjalëve të ish-kryeministrit rus Mihail Kasjanov, “Putini ka nevojë për fitore të shpejta, në mënyrë që ta mbajë të lartë përqindjen e përkrahjes nga ana e popullit, për t’ia argumentuar popullit rus se ai vazhdon ende të jetë car”. Sot në Minsk janë duke u zhvilluar bisedime për Ukrainën. Me këtë rast, çfarë mund të thoni ju lidhur me përkrahjen që gëzon Putini në radhët e popullit rus?”.

Beatris Zhiblën: Vërejtja e Mihail Kasjanovit është plotësisht e drejtë. Në tërësi, përkrahja popullore për Putinin e kalon shifrën 80%. Në qytete të mëdha, si Sankt-Peterburgu dhe Moska, përkrahja është dukshëm më e dobët, por në zonat e thella ruse, ku popullsia nuk ka burim tjetër informacioni, përveç propagandës putiniane, ai s’ka arsye për t’u shqetësuar (Citohet sipas: “Pyetsor sipas mënyrës ruse: mos vallë Putini nuk gëzuaka aq autoritet sa ç’duket?”. Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 13 shkurt 2015).

Në këto kushte ku e ka katandisur Rusinë Putini, duke i lejuar hapsirë vetëm propagandës në përkrahje të tij, as që mund të imagjinohet që populli rus të ngrihet për rrëzimin e tij nga pushteti, siç ëndërron në mënyrë utopike avokati Mark Fejgin. Në të vërtetë, si forcë goditëse kundër Putinit, sipas të gjitha gjasave, ka për të dalë elita ruse, domethënë biznesi i madh, burokracia pasanike, oligarkët e fuqishëm rreth Kremlinit, të cilëve, pikërisht për faj të tij, u është zënë fryma nga sanksionet perëndimore, sepse po dëmtohet rëndë prona e tyre, kapitalet gjigante financiare janë ngrirë në bankat e huaja. Mirë do të jetë që elita oligarkiane të arrijë ta bindë Putinin që ai të largohet nga Kremlini me nderime ushtarake dhe me një breshëri solemne. Por a ka garanci që, nëse Putini do ta vazhdojë me kryeneçësi rrugën që ka nisur, elita e oligarkëve të mos e detyrojë atë të dalë nga dyert e Kremlinit me këmbët përpara?

Profesori Vladimir Turçenko (1928), doktor i shkencave filozofike, thotë:

“Xhon Bajden i ka kujtuar Putinit fatin e Mubarakut. Sociologu Lev Gudkov (1946) mendon se para Putinit po fanitet fantazma e Çausheskut apo e Gadafit. Liberalë të tjerë i kanë parashikuar atij fatin e Millosheviçit” (Citohet sipas: V.N. Turçenko. “Mësimet e “euromajdanit” (shënim analitik i sociologut)”. Marrë nga faqja e internetit “za-nauku.rus”. 09 mars 2015).  

 

 

Charlotte, Karolina e Veriut

08 prill 2015

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: