Kreu > Mesele kombëtare > Një qëndrim paradoksal i ministrit Bushati ndaj një diplomati të karrierës

Një qëndrim paradoksal i ministrit Bushati ndaj një diplomati të karrierës

Prof. dr. Eshref YMERI

 

NJË QËNDRIM PARADOKSAL I MINISTRIT BUSHATI NDAJ NJË DIPLOMATI TË KARRIERËS

Eshref Ymeri

Eshref Ymeri

Në disa faqe interneti të datës 15 prill 2015, ishte botuar një material me titull “Letër e hapur e ish-ambasadorit dr. Islam Lauka në Kosovë, për ministrin Ditmir Bushati”.

Nga ajo letër mësova se ish-ambasadorin tonë të nderuar në Kosovë, dr. Islam Lauka, më 13 mars të këtij viti, ministri Bushati e paska pushuar nga puna. Të them të drejtën, aq sa u dëshpërova, aq edhe u revoltova kundër këtij vendimi absurd të ministrit Bushati. Sepse këtë ish-ambasador e njoh që këtu e dyzet vjet të shkuara. E njoh që në vitet ’70 se e kam pasur student. E kujtoj me shumë respekt si një student jashtëzakonisht të talentuar, i cili, në listën e notave, bashkëngjitur diplomës, absolutisht në të gjitha lëndët, kishte vetëm notën 10. Sigurisht që e meritonte plotësisht të emërohej pedagog në katedër, sepse studentë me të tillë talent unë nuk kam hasur shumë gjatë punës sime si pedagog në Universitetin e Tiranës. Ai ishte krenaria e studentëve të degës së gjuhëve të huaja të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.

Megjithatë, Islami, si bir i një familjeje me dymbëdhjetë fëmijë nga fshati Pac i Tropojës, bir minatori, i edukuar nga prindërit e tij që në moshë të njomë  me ndjenjën e dashurisë për punën dhe për atdheun, me frymën e sakrificës për të çarë në jetë vetëm me djersën e ballit, shkoi e punoi për shumë vite si mësues në zonat e thella të Tropojës dhe kudo shkëlqeu, duke qenë gjithmonë i gatshëm, i papërtuar për t’ju gjendur nxënësve të vet dhe njerëzve në përgjithësi, me kohë e pa kohë, në morinë e halleve të jetës së tyre të përditshme. Punën në zonën e Tropojës Islami e vazhdoi me tërë përkushtimin e vet deri në vitin 1985. Po në këtë vit, strukturat përkatëse të shtetit shqiptar të asaj kohe, duke njohur aftësitë e tij në punë, vendosën ta transferojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Gjatë vitit 1985-1986, ai pati kryer kursin e diplomacisë që u organizua asokohe pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Sapo mbaroi kursin, ai u emërua po në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në vitin 1987  ai u caktua referent pranë asaj ministrie. Në prill të vitit 1991 ai emërohet sekretar i parë i ambasadës sonë në Moskë. Në atë ambasadë zoti Lauka ka kryer edhe detyrën e të ngarkuarit me punë (AI) të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë, më 31 janar të vitit 1996 ai dha dorëheqjen dhe dorëzoi pasaportën diplomatike.

Gjatë kohës së kryerjes së detyrës funksionale në ambasadën tonë në Moskë, zoti Islam Lauka përgatiti dhe mbrojti në gjuhën ruse doktoratën me temë “Evolucioni i problemit të Kosovës dhe gjendja e tij aktuale”. Gjatë parashtrimit të temës së doktoratës në një mjedis akademik, para një jurie profesorësh rusë, zoti Islam Lauka ka mbrojtur me dinjitet të lartë shkencor Çështjen e Kosovës dhe, si diplomat i përgatitur shqiptar, ka argumentuar shkencërisht bindjen e vet të patundur se Kosova në perspektivë nuk mund të jetë kurrsesi nën administrimin e Serbisë, prandaj duhet të shpallet shtet i pavarur. Rrjedha e mëvonshme e ngjarjeve vërtetoi në praktikë katërcipërisht argumentimin shkencor të zotit Lauka, në kundërshtim të hapur me mendimin politik të Tiranës zyrtare, në radhët e së cilës dikush, duke notuar në batakun e tradhtisë kombëtare, mbronte hapur interesat e shovinizmit kriminal serb se Kosova na paskej, demek, kryeqytet Beogradin, kurse dikush tjetër, duke marrë përsipër rolin e lypsarit politik, kërkonte që Kosovës t’i rikthehej autonomia!

Mbrojtja e doktoratës u bë në Akademinë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse. Grada shkencore që ka marrë zoti Lauka është: “Doctor of Philosophy (Ph.D) in Political Sciences (Doktor i Filozofisë në Shkencat Politike) dhe është lëshuar nga “Supreme Certifying Committee of Russian Federation (Komiteti Dëshmues Suprem i Federatës Ruse). Diploma e doktoratës mban numrin 000454 dhe është lëshuar më datën 17 mars 1995.

Vitet e qëndrimit në Moskë e konsolidojnë portretin e dr. Islam Laukës në dy pamje: si një diplomat karriere dhe si studiues i hollë i temës më delikate e më problemore të kohëve shqiptare: çështjes kombëtare, ende e pazgjidhur edhe sot.

Është tepër kuptimplotë, i rrallë dhe që të bën krenar për identitetin tonë kombëtar, fakti, se pikërisht në Moskë, në atë kryeqytet perandorak, prej të cilit për dy shekuj rresht kishin ardhur të gjitha gjëmat e mëdha për kombin shqiptar, pra pikërisht në atë kryeqendër, para Këshillit Shkencor të Akademisë Diplomatike të Moskës, zotëria Islam Lauka mbrojti doktoraturën e tij me një temë të nxehtë globale, në të cilën Rusia, si armik i kombit shqiptar, ishte faktor i rëndësishëm kundërshtues. Tema e punimit të tij shkencor më vonë u botua si libër në rusishte dhe u pasua me shkrime edhe në gazetat e mëdha të kohës, brenda dhe jashtë vendit.

Ky libër i parë i diplomatit dhe tashmë i doktorit të shkencave politologjike, Islam Lauka, do të pasohej nga një seri veprash të tjera, po me të njëjtën temë, që ka qënë e po mbetet edhe sot e kësaj dite objekt i debateve të nxehta akademike e diplomatike në kontinentin tonë e përtej Oqeanit. Të tilla vepra, mjaft të rëndësishme për historiografinë shqiptare, në funksion të zgjidhjes së Çështjes sonë Kombëtare, janë:

  1. Kosova – rast universal, apo sui generis.
  2. Shkëputja e Kosovës nga Rusia.
  3. Kosova e pavarur ose dështimi i kryqëzatës ruso-serbe.
  4. Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse (bashkautor).
  5. Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012) (bashkautor).

Këtë librin e fundit, ministri Bushati, si edhe të gjithë ministrat e tjerë që ulen në kolltukun e ministrit të punëve të jashtme, duhet ta kenë si libër tavoline se do t’iu hyjë shumë në punë në ballafaqimin e tyre me diplomacinë shoviniste ruse në qëndrimin ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare. Materialet burimore ruse që përfshihen në atë libër, janë më se të mjaftueshme për demaskimin e diplomacisë shoviniste rusocariste dhe neorusocariste për qëndrimin tradicionalisht armiqësor që ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë ndaj kombit shqiptar.

Duhet theksuar se tri veprat e para janë përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja, si në anglishte, në rusishte, në serbishte, në rumanishte dhe në arabishte dhe kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishëm për zbardhjen dhe mbrojtjen e së vërtetës historiko-shkencore rreth Çështjes Kombëtare Shqiptare, me theks të veçantë Kosovën, me qëllim që të vihej në lëvizje diplomacia botërore, e cila ishte e keqinformuar nga diplomacia serbe dhe mbrojtësi kryesor i saj, shovinizmi rusomadh, armiku tradicional i kombit shqiptar.

Veprat e lartpërmendura të dr. Islam Laukës patën tërhequr vëmendjen e qarqeve akademike brenda dhe jashtë vendit. Midis tyre, bien në sy personalitete akademike me autoritet kombëtar dhe ndërkombëtar, si edhe figura të njohura politiko-diplomatike. Ndër ta mund të përmendim:

Noel Malkolm (1956), gazetar dhe historian i shquar anglez, akademik. Për librin “Evolucioni i problemit të Kosovës dhe gjendja e tij aktuale”, ai ka thënë:

“Pa dyshim që ky është një libër,  i cili duhet lexuar nga çdokush që është i përfshirë në debatin mbi të ardhmen e Kosovës”.

Janush (Janusz) Bugajski (1954), studiues dhe analist i njohur amerikan, drejtor i projektit të demokracive të reja evropiane pranë Qendrës së Studimeve Strategjike Ndërkombëtare në Vashington, thotë:

“Monografia e doktor Laukës shënon një pikë thelbësore në fillimin e këtij proçesi kur flitet për unikalitetin historik dhe rëndësinë strategjike të këtij territori, Kosovës”.

Nina Smirnova (1925-2001), historiane ruse, profesor. Ajo ka nënvizuar:

“Është e domosdoshme të theksohet se trajtimi i problemit të Kosovës nga Islam Lauka, ndryshon rrënjësisht nga ai që takohet në replikat e pakontrolluara të disa historianëve e politologëve rusë që e trajtojnë atë nga pozita proserbe”.

Valeri Modestov (1945), studiues rus i letërsisë, përkthyes, profesor. Ja se si është shprehur ai për trajtimin që dr. Islam Lauka i ka bërë Çështjes së Kosovës:

“Islam Lauka ka analizuar me kujdes dhe në mënyrë kritike gjithçka është shkruar para tij për çështjen e Kosovës, nga specialistë shqiptarë dhe të huaj. Konkluzionet dhe rekomandimet e tij janë plotësisht shkencore”.    

Adem Demaçi (1936) shprehet:

“Dr. Lauka është ballafaquar me një grumbull veprash, shkrimesh e reagimesh të institucioneve shkencore apo krerëve të lartë shtetërorë ruso-serbe. Për një njeri të vetëm, sfida ishte fort e vështirë, mirëpo diplomati i nderuar, me një qasje të urtë prej atdhetari dhe shkencëtari, ia ka dalë fort mirë që të përballet me furinë e paragjykimeve dhe të shpifjeve të paturpshme të kuzhinës pansllaviste”.

Mark Krasniqi (1920), akademik, thekson:

“Dr. Lauka është patriot i vërtetë, intelektual i kualitetit të lartë shkencor e kulturor, racional në mendimet dhe në veprimet e tij”.

Një pjesë e mirë botimeve kryesore të dr. Islam Laukës, qoftë si libra, qoftë si artikuj publicistikë, patën dalë nga shtypi para se Kosova të shpallej shtet i pavarur. Prandaj edhe patën ushtruar një ndikim të dukshëm në qarqet akademike e diplomatike. Këtë fakt  Janush Bujgaski e ka vënë në dukje si më poshtë:

“Zor se do të kishte pasur kohë më të përshtatshme se kjo e tanishmja për publikimet e Islam Laukës mbi Kosovën”.

Që nga viti 2001 zoti Lauka është president i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikano-Britanike në Tiranë. Libri “Tony Blair për shqiptarët”, asokohe ishte kontribut i drejtpërdrejtë i kësaj Qendre. Kjo Qendër pati organizuar atëherë dy konferenca shkencore. E para (korrik 2002) me temë “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane” dhe e dyta (dhjetor 2002) me temë “Marrëdhëniet shqiptaro-britanike”. Nga qershori i vitit 2005 dr. Islam Lauka është Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike.

Në vitin 2005, dr. Islam Laukën shteti e riktheu në shërbimin diplomatik. Në periudhën mes viteve 2005-2009, ai ka mbajtur funksionet e Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare, të Drejtorit te Përgjithshëm të Drejtorisë Rajonale dhe të Drejtorit të Bordit të Institutit të Diasporës. Në vitin 2009 ai u emërua ambasador në Kosovë.

Përveç botimeve të lartpërmendura, duhet theksuar edhe kontributi i ndjeshëm që ka dhënë dr. Islam Lauka në përgatitjen e kumtesave dhe të referateve shkencore, të cilat i ka mbajtur në konferenca, sesione dhe simpoziume shkencore ndërkombëtare që janë zhvilluar në Nju Jork, Moskë, Berlin, Tokio, Pekin, Madrid, Kiev, Gjenevë, Athinë, Dakar (kryeqytet i Senegalit), Kampala (kryeqytet i Ugandës), Xhedah (kryeqytet i Arabisë Saudite), Buenos Aires. Në të gjitha këto qytete, dr. Islam Lauka ka ngritur zërin e tij të fuqishëm për argumentimin shkencor të së drejtës së Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe për t’u njohur si subjekt ndërkombëtar.

Ja, e tillë është e kaluara (background) e dr. Islam Laukës në fushën e diplomacisë, një e kaluar kjo, të cilën, sipas bindjes sime, duhet ta kenë zili të gjithë ata që dëshirojnë t’i shërbejnë atdheut të vet me dinjitet kombëtar dhe me seriozitet të lakmueshëm shkencor.

Prandaj Kryeministri Berisha pati bërë një zgjedhje mjaft të qëlluar me emërimin e dr. Islam Laukës ambasador në Prishtinë. Sepse dr. Lauka, me përgatitjen e tij akademike, ishte figura më e përshtatshme për një post të tillë.

Në personin e dr. Islam Laukës, unë kam njohur diplomatin mendjehollë, i cili tërë aktivitetin e vet në diplomacinë shqiptare e pati vënë në shërbim të mbrojtjes së interesave tona shtetërore dhe kombëtare. Si një diplomat me integritet intelektual të admirueshëm, dr. Islam Lauka ka pas rënë në sy për shpirtin krijues dhe për qëndrimin e tij kritik ndaj shfaqjeve të servilizmit. Si një diplomat krenar dhe, kur e ka dashur puna, edhe sfidues ndaj shefave të tij, që, sipas radhës, shkonin e vinin në kolltukun e ministrit të jashtëm, atij i ka qëlluar të bjerë edhe pre e hakmarrjes së tyre, çka e ka paguar edhe me humbjen e vendit të punës.

Nga sa u pasqyrua më lartë, të krijohet bindja vetvetiu se ministri Bushati ka bërë një gabim të rëndë që dr. Islam Laukën e ka pushuar nga puna, duke e larguar përfundimisht nga shërbimi diplomatik. Diplomatët nuk përgatiten lehtë. Duhen vite të tëra që ata të kaliten dhe të ngrihen në nivelin e përfaqësuesve dinjitozë që vendin tonë të dinë ta përfaqësojnë me autoritet në tryezat e diplomacisë ndërkombëtare. Por, me sa duket, sipas këndvështrimit të ministrit Bushati, diplomatët shqiptarë u përgatitkan edhe “me një gdhendje me sqepar”.

Siç shihet, ministri Bushati, si përfaqësues i “Rilindjes Socialiste”, mezi paska pritur të bëhej ministër i jashtëm që të lante ca hesape të vjetra që “Rilindja” në fjalë paska pasur me dr. Islam Laukën. Nuk e di se cilat janë arsyet e lindjes së atyre hesapeve, por një gjë e di me siguri.

Kur në vitin 2005, dr. Islam Lauka u rikthye në shërbimin diplomatik, në gazetën “Zërit i Popullit” pata lexuar informacionin e mëposhtëm:

“Socialistët denoncojnë skandalet e shkarkimeve dhe të emërimeve jashtë çdolloj kriteri të funksionarëve të Ministrisë së Jashtme… Skandali lidhet me emërimin e Islam Laukës në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale në MPJ… Pra, përmes këtyre shkeljeve të rënda… caktohet një militant në krye të një drejtorie profesionale, pa eksperiencë diplomatike dhe pa asnjë gradë” (Citohet sipas: “Zëri i Popullit”, 05 nëntor 2005, f. 6).

Nga e dinte “Zëri i Popullit” që zoti Islam Lauka qenkej militant, që nuk paskej eksperiencë pune dhe kurrfarë grade?! “Zëri i Popullit”, me siguri, e dinte se kush ishte dr. Islam Lauka, i cili deri asokohe kishte shërbyer 11 vjet në diplomaci, kishte mbrojtur doktoratën dhe kishte marrë gradën shkencore “doktor i shkencave politologjike” në Akademinë Diplomatike të Moskës, por ajo mashtronte, shpifte qëllimisht, duke zbuluar faqe botës moralin e vet prej tribune të shpifografisë.

Në publicistikën e vet, dr. Islam Lauka është dalluar për qëndrimet e tij të qarta dhe parimore, në mbrojtje të së vërtetës historike për Çështjen Kombëtare Shqiptare në tërësi dhe për Çështjen e Kosovës në veçanti, përballë shpifjeve dhe mashtrimeve të publicistikës dhe të historiografisë shoviniste ruso-serbe. Në të njëjtën kohë, ai është pozicionuar prerë edhe kundër një aradhe servilësh në radhët e inteligjencies kosovare, të cilët, të krekosur si argatë të shovinizmit serborusomadh, kanë kërkuar të shpikin një “komb kosovar”, me të vetmin qëllim që kombi shqiptar të vazhdojë të mbetet i përçarë për interesat e grekosllavizmit.

Këto qëndrime prej diplomati dhe atdhetari të palëkundur të dr. Islam Laukës, sigurisht që kanë ngjallur edhe xhelozinë dhe urrejtjen ndaj tij nga ana e “Rilindjes Socialiste”, sepse në vetëdijen e saj prehet e heshtur dashuria që mbolli Enver Hoxha për sllavizmin që më 08 nëntor 1941. Që asokohe, përmes veglës së tyre të bindur dhe agjentit të regjur të Beogradit Enver Hoxha, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha mbollën farën e përçarjes së kombit shqiptar dhe filizat e dashurisë së komunistëve shqiptarë për sllavizmin. Prandaj një diplomat i karrierës, si ish-ambasadori, doktori i shkencave politologjike Islam Lauka, nuk mund ta vazhdonte më punën në diplomacinë shqiptare në kushtet e “Rilindjes Socialiste” në pushtet, e cila është trashëgimtare e veprës përçarëse të Enver Hoxhës në radhët e popullit shqiptar dhe simpantizante e heshtur e sllavizmit. Me siguri që edhe Beogradi, edhe Moska janë gëzuar për largimin e dr. Laukës nga shërbimi diplomatik, për të mos thënë që duhet të jenë vënë në dijeni paraprakisht prej “Rilindjes Socialiste” ose ka mundësi që edhe kjo e fundit të ketë marrë porosi prej tyre për pushimin e tij nga puna

Urrejtjen më të kulluar ndaj ish-ambasadorit Islam Lauka, e ka manifestuar ministri Bushati. Për këtë dëshmon më së miri fakti që ish-ambasadori, që prej 13 marsit të vitit 2014, kur pati përfunduar mandati i tij në Kosovë, dhe deri më 13 mars të vitit 2015, pra, një vit të tërë, ka pritur të takohet me ministrin Bushati, sipas kërkesës që i kishte bërë, por ministri nuk pranoi ta takonte. Me sa duket, ministri Bushati e ka shmangur takimin me dr. Islam Laukën se nuk ka qenë në gjendje ta përballonte ballafaqimin me të. A mund të imagjinohet në ndonjë vend të qytetëruar që ambasadori i tij të kërkojë të takojë ministrin e vet, madje të rri duke pritur edhe një vit të tërë, dhe ministri të mos pranojë ta presë? Një dukuri e tillë, sa e shëmtuar, aq edhe revoltuese, ndodh në Shqipërinë e “Rilindjes Socialiste”. Prandaj qëndrimin e ministrit Bushati ndaj ish-ambasadorit Islam Lauka, unë nuk mund ta vlerësoj ndryshe, përveçse paradoksal. Nuk e di se nuk kam informacion nëse ministrat paraardhës në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë mbajtur të njëjtin qëndrim, si ministri Bushati, ndaj ambasadorëve të tjerë të aftë që mund t’i kenë përjashtuar pa të drejtë nga shërbimi diplomatik, si ish-ambasadorin Lauka. Nëse raste të tilla kanë ndodhur, si me dr. Islam Laukën, ky është një turp për diplomacinë shqiptare. Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur një ambasadori i mbaron mandati në një shtet të caktuar, bisedohet paraprakisht me të për sistemimin e tij në punë. Madje për sistemimin në punë edhe të familjes së tij. Dhe s’mund të ndodhë ndryshe. Se këtu shtetit i thonë Shtet dhe demokracisë i thonë Demokraci.

 

 

Charlotte, Karolina e Veriut

18 prill 2015

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: