Hyrje > Shqiptarët e famshëm > Një shqiptar në shërbim të njerëzimit: Mehmet Akif Ersoj

Një shqiptar në shërbim të njerëzimit: Mehmet Akif Ersoj

Ma. Eduart CAKA

 

NJË SHQIPTAR NË SHËRBIM TË NJERËZIMIT: MEHMET AKIF ERSOJ

Eduart Caka

Eduart Caka

Abstrakt

Në këtë shkrim synohet të prezantohet tek lexuesi shqiptar mendimtari, poeti dhe aktivisti i madh turk me origjinë shqiptare Mehmet Akif Ersoj. Rëndësia e këtij punimi qëndron në faktin që, Mehmet Akifi është dëshmitar i shekullit më të gjatë të perandorisë Osmane i mbushur me dhimbje e vuajtje për të gjithë kombet që e formonin atë. Vetë poeti është dëshmitar dhe vuajtës i kësaj periudhe të vështirë, aspekt i cili e bën të rëndësishëm studimin e tij. Duke patur parasysh faktin që publiku i gjerë shqiptar nuk ka shumë dijeni rreth Mehmet Akifit këtu është trajtuar në vija të përgjithshme, pa u thelluar e pa bërë analiza të hollësishme jeta, krijimtaria e sistemi i mendimit të tij.

  1. a.    Koha e Akifit

Mesi i shek. XIX karakterizohet nga një vazhdë ngjarjesh të mëdha brenda Perandorisë Osmane, të cilat do e arrijnë kulmin me luftën ballkanike, shpërbërjen e kësaj Perandorie dhe si përfundim i këtij proçesi shpalljen e republikës Turke. Në aspektin politik e administrativ mund të thuhet që revolucioni Grek, lufta Ruso-Osmane, e më vonë formimi i Aleancës Ballkanike ishin faktorë kritikë që çuan në dobësimin ushtarak të Perandorisë. Lëvizjet nacionaliste dobësuan në mënyrë ekstreme fuqinë administrative e ushtarake të perandorisë, e cila përballej deri me një pushtim të vetë qendrës së saj. Mjafton të kujtojmë që u pushtua pothuajse e gjithë Turqia e sotme nga fuqitë e ndryshme, madje edhe Bursa që ishte kryeqyteti i parë i perandorisë me një distancë rreth 200 km larg Stambollit. Në anën tjetër dalja në skenën politike ndërkombëtare e fuqive të tjera të mëdha (duke patur parasysh që deri atëherë në Ballkan sundonte vetëm Perandoria Osmane), e në veçanti Perandoria Austro-Hungareze dhe Rusia (të cilat kishin interesa të drejtpërdrejta), do të krijonin një ekuilibër të ri të politik në gadishullin e Ballkanit. Thënë në një mënyrë tjetër, ekuilibri dhe sistemi politik e administrativ brenda Perandorisë Osmane dhe veçanërisht në Ballkan nuk ekzistonte më. Për më tepër suksesi i revolucionit francez dhe i republikës si formë qeverisjeje, vinte në pikëpyetje dhe monarkinë si formë shteti, që për një pjesë të mirë tanimë ishte de mode. Vetëdija që ndezi revolucioni francez krijoi konfuzitet në përbërjen shumë-kombëtare që formonte shoqërinë osmane. Veçanërisht shtetet ballkanike u vunë në pararojë të kësaj lëvizje me pasojë shpërbërjen e vetë perandorisë. Për më tepër dhe vetë kasta intelektuale e perandorisë ishte pesimiste në nevojshmërinë e vazhdimësisë së perandorisë.

Në aspektin ekonomik gjendja e perandorisë dhe e kombeve, që e formonin atë ishte tepër e vështirë. Zhvillimi i rrugëve detare ishte një goditje e madhe ekonomike për perandorinë, e cila ishte një urë lidhëse mes lindjes e perëndimit, e që Turqia përfitonte shuma të konsiderueshme vetëm nga doganat. Tashmë ky sistem nuk funksiononte më. Modernizimi dhe zhvillimi ushtarak i perëndimit dhe prapambetja e perandorisë në këta dy fusha, që kishin në themel ekonominë, e bënte të domosdoshme një reformë të gjerë në Perandorinë Osmane. Industrializimi, i cili i dha një hov të madh ekonomisë evropiane në Perandorinë Osmane nuk ndodhi dhe pse perandoria bëri përpjekje të rëndësishme siç ishte vetë Tanzimati. Sistemi i Tanzimatit ishte përpjekja e fundit me konsensusin e intelektualëve osmanë, për të ndërtuar një ekuilibër të qëndrueshëm në gjendjen e dobët ekonomiko-politike, në të cilën perandoria gjendej. Lindja e burimeve të largëta ose kolonizimeve pati një impakt të madh në pasurimin e zhvillimin ekonomik te fuqive të mëdha, e në anën tjetër një varfërim të ekonomisë Osmane, e cila deri atëherë ishte tregu furnizues i fuqive të tjera. Një faktor tjetër tepër kryesor në varfërimin e perandorisë ishte dhe angazhimi në shumë luftëra, apo aksione ushtarake brenda dhe jashtë perandorisë, të cilat përbënin fatura tepër të mëdha për buxhetin e Perandorisë Osmane.

Një përbërës tjetër shumë i rëndësishëm i jetës sociale brenda perandorisë Osmane, që ishte në një moment krize ishte dhe elementi kulturor. Duke patur parasysh modernizimin dhe përparimin në aspektin ekonomik e kulturor të shoqërisë perëndimore, një pjesë e mirë e intelektualëve osmanë, pësuan një panik, i cili u pasua me një krizë identiteti. Sidomos në fillim të viteve 1900, kjo krizë pësoi rritje tek intelektualët, ku në popull do të pasqyrohej me një imitim apo dhe adhurim të kulturës perëndimore. Kultura e salloneve, veshjeve, të folurit e frëngjishtes, muzika e shumë elemente të tjerë, ishin moda e kohës, e cila depërtoi deri brenda Portës së Lartë. Në këtë kontekst, edhe grupi i intelektualëve me konservatorë do të karakterizohet nga momente mëdyshjesh. Edhe vetë tek Akifi, apo tek kategoria e mendimtarëve të ngjashëm me të, vihen re luhatje, apo mëdyshje në vijën e mendimit apo shkrimet e tyre. Kjo mëdyshje, asnjëherë nuk duhet kuptuar në ndryshim, apo mëdyshje qëllimi, apo bindjeje, por në luhatje të përkohshme ndoshta edhe me karakter emocional. Duke parë ndryshueshmërinë mes përkatësisë fetare të perëndimit e asaj te Osmanëve, e cila përbënte dhe identitetin kryesor të përkatësisë brenda perandorisë, një pjesë e mirë e intelektualëve nisën të pëshpërisin më tepër madje dhe të debatonin disa elemente, që deri atëherë ishin tabu. Qasja e shteteve të reja evropiane kundrejt kishës dhe vendosja e laicizmit e prangosja e fesë, si një element mes personit dhe Perëndisë, si një prej shtyllave kryesore te shteteve perëndimore ishte një tjetër shkak debatesh të mëdha tek intelektualët osmanë.

Ja pra, Mehmet Akif Ersoj lindi në një periudhë të vështirë ekonomike, politike e kulturore për shoqërinë, perandorinë e qytetërimin të cilit i përkiste. Padyshim, që këta elemente do të ndikojnë thellësisht në jetesën, në formimin intelektual, për pasojë dhe në poezinë e tij. Si një person aktiv dhe i ndjeshëm ndaj problemeve të shoqërisë, shkrimi, mendimi, aktiviteti dhe përpjekjet e Mehmet Akif Ersojit duhet të trajtohen në këtë kontekst.

  1. b.   Një jetë plot përpjekje

Sipas të dhënave, Mehmet Akif Ersoj lindi në lagjen Fatih të Stambollit, në muajin Shevval të vitit 1290 Hixhri (Nëntor ose Dhjetor 1873) dhe ndërroi jetë më 27 Dhjetor 1936 po në Stamboll. Babai i tij Tahir efendiu ishte i biri i Nuredin Agait nga fshati Shushicë e Pejës dhe njëri ndër mendimtarët e kohës. Në të njëjtën kohë ai ishte dhe mësues në medresenë e Fatihut në Stamboll. Siç shprehet dhe vetë Akifi, mësimet e para dhe në veçanti leximin e Kur`anit dhe gjuhën arabe i ka mësuar nga babai i tij. Ndërsa e ëma e Mehmet Akifit ishte zonja Emine Sherife me origjinë nga Buharaja.[1] Po të vihet re familja e tij është një shembull tipik i shoqërisë osmane; babai nga perëndimi, nëna nga lindja, që jetojnë në metropolin e botës, në Stamboll. Këtë aspekt e thekson dhe njëri ndër poetët më të mëdhenj turq Sezai Karakoç, i cili shprehet që, si në anën biologjike, ashtu dhe në atë intelektuale, Mehmet Akif Ersoji përbën një sintezë mes Lindjes dhe Perëndimit.

Për sa i përket jetës së tij familjare dimë që Mehmet Akifi është martuar në moshën 25 vjeçare me zonjën Ismete. Edhe pse patën një jetë të vështirë në aspektin ekonomik, duke patur parasysh faktin, që Mehmet Akifi i harxhonte të ardhurat për idealet e tij, mësojmë që patën një jetë të lumtur familjare. Këtë aspekt Mehmet Akifi e thekson dhe në një poezi, të cilën ai i dedikon bashkëshortes së tij. Nga martesa e tyre mësojmë që patën 6 fëmijë, emrat e të cilëve ishin Xhemile, Feride, Suat, Ibrahim Naim, Emin dhe Tahir.

Në lidhje me karakterin, jetën dhe veprimtarinë e tij na kanë ardhur shumë dokumente, ku më të rëndësishmet janë kujtimet e shokëve e miqve të shumtë të tij. Madje dhe vetë djali i Akifit ka shkruar në lidhje me jetën e të atit, duke prekur deri te anët më private të familjes, gjë që e bën më të thjeshtë dokumentimin dhe shkrimin e jetës së Akifit. Sipas kujtimeve të miqve të tij mësojmë që, përveç anës zyrtare të Akifit, në të cilën ai njihet si tepër serioz, madje dhe i vazhdë në jetën personale por me miqtë na paraqitet shumë i gjallë. Ai kishte një interes dhe dije të hollësishme rreth muzikës lindore e perëndimore, merrej me sporte të ndryshme, si hedhjen e gjyles, mundjen dhe ecjen në distanca të gjata. Ai ishte gazmor në biseda, madje bënte edhe shaka e batuta me miqtë e tij. Sipas kujtimeve të shumta, del në pah se bisedat apo takimet me miqtë e tij, karakterizoheshin nga recitimi i poezive, këndimi i ilahive e këngëve të ndryshme.[2] Ai ishte shumë korrekt dhe i përpiktë në marrëdhëniet me miqtë dhe njerëzit e tjerë që e rrethonin. Nga kujtimet rreth tij, mësojmë që kjo anë përbënte njërin ndër virtytet më të rëndësishme që e karakterizonin atë.

Ai kishte mbaruar shkollën e veterinarisë, por gjatë jetës së tij përveç shkrimit do të ushtrojë punë e detyra të ndryshme si: mësues i gjuhës turke në shkolla të ndryshme, punonjës i shtetit, mësues letërsie, deputet, pjesëmarrës në luftë, drejtues fetar, shkrues për revista, pjesëmarrës dhe drejtues në organizata të ndryshme, si dhe ka udhëtuar si i ngarkuar nga shteti në vende të ndryshme, si Berlin, Egjipt, Liban, Arabi, Shqipëri etj.[3] Në ditët e sotme nxirret në pah vetëm ana poetike e Mehmet Akif Ersojit, ose më mirë vjersha, që ai shkroi e që u zgjodh si himni i Turqisë. Por edhe ana aktiviste e tij ishte tepër e rëndësishme. Mjafton të përmendet fakti që, ai dhe pse ishte i angazhuar në punë nuk mund të rrinte duarlidhur dhe mori pjesë në luftën e Çanakkalasë. Pas lufte ai do të marrë pjesë në parlament, duke mbrojtur të drejtat e qytetarëve të vendit të tij. Kur e kërkon nevoja ai do të lëvizë çdo cep të vendit për t’i udhëzuar ose për t’u transmetuar atyre dijet fetare. Po me vendim parlamenti dhe me propozim të Bashkësisë së Punëve Fetare ai u caktua të bëjë përkthimin e Kur’anit më 21 Shkurt 1925.[4] Do të bashkëpunojë dhe në një revistë të rëndësishme për kohën si Sebilürreşad, ku në shumicën e rasteve do të përkthejë dhe dijetarët e kohës në gjuhën turke për t’i prezantuar mendimet e tyre rreth problemeve të kohës. Pra veprimtaria e tij është e lidhur ngushtë me të gjitha problemet e nevojat e kohës.

Karakteri dhe virtytet e tij ishin të qarta e të pastra. Ata ishin stolisur me besimin e tij, Islamin. Nga kujtimet për të del në pah se faktori më kryesor i karakterit të tij ishte besa ndaj vendit, shoqërisë e miqve të tij. Poezitë e tij janë shkruar gjithmonë për të tjerët. Të gjithë miqve të tij ai iu ka dedikuar poezi. Të gjithë shokët e tij flasim për bujarinë e madhe që e karakterizonte Mehmet Akif Ersojin. Duke patur parasysh se kur ishte në moshën 14 vjeçare i ishte djegur shtëpia dhe të gjithë jetën e kishte kaluar në shtëpi me qira, ai ishte shumë bujar me të tjerët. Ja çfarë transmeton një mik i tij: “Një natë na pati ftuar për çaj në shtëpinë e tij. Teksa po bëheshim gati të shkonim, ai po vinte me shpejtësi drejt nesh dhe tha: sonte çajin do e pimë te ju. Padyshim që u gëzova por dëshiroja të dija dhe arsyen. Kur e pyeta m’u përgjigj duke qeshur: qilimin e dhomës sonë ia kishin dhënë një të varfëri.”[5]

Akifi kishte një jetë tepër të vështirë dhe shumë herë me pengesa, por të gjitha këta nuk përbënin asnjë pengesë për të sepse ai kishte një mision tepër të qartë. Në aspektin ekonomik ai pati një jetë të vështirë për arsye se kur ishte në moshë të re atij iu dogj shtëpia dhe paskëtaj të gjithë jetën do e kalonte me qira, sepse të gjitha të ardhurat e veta do t’i harxhonte në shërbim të idealeve të tij. Edhe vdekja atë e gjeti në shtëpinë e njërit ndër miqtë e tij më të afërt, Said Halim Pashës, i cili ishte nipi i Mehmet Aliut të Egjiptit, pra me origjinë shqiptare.[6] Tek ai nuk ka nënshtrim. Akifi nuk hesht kundrejt padrejtësive. Këtë e shohim në poezinë e tij, por dhe në jetën e tij. Transmetohet që, kur ai ishte nëndrejtor në një shkollë dhe në një rast kur drejtori i shkollës pezullohet nga puna në një mënyrë të padrejtë Mehmet Akifi jep menjëherë dorëheqje si reagim kundrejt kësaj padrejtësie.[7] Ai i njihte nga afër problemet e kohës dhe pikërisht kjo arsye e shtynte atë të ishte tepër i ndjeshëm kundrejt këtyre problemeve. Vetëm në këtë kontekst mund të shpjegohet veprimtaria, poezia dhe jeta e Mehmet Akifit.

Për të kuptuar dhe një herë karakterin e Mehmet Akif Ersojit mjafton të shihet dhe mënyra e shkrimit të Himnit të Flamurit. Nevoja për një himn u zyrtarizua me një shpallje gare nga parlamenti më 7 nëntor 1920 dhe u caktua një shumë prej 500 lirash, si shpërblim për fituesin e konkursit. Hasan Basri Çantaji rrëfen se propozimeve për pjesëmarrje Akifi i refuzonte, duke thënë se pas kësaj moshe nuk futej në garë e të merrte dhe para për diçka tepër të rëndësishme siç ishte himni. Dhe pse pranë parlamentit u dorëzuan mbi 700 vjersha të ndryshme, asnjëra nga ata nuk u pa në lartësinë e duhur për t’u bërë himn kombëtar. Dhe pse i ishte shkruar një kërkese zyrtare për të marrë pjesë në konkurs, Akifi e kishte refuzuar atë. Me një “lojë” të mikut të tij Hasan Basri Çantajit, sikur i kishte dhënë fjalë në emër të Akifit zyrtarëve për shkrimin e himnit me kusht që të anullohej kushti i shpërblimit për fituesin, u bë e mundur që Mehmet Akif Ersoj të ndërmarrë hapin për shkrimin e himnit, të cilin e mbaroi në dy ditë dhe që u pranua njëherazi nga parlamenti me 12 Mars 1921.[8] Poezinë e himnit ai e ka lënë jashtë librit të tij Safahatit, duke thënë që atë e ka lënë në zemrën e kombit turk.

Ai bëri një jetë tepër aktive, sepse Akifi ishte i vetëdijshëm, që në rrethanat në të cilat gjendej qytetërimi i tij, nuk kishte kohë për të humbur. Ai do të kontribuonte me jetën, pasurinë, mendimin, poezinë e shpirtin e tij, deri në frymën e fundit për idealet që ai mbartte. Kontributi dhe veprat e tij duhen trajtuar në mënyrë tepër të kujdesshme, sepse kjo ishte periudha kur një perandori qindra vjeçare do të kthehej në një republikë. Në këtë proçes detyra më e rëndësishme binte mbi intelektualët, të cilët me shkrimet, konferencat apo ligjëratat e sjelljen e tyre, duhet të motivonin një shoqëri të dobët psikologjikisht e materialisht. Në këtë kontekst duhet të shihet dhe veprimtaria e tij, e cila pasqyronte karakterin e poetit të madh.[9]

  1. c.    Një stil i veçantë shkrimi

Para se të trajtojmë anën teknike të shkrimeve të Mehmet Akif Ersojit, le të hedhim një sy mbi shkrimet e tij në përgjithësi. Ai ka nisur të shkruajë që në moshën dymbëdhjetë vjeçare dhe poezitë e tij janë botuar në revista të ndryshme, qëkur ai ishte në shkollë. Një pjesë e mirë e shkrimeve të tij u botuan në revista të ndryshme si Resimli Gazete, Serveti Fünun, e që nuk janë brenda Safahatit. Mendimet e tij politike kryesisht janë në formën e shkrimeve, kritikave, apo dhe përkthimeve të ndryshme të botuara në revistat Sırat-ı Müstakim dhe Sebilü’r-Reşad në të cilat ka qenë aktiv.[10] Vepra më kryesore e tijSafahati përbëhet nga shtatë libra të botuara veç kur ishte ai gjallë dhe të përmbledhura në një vëllim të vetëm pas vdekjes së tij. Ai ka 11.240 strofa.[11] Përveç anës poetike Mehmet Akif Ersoj ka qenë shumë frytdhënës edhe në shumë fusha të tjera duke lënë pas një korpus të larmishëm. Shkrimet e tij mund të përmblidhen në kategori të ndryshme si; shkrime rreth personave të ndryshëm, shkrime mbi fenë e atdheun, shkrime mbi gjuhën, vlerësime ose kritika rreth librave të ndryshëm, shkrime mbi poezinë, mbi letërsinë dhe rregullat e shkrimit, shkrime rreth edukimit dhe dijes, përralla e fabula, përkthime të ndryshme nga dijetarë të kohës etj.[12]

Poezia e Akifit është shumë e qartë sepse ajo mbart një mision përbrenda. Për këtë arsye shkrimi i tij mund të konsiderohet si i veçantë në krahasim me shkrimet apo poezinë që lexojmë te poetët e tjerë në përgjithësi. Safahati nuk është një libër me poezi në të cilat ka një brendësi të lartë artistike, pasi ai nuk ka si qëllim këtë, duke qenë se ai duhet ta përçojë sa më parë mesazhin tek lexuesi. Problemi i tij parësor janë prapambetja, varfëria, vuajtja, pushtimi, shpëtimi i shoqërisë dhe për këtë arsye aspekti artistik e humbet rëndësinë.[13] Përmbajtja e shkrimeve të tij përputhet në mënyrën më të qartë me realitetin, gjendjen emocionale dhe mendore të Mehmet Akifit dhe personazheve të tij. Për këtë arsye çdo gjë që ai ka shkruar i dedikohen diçkaje, të gjitha fjalët që ai përdor shkojnë në një adresë të mirëmenduar e të saktë. Këtë aspekt ai e pohon edhe vetë duke u shprehur: “Qëkur e pashë veten time para popullit tim, desha të mendoj shoqërinë para artit tim”.[14] Të gjithë librat e Safahatit janë shkruar në konteks të ngjarjeve historike të kohës së Akifit dhe përçojnë tek lexuesi brengën e tij, qëndrimin dhe zgjidhjen që Akifi i jep problemit të trajtuar. Akademikët e shumtë që kanë bërë studime mbi veprat e tij e cilësojnë Safahatin, si argumentin dhe dëshminë më të gjallë të rënies së perandorisë.[15]

Për këtë arsye mënyrën e të shkruarit të tij mund ta vëmë re edhe te disa poetë, apo shkrimtarë, të cilët përçonin të njëjtat mesazhe me Akifin. Kjo ngjashmëri formohet në kontekstin ideologjik, pasi janë mendimet e ndjenjat e përbashkëta të këtyre poetëve, të cilët mbartin të njëjtat brenga në lidhje me gjendjen e perandorisë. Ndërsa në këndvështrimin artistik mund të thuhet që nga studimet që janë bërë mbi veprat e tij, vihet re që Mehmet Akif Ersoji është ndikuar nga disa poetë të kohës. Ky aspekt vihet re në poezitë e para që Akifi kishte botuar në revista të ndryshme në rininë e tij dhe në poezitë e para të Safahatit. Të gjithë kritikët e pohojnë faktin që në një pjesë të poezive të tij Mehmet Akifi është ndikuar nga Zija Pasha, Mualim Naxhiu dhe Abdulhak Hamidi. Sipas kritikëve, poezitë e tij të hershme karakterizohen nga një mëdyshje apo kërkim strukturor, ndërsa në aspektin e përmbajtjes qëndron lart teza që ai është ndikuar nga Zija Pashai dhe Abdulhak Hamidi.[16]

Nga analizat që kritikët letrarë kanë bërë mbi poezinë e Akifit eSafahatin në veçanti, një pjesë e mirë e kritikëve shprehen që poezia e tij më tepër se mjeshtërinë artistike mbart një mision. Si një shembull i kësaj teze përmendet fakti që në poezitë e Mehmet Akifit ka një dendësi të madhe fjalësh. Sipas kritikëve është e vërtetë që poezia shkruhet me fjalë, por fjalët duhen kursyer. Do të thotë që poezia e mirë është të përçuarit e mesazhit me sa më pak fjalë. Si pasojë mund të thuhet që poezia e Akifit më tepër se një vepër artistike është funksionale. Duke patur parasysh faktin që fjalët në poezinë e tij e kanë gjithnjë një adresë, atëherë teza e poezisë funksionale merr rëndësi.[17] Në këtë kontekst mund të thuhet që poezia e Mehmet Akif Ersojit është edukuese. Përmes problemeve, dialogjeve, ndjenjave që trajtohen në shkrimet e tij, Akifi mundohet ta përçojë mendimin dhe zgjidhjen, që ai i jep problemit të trajtuar në poezi. Në këtë rast lexuesi bëhet vetë pjesë e ndjenjave që përçohen me anë të poezisë, por në të njëjtën kohë kalon edhe një proçes edukimi përmes poezisë së Akifit.

Tematika e shkrimeve të tij është e lidhur ngushtë me sistemin e mendimit të tij dhe me problematikat e shoqërisë. Pikërisht këtu fshihet dhe një lidhje emocionale mes lexuesit shqiptar dhe Mehmet Akif Ersojit. Ai e shpreh në këtë mënyrë shqetësimin për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej atdheu:

“Për shkak të hallit të tre të patruve, një popull tre milion

Pa shih si grihet! Ngrihu, ati im nga varri ku po pushon!

Të gjallët s’vrapuan në ndihmë, të paktën ti u shko…

Shqipëria digjet…. Dhe, kësaj radhe, për tmerr!”[18]

Po në librin e katërt të Safahatit ai jep shembullin e Shqiptarëve për tragjedinë që përjetonte shoqëria e kohës së tij:

“Ndërsa keni për shembull shqiptarët, ç’është ende

Kjo politikë e ngatërruar, kjo çështje pa kuptim?

Më duket se biri juaj nuk e njeh rrugën kah kalon…

Përzejeni, më në fund, hajdutin që ju udhëzon!

Dëgjomëni mua që po, jam shqiptar….

S’kam tjetër ç’them… Vendi im i mjerë!…”[19]

  1. d.   Sistemi i mendimit të Akifit

Në aspektin ideologjik, Mehmet Akif Ersoji është shumë i qartë dhe mendimi i tij përputhet plotësisht me personalitetin dhe veprimtarinë e vetë poetit. Kjo varet edhe nga përgatitja e shëndoshë mendore, që ai kishte kaluar. Përveç njohjes shumë të mirë të gjuhëve dhe shkencave orientale e fetare, Mehmet Akifi kishte dijeni shumë të detajuar dhe të mendimit dhe figurave kryesore perëndimore. Që në rininë e tij Akifi ishte njohur dhe kishte lexuar Shekspirin, Hygoin, Lamartinin, Rusoin, Renanin, Zolan e shumë mendimtarë të tjerë perëndimorë.[20] Në këtë kontekst bëhet më i kuptueshëm koncepti i mendimit të Akifit. Sistemi i mendimit të tij bazohet në një ideologji të kristaltë, e cila pasqyrohet në veprimtarinë dhe shkrimet e tij. Nisur nga shkrimet dhe veprimtaria e tij mund të thuhet që mendimi i Mehmet Akif Ersojit është i përmbledhur një fjali të famshme tijën: “Ta marrim frymëzimin drejtpërdrejt nga Kur’ani; e ta shprehim Islamin sipas konceptimit të kohës”.[21]

Nuk ka dyshim që mendimi i Mehmet Akif Ersojit pasqyrohet qartazi në veprën e tij “Safahat”. Libri i gjashtë i Safahatit me titull Asimi, flet për një djalosh me emrin Asim, i cili jetonte në Stamboll. Asimi na paraqitet si një njeri i fuqishëm, me trup të bëshëm, i cili në të njëjtën kohë merret dhe me sportin e mundjes. Përveç anës sportive Asimi është shumë i suksesshëm edhe ne mësime dhe veçanërisht në shkencat ekzakte. Ndërsa në aspektin shpirtëror, ai është një besimtar i mirë dhe respektues e mbartës i vlerave. Me anë të këtij libri Mehmet Akif Ersoji i paraqet lexuesit të riun e tij ideal, i cili është fizikisht i fuqishëm, zotërues i zhvillimeve më të fundit të shkencës, por edhe praktikues fetar e mbartës i vlerave pozitive për shoqërinë. Në realitet Asimi është vetë dëshira e Mehmet Akif Ersojit për rininë e shoqërisë në të cilën ai jetoi dhe dha kontributin e tij. Në fakt ky shembull e shpjegon më së miri edhe thënien e tij që shembull duhet të jetë Kur’ani, por ai duhet transmetuar tek të tjerët me gjuhën e kohës apo rrethanave në të cilën ndodhet individi.

Në një këndvështrim më të gjerë mund të thuhet që mendimi i Akifit nuk është unik. Ai është formuar në raport me gjendjen politike, ekonomike e kulturore të qytetërimit të cilit i përkiste. Ashtu si ka njerëz, të cilët kanë ndjenja e mendime të përbashkëta edhe qytetërimet mbartin të njëjtat elemente. Në këtë kontekst është normale që Akifi dhe misioni e shkrimet e tij, të kenë “shokë të tjerë” në Turqi, Lindje të Mesme apo në botën Arabe. Muhammed Abduh, Xhemaleddin Afgani, Musa Xharullah dhe Reshid Riza, janë disa nga këta dijetarë, me të cilët Akifi tregon ngjashmëri në mendimet dhe shkrimet e tij.[22] Nga studimet e bëra vihen re paralelizma të mëdha mes shkrimeve të Mehmet Akif Ersojit me ata të dijetarit dhe aktivistit të madh Muhammed Ikbal. Që të dy mbartin të njëjtat brenga, të njëjtat ideale e mendime dhe recetat që i japin shoqërisë janë të ngjashme.[23] Brenga e tyre nuk kishte lidhje me një grup, shoqëri apo komb. Ata i shihnin dhe i trajtonin çështjet në prizmin e qytetërimit. Këtë aspekt e shohim qartë në Safahatin e Akifit, ku ai shkruan për problemet e shoqërisë duke filluar nga Lindja e largët, deri në Ballkanin e Andaluzinë mesdhetare. Akifi në Turqi e Ikbali në Indi përjetonin me zemra të plagosura gjendjen e vështirë në të cilën gjendeshin vendet e tyre. Ata ishin dy bilbilë, që vajtonin fatin e dhimbshëm të popujve të tyre. Përveç të qënurit aktiv në jetën sociale, ata të dy e dhanë luftën e tyre me poezitë e shkrimet që ata nxorën, tematika e të cilave ishin rrugëzgjidhjet për problemet e shoqërisë pjesë e së cilës ishin.

Nuk ka dyshim, që boshti i mendimit të tij është këndvështrimi Islam i sistemit të mendimit në tërësi. Mehmet Akif Ersoj është njëri ndër figurat më kryesore të mendimit Islam në fillimet e shekullit të XX. në Turqi. Për këtë arsye Mehmet Akif Ersoji është konsideruar si figurë model në zhvillimin e mendimit dhe ideologjisë Islame të kohëve moderne. Në citatin e mësipërm, në të cilin është përmbledhur e gjithë filozofia e Mehmet Akif Ersojit, janë dy pika kryesore që për Akifin janë gurë kilometrikë në zgjidhjen e problemeve në të cilat gjendej qytetërimi të cilit i përkiste. Pika e parë konsiston në aspektin që për zgjidhjen e problemeve dhe dobësive që tregonte shteti e shoqëria osmane ekzistonte vetëm një recetë shërimi, i cili ishte Kur’ani. Pra ideologët, administrata, qeverisësit dhe kasta udhërrëfyese e shoqërisë osmane, duhet të mbështeteshin tek principet Kur’anore për të dalë nga gjendja e mjerueshme në të cilën gjendej perandoria. Ndërsa pika e dytë konsistonte në aplikimin e këtyre principeve në përputhje me gjuhën, metodat dhe nevojat e kohës.

  1. e.    Përfundim

Si përfundim mund të themi që, kombi shqiptar përgjatë shekujve i ka dhënë shumë bij njerëzimit. Është e vërtetë që ne si komb nuk i kemi dhënë një qytetërim njerëzimit, por bijtë e këtij kombi kanë shkëlqyer në përparimin e njerëzimit. Shqiptarët kanë dhënë kontribute të mëdha si perandorive të qytetërimit perëndimor, ashtu dhe atyre lindore. Njëri ndër këta njerëz të mëdhenj që i kanë shërbyer njerëzimit, pa dyshim është dhe Mehmet Akif Ersoj. Ky njeri vlerash me origjinë nga fshati Shushicë i Pejës, është shkruesi i himnin të flamurit turk, por dhe njëri ndër mendimtarët dhe aktivistët më të mëdhenj turq të shekullit të kaluar.

Mehmet Akifi na del përpara, si një njeri idealist, si në mendime, ashtu edhe në shkrimet dhe veprimtarinë e tij. I gjendur përballë vështirësive të mëdha në të cilat po kalonte qytetërimi të cilit i përkiste por dhe e gjithë bota, ai e ndiente shumë thellë hidhërimin dhe dhimbjen e shkaktuar në shoqëri. Si një idealist që ishte, Mehmet Akif Ersoji ka kontribuar fizikisht, shpirtërisht e materialisht në plotësimin e idealeve të tij dhe orientimin e shoqërisë drejt vlerave njerëzore. Ai është një bilbil që vajton dhimbjen që ndiente shoqëria të cilës i përkiste. Dy nga shtatë librat që formojnë librin e tij Safahatin, i janë dedikuar veçanërisht luftës ballkanike në të cilën humbën jetën me miliona njerëz të pafajshëm, u shkatërrua e u varfërua i gjithë gadishulli ballkanik. Ai ndien dhimbje e vuajtje për problemet në të cilat gjenden bashkëkombësit e tij, aspekt të cilin e shpreh në poezi të ndryshme kushtuar Kosovës. Problemet e ndarjes së Shqipërisë e trojeve shqiptare dhe sulmet që iu bëheshin këtyre trojeve, zënë një vend të veçantë në botën e tij shpirtërore dhe pasqyrohen gjithashtu edhe në veprën e tij.

Për fat të mirë sot vepra e tij Safahati gjendet e përkthyer dhe në gjuhën e origjinës së Akifit, pra në shqip. Duhet falenderuar përkthyesit por duhet inkurajuar dhe lexuesi ta lexojë vetë Mehmet Akif Ersojin. Rreth tij janë shkruar shumë, por mes tyre ia vlen të theksohen disa më kryesoret. Një ndër punimet më kryesore rreth Mehmet Akif Ersojit është libri Mehmet Akif Hayatı, Eserleri ve Yetmiş Muharririn Yazıları i botuar në Stamboll në dy vëllime i vitit 1939 ku kanë kontribuar dijetarët e intelektualët më të mëdhenj turq të shekullit XX. Në të vërtetë vetëm ky punim është mëse i mjaftueshëm për të treguar figurën shumë-dimensionale dhe karakterin e mendimin e Mehmet Akif Ersojit. Në Turqi çdo vit organizohen konferenca, panele shkencore, sipoziume e mbrëmje letrare në nder të kësaj figure të madhe. Dhe nëse në Turqi rreth tij janë shkruaj mbi dyqind libra e me mijëra ese për fat të keq në Shqipëri ai nuk njihet shumë. Por edhe pse kanë kaluar mbi njëqind vjet nga shkrimet e tij, vërejmë që tematika dhe problemet e trajtuara në ata shkrime, janë shumë koherente me problemet e ditëve të sotme në këtë gjeografi. Kjo tregon madhështinë e Mehmet Akifit, por edhe nevojën e hulumtimit të mëtejshëm e të vazhdueshëm të veprave të tij.

 

Referenca

Ayçil, Ali, “Dördüncü Kitap (Fatih Kürsüsünde) İçin Dolaylı Bir Şerh”, Karakter Abidesi ve BirÇığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008.

Çağın, Sabahattin, “Akifin Kişiliğine Dair”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008.

Çantay, Hasan Basri, “Anılarda Akif”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008.

Erol, Murat, “Sath-ı Vatan ya da Mehmet Akıf Ersoy’un Makaleleri”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008.

Ersoj, Mehmet Akif, Fletët, Përkth. Mithat Hoxha, Logos-A, Shkup 2006.

Ersoy, Mehmet Akif, Safahat, AkvaryumYayınevi, İstanbul 2006.

Hece Dergisi, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Sy. 133, Ankara 2008.

Kara, Mustafa, İstiklalimizin Bülbülü Mehmet Akif Ersoy, Özal Matbaası, İstanbul 2012.

Okay, Orhan, “Mehmet Akif’in Karakteri ve Sanatı”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008.

Okay, M. Orhan, Düzdağ, M. Ertuğrul, “Mehmet Akif Ersoy Maddesi”, TDV Islam Ansiklopedisi, C. XXVIII, Ankara.

Özalp, N. Ahmet, Said Halim Paşa: Tüm Eserleri, Anka Yayınları.

Özdenören, Rasim, “Müslüman Bir Düşünür Olarak Mehmet Akif’in Çelişkileri”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008.

Şahin, Mustafa, “Mehmet Akif/ Muhammed İkbal Ümmet-i Muhammedin Mahzun İkizleri”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008.

Taşdelen, Vefa, “Safahat’ın Eğitim İmaları”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008.


[1] Ersoy, Mehmet Akif, Safahat, AkvaryumYayınevi, İstanbul 2006, s. XIII; Për të dhëna më të detajueshme rreth jetës, shkrimeve dhe veprimtarisë së Mehmet Akif Ersojit shiko dhe përkthimin Shqip të Safahatit: Ersoj, Mehmet Akif, Fletët, Përkth. Mithat Hoxha, Logos-A, Shkup 2006:66.

[2] Çantay, Hasan Basri, “Anılarda Akif”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008:541.

[3] Për të dhëna më të detajuara rreth jetës së Mehmet Akifit shiko: Kara, Mustafa, İstiklalimizin Bülbülü Mehmet Akif Ersoy, Özal Matbaası, İstanbul 2012:11-39.

[4] Okay, M. Orhan, Düzdağ, M. Ertuğrul, “Mehmet Akif Ersoy Maddesi”, TDV Islam Ansiklopedisi, C. XXVIII, Ankara, s. 433.

[5] Çantay, s. 527-528.

[6] Özalp, N. Ahmet, Said Halim Paşa: Tüm Eserleri, Anka Yay., s. 7.

[7] Çağın, Sabahattin, “Akifin Kişiliğine Dair”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008:618.

[8] Okay, Düzdağ, s. 433.

[9] Hece Dergisi, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Sy. 133, Ankara 2008:4.

[10] Erol, Murat, “Sath-ı Vatan ya da Mehmet Akıf Ersoy’un Makaleleri”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008:182.

[11] Okay, Düzdağ, s. 436.

[12] Për të dhëna me të detajueshme rreth tematikës së shkrimit të Mehmet Akif Ersojit shiko: Erol, s. 183-194; Gjithashtu për bibliografinë e shkrimeve, përkthimeve shiko: Kara, s. 41.

[13] Taşdelen, s. 149.

[14] Okay, Orhan, “Mehmet Akif’in Karakteri ve Sanatı”,Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008:9.

[15] Ayçil, Ali, “Dördüncü Kitap (Fatih Kürsüsünde) İçin Dolaylı Bir Şerh”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008:288.

[16] Okay, Düzdağ, s. 436.

[17] Taşdelen, Vefa, “Safahat’ın Eğitim İmaları”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008:149.

[18] Ersoj, f. 281.

[19] Ersoj, f. 284.

[20] Okay, Düzdağ, s. 434.

[21] Erol, s. 184.

[22] Özdenören, Rasim, “Müslüman Bir Düşünür Olarak Mehmet Akif’in Çelişkileri”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008:73.

[23] Şahin, Mustafa, “Mehmet Akif/ Muhammed İkbal Ümmet-i Muhammedin Mahzun İkizleri”, Karakter Abidesi ve Bir Çığlık Olarak Mehmet Akif Özel Sayısı, Hece Dergisi, Sy. 133, Ankara 2008:56.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: