Hyrje > Studime fetare > Thomas Michel dhe koncepti i dialogut nga këndvështrimi i një të krishteri

Thomas Michel dhe koncepti i dialogut nga këndvështrimi i një të krishteri

Genti KRUJA

 

THOMAS MICHEL DHE KONCEPTI I DIALOGUT NGA KËNDVËSHTRIMI I NJË TË KRISHTERI

kopertina

Në një libër të tij Thomas Michel[1], do të shprehej kështu: “Më është mbushur mendja se myslimanët e të krishterët, formojnë dy familje të mëdha feje që rrjedhin prej një paraardhësi të përbashkët: Abrahamit (Ibrahimit). Është vullneti i Zotit të jetojmë së bashku, në nderim të anasjelltë e në paqe, e të punojmë të dyja palët, që mbi tokë të bëhet vullneti i Tij. Myslimanë e të krishterë mendojnë se kanë shumë gjëra të përbashkëta, për faktin se besojnë se Zoti na ka zbuluar natyrën e vet. Kështu ata e njohin, si sovran të jetës dhe nëpërmjet atyre që iu dha hiri i profetësisë, Zoti zbuloi vullnetin e vet për njerëzimin”.[2]

Myslimanët nuk reshtin së pohuari se nuk kanë asgjë me të krishterët e mirëfilltë, të cilët i vlerësojnë si aleatë natyrorë kundër shekullarizimit, por besojnë se të krishterët për t’u dukur modernë shpesh kanë dalë nga natyra e vet, pohon Thomas Michel, një prift katolik amerikan. Ndonjëherë të krishterët krenohen me të qenët modern dhe thonë se myslimanët janë të prapambetur, thotë Michel, kurse për myslimanët, të krishterët nuk e kuptojnë se deri në çfarë mase ata e kanë kompromentuar besimin e tyre me elemente të kulturës moderne dhe pikërisht mbi termat e modernizmit, të krishterët duhet të ndërmarrin një dialog të vërtetë me myslimanët.[3]

Dialogu i krishtero-mysliman, nuk duhet të ndahet kurrë nga dialogu mes kulturave dhe ajo çka është më e rëndësishmja, duhet të dialogohet me të varfrit. Dialogu ndërfetar mund të kthehet mjaft lehtë në një ushtrim elite, në të cilin studiues dhe autoritete fetare të krijojnë një vëllazëri të tyren në formë klubi për të përjetësuar dhe, në rastin më të keq, justifikuar status quo-në ekonomike dhe shoqërore.

Në dialogun me myslimanët, të krishterët nuk duhet të hezitojnë të kërkojnë bazën në traditën e madhe profetike të Shkrimeve të tyre, shembuj të cilët gjenden tek Gjon Pagëzori (Profeti Jahja a.s.), në letrën e Jakobit (Jakubit a.s.), etj.[4]

Rrallëherë në situata dialogu mes të krishterëve dhe myslimanëve është dëgjuar të citohen këto elemente qendrore. Pikërisht janë këto gjëra që duhet t’i flasim me myslimanët, -thotë Michel -, këto janë aspektet e besimit tonë, që kemi nevojë t’i komunikojmë njëri-tjetrit. Kurse myslimanët kanë nevojë të njohin elementet e çlirimit për të varfrit. Ne kemi nevojë të zbulojmë traditën e fortë profetike të pranishme në Kur’an, si dhe elementet e çlirimit që hasen në shtyllat e Islamit dhe në Sheriat, – nënvizon Thomas Michel në librin e tij.[5]

Gjithashtu ndër të tjera ai thekson se, është shenjë e paditurisë sonë fakti se shumë të krishterë përgjigjen: “Nuk e dinim se në Islam ishin të pranishme aq shumë elemente të çlirimit; mendonim se Islami i shtypte të varfrit, gratë, mëkatarët; kishim përshtypjen se Islami ishte pasiv dhe fatalist ndaj padrejtësive dhe të keqes.” Por mjafton të frekuentosh për gjysmë ore një librari myslimane për të zbuluar tituj si “Islami: feja e drejtësisë”, “Islami dhe çlirimi i grave”. Por edhe myslimanët në përgjithësi nuk janë më të informuar mbi fenë tonë nga ç’jemi ne për të tyren, – shkruan Michel.[6]

Një nga pengesat që i ndalojnë të krishterët të vlerësojnë dhe të zhvillojnë dialogun me myslimanët mbi elementet e përbashkëta të çlirimit është fakti i dhimbshëm se shpesh, si të krishterët, ashtu edhe myslimanët janë të mbyllur në konflikte të besimit, në të cilat përkatësia fetare, nëse nuk është arsyeja e konfliktit, luan një rol të rëndësishëm në vendosjen e njërës palë kundra tjetrës, duke e parë njëri-tjetrin si armiq dhe si një kërcënim të ndërsjellë.

Michel thotë se: “Në pjesën më të madhe të myslimanëve të zakonshëm, Islami është para së gjithash e mbi të gjitha një përgjigje ndaj Zotit, një mënyrë për të takuar Krijuesin dhe për të bërë vullnetin e Hyjit mbi tokë.” Ai thekson se: “Me myslimanët që nuk interesohen për politikën, për revolucione, apo konflikte civile, pikërisht se janë shumë të angazhuar për të mbajtur familjen, për t’u mësuar fëmijëve frikën ndaj Zotit, etj., duhet të hapet dialogu mbi të Vetmin Zot, i aftë për të çliruar njerëzimin nga mëkati dhe nga strukturat shtypëse që kemi ndërtuar.”[7]255327485_1280x720

Në praktikimin e drejtësisë shoqërore në Islam, shohim se në vitet 1980, Organizata e Konferencës Islamike përdori fondet e mbledhura nga myslimanët nëpërmjet pagesës së zekatit[8] në ndihmesë të popullsive të goditura, kryesisht myslimane e më pas i dha një kontribut prej një milion dollarësh amerikanë në sadaka, Kepit të Gjelbër, një rajon në pjesën më të madhe me popullsi të krishterë. Kurse për të ndihmuar popullsinë e krishterë të Salvadorit, të dëmtuar nga tërmeti, organizatat më aktive në furnizimin me ushqime dhe ilaçe ishin Caritas-i dhe Ndihma Islamike Botërore (Islamic Relief Worldwide). Ata kanë ndihmuar bashkë, pa bërë elozhe dhe etiketa. Këto organizata të krishtera, islame, apo hebreje kanë mjaft ngjashmëri me njëra-tjetrën. Dhe kjo ndodh sepse kur mësimet e traditës së përbashkët profetike, vendosen konkretisht në praktikë, përkthehet me të njëjtën sjellje ndaj njerëzve në nevojë.

Ngjarjet e 11 shtatorit 2001, bombardimet në Afganistan dhe lufta në Irak, provokuan mendësinë se Islami dhe Perëndimi janë në luftë me njëri-tjetrin dhe se qytetërimet islame dhe të krishtera janë shumë larg njëra-tjetrës dhe se nuk mund të ketë dialog midis tyre. Duke u nisur nga kjo, lindin vetëm pretendime epërsie kulturore dhe fetare. Por në fakt, gjatë gjithë historisë së konflikteve, ato kanë qenë të bazuara në interesa gjeopolitike, ekonomike, etj., dhe rrallë ndonjëherë në ndryshime teologjike. Kështu Krishterimi dhe Islami janë dy universe shpirtërore që kanë shumë për t’i thënë njëri-tjetrit. Dialogu krishtero-mysliman, sot gjendet “në vendtakimin e dy deteve”, duke marrë fjalët e Kur’anit.[9] Bëhet fjalë që të takohen këto dy mënyra të ndërlikuara që i përgjigjen të Vetmit Zot, mënyra të cilat janë më tepër plotësuese, sesa kundërshtuese. Kështu që dialogu mes të krishterëve dhe myslimanëve nuk ka si qëllim shndërrimin apo pushtimin, por pasurimin dhe rritjen e ndërsjellë, jo ndarjet por përkimet. Nëse të krishterët dhe myslimanët do të jenë të zotët që së bashku t’u ofrojnë të gjithëve një rrugë për të jetuar në planetin tonë në mënyrë më paqësore, njerëzore dhe të çelur ndaj shpresës, ata do të mund të luajnë rolin për të cilin Zoti i ka krijuar.[10]

Thomas Michel shpjegon gjithashtu një ndodhi të vetën në qytetin e Konias, në Turqi, në vitin 1988, kur kishte shkuar për të ligjëruar në universitetin e këtij qyteti për 7 muaj. Kur e pyetën njerëzit se çfarë detyre kishte, ai u përgjigj me fjalën origjinale që përdoret në Kur’an në arabisht, por që përdoret edhe në turqisht “rahib”. Ata menjëherë e kishin pyetur se a kishte nevojë për ndonjë gjë, ndërkohë që ai sapo kishte zënë një shtëpi me qira pa plaçka dhe kishte nevojë për çdo gjë. Menjëherë komshinjtë e tij, familje punëtorësh, i kishin dhënë, kush një karrige, kush një tavolinë dhe për tre ditë ia kishin kompletuar shtëpinë të tërën, deri tek enët e kuzhinës.

Natën e dytë i kishin trokitur në derë dy burra në orët e vona të natës, dhe At Thomasi kishte menduar se mos ishte policia. Ata kishin hyrë dhe kishin kontrolluar se çka i kishte mbetur mangët. Të nesërmen nuk mungonte asgjë. Më pas i kishin thënë se gratë e komshinjve do t’i sillnin ushqime, kur ishte në leksion në universitet, por dera kishte qenë e mbyllur. Kështu Ati ishte detyruar që ta linte derën të pakyçur kur dilte në mëngjes. Kur kthehej pasdreke ai gjente shtëpinë e pastruar, të rregulluar, plaçkat e lara dhe të hekurosura dhe tavolinën e shtruar me gjellë të ngrohta.

Gjatë 7 muajve At Micheli nuk i kishte parë asnjëherë ato gra, si duket ato e shihnin kur dilte dhe pastaj i bënin punët në banesën ku ai banonte. Kur kishte ardhur koha që ta linte qytetin, ai ishte përshëndetur me një burrë të lagjes dhe i kishte kërkuar që t’i takonte gratë që ia kishin bërë punët pa u lodhur gjatë gjithë atyre muajve, por ai kishte marrë një përgjigje befasuese:

“Nuk është e nevojshme t’i falënderosh, ato nuk e kanë bërë këtë për ty, e kanë bërë për hir të Zotit. Në Kur’an është shkruar se ne duhet t’i trajtojmë mirë murgjit. Ky është një akt besimi ndaj Zotit dhe Ai i sheh se ç’kanë bërë këto gra dhe i shpërblen ato”, – i kishte thënë burri. Kështu që nuk kishte qenë e nevojshme që At Thomasi t’i falënderonte ato.

Thomas Michel, ka botuar gjithashtu edhe librin me titull “Marrëdhëniet Islamo-të krishtera sipas Bediuzaman Said Nursit” (2008).

Autori ka bërë një studim të mirëfilltë në lidhje me argumentet që jep Nursi në marrëdhëniet e të krishterëve të vërtetë me myslimanët, në veprën e tij “Risale-i Nur” dhe në bashkëpunimin e tyre në kohët moderne kundër armiqve të përbashkët si ateizmi, darvinizmi, imoraliteti, etj., duke u bashkuar në besimin tek Zoti si një dhe i Vetëm.

[1] Prof. Dr. Thomas Michel, pedagog i teologjisë katolike, njëkohësisht një klerik jezuit nga SHBA. Ai ka pasur gjithashtu edhe detyrën e sekretarit për dialog ndërfetar për shumë vite në Vatikan, si dhe ka dhënë mësim në shumë universitete të vendeve myslimane, si lektor i teologjisë së krishterë në fakultetet e Shkencave Islame, si Turqi, Indonezi, Filipine, etj.

[2] Michel, Th., “Për të kuptuar kristianizmin: Një i krishterë i paraqet myslimanëve fenë e tij”, isg edizioni, pa vit botimi, Tiranë, f. 4, 9.

[3] Po aty,  f. 114.

[4] Për më tepër, shih: Mt 57; Lk 5, 12-49.

[5] Michel, Th., Për të kuptuar kristianizmin: Një i krishterë i paraqet myslimanëve fenë e tij, isg edizioni, pa vit botimi, Tiranë, f. 118.

[6] Po aty, f. 118.

[7] Po aty, f. 119-120.

[8] Zekat-i është një prej shtyllave të Islamit, fjalë e cila nga arabishtja do të thotë pastrim, lëmoshë, e cila është një lëmoshë e detyrueshme një herë në vit 2.5 % (1/40), në bazë të të ardhurave vjetore, që siguron familja në gjendje të mirë materiale (Muharremi, Halit, Fjalori i teologjisë, Mirgeralb, Tiranë, 2006: 361).

[9] Kur’an, 18:60.

[10] Michel, Thomas, “Për të kuptuar kristianizmin: Një i krishterë i paraqet myslimanëve fenë e tij”, isg edizioni, pa vit botimi, Tiranë, f. 138-140.

 

Burimi: http://zaninalte.al/2014/12/thomas-michel-dhe-koncepti-i-dialogut-nga-kendveshtrimi-i-nje-te-krishteri/

Kategori: Studime fetare Etiketa:
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: