Kreu > Histori > Hasan Prishtina, themeltari i shtetit shqiptar

Hasan Prishtina, themeltari i shtetit shqiptar

Shkëlzen GASHI

 

HASAN PRISHTINA, THEMELTARI I SHTETIT SHQIPTAR

Hasan Prishtina

Hasan Prishtina

Ndër shtytjet kryesore që çuan në organizimin e kryengritjes shqiptare të vitit 1912, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, qe edhe dhuna e xhonturqve dhe sistemi mizor i ndjekur prej tyre në zgjedhjet e vitit 1912. Xhonturqit kishin ardhur në pushtet më 1908, madje me përkrahjen e Hasan Prishtinës. Por, më pas inkompetenca dhe mostoleranca e tyre e bënë Hasan Prishtinën të kërkojë autonomi të plotë për tokat shqiptare. Nënkonsulli britanik në Shkup, në raportin e tij nga biseda me Hasan Prishtinën, thotë: “Ai kërkonte ndarje komplete fiskale dhe ushtarake të Shqipërisë, ku Porta e Lartë do të kishte sovranitet nominal”. Për ta realizuar këtë qëllim politik me kryengritje të armatosur, Hasan Prishtina ishte marrë vesh me Ismail Qemalin, që ky t’i siguronte 15 mijë pushkë dhe 10 mijë napolona ari. Ismail Qemali nuk e realizon premtimin, prandaj Hasan Prishtina e shet pasurinë vetjake dhe me atë kapital e nis kryengritjen.

Mjeshtëria politike e Hasan Prishtinës konsiston në faktin se, për realizimin e autonomisë nëpërmjet kryengritjes së armatosur që do të çonte drejt pavarësisë së Shqipërisë, ai synonte të fuste ndasinë brenda partive politike të Perandorisë Osmane: partisë “Marrëveshje e Liri” dhe asaj “Bashkim e Përparim”. Pikërisht për këtë, më vonë do të ketë pretendime se kryengritja e vitit 1912 është organizuar me dijeninë dhe bashkëpunimin e partisë “Marrëveshje e Liri”. Përveç kësaj, për ta bërë sa më të suksesshme luftën kundër Perandorisë Osmane, Hasan Prishtina angazhohej t’i fuste në udhën e kryengritjes edhe të shtypurit e tjerë: arabët e kurdët, e më pas edhe maqedonasit e bullgarët. Në vijim të kësaj duhet të shihet edhe shpallja e botuar në të gjitha gazetat, që Hasan Prishtina e bën në minutat më kritikë të kryengritjes, kur thërret gjithë popullin e Perandorisë Osmane të mblidhet nën flamurin kryengritës kundër xhonturqve për të mos përfunduar në gjendje të dhimbshme. U angazhua edhe për të siguruar përkrahjen nga faktori i jashtëm, për çka edhe e takon nënkonsullin britanik në Shkup.

Për ta nisur kryengritjen në Kosovë, Hasan Prishtina bisedon me shumë zotërinj që nuk e njihnin njëri-tjetrin, por “damas e me rezervë të madhe”. Kjo, sepse, siç do të shihet më vonë, vendimtare për rrjedhën e kryengritjes së vitit 1912, përveç Luftës Ballkanike, ishte edhe tradhtia e Nexhip Dragës, pastaj e Riza Gjakovës dhe e Isa Boletinit, shkruan Hasan Prishtina në “Nji shkurtim kujtimesh për kryengritjen e vjetit 1912”.

Pasi çlirohet Prishtina nga kryengritësit e udhëhequr prej Hasan Prishtinës, në Stamboll formohet kabineti i ri qeveritar nga Qamil Pasha, i cili e dërgon në Prishtinë një mision zyrtar të kryesuar nga shqiptari prej Manastirit, Ibrahim Pasha, që kishte detyrë të merrej vesh me kryengritësit shqiptarë për t’i dhënë fund kryengritjes. Hasan Prishtina e prezanton para tij projektin me 4 pikë, ku qartas kërkon autonomi për Shqipërinë, të cilën Ibrahim Pasha e refuzon. Hasan Prishtina jo vetëm nuk lëshon pe, por edhe shton se në rast mospajtimi me këto pikë “…na mund të hecim kështu deri në Stamboll e aty mund të merremi vesh”. Po kështu guximshëm, Hasan Prishtina e paralajmëron më herët në Parlamentin e Perandorisë Osmane edhe fillimin e kësaj kryengritjeje, kur thotë se po vijuan mizoritë e xhonturqve, do të jetë njëri, e ndoshta i pari i atyre që ka me ngre flamurin e kryengritjes.

Ibrahim Pasha bën me kryengritësit shqiptarë atë që Hasan Prishtina synonte ta bënte me partitë politike të Perandorisë Osmane: fut ndasi mes kryengritësve shqiptarë, saqë, siç thotë Hasan Prishtina në kujtimet e tij, Riza Gjakova e Isa Boletini fillojnë të thonë “na nuk duem autonomi dhe nuk mund të dahemi prej osmanlijve”. Të njëjtën e thotë edhe Ismail Qemali në intervistën dhënë gazetës austriake Neue Freie Presse, të datës 27 gusht 1912: “Ne sinqerisht ndihemi si otomanë dhe dëshira jonë e vetme do të ishte që të bashkëpunonim për zhvillimin dhe përparimin e Perandorisë Osmane”.

Sikur Ibrahim Pasha, edhe konsulli i Serbisë e kishte futur përçarjen mes kryengritësve shqiptarë, duke u dhënë armë Riza Gjakovës e Isa Boletinit. Kështu, Hasan Prishtina detyrohet të kërkojë autonominë e Shqipërisë nënkuptueshëm në programin prej 14 pikëve sepse, siç thotë ai, “me folë kjarisht për caktimin e kufijve të Shqypnis u donte të vrahemi me Riza Begun”. Këto pika pranohen nga qeveria e Qamil Pashës.

Lufta Ballkanike dhe okupimi i Kosovës dhe i viseve të tjera të banuara me shqiptarë nga forcat serbo-malazeze bëhen sebep që pavarësia e Shqipërisë të shpallet në Vlorë e jo në Shkup, dhe që në vend të një Shqipërie të natyrshme, të themelohet një Shqipëri e vocërr. Në vend të një Shqipërie të Hasan Prishtinës, të bëhet Shqipëria e Ismail Qemalit. Përveç kësaj ndikojnë edhe ndasitë brenda kryengritësve shqiptarë, të cilët e mësyjnë Shkupin me vetëm rreth 20% të fuqisë që kishin në Prishtinë për shkak se, sipas Hasan Prishtinës, Riza Gjakova e Isa Boletini mendonin ta shpëtonin Sulltan Hamidin, që ishte i burgosur në Selanik, prandaj, thotë Hasan Prishtina, kishim frikë se ndjekësit e tyre do të bashkoheshin me këta dy për shpëtimin e Sulltan Hamidit. Me qëllim që të mënjanojë ndodhi të pakëndshme, Hasan Prishtina i shpërndan kryengritësit në Shkup. Ai refuzon kategorikisht idenë e Ibrahim Pashës për ta ndëshkuar Riza Gjakovën e Isa Boletinin sepse nuk dëshironte të dëmtonte prestigjin e shqiptarëve, e madje thotë se më parë do të pranonte që Ibrahim Pasha këtë veprim ta bënte kundër vetë atij.

Siç mund të shihet nga kujtimet e Hasan Prishtinës, ai ishte tejet i mllefosur me Riza Gjakovën e Isa Boletinin, sepse me ta jo që nuk mund të flitej për punë pavarësie, por as për autonomi. Ishte i mendimit se, po qe nevoja, Riza Gjakova e Isa Boletini të ndëshkoheshin nga shqiptarët. Kur Hasan Prishtina takohet në Shkup me përfaqësuesit e Shqipërisë së Mesme, të cilët binden për fanatizmin e Riza Begut e Isa Boletinit dhe për pamundësinë e shpalljes së pavarësisë, u premton se pas tre-katër muajsh do të bënin prapë një kryengritje dhe do ta shpallnin pavarësinë, por edhe se do t’i eliminonin, në emër të interesit të Shqipërisë, disa persona që mund ta pengonin arritjen e qëllimit të shenjtë. Por, plasja e Luftës Ballkanike i qet poshtë të gjitha planet.

Politika shqiptare në Kosovë edhe sot është e ndarë në rrymën e Hasan Prishtinës dhe rrymën e Ismail Qemailit, Isa Boletinit & Co. Sidoqoftë, sot, 77 vjet pas vrasjes së Hasan Prishtinës, këto kujtime vetëm sa e forcojnë idenë se përfundimisht duhet sa më parë të hulumtohet themelisht jeta dhe vepra e këtij burri të madh, mendimtari, luftëtari e veprimtari politik, i cili, praktikisht, me idetë, angazhimin dhe veprimin e tij, ishte themeltari i shtetit shqiptar.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: