Hyrje > Ballkanologji > Një deklaratë absurde e presidentit italian Serxhio Matarela

Një deklaratë absurde e presidentit italian Serxhio Matarela

Prof. dr. Eshref YMERI

 

NJË DEKLARATË ABSURDE E PRESIDENTIT ITALIAN SERXHIO MATARELA

Eshref Ymeri

Eshref Ymeri

Para pak ditësh, presidenti italian bëri një vizitë në Beograd. Përmes shtypit është dhënë një njoftim për një deklaratë absurde që ai paska bërë në parlamentin e Serbisë. Në atë njoftim thuhet:

“Presidenti italian në fjalën e rastit në Parlamentin e Serbisë ka thënë një të pavërtetë të madhe.

Të qëllimshme apo jo, por ai, ndër të tjera, thotë:

“Rrënjët e marrëdhënieve tona, atyre mes Serbisë e Italisë, janë të thella, ndër shekuj në histori. Serbia ka nxjerrë nga gjiri i  saj 17 perandorë romakë, ndër të cilët veçohet figura e Konstandinit”.

Që kur paska qenë Konstandini serb?! Ndoshta presidenti Matarela ka nevojë për t’u thelluar pak më shumë në histori, ose ngatërron serbët me ilirët” (Citohet sipas: “Presidenti italian bën çorbë historinë: Konstandini serb!”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Koha Jonë”. 28 maj 2015).

Pas kësaj deklarate absurde të presidentit italian në parlamentin e Serbisë më 25 maj 2015, çdo lexues apo teleshikues, normalisht, shtron një pyetje të thjeshtë:

 

Po kush është ky presidenti italian?

 

Presidenti Serxho Matarela (Sergio Mattarella) ka lindur në Palermo (Sicili) më 23 korrik 1941. Njihet si jurist dhe politikan, si anëtar i gjashtë kabineteve qeveritare në periudhën mes viteve 1987-1990 dhe 1998-2001, si anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Italisë prej vitit 2011 deri në vitin 2015. Është zgjedhur president i Italisë më 03 shkurt 2015.

 

Po çfarë shkollimi ka presidenti italian Matarela?

 

Ai ka ndjekur liceun e jezuitëve në San Leone Magno në Romë dhe Gonzaga në Palermo. Në vitin 1961 ka pas drejtuar degën e lëvizjes studentore të organizatës katolike Azione Cattolica në rajonin e Lacios. Këtë detyrë e pati mbajtur deri në vitin 1964. Në një sërë gazetash italiane është theksuar se në vitet studentore, Serxho Matarela ka pas qenë anëtar i Federatës Katolike Italiane. Në vitin 1964 ai mbaroi studimet e larta në Universitetin e Romës La Sapienca, ku pati studiuar për drejtësi. Prej vitit 1965, Matarela ka dhënë lëndën mësimore “E drejta Kushtetuese” në Universitetin e Palermos dhe në vitin 1967 qe pranuar në kolegjin e avokatëvë të Palermos.

Siç shihet nga këto të dhëna të shkurtra jetëshkrimore, rezulton se ai është një jurist me një stazh mjaft të gjatë, prej 51 vjetësh. Por duhet pasur parasysh se fusha e drejtësisë është e lidhur ngushtë me fushën e historisë dhe një juristi nuk mund t’i falen në asnjë mënyrë lajthitjet e rënda që ai mund t’ia lejojë vetes në ca rrethana të caktuara dhe për disa arsye të caktuara që i di vetë ai.

Deklarata e tij në parlamentin e Serbisë, që është një shtrembërim trashanik i së vërtetës historike, mund të shpjegohet me dy arsye:

Së pari, presidenti italian kërkon të vijë në sinkron me historiografinë shoviniste të fqinjëve tanë për shtrembërimin e të vërtetave historike për iliroshqiptarët, ashtu siç kanë mashtruar dhe vazhdojnë të mashtrojnë serbogrekët kundër kombit shqiptar. Presidenti italian është në të drejtën e tij për t’i dashur dhe për t’i respektuar aq shumë serbët, por kjo nuk do të thotë aspak që ai duhet të shtrembërojë të vërtetat historike për perandorët romakë me prejardhje ilire, të cilët kërkon t’i shesë për perandorë “serbë”. Se dihet historikisht që 20 perandorë romakë, duke filluar nga Deciusi (249-251) deri te Justiniani I (527-565) e kanë pasur prejardhjen nga Iliria. Perandori Konstandini i Madh, të cilin presidenti italian na e quan posaçërisht“serb”, ka lindur në vitin 274, është shpallur perandor në vitin 306 dhe ka vdekur në vitin 337. Sipas gjykimit paradoksal të presidentit italian, meqenëse perandori Konstandin ka lindur në Nish, një territor ky asokohe ilirian, por që sot është territor serb, atëherë ai paska prejardhje “serbe”?!

Së dyti, presidenti italian ose duhet të ketë mangësi të theksuara në fushën e historisë ose duhet të ketë probleme serioze me kujtesën, e cila i qenka dobësuar deri në atë shkallë, saqë arrin të nxjerr nga goja një absurditet të pastër. Sepse dihet botërisht që caqet kronologjike të ekzistencës së Perandorisë Romake përfshijnë një periudhë kohore që fillon me qeverisjen e Oktavian Augustit dhe vazhdojnë deri në ndarjen e saj në Perandori Romake të Perëndimit dhe në Perandori Romake të Lindjes, domethënë prej vitit 27 p.e.r. deri në shembjen e Perandorisë Romake të Perëndimit në vitin 476 e.r., ndërkohë që Perandoria Romake e Lindjes vazhdoi të mbijetojë edhe gati 1000 vjet, deri në vitin 1453, kur Mehmeti II pushtoi Konstandinopojën.

Dihet, po ashtu, botërisht, se deri në shembjen e Perandorisë Romake të Perëndimit, tributë serbe vazhdonin të jetonin në stepat ruse dhe vetëm gati dy shekuj më vonë filluan të shtegtojnë drejt Karpateve dhe në drejtim të Danubit, për t’u hedhur në jug të tij, ku shtriheshin territoret e Ilirisë. Prandaj shpikja e atyre 17 perandorëve “serbë” që na “paskan qeverisur” Perandorinë Romake, përbën një mashtrim të kulluar nga ana e presidentit italian.

Më bëri shumë përshtypje fakti që kjo deklaratë e lajthitur e presidentit italian nuk u bë objekt diskutimesh as nga mjetet e informimit masiv, as nga analistët e shumtë që kanë mbirë si fara e krisjes (e gramit), as nga politika e ditës, as nga qarqet shkencore dhe sidomos nga Akademia e Shencave, e cila, me sa duket, vazhdon të mbetet një ngrehinë inerte që nuk dëshiron ta dijë se ku bien me adresë të vërtetat historike për figurat e njohura të Perandorisë Romake me prejardhje nga Iliria.

 

Tiranë, 30 maj 2015

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: